otim i përmuajshëm qendrës rajonale të mjedisit (rec...

16
lexoni në faqen 9 Patrullim renxhersash me trupa të Shqipërisë dhe Malit të Zi NASA dhe Google: Unioni kozmik lexoni në faqen14 Ndryshimet e klimës, një çështje globale që kërkon një përgjigje globale Nr. 116 | Dimër 2006-2007 lexoni në faqen 5 BOTIM I PËRMUAJSHËM I QENDRËS RAJONALE MJEDISIT (REC) - SHQIPËRI

Upload: haanh

Post on 06-Feb-2018

243 views

Category:

Documents


1 download

TRANSCRIPT

lexoni në faqen 9

Patrullim renxhersash me trupa të Shqipërisë dhe Malit të Zi

NASA dhe Google: Unioni kozmik

lexoni në faqen14

Ndryshimet e klimës, një çështje globale që kërkon një përgjigje globale

Nr. 116 | Dimër 2006-2007

lexoni në faqen 5

Botim i përmuajshëm i Qendrës rajonale të mjedisit (reC) - shQipëri

MJEDISI SOTështë një botim periodik i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Zyra në ShqipëriNë këtë botim të përmuajshëm do të gjeni informacion për probleme mjedisore, lajme të përzgjedhura, opinione e komente për çështje të mjedisit nga vendi dhe rajoni, informacione për aktivitete për mjedisin nga vendi dhe bota etj.Versionin elektronik të kësaj reviste mund ta gjeni në faqen: http://albania.rec.orgPër të marrë “Mjedisi Sot”, e përditshme elektronike, me postë elektronike apo revistën “MJEDISI SOT” (botim i përmuajshëm), dërgoni emrin dhe adresën tuaj pranë Zyrës së REC në Shqipëri, në adresat:

Kutia Postare 127, Tiranë;Tel/Faks: (04) 23 29 28;

ose [email protected]://albania.rec.org

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC)për Europën Qendrore e Lindoreështë një organizatë ndërkombëtare jopartizane, joa-vokate, jofitimprurëse, që mbështet zgjidhjen e prob-lemeve mjedisore në Europën Qendrore e Lindore (EQL), duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet organi-zatave joqeveritare, qeverive, bizneseve e aktorëve të tjerë mjedisorë, si dhe duke mbështetur shkëmbimin e lirë të informacionit dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore. REC është krijuar në 1990 nga SHBA, Komisioni Europian dhe Hungaria. Sot REC, bazohet ligjërisht në Kartën e tij, nënshk-ruar nga 28 vende dhe nga Komisioni Europian, dhe në një marrëveshje ndërkombëtare me qeverinë hun-gareze. REC ka zyrën qendrore në Szentendre, Hun-gari, dhe zyrat e vendeve në secilin prej 15 vendeve përfituese. Shqipëria e ka nënshkruar Kartën e REC në 1993. Zyra e REC për Shqipërinë është hapur në 1994. Kjo zyrë punon për realizimin e misionit të REC duke mbështetur organizatat jofitimprurëse, institucionet mjedisore në të gjitha nivelet dhe ak-torë të tjerë të interesuar në fushën e mjedisit, duke mbështetur proceset pjesëmarrëse dhe shkëmbimin e lirë të informacionit. Fushat kryesore të veprim-tarisë janë: Programi i granteve për OJF-të; Planet Lokale të Veprimit në Mjedis, Informacioni Mjedi-sor; Edukimi Mjedisor; Programi i kualifikimit për OJF-të dhe zyrtarë të mjedisit, nismat dhe programet vendore e rajonale etj. Donatorët më të fundit janë: Komisioni Europian, Ambasada e Mbretërisë së Holandës, SIDA, UNDP, GEF/SGP, Fondacioni SOROS, SDC, BE, etj.http://albania.rec.org

Numër 116 | Dimër 2006-2007

Opinionet e shprehura në shkrimet e kësaj reviste nuk paraqesin domosdoshmërisht opinionet e Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC)

Kanë kontribuar për këtë numër:

Alken Myftiu | Brikena Demiras | Eduart Cani | Eno Dodbiba | Ermir Dobjani |

Stafi Editorial

Mihallaq Qirjo | Alken Myftiu | Brikena Demiras | Genta Hoxha | Eduart Cani | Daniela Tola

EDITORIAL 3Lufta ndaj ngrohjes globale nis te vetja

NGA VENDI 3-4Projekti i gjelbërimit të Lanës merr fund“Parku kombëtar i paqes” jo vetëm në mbrojtje të mjedisitKompania e Parqeve në ndihmë të turizmit të qëndrueshëmUlja e nivelit në Fierzë, katastrofë ekologjike

NGA REC 12-13Aktivitet të REC Shqipëri gjatë vitit 2006

PROFIL 11Mbërrin guida malore

NGA BOTA 14-15NASA dhe Google: Unioni kozmik2007-ta, Viti Ndërkombëtar PolarNjerëzit përgjegjës për ngrohjen globaleBien burimet ujore në AfrikëAkulli i Arktikut drejt shkrirjes së plotë deri në 2040-ën

AKTUALITET 5Patrullim renxhersash me trupa të Shqipërisë dhe Malit të ZiOSBE financon Qendrën e Informacionit të MMPAU

TEMA E MUAJIT 7-10Sa të përgatitur jemi në prag katastrofash mjedisore?Debate dhe dilema në rang botëror rreth raportit të SternitNdryshimet e klimës, një çështje globale që kërkon një përgjigje globale

në këtë numër

Ky botim mbështetet financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | �

Edit

oria

l

Shkurt

Forum

Shkurt

Lufta ndaj ngrohjes globale nis te vetja

Temperaturat tregojnë se dimri po shtyhet në kohë. Vjeshta këtë vit në Shqipëri ka qenë më e ngrohtë se çdo herë tjetër dhe stinët nuk ndjekin më kohën natyrale të ndërrimit. Nëntori me maksimale temperaturash deri në 24-25 gradë Celsius, si rrallë herë më parë, i bëri njerëzit të gëzonin ditë me diell, deri në mes të dhjetorit. Po kështu, mungesa e reshjeve, sidomos në zonat malore, por edhe në kryeqytet, që në stinën e vjeshtës i ka më se të zakonshme shirat e vazhdueshëm, u tregoi njerëzve shenjat e duhura që të fillojnë të mendojnë seriozisht për katastrofat globale.

Sa është ndërgjegjësuar shoqëria shqiptare për këtë fenomen? Është një pyetje e vështirë për t’i kthyer përgjigje. Reagimet janë të ndryshme. Gjëja e parë që pohojmë me njëri-tjetrin është se natyrisht kemi filluar të lexojmë më shumë rreth temës, të dëgjojmë në media, të shfletojmë në internet, apo edhe nëpër libra.

Kemi filluar të bëjmë batuta rreth ngjarjeve, ta përdorim në biseda qoftë serioze, qoftë edhe të rastësishme. Mendojmë rreth saj, por nuk thellohemi. Çdo gjë nis nga e përditshmja. Sa më pak të ndikojmë çdo ditë, aq më e mirë mund të jetë bota nesër për të gjithë ne. Çdokush kërkon perfeksionin, pa e çuar ndërmend se nga çfarë lehtësirash të jetës së përditshme duhet të heqë dorë konkretisht, ose t’i përmirësojë ato, në mënyrë që mjedisi rreth tij të dëmtohet sa më pak. Kur kjo të ndodhë realisht në Shqipëri, atëherë mekanizmi do të fillojë të ecë në anën e kundërt.

