kuvendi - diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe...

23
1 REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI Komisioni për Ekonominë dhe Financat Tiranë, më 24.11.2016 Dokument parlamentar (Komision përgjegjës) R A P O R T PËR VLERËSIMIN NË PARIM TË PROJEKTLIGJIT “PËR BUXHETIN E VITIT 2017” Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, në 7 mbledhje, të zhvilluara në datat 11, 14, 15, 16, 21, 22 dhe 24 nëntor 2016, shqyrtoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2017”, propozuar nga Këshilli i Ministrave. I. Baza ligjore. Shqyrtimi i projektligjit të buxhetit vjetor nga Kuvendi mbështetet në: - nenet 157; 158, pikat 1, 2 dhe 3; si dhe 159 të Kushtetutës; - ligjin nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; - nenet 78-84 të Rregullores së Kuvendit. Rregullat për shqyrtimin në parim të projektbuxhetit, nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, përcaktohen në nenin 81 të Rregullores së Kuvendit. II. Procedurat e shqyrtimit të projekbuxhetit. Projektbuxheti është hartuar nga Këshilli i Ministrave, mbështetur në koordinimin e punës së Ministrisë së Financave me të gjitha institucionet buxhetore, të qeverisjes qendrore e vendore, si

Upload: others

Post on 07-Mar-2020

3 views

Category:

Documents


0 download

TRANSCRIPT

Page 1: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

1

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

Tiranë, më 24.11.2016

Dokument parlamentar

(Komision përgjegjës)

R A P O R T

PËR VLERËSIMIN NË PARIM TË PROJEKTLIGJIT

“PËR BUXHETIN E VITIT 2017”

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, në 7 mbledhje, të

zhvilluara në datat 11, 14, 15, 16, 21, 22 dhe 24 nëntor 2016, shqyrtoi në parim projektligjin “Për

buxhetin e vitit 2017”, propozuar nga Këshilli i Ministrave.

I. Baza ligjore.

Shqyrtimi i projektligjit të buxhetit vjetor nga Kuvendi mbështetet në:

- nenet 157; 158, pikat 1, 2 dhe 3; si dhe 159 të Kushtetutës;

- ligjin nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e

Shqipërisë”, të ndryshuar;

- nenet 78-84 të Rregullores së Kuvendit.

Rregullat për shqyrtimin në parim të projektbuxhetit, nga Komisioni për Ekonominë dhe

Financat, përcaktohen në nenin 81 të Rregullores së Kuvendit.

II. Procedurat e shqyrtimit të projekbuxhetit.

Projektbuxheti është hartuar nga Këshilli i Ministrave, mbështetur në koordinimin e punës së

Ministrisë së Financave me të gjitha institucionet buxhetore, të qeverisjes qendrore e vendore, si

Page 2: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

2

dhe fondet speciale. Politikat dhe treguesit kryesorë të projektbuxhetit janë konsultuar dhe kanë

siguruar mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Shqyrtimi i projektbuxhetit nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, si çdo vit, u zhvillua

sipas një kalendari të veçantë pune, të koordinuar me komisionet e tjera të përhershme të

Kuvendit. Ministri i Financave, i cili ishte i pranishëm në të gjitha mbledhjet e Komisionit,

paraqiti disa prezantime për projektligjin në tërësi dhe për pjesët e veçanta të tij, si dhe iu

përgjigj pyetjeve të deputetëve.

Komisioni analizoi politikat dhe treguesit e përgjithshëm të projektbuxhetit, si dhe u ndal në

pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi

në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në parim të projektligjeve të paketës

fiskale, për shkak të efekteve të tyre buxhetore.

III. Opinioni i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për projektbuxhetin.

Në datën 22 nëntor 2016 Komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me Guvernatorin e Bankës së

Shqipërisë, i cili paraqiti opinionin e institucionit, që ai drejton, për projektbuxhetin, si dhe

politikat monetare që do ndiqen, në harmonizim me politikat fiskale. Guvenatori analizoi

ecurinë e pritshme ekonomike dhe ndërthurjen e saj me politikat monetare e fiskale; projeksionet

fiskale dhe qëndrueshmërinë e financave publike; si dhe ndikimin e huamarrjes së parashikuar

publike në tregjet e brendshme financiare.

Opinioni i përgjithshëm i Guvernatorit është që rritja ekonomike, për vitin 2017, ka pikënisje

kuadrin e pritshëm të zhvillimeve ekonomike dhe politikat mbështetëse përkatëse. Përmirësimi i

ritmeve të saj mbështetet në vazhdimin e kombinimit të stimulit monetar me politikën e

konsolidimit fiskal. Rritja e të ardhurave mbështetet në rritjen e bazës së tatueshme, si rrjedhojë,

kryesisht, e rritjes së pritshme ekonomike. Niveli i parashikuar i të ardhurave është i

realizueshëm. Reduktimi i borxhit publik është në përputhje me kërkesat e ligjit organik të

buxhetit, si dhe është në konsistencë me nivelin e programuar të defiçitit buxhetor dhe me

projeksionet e rritjes ekonomike. Huamarrja e brendshme është e realizueshme, si rrjedhojë e

situatës pozitive të likuiditetit në tregun e brendshëm financiar dhe e normave të ulëta të interesit.

Në përfundim, Guvernatori dha disa rekomandime lidhur me administrimin e pasigurisë dhe

rrezikut në parashikim, strukturën e financimit të borxhit publik, racionalizimin e mëtejshëm të

procesit të përzgjedhjes së investimeve publike dhe përmirësimin e ritmikës së realizmit të

buxhetit gjatë vitit.