Shkencëtarët në botë ndërkaq kërkojnë dhe gjejnë shkaqet e fenomenit. Prej vitesh është folur për rrezikun pas shkrirjes së akullnajave, si rezultat i ngrohjes globale. Po nuk pritet të kalojnë dhe shumë vite të tjerë që ky rrezik të bëhet shkatërrues për njerëzimin mbi tokë. Bota, sidomos vendet fqinje të akullnajave prej vitesh tashmë kanë nisur “luftën” ndaj ngrohjes globale, pikërisht për të mbrojtur së pari vetveten, duke qenë më afër katastrofës.

Duke mos ndalur këtë betejë, kanë përfshirë jo vetëm popujt e tyre, por edhe ata që mendojnë se janë më pak të rrezikshëm për mbijetesën e të gjithëve ne në këtë glob. Të gjithë janë në një mendje, kemi ende mundësi ta mbrojmë planetin, ta riparojmë dhe t’i kthejmë ato elementë të domosdoshëm që ai dhe bashkë me të edhe ne, të mos fundosemi në humbëtirë.

Projekti i gjelbërimit të Lanës merr fund

Lana është e gjelbër në gjithë gjatësinë e saj që prej mesit të dhjetorit. Me mbjelljen e më se 100 rrënjëve pemë të llojit bli, në segmentin nga Ura e “Irfan Tominit” deri tek Ura e Shkollës Teknologjike përfundoi projekti disavjeçar për gjelbërimin e Lanës. Gjatësi që arrin në 4 kilometra, duke nisur nga Materniteti i Ri deri te Shkolla Teknologjike. Në vitet ’90, buzët e Lanës u zaptuan tërësisht nga ndërtimet rastësore dhe u zunë të gjitha kanalizimet. Gjithçka u mbulua thuajse tërësisht nga plehrat, llaçi dhe betoni. Pas vitit 2001, Bashkia e Tiranës ndërmori dhe realizoi një sërë projektesh për rehabilitimin e saj. Të gjitha ndërtimet u shkatërruan, shtrati i saj u pastrua dhe skarpatet e Lanës u gjelbëruan sërish. Gjithashtu, kanalizimet e rrugëve buzë Lanës dhe vetë këto rrugë u rindërtuan, duke e kthyer këtë lumë në një vijë rrjedhëse normale.

“Parku kombëtar i paqes” jo vetëm në mbrojtje të mjedisit

“Parku Ballkanik i Paqes”, një projekt që synon mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit dimëror dhe atij veror, duke përfshirë tre vende, përkatësisht Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi mblodhi në Shkodër përfaqësues të shoqatave ndërkombëtare mjedisore dhe turistike, të cilët kanë diskutuar mbi ecurinë e këtij projekti që ka nisur tre vjet më parë. Qëllimi i këtij projekti është që mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi të organizohet një Park Ballkanik Paqe, i cili mendohet të jetë pa kufij dhe do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit, në zhvillimin e turizmit dimëror dhe atij veror dhe të jetë një simbol paqeje për rajonin dhe Ballkanin, duke ndikuar dhe në bashkëpunimin rajonal. Ai fillon nga zonat e Vermoshit, Thethit, Valbonës në Tropojë duke vazhduar në Kosovë, Deçan, Bjeshkët e Rugovës, Bjeshkët e Rrozhajës, Plavë, Guci, dhe lidhet përsëri me zonën e Vermoshit, pra e quajtur ndryshe “Bjeshkët e Namuna”.

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 4

nga Vendi

Parku Kombëtar i Llogorasë

Kompania e Parqeve në ndihmë të turizmit të qëndrueshëm

Një rreth virtuoz mes mjedisit, territorit, ekonomisë dhe turizmit. Kjo është ajo çka “Kompania e Parqeve” ndihmon të kthehen zonat e mbrojtura dhe ato rurale. Ajo bën të mundur “kthimin e të ardhurave” për këto territore jo sa duhet të vlerësuar, por të pasur me veçanti, dhe u krijon mundësi popullatave lokale të ringrenë një mikroekonomi në fushën e turizmit, me investime jo të larta fillestare. Eshtë pikërisht programi i UNDP Albania nëpërmjet Projektit ART/GOLD, Iniciativa IDEASS që ka prezantuar iniciativën e re “Kompania e Parqeve” për një turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri. Ky aktivitet është në vazhdimësi të aktiviteteve që UNDP ka zhvilluar në vendin tonë. Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të vendit. Shqipëria numëron 13 Parqe Kombëtare dhe zonat e mbrojtura zënë rreth 9,2% të sipërfaqes së saj.

“Kompania e Parqeve” është një novacion për zhvillimin ekonomik lokal. Eshtë një model i suksesshëm i cili po kërkohet të aplikohet edhe në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë. Ajo ndihmon që parqet dhe zonat e mbrojtura të zhvillohen nëpërmjet turizmit. Kjo do të çonte në kultivimin më të mirë të kulturës kombëtare popullore, historisë, folklorit dhe arkitekturës. Ky model bën të mundur që popullsia lokale si dhe kompanitë e biznesit të vogël të arrijnë të ardhura ekonomike mbase edhe në një kohë të shkurtër në ato zona të cilat përmbajnë kushte zhvillimi të caktuara. Kompania e Parqeve kryen më shumë se një funksion: promovon turizmin e parqeve; krijon lidhje mes kërkesës dhe ofertës turistike; zhvillon një kulturë të turizmit dhe të mikpritjes të përhapur në territoret italiane më pak të zhvilluara, që shpesh përkojnë me zonat park, duke ndihmuar kështu lindjen e sipërmarrjes turistike, edhe përmes ndërhyrjeve që synojnë formimin.

Në bashkëpunim me entet përkatëse, ajo ka krijuar në botë deri tani një rrjet prej më shumë se 1 mijë strukturash pritëse, që promovohen nëpërmjet internetit, panaireve në këtë sektor dhe në rrethet e specializuara për këtë. Për sa i përket cilësisë, “Kompania e Parqeve” ka ndihmuar përhapjen e kulturës së mikpritjes turistike në zona “tradicionalisht jo të prirura për këtë” dhe ka nxitur zhvillimin e krenarisë së identitetit. “Kompania e Parqeve” vepron duke e kthyer në fitimprurëse trashëgiminë ekzistuese (shtëpi dhe struktura për pritëse) dhe atë që territori prodhon (produkte tipike, artizanat dhe tregti e vogël) duke nxitur kështu edhe zhvillimin e veprimtarive të reja të shërbimit turistik. Ky model u jep mundësi subjekteve lokale që, edhe brenda një kohe të shkurtër, të kenë rezultate ekonomike kundrejt investimeve minimale.

Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë e realizuar shumë projekte për mbrojtjen dhe shfrytëzimin racional të natyrës sonë. Nga bashkëpunimet e saj me UNDP, Bankën Botërore, BE, etj., mund të përmenden projektet e MedWetCoast për ruajtjen e ekosistemit të ligatinave në rajonin e Vlorës, menaxhimi i ekosistemit të Ujërave në Kune-Vain, menaxhimi i Liqenit të Shkodrës e ai i Prespës.

Nga rezultatet paraprake të misionit veçohet si i rëndësishëm fakti se Shqipëria do të jetë një vend i ftuar nderi i veçantë në Panairin “Mediterraneo 2008” Itali, propozuar kjo nga Ministria e Mjedisit, të Pyjeve dhe të Administrimit të Ujërave.

Në bashkëpunim me qeverinë dhe institucione shqiptare IDEASS ka promovuar dhe vënë në zbatim edhe iniciativa të tjera të ndryshme për zhvillimin njerëzor si “Stabilak” për mbrojtjen natyrale të qumështit, “Metoda Nëna Kangur” për trajtimin e fëmijëve prematurë, “Paketa Mushama” për një trajtim natyral të vajit, bimëve, kafshëve dhe shëndetin njerëzor, “Lagunat” për pastrimin natyral të ujërave të zeza si dhe “Kompania e parqeve”.

Ulja e nivelit në Fierzë, katastrofë ekologjike

KUKËS-Prurjet e pakta në Liqenin e Fierzës, kanë çuar në zbrazjen e gati 1/3 të gjatësisë së tij gjatë mesit të dhjetorit. Krahas situatës së rëndë në sistemin energjetik në Shqipëri, që ka shkaktuar zbrazja e Liqenit të Fierzës, të njëjtat pasoja janë edhe për faunën e biodiversitetin në këtë liqen. Rrezikohen të zhduken speciet e peshkut si, krap, luçiper, ballgjerë, karas dhe lloje të tjera që kultivohen kryesisht në liqen. Peshku i këtyre llojeve gjendet çdo ditë në tregun e Kukësit, por edhe në Kosovë. Çmimet e peshkut në tregun e Kukësit, janë aktualisht nga më të ulëtat të regjistruara në periudhën 10-vjeçare, ku 1 kilogram peshk i llojit krap shitet me 100-150 lekë të reja për kilogram, ndërkohë që luçipera, si peshk i rrallë dhe shumë i kërkuar, shitet deri në 200 lekë për kilogram. Peshkatarëve ushtrojnë kryesisht aktivitet të paligjshëm në Liqenin e Fierzës, por ata justifikohen në këtë periudhë me shprehjen se peshku “ka dalë sheshit”. Për t’ju larguar cektësisë së ujit, koloni të mëdha peshku janë përqendruar në pellgje uji relativisht më të mëdha se shtrati i Lumit Drin, si dhe në zonën ku ndërpritet rrjedha e ujit. Në zonat ku përqendrohet peshku, peshkatarët kanë hedhur rrjetat e peshkimit dhe për çdo rrjetë ata zënë nga 100-150 kilogramë peshk. Liqeni i Fierzës, më i madhi nga liqenet artificialë në Shqipëri, është krijuar në vitet ‘79-‘80, si rezultat i ndërtimit të hidrocentralit me të njëjtin emër. Ky është një liqen oligotrof dhe ka një bosht gjatësor prej 70 kilometër dhe me një sipërfaqe maksimale prej 7 mijë hektarësh, ku 5 mijë hektarë merren në konsideratë për qëllimin e rritjes dhe kultivimit të peshkut. Kapaciteti maksimal ujëmbajtës i Liqenit të Fierzës, arrin në rreth 3,2 miliardë metër kub ujë, ndërkohë që kapaciteti minimal, i cili mund të shkaktojë edhe situatat më kritike të prodhimit të energjisë elektrike, është rreth 1,2 miliardë metër kub ujë.

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | �

aktualitet

Për herë të parë në historinë e Liqenit të Shkodrës

Patrullim renxhersash me trupa të Shqipërisë dhe Malit të Zi

Nga Djana Bejko, Zyra REC Shkodër

Në kuadër të projektit “Bashkëpunimi Ndërkufitar përmes menaxhimit të resurseve natyrore”, Qendra Rajonale e Mjedisit organizoi një vizitë studimore 2 ditore në Parkun Kombëtar Liqenin e Shkodrës. Në këtë vizitë studimore merrnin pjesë trupat e ruajtjes (renxhers) dhe kontrollit në liqenin e Shkodrës nga të dy vendet Shqipëri – Mali i Zi.

Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i eksperiencave mes dy vendeve në drejtim të ruajtjes, mbrojtjes dhe patrullimit të vazhdueshëm në Liqenin e Shkodrës, një ekosistem unik që natyra u ka dhuruar të dy vendeve. Nga ana tjetër, kjo vizitë synonte forcimin e bashkëpunimit mes trupave homologe si dhe punën konkrete në terren me qëllim njohjen dhe transferimin e modeleve të mira në pjesën shqiptare të Liqenit të Shkodrës.

Gjatë dy ditëve, renxhersat e Liqenit të Shkodrës u njohën me praktikat e punës së homologëve të tyre në Malin e Zi, legjislacionin ekzistues për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave natyrore të Liqenit të Shkodrës, si dhe rregullat e funksionimit dhe menaxhimit të Parkut Kombëtar Liqeni i Shkodrës. Pranë Parkut Kombëtar në Malin e Zi është ngritur edhe qendra e informacionit nëpërmjet të cilës pjesëmarrësit u njohën me speciet bimore dhe shtazore që jetojnë në liqenin e Shkodrës, statusin e ruajtjes së tyre si dhe periudhat e ndaluara të gjuetisë dhe zënies së peshkut.

Është e rëndësishme të theksohet se gjatë kësaj vizite studimore, Liqeni i Shkodrës, u patrullua nga trupat homologe të të dy vendeve. “Një gjë e tillë, - u shpreh drejtori i Parkut z. Zoran Merdak, - përbën një moment historik pasi ky është vetëm fillimi dhe tregues pozitiv i punës sonë të përbashkët në të ardhmen”.

Jo më pak duhet të vlerësohet demonstrimi i përbashkët i djegies së 1.500 rrjetave të peshkimit të sekuestruara gjatë vitit 2006 në pjesën malazeze nga peshkatarët e palicensuar apo peshkimi në periudha të ndaluara. Ky demonstrim ishte një shembull pozitiv i funksionimit të ligjit dhe zbatimit të tij në drejtim të ruajtjes dhe mirëmenaxhimit të resurseve natyrore të Liqenit të Shkodrës në Malin e Zi, një tregues ky për domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit edhe në pjesën shqiptare.

OSBE financon Qendrën e Informacionit të MMPAU

Ambasadori i OSBE-së Pavel Vacek dhe Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli hapën zyrtarisht Qendrën e Informacionit Aarhus.

Qendra e Informacionit është e para në administratën shqiptare që njeh investimin e OSBE-së për forcim të kapaciteteve, duke pasur parasysh numrin dhe interesin e publikut për informacion mjedisor

Investimi i OSBE-së konsiston në pajisje zyrash me kompjuter, printer, video-center, libra dhe video me filma mjedisorë.

Gjithashtu OSBE-ja do të financojë në trajnime të ndryshme në të gjithë vendin për ngritjen e kapaciteteve të personave që duhet të japin informacion mjedisor.

Kjo qendër do të jetë e hapur 8 orë në ditë gjatë gjithë javës dhe pa shpenzime financiare, për organizatat joqeveritare mjedisore, studentë dhe publikun e interesuar për të marrë informacion mjedisor.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve të stafit të informacionit të MMPAU. Gjithashtu do të shtrijë informimin mjedisor edhe në rrethe tjera të vendit duke synuar informimin sa më të plotë të komunitetit për problematikat e mjedisit.

Qendra e Informacionit e Ministrisë së Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka filluar të funksionojë rreth tre vite më parë. Në këtë qendër, qytetarëve u ofrohen shërbime si dhënia e informacionit mjedisor. Vetëm gjatë këtij viti, numri i qytetarëve që kanë kërkuar informacion mjedisor është 1.212 veta. Publiku më i interesuar janë studentët, pedagogët dhe OJF-të mjedisore, Gjithashtu, në këtë qendër publikohen dhe procedurat për aplikim për leje mjedisore për bizneset e ndryshme, botime që bëhen nga qendra ose OJF-të në fushën e mjedisit. Kjo qendër publikon çdo muaj buletinin mjedisor elektronik, i cili u shpërndahet rreth 350 adresave të regjistruara në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në shërbim të OJF-ve mjedisore, organizmave të huaja, Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, ministrive të linjës, etj.

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 6

shëngjini Atje ku deti gllabëron bregun!Përgjatë bregut detar të komunës Shëngjin humbasin çdo vit 1 deri në 3 metra tokë. Erozioni detar shfaqet shumë agresiv në grykëderdhjen e lumit Drin.

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 7

tema e muajit

Ndotja e ajrit nga shkarkimet e gazrave në vendin tonë është një shqetësim jo i

pakët për kryeqytetin, të cilin studiues të ndryshëm e kanë quajtur një nga qytetet të ndotura të Evropës. Arsyet janë të shumta, ndotja nga ndërtimet, ndotja nga karburantet dhe makinat e vjetëruara që kanë hyrë në vend që prej një dekade, të cilat vazhdojnë të përdoren edhe pse janë jashtë çdo standardi dhe natyrisht edhe ndikimi i përditshëm i njerëzve dhe veprimtarisë industriale. Sado në masë të vogël, ndotja është e gjithëgjendur në jetën tonë të përditshme, normat e ndotjes shpesh herë janë deklaruar si 6 deri në 7 herë më të larta se të vendeve të tjera dhe në fakt ky problem mbetet i qëndrueshëm prej vitesh. Askush nuk mund ta ndalojë, sepse është një gjë që nuk mund të bëhet me një shkop magjik. Këtë gjë e kuptojnë të gjithë dhe janë munduar që të gjejnë zgjidhje të ndryshme, të nisin projekte dhe plane strategjikë, janë bërë dhe rifreskuar strategjitë kombëtare dhe drejtimet janë caktuar.

Në kuadrin e integrimit në bashkësinë evropiane, edhe ligjet janë duke marrë formën më të ashpër të mundur, për të reduktuar sa më shumë ndotjen. Por ndikimi që shkarkimi i gazrave shqiptarë mund të kenë në rang global, nuk është i njohur, sado që është në masë minore. Raporti i komisionerit britanik, Nikolas Stern theksoi rëndësinë e vendimmarrjes për sa i përket veprimtarisë ndotëse njerëzore dhe kujdesin që në këtë moment preciz duhet të nisë të bëjë njerëzimi ndaj mjedisit. Kryeministri britanik, Toni Bler ka ngritur zërin në këtë aspekt dhe ka paralajmëruar

se ngrohja globale do të ketë pasoja katastrofike, nëse nuk ndërmerren masa për të zvogëluar shkarkimin e gazrave që e shkaktojnë atë. Bler është shprehur se njerëzimi duhet të ndryshojë sjelljen për të shmangur katastrofën globale. Përveç zhurmës që këto fjalë kanë bërë që prej tetorit të 2006, në vendin tonë nuk është se kanë marrë ndonjë përgjigje serioze, madje gati-gati ne ndihemi si të shkëputur nga situata të tilla. Ndoshta harrojmë se ne na ngroh i njëjti diell, na lag i njëjti shi dhe mbi ne ndikojnë të njëjtat kushte atmosferike. Situata tenton të përkeqësohet, sepse çdo vit emetohen më shumë gazra, të cilat duhet t’i zvogëlojmë. Ekonomia shqiptare në masën më të madhe të saj ka ndikim të vogël në rang botëror, gjithsesi nëse ndodh një katastrofë globale, ne do të jemi sigurisht më pak të mbrojtur prej tyre. Parashikimet për ngritjen e ekonomisë shqiptare duken optimiste, megjithëse shqiptarët po kalojnë një nga dimrat më të ngrohtë gjatë tridhjetë vjetëve të fundit. Është për shkak të ngrohjes globale? Askush nuk mund ta vërtetojë shkencërisht, por shenjat janë të tilla.

Qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë janë zhytur në një errësirë të thellë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Një prej shkaqeve është natyrisht, sipas ekonomistëve edhe mungesa e reshjeve, që sigurisht nuk po bien vetëm e vetëm për shkak të ndryshimit të klimës. Sidoqoftë, ekonomistët thonë se vitin tjetër do të jetë më mirë. E ardhmja mbetet në diskutim. Shqetësimet sipas raporteve shqiptare mbeten mundësitë e vendit për të përballuar sfidat e së ardhmes. Në rast se administrata shtetërore

përcaktohet si një pengesë dhe jo ndihmëse për zhvillim, ajo është edhe objektivi i kritikave. Sëmundja duhet të shërohet dhe funksionarët duhet të luajnë rolin e tyre, në rast se nuk duan të shohin ritme të ulëta rritjeje. Faktorët e pakontrolluar mund të pushojnë efektin e tyre pozitiv dhe shoqëria shqiptare mund të përballet shpejt me kaos. Pra, do të jetë kuadri ligjor i ri dhe, sidomos, impenjimi për zbatimin e tij në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe, nga ana tjetër, saktësia në përcaktimin e hartimin e planeve strategjike për zhvillim, ajo çka do të bëjë të mundur hapjen e perspektivave të reja. Bler paralajmëroi se nëse për një kohë të shkurtër nuk do të bëhemi të arsyeshëm, në një kohë kur po pranohet se ka ndryshime në klimë, vështirësitë do të fillojnë të shfaqen. Prandaj duhet të gjenden mënyra të tjera për të ndihmuar rritjen ekonomike duke zvogëluar emetimet e karbonit. Presidenca e grupit G8, të vendeve më të industrializuara, e ka përcaktuar vitin 2007 si fillimi i punës për të bindur të tjerët se situata është e rëndë. Shqipëria tenton që të jetë në një vijë me planet e BE-së dhe çdo plan që do të ndërmerret në këtë kuadër do të jetë në favorin tonë të përbashkët. Por, në arenën ndërkombëtare nuk ka vetëm përqafues të kësaj ‘doktrine’, ka edhe kundërshtarë. I tillë është kundërshtimi amerikan që iu bë Protokollit të Kiotos për ndryshimet klimatike. Ndërsa vende në zhvillim, si Kina dhe India, janë sigurisht mes atyre popujve që duhet të binden për rëndësinë e masave që duhet marrë kundër ngrohjes globale.

Sa të përgatitur jemi në prag katastrofash mjedisore?

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | �

tema e muajit

Vërtetësia e të dhënave shkencore të raportit të Sternit për ndryshimet klimatike është relative. Gjatë muajit tetor, kur ky botim u bë publik, u

hodh në faqen e internetit dhe më pas u diskutua, pati reagime të ndryshme nga të gjitha anët e botës. Natyrisht, pjesë të ndryshme të globit nuk ishin në të njëjtin mendim, shumë të tjerët u shfaqën skeptikë dhe e panë me dyshim këtë raport. Të tjerë qarqe shkencëtarësh hedhin pyetje të ndryshme dhe dyshojnë në të dhënat për dëmet që janë dhënë në raport për shkak se ato rezultojnë shumë herë më të larta se çdo lloj raporti tjetër që mund të jetë bërë. Një tjetër pyetje interesante është ngritur në lidhje me vlerësimin e dëmeve nga ndryshimet klimatike në nivelin e 5 - 20 për qind. Më poshtë janë disa nga përgjigjet që ka dhënë hartuesi i raportit dhe grupi i punës që e ka ndihmuar, rreth këtyre pyetjeve.

Pse vlerësimet tuaja për dëmet janë më të larta se studime të tjera?

Vlerësimet tona janë më të larta për disa arsye. Së pari, ne trajtojmë rreziqet në mënyrë të hollësishme–

kjo çështje është e gjitha për rreziqet. Ne këtu përdorim teknika ekonomike standarde për riskun e politikave ekonomike.

Së dyti, ne përdorim një literaturë më të fundit, si në aspektin e shkencës ashtu edhe për probabilitetet, që theksojnë rreziqe domethënëse për rritjen e temperaturave mbi 5°C për fillimet e pjesës së parë të shekullit të ardhshëm. Studimet e mëparshme kanë vënë fokusin në rritjen e temperaturave me 2 ose 3°C. Dëmtimet nga 5°C do të ishin shumë herë më të larta– dëmet shtohen më shpejt se sa temperaturat.

Së treti, ne sugjerojmë që etika e problemit debaton me “kohën e saktë” të mirëqenies së gjeneratave që do të vijnë.

Së fundi, ne marrim parasysh edhe ndikimet e ndryshme në rajone të varfra, duke reflektuar faktin se ata që jetojnë në varfëri do ta ndjejnë humbjen e të ardhurave në mënyrë më të ashpër.

deBate dhe dilema në rang Botëror rreth raportit të sternit

Si del rezultati i � – 20% i dëmeve nga ndryshimet klimatike?

Ne kemi arritur në rezultatin se 5% është i bazuar në shkencën e klimës prezantuar në “IPÇ’s Third Assessment Report”, në 2001. Ai nuk përcakton ndonjë vlerë për ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis. Vlerësimet ngrihen mbi bazën e dimensioneve të ndryshme të rrezikut dhe të ndikimeve që përfshihen.

Vlerësimi i dëmtimeve shkon deri në 7%, kur modeli rregullohet për t’iu përmbajtur mundësive për amplifikim të reagimeve në sistemin klimaterik (karboni i dobësuar fundoset dhe çlirohet gjithnjë e më shumë metan natyral. Ky është vetëm një shembull nga literatura shkencore për rritjen e rrezikut publikuar më parë se raporti i 2001.

Vlerësimi i dëmtimeve shkon deri në 11% për supozimet rreth origjinës së klimës, ose deri në 14% bashkë me rrezikun në rritje të klimës, kur vlera ekonomike të ndikimit mbi shëndetin njerëzor dhe mjedisin janë të përfshira. Raporti paralajmëron se vlerësime të tilla duhet të trajtohen me kujdes dhe në pjesën më të madhe të kapitujve i kushton vëmendje edhe efekteve të papëlqyeshme.

Vlerësimi i dëmeve tenton të shtohet akoma më shumë, minimalisht me një të tretën, nëse llogariten të ardhurat jo të barabarta të përkohshme.

Roli i modelit të integruar jepet si ilustrim i efekteve potenciale të ndryshimeve klimatike, dhe këtë raporti e ka theksuar mjaft qartë. Modelimi i ndikimeve ekonomike të ndryshimeve klimatike në horizontin e një kohë përtej të ardhmes së afërt nuk mund të japë rezultate precize. Vlera e përqasjes është te fakti se lejon të hetohet roli i specifikimeve të ndryshme të strukturës-model dhe supozimeve etike. Gjykimet etike që duhet të studiohen përfshijnë ato që kanë të bëjnë me çështjen se si shoqëritë duhet t’i peshojnë ndikimet në gjenerata të ndryshme.

Ndikimet janë përshtatur duke përdorur një teknikë që lejon gjetjen e një mesatareje në kohë, si dhe rrezikun në një mënyrë që të na lejojë t’i krahasojmë me koston që do të kishte zvogëlimi.

Në faqen e internetit <www.sternreview.org.uk>, jepen detaje mbi metodologjinë që është përdorur në përgatitjen e këtij raporti.

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | �

tema e muajit

Ekonomia politike mbi ndryshimet klimatike është formuar nga shkenca. Kjo dikton edhe strukturën e analizave ekonomike dhe politikave; prandaj ne

fillojmë me shkencën. Ndikimi njerëzor mbi ndryshimet klimatike është shkaktuar nga emisionet e dioksidit të karbonit dhe gazrat që shkaktojnë efektin serë (GHGs) që janë akumuluar në atmosferë kryesisht gjatë 100 viteve të shkuar. Shkencëtarët nxjerrin në pah se ndryshimet klimatike janë një çështje serioze dhe urgjente që na imponohet. Ajo autorizon aksione të forta për të pakësuar emisionet e gazrave që shkaktojnë efektin serë në gjithë botën, për të pakësuar rrezikun e ndikimit tepër shkatërrues dhe potencialisht të pakthyeshëm në ekosistem, shoqëri dhe në ekonomi. Me anën e politikave të mira kostoja e veprimeve nuk është e nevojshme që të pengohet dhe mund të jetë më e vogël se sa dëmi që shmanget. Duke kthyer mbrapsht tendencën e ngritjes së temperaturave globale ekonomia mbarë botërore synon të zhvendoset në një ekonomi me përdorim të ulët të karbonit.

Vonesat e bëjnë problemin më të vështirë dhe veprimet për t’u përballur me të janë më të kushtueshme.

Menaxhimi i këtij kalimi në mënyrë efektive dhe efecientë hedh për diskutim sfida etike dhe ekonomike, por gjithashtu edhe mundësi, të cilat ky raport ekspozon për t’u studiuar.

Ndryshimet e klimës, një çështje globale që kërkon një përgjigje globaleNga Nikolas Stern

Politikat ekonomike kanë shumë për të thënë në lidhje me vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të ndryshimeve klimatike, dhe se si të konturohen përgjigjet kombëtare dhe ndërkombëtare për të dy çështjet, reduktimi i emisioneve dhe adoptimi me ndikimet që ne nuk mund t’i shmangim më.

Nëse politikat ekonomike përdoren për të prodhuar politika me kosto efektive atëherë ndërmarrja e veprimeve për të ndaluar ndryshimet klimatike do t’u krijojë potenciale të reja shoqërive për më shumë mirëqenie dhe për t’u përshpejtuar rrugën e gjatë që do t’u duhej të ndiqte nëse nuk do të kishte asnjë veprim të përcaktuar; ne mund të jemi “mjedisorë” dhe të rritemi si të tillë.

Në të vërtetë nëse nuk jemi “mjedisorë”, ne do të minojmë zhvillimin eventualisht, sado i rregullt te jetë. Ky raport i shikon politikat ekonomike të ndryshimeve klimatike nga perspektiva ndërkombëtare. Ndryshimet klimatike janë një çështje globale dhe kërkon një përgjigje globale.

Shkenca ka treguar se emisionet kanë të njëjtin efekt nga çfarëdo lloj vendi që të lëshohen. Ndërlikimi i politikave ekonomike ka të bëjë qartësisht me faktin se ky është një problem i bashkëveprimeve ndërkombëtare me gjithë vështirësitë shoqëruese që rrjedhin nga veprimet koherente. Ky është një problem që kërkon bashkëpunim

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 10

tema e muajit

ndërkombëtar dhe aftësi drejtuese. Trajtimi ynë thekson një sërë pikash thelbësore, që do të luajë rol kryesor kudo.

• Ne përdorim një përqasje konsistente përkundrejt të panjohurës. Shkenca e ndryshimeve klimatike është e sigurt dhe drejtimi është i qartë. Por ne nuk e dimë me saktësi se kur dhe ku do të vihen re me përpikëri ndikimet. Padija për këto ndikime përforcon argumentin e zvogëlimit: ky raport është në lidhje me politikat ekonomike të menaxhimit të rreziqeve tepër të mëdha.

• Ne fokusohemi në një arsyetim të matshëm të rreziqeve, të ndihmuara nga zhvillimet e fundit të shkencës që kanë filluar të fiksojnë probabilitetet e marrëdhënieve mes emisioneve dhe ndryshimeve në sistemin e klimës, si dhe ato mes klimës dhe mjedisit natyral.

• Ne përqasemi në mënyrë sistematike drejt trajtimit të paanshmërisë në analizën tonë, duke u informuar nga fakti se si implikohet perspektiva të ndryshme etike në kontekstin e ndryshimeve klimatike.

Mosveprimi tani rrezikon të sjellë dëme të jashtëzakonshme në mirëqenien e brezave të ardhshëm dhe veçanërisht tek më të varfrit.

Një analizë bashkëkohore ekonomike e politikave kërkon që ne të jemi sa më të qartë dhe të shpjegueshëm për efektet. Ekonomistët i përshkruajnë detyrimet njerëzore ndaj ndryshimeve klimatike si një ‘jashtësi’ dhe klimën globale si një ‘të mirë publike”. Ata që krijojnë emisione të gazrave që shkaktojnë efektin serë, gjatë kohës që prodhojnë energji, fuqizojnë fabrikat e tyre, shpërthejnë gazra, pakësojnë

pyjet, fluturojnë me aeroplanë, ngrohin shtëpitë e tyre ose drejtojnë makinën nuk kanë pse të paguajnë koston e ndryshimeve klimatike që rezulton si shkak i kontributit të akumulimit të këtyre gazrave në atmosferë. Por ndryshimet klimatike kanë një sërë tiparesh që së bashku i dallojnë nga faktorët e jashtëm. Ato janë globale në shkaqe dhe pasoja. Ndikimet e ndryshimeve klimatike janë të qëndrueshme dhe zhvillohen përtej rrugëtimit të gjatë; ka shumë pasiguri që parandalojnë një përcaktim sasior të saktë dhe preciz të ndikimeve ekonomike; dhe ka një rrezik madhor serioz, ndryshime të pakthyeshme pa efekte anësore ekonomike.

Kjo analizë na drejton në pesë kapituj pyetjesh:• Cili është kuptimi që ne i japim rrezikut të

ndikimeve të ndryshimit klimaterik, kostos së tyre dhe mbi kë bien ato?

• Cilat janë opsionet e zvogëlimit të emisionit të gazrave që shkaktojnë efektin serë dhe çfarë na kushtojnë ato? Çfarë nënkupton kjo për politikat ekonomike që duhet të ndërmerren në zgjedhjen e rrugëve për stabilizimin e botës? Cilat janë përparësitë ekonomike që rrjedhin nga veprimet e zvogëlimit të emisioneve të gazrave dhe përshtatjes së teknologjive të reja?

• Për ndalimin e ndryshimeve klimatike, çfarë lloj strukturash nxitëse dhe politika do të ishin më efektive, efecientë dhe të paanshme? Cilat janë detyrimet që rrjedhin për financat publike?

• Për përshtatjen, çfarë përqasje janë më të përshtatshme dhe si duhet që të financohen?

• Si mundet që zvogëlimi dhe përqasja të punojnë në një nivel ndërkombëtar?

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 11

tema e muajit

Peisazhi fantastik malor i Alpeve Shqiptare, i parë në periudha të ndryshme, ma ka shtuar dhe më tej idenë për realizimin e një guide malore për to, gjë të cilën e realizuam në bashkëpunim me anëtarë të ndryshëm të Shoqatës Kombëtare të Studimeve Malore si dhe Shoqatës së Alpeve Shqiptare me mbështetjen financiare nga UNESCO.

Në Alpe bëjnë pjesë ekosisteme me bukuri të rralla natyrore. Peisazhi malor alpin i mrekullueshëm me florën e larmishme të zhvilluar kryesisht në shkëmbinjtë karbonatikë, kataraktet karakteristike, burimet ujore në formën e lumenjve, përrenjve apo burimeve natyrore sipërfaqësore përbëjnë bazën dhe ekzistencën e këtyre ekosistemeve. Malet me kontraste të larmishme të relievit të tyre japin mundësi të mira për zhvillimin e sporteve dimërore e verore, si turizmi malor, alpinizmi, kacavjerrjet, skitë, hipizmi, përdorimi i kajakeve në kanione, peshkimi amator në kanione e lumenjtë e rrëmbyeshëm, çiklizmi malor etj. Larmia e madhe e peisazhit natyror, folklorit, kanunit, historisë etj, përbëjnë një bazë të mrekullueshme për zhvillimin e gjeoturizmit malor dhe paraqet mundësi të mira për të sjellë turistë aktivë në Alpet Shqiptare.

Aktiviteti turistik malor në këtë rajon të Shqipërisë është me avantazh reciprok si për turistët, të cilët do të eksplorojnë një peizazh të mrekullueshëm, një rajon interesant nga pikëpamja gjeografike dhe gjeologjike, një vend legjendash dhe misteresh si kudo në Malësitë e Ballkanit dhe për vetë rajonin dhe banorët e tij, të cilët do të rrisin standardin e jetesës.

Si rezultat i gjithë aspekteve të mësipërme dhe studimit të kryer me mbështetjen financiare të UNESCO-s, Alpet Shqiptare ofrojnë mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit malor në këto fusha: i) gjeoturizëm, gjeomonumente, gjeoparqe, dukuritë karstike, etj; ii) sportet dimërore, alpinizëm, ski, kacavjerrje në akull, etj.; iii) sportet verore, ecjet malore, kacavjerrjet shkëmbore, çiklizëm malor, kajaka, kanotazh, hipizëm, gjueti, etj.; iv) vizita në ekosistemet, pyje, liqene, lumenj, etj.

Zona po braktiset shpejt nga popullsiaZhvillimi i zonës së Alpeve Shqiptare, ndërgjegjësimi çdo ditë e më tepër i

strukturave shtetërore dhe atyre vendimmarrëse si edhe i komunitetit lokal jep përherë e më shumë premisa për ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre ekosistemeve malore nga më të bukurit e vendit tonë.

Kjo ka të bëjë me zhvillimin e një jetese të qëndrueshme në këto zona, të cilat po braktisen me shpejtësi nga popullsia, e cila nuk ka mundësi reale për një jetesë normale sepse dhe të mirat që ofrohen nga kjo zonë janë të pamenaxhuara, të paekspozuara ndaj turizmit vendas dhe të huaj. Nxitja dhe zhvillimi i këtyre burimeve natyrore, duke ruajtur në mënyrë thelbësore mjedisin dhe duke marrë si bazë zhvillimi rajone analoge të Evropës, do të përbëjë një bazë të fuqishme për ndalimin e braktisjes së vendbanimeve nga banorët e këtyre zonave. Për këtë ne ofrojmë dhe një potencial të ri për zhvillimin e rajoneve ku lokalizohen Alpet.

Guida malore e Alpeve Shqiptare paraqitet për rajonet që përfshihen ndërmjet Shkodrës-Bajram Currit-Vermoshit-Koplikut dhe është realizuar duke bërë vrojtime në terren si dhe shfrytëzuar materiale të tjera ekzistuese të kryera nga anëtarë të ndryshëm të shoqatës.

Shoqata Kombëtare e Studimeve Malore, në bashkëpunim me Shoqatën e Alpeve, si dhe me institucione dhe organizma të ndryshme shqiptare dhe të huaja dhe me mbështetjen e UNESCO, realizuan Guidën Gjeoturistike të Alpeve Shqiptare duke e paraqitur atë në tre elemente përbërës:

1. Guida Gjeoturistike e Alpeve Shqiptare (Top Tour CD)2. Harta në shkallë 1:100 000 Top Tour Alpet Shqiptare (Hartë 90x80cm)3. Alpet Shqiptare, Aspekte Gjeoturistike. (Tekst)

Aspekte gjeoturistike të Alpeve shqiptare

Mbërrin guida malorenga Prof. As. Dr. Kujtim OnuziShoqata Kombëtare Studimeve Malore

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 12

reC shQipëri

reC shQipëri në 2006

Fondi Lokal për Investime Mjedisore6 bashkitë e Qarkut të Korçës përfitojnë investime mjedisore në kuadër të Planit Lokal të Veprimit në Mjedis

1 nga 5 investimet në qytetin e KorçësLulishte e re në qendër të qytetit

1 nga 5 investimet në qytetin e PogradecitPërmirësim mjedisi në bllok pallatesh

Planet Mjedisore në Deltën e lumit DrinHartohet Plani i parë Rajonal i Veprimit në Mjedis për një basen lumor

Takimi përmbyllës i PRVM për deltën e lumit Drin (Shkodër - Lezhë), i miratuar në mes të 2006.

Takimet publike për hartimin e PLVM për komunat Shëngjin dhe Velipojë, të miratuar në fund të 2006

Planet Lokale të Veprimit në Mjedis (Qarku Korçë)6 bashkitë e Qarkut të Korçës përgatisin Planet e Lokale të Veprimit në Mjedis

Takim publik në Maliq Takim publik në Ersekë Aktivitet pastriminë Bilisht

23 njësi vendore kanë përfituar mbështetje për investime mjedisore

Përmirësimi i kushteve përreth Ish-Institutit të Misrit dhe Orizit në Shkodër

Mjedise të reja të përmirësuara dhe rigjeneruese për banorët e qytetit të Kuçovës

Fondi special holandez për projekte mjedisore me nisma vendore Botime

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 1�

reC shQipëri

reC shQipëri në 2006Të gjitha shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë do të pajisen me paketën mjedisore më bashkëkohore

Paketa e Gjelbër përmban për herë të parë materiale për zhvillimin e një ore mësimi interaktive për mjedisin

Paketa e Gjelbër në Shqipëri

Në mbështetje të mirëmenaxhimit të burimeve natyrore dhe bashkëpunimit ndërkufitar

Liqeni i Shkodrës shpallet Zonë e Mbrojtur Pjesa shqiptare e Liqenit të Shkodrës bëhet pjesë e rrjetit botëror të zonave Ramsar

Projekti i Liqenit të Shkodrës

Në mbështetje të interesave të publikut për mjedisin

Kurs kualifikimi për gjykatësit dhe prokurorët në Shkollën e Magjistraturës për Konventën

Trajnime për pushtetin vendor mbi pjesëmarrjen pub-like dhe të drejtën për informim

Konventa e Aarhusit në Shqipëri

Promovimi i parimeve të OZHM për zhvillimin e qëndrueshëm

Aktivitete ndërgjegjësuese dhe nxitëse ndërmjet shkollave të mesme në të gjitha Qarqet e vendit

Forume me aktorë të ndryshëm rajonalë mbi parimet e OZHM-ve dhe zhvillimit të qëndrueshëm

Objektivat e Zhillimit të Mijëvjeçarit

Botime

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 14

opinion

Motori më i madh i kërkimit në internet ofron disa të dhëna të NASA-s përmes programeve të tillë si Google Mars, një hartë interaktive që lejon

përdoruesit të eksplorojnë hartat e sipërfaqes së planetit të kuq. Një tjetër shërbim, Google Moon, lejon përdoruesit që të shohin vende të ndryshme në Hënë. “Shumë shpejt, kjo marrëveshje ndërmjet NASA dhe Google do t’i mundësojë çdo personi që të përjetojë një fluturim virtual mbi sipërfaqen e Hënës ose përmes kanioneve të Marsit”, bëri të ditur administratori i NASA-s, Michael Griffin. Pamje plot detaje të Hënës dhe Marsit do të jenë shumë shpejt vetëm një klikim mausi larg nga përdoruesit e internetit, në vijim të një marrëveshjeje të firmosur tashmë mes motorit gjigant të kërkimit në internet, Google, dhe agjencisë hapësinore të SHBA-së, NASA. Akti i Marrëveshjes së Hapësirës, i firmosur muajin e kaluar, do të “vendosë në internet informacionin më të dobishëm të NASA-s”. Publiku si burim

Marrëveshja formalizon kështu një partneritet që

nisi vitin e kaluar, kur Google ra dakord të ndërtojë një qendër kërkimore në Qendrën Kërkimore të NASA-s, Ames. Të dy organizatat bënë të ditur se, tashmë do të bashkëpunojnë në një sërë fushash, duke përfshirë edhe hedhjen e të dhënave të grumbulluara nga NASA, në programin e famshëm tashmë Google Earth, që gjendet në internet. Projekte të tjerë mund të përfshijnë gjetjen e mënyrave të reja për njerëzit, që të bashkëveprojnë me kompjuter si edhe shfrytëzimin e ekspertëve të Google për të përshpejtuar procesin e kërkimit të një sasie shumë të madhe të dhënash që grumbullohen çdo vit nga ana e agjencisë hapësinore. “NASA ka grumbulluar dhe përpunuar më shumë informacion mbi planetin tonë se çdo organizëm tjetër në historinë e njerëzimit”, tha Chris Kemp, Drejtor i Zhvillimit të Biznesit Strategjik në Ames. “Ndonëse ky informacion u grumbullua në të mirën e gjithkujt, dhe një pjesë e madhe është i disponueshëm në publik, sërish shumica e informacionit është e shpërndarë dhe është e vështirë për t’u arritur dhe kuptuar nga ata që nuk janë ekspertë”.

NASA dhe Google: Unioni kozmik

Mjedisi SOT 116 | Dimër 2006-2007 | 1�

nga Bota

Njerëzit përgjegjës për ngrohjen globale

Një grup shkencëtarësh në Shtetet e Bashkuara thonë se kanë konfirmuar se ngrohja globale është një fakt dhe se njerëzit janë përgjegjës për të. Të dhënat e reja që iu paraqitën Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës thonë se temperatura e ujit të oqeaneve është rritur për shkak të nivelit të lartë të emetimit të gazrave që shkaktojnë ngrohjen globale. Deri tani debati ka qenë nëse ngrohja globale është pasojë e shtimit të aktivitetit diellor apo vullkanik apo rezultat i djegies se karburanteve nga njerëzit. Ky studim bëhet publik në prag të vizitës së presidentit Xhorxh W. Bush në Evropë javën e ardhshme. Politika e Uashingtonit për ndryshimet e klimës dallon nga qëndrimi i shumë vendeve evropiane. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë nënshkruar Protokollin e Kiotos për kufizimin e emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serë. Ky protokoll hyri në fuqi këtë javë.

Viti 2007 është Viti Ndërkombëtar Polar. Është një përpjekje ndërkombëtare për të nxitur studimet shkencore në vendet më të largëta të Tokës, kryesisht sepse shumë njerëz të shkencës i konsiderojnë polet e Veriut dhe Jugut thelbësore për jetën në planet. Sipas një studimi, nëse ngrohja globale vazhdon, nivelet e detit mund të rriten disa metra deri në fund të shekullit. Ekuilibri delikat mes diellit, ujit dhe akullit ndikon jashtëzakonisht tek jeta në planetin tokë. Kështu, janë rritur shqetësimet për ngrohjen globale dhe është ndërmarrë një përpjekje e koordinuar nga shkencëtarët për të përshpejtuar studimet polare. Këtë vit u vu re një shkrirje e madhe në të dyja polet. NASA dhe të tjerë konfirmojnë se toka është ngrohur vetëm dy gradë që nga viti 1900. Ndoshta mund

Bien burimet ujore në Afrikë Shkencëtarët në

Shtetet e Bashkuara thonë se të dhënat e reja satelitore tregojnë se burimet ujore në Afrikë po bien me një ritëm të paprecedentë. Ata thonë se sasia e ujit e humbur nga lumenjtë, liqenet dhe rezervuarët e kontinentit çdo vit është gati e barabartë me sasinë e konsumuar nga të gjithë njerëzit në Afrikë çdo vit. Studimi ka nxjerrë përfundimin se lumenjtë si Kongo, Zambezi dhe Nili kanë treguar një nivel të konsiderueshëm tharjeje gjatë periudhës së studimit. Shkencëtarët thonë se arsyeja është ndryshimi i klimës dhe ndryshueshmëria natyrale në nivelin e rreshjeve. Ndërsa Afrika ka pasur humbje të mëdha uji në pesë vitet e shkuara, lumenjtë në Shtetet e Bashkuara si Misisipi dhe Misuri ka pasur rritje të ndjeshme të niveleve.

Akulli i Arktikut drejt shkrirjes së plotë deri në 2040-ën

Një ekip shkencëtarësh nga SHBA dhe Kanadaja janë shprehur mjaft të shqetësuar për faktet e reja shqetësuese lidhur me shkrirjen e shpejtë të akullit në Arktik. Faktet janë prezantuar në mbledhjen e Unionit Amerikan për Gjeofizikën në San Francisko, ku u bë e qartë se sipërfaqja e akullit që qëndron e ngrirë gjatë të gjithë vitit, mund të zhduket deri në vitin 2040. Zvogëlimi i akullit të Arktikut në vitet e fundit është shoqëruar me paralajmërimet se ai shpejt do të arrijë një pikë pa kthim. Në muajin nëntor të këtij viti, Arktiku kishte 2 milionë kilometra katror akull më pak se ç’duhet të kishte mesatarisht dhe modeli i ri i asaj që mund të ngjajë me oqeanin në dekadat e ardhshme është se oqeani mund të jetë pa akull deri në vitin 2040.

2007-ta, Viti Ndërkombëtar Polar

të mos duket një rritje e madhe, por temperaturat më të larta sjellin ndryshime të skajshme të motit. Sipas një studimi të fundit, nëse vazhdon ngrohja globale, nivelet e detit mund të jenë rritur disa metra deri në fund të shekullit. Polet janë të bukura dhe të çuditshme, ku dielli zhvendoset anash, netët zgjasin për muaj me radhë dhe erërat e acarta gërryejnë relievin. Poli i Veriut është një pllakë akulli që lundron mbi sipërfaqen e Oqeanit Arktik, një territor i lëvizshëm ku banojnë krijesa magjepsëse mbi dhe poshtë akullit. Poli i Jugut, që është më i ftohtë ndodhet mbi kontinentin masiv, të ngrirë të Antarktidës. Masa e jugore e akullit është mbi 2200 metra e trashë, mesatarisht. Ajo përbën 90 për qind të akullit në botë, 70 për qind të ujit të saj të pastër. Nën këto

ujëra të akullta, studiuesit gjejnë një botë plot jetë. Deil Anderson është shkencëtar: “Pjesa më e madhe e kësaj zone nuk është eksploruar, apo nuk është parë kurrë nga sytë e njeriut. Ishte befasuese për mua të shihja një larmi kaq të madhe jete nën akull”. Bëhet fjalë për shembull për një peshk me një sistem natyror kundër ngrirjes që nuk e lë trupin e tij të ngrijë dhe kandila të stërmëdhenj me tentakula 15 metra të gjatë. Ka edhe krijesa të tjera në fundin e detit: një pyll i heshtur, pak i frikshëm plot me gjallesa mikroskopike. Studiuesi Xhorxh Simons shpjegon: “Kur mbërrita në fund vura re se gjithçka lëkundej përreth meje, sikur po shkelja në një enë plot me xhelatinë”. Shkencëtarët thonë se këto ujëra të akullta polare japin shumë mësime për misterin e jetës në botën tonë dhe në botë të tjera të largëta.

http://www.pressonline.com.mk

www.mjedisisot.info

I dashur lexues,Viti 2007 nis me një zhvillim shumë të rëndësishëm për “Mjedisi Sot”. REC Shqipëri ka publikuar faqen e re në internet “Mjedisi Sot” (www.mjedisisot.info), me synimin e REC për të vënë në dispozicion një punë 6-të vjeçare me plot informacion mjedisor, njoftime, etj. Mbi 2000 paketa ditore lajmesh të shpërndara në formë elektronike dhe me 116 numra të “Mjedisi Sot” të shtypur, kjo bazë të dhënash ofron mundësinë e vetme në Shqipëri për të pasur një informacion mjedisor kaq të pasur.

Faqja është interaktive dhe e pasuruar me elementë ndihmës për lexuesin e saj. Ndarja e informacionit në kategori dhe nënkategori do t’ju ndihmojë të gjeni më shpejt atë që kërkoni

dhe të merrni informacionin e kërkuar në një kohë më të shkurtër.I gjithë informacioni i vjen në ndihmë të gjithë kategorive dhe fushave të jetës, qofshin qytetarë të thjeshtë apo dhe zyrtarë të lartë, në këtë bazë të dhënash do të gjeni mbi 20.000 lajme mjedisore nga vendi dhe bota, mbi ngjarje të ndodhura që nga viti 2000.

Baza e të dhënave është në plotësim e sipër dhe në momentin kur i gjithë informacioni do të jetë online, REC Shqipëri do t’jua bëjë menjëherë të ditur. Deri në atë moment mund të merrni informacionin më të ri nëpërmjet lajmeve ditore.

Lexim të këndshëm, nga stafi i REC Shqipëri!