IV. Përshkrim i përgjithshëm mbi projektbuxhetin.

Projektbuxheti mbështetet në politikat, treguesit dhe objektivat e parashikuara në:

- Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020;

Page 3: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

3

- Programin Makroekonomik e Fiskal Afatmesëm 2015-2017;

- Kuadrin makroekonomik e fiskal afatmesëm 2017-2019;

- Politikat dhe prioritetet e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë;

- Aktet ligjore e nënligjore për buxhetin etj.

Është viti i parë që projektbuxheti hartohet sipas kërkesave të ligjit të ndryshuar për menaxhimin

e sistemit buxhetor, të miratuar në qershor 2016. Ai synon vënien në zbatim të këtyre kërkesave,

ku vend të rëndësishëm zë zbatimi i parimeve dhe rregullave fiskale, që synojnë forcimin e

qëndrueshmërisë së borxhit publik.

Projektbuxheti mbështetet në trendin e zhvillimit të ekonomisë së vendit në vite, zhvillimet

ekonomike të pritshme për vitin 2016, si dhe politikat që do të ndiqen në periudhën afatmesme,

në zbatim të objektivave të përcaktuara në Programin Buxhetor Afatmesëm 2017-2019. Ai mban

në konsideratë edhe zhvillimet ekonomike ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në vendin tonë.

Politikat dhe treguesit e projektbuxhetit synojnë vënien në zbatim të rekomandimeve të

Raporteve të Progresit të Komisionit Europian, FMN-së, Bankës Botërore, si dhe të

institucioneve apo organizmave të ndryshëm ndërkombëtarë që kryejnë vëzhgime e vlerësime

mbi ekonominë e vendit tonë.

Treguesit kryesorë makroekonomikë e buxhetorë të projektbuxhetit të vitit 2017 parashikohen si

më poshtë:

Treguesit Njësia Niveli i treguesit 2017

Prodhimi i brendshëm bruto miliardë lekë 1596

Prodhimi i brendshëm bruto miliardë USD 12.9

Prodhimi i brendshëm bruto miliardë euro 11.6

Rritja reale e PBB % 3.8

Rritja nominale e PBB % 6.3

Inflacioni (mesatar) % 2.3

Të ardhurat e përgjithshme miliardë lekë 436

Të ardhurat e përgjithshme në % të PBB 27.3

Shpenzimet e përgjithshme miliardë lekë 467.2

Shpenzimet e përgjithshme në % të PBB 29.3

Defiçiti buxhetor miliardë lekë -31.2

Defiçiti buxhetor në % të PBB -2.0

Borxhi publik total miliardë lekë 1,103.6

Borxhi publik total në % të PBB 69.1

Norma e papunësisë % 14.8

Bilanci i llogarisë korrente në % të PBB -12.3

Bilanci tregtar (mallra & shërbime) në % të PBB -17.8

Mallra në % të PBB -24.0

Eksporte në % të PBB 7.1

Importe në % të PBB -31.1

Bilanci i pagesave në % të PBB 1.6

Page 4: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

4

Gjithashtu, projektbuxheti vjetor përmban treguesit kryesorë makroekonomikë e buxhetorë për

tri vitet e ardhshëm, duke krijuar një vizion të plotë mbi zhvillimet e pritshme afatmesme dhe

shkallën e realizimit të objektivave të parashikuara në programin buxhetor afatmesëm.

V. Vlerësime të institucioneve ndërkombëtare gjatë tri viteve të fundit.

Performanca e ekonomisë shqiptare është vlerësuar sistematikisht nga institucionet

ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore, Komisioni Europian etj.

“Standard and Poor’s”.

Në tre vite Standard and Poor’s ka rritur vlerësimin për ekonominë shqiptare nga “B-“, në “B”

dhe “B+”, me parashikimin “stabël”. Në nëntor 2016 “Standard and Poor’s” rikonfirmoi

klasifikimin e kredive për Shqipërinë në “B+” me perspektivë të qëndrueshme. Klasifikimi i

kredive nga “Moody’s” për Shqipërinë sipas vlerësimit të fundit, ishte në nivelin “B1”, me

perspektivë të qëndrueshme.

Për S&P Shqipëria ka treguar një performancë të qëndrueshme ekonomike, në vazhdim të

implementimit të programit të konsolidimit fiskal, i cili pritet të ketë vazhdimësi pozitive edhe në

vitet në vijim. S&P vlerëson impaktin e reformave të deritanishme të pensioneve, energjisë dhe

atë administrative, si dhe përcakton reformën në drejtësi, si një hap të rëndësishëm për të

mbështetur zhvillimet pozitive në ekonomi. Po kështu, ecuria e treguesve makroekonomikë është

pozitive dhe fokusi vihet tek rritja ekonomike, e mbështetur nga rritja e konsumit.

Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në raportin e fundit për vendet e rajonit, në nëntor 2016, BERZH rikonfirmon parashikimet për

rritjen ekonomike në vitin 2016, në nivelet 3.3 për qind në vitin 2016 dhe 3.5 për qind në vitin

2017, e furnizuar kryesisht nga investimet.

“Doing Business”.

Në raportin e fundit të klimës së biznesit, “Doing Business” vlerësoi të gjithë hapat e ndërmarrë

në vendin tonë gjatë vitit të kaluar, duke e renditur vendin 32 pozicione më lart në klasifikimin

global. Lejet e ndërtimit, pagesa e taksave dhe marrja e energjisë janë tre shtyllat kryesore që

kanë ndikuar në këtë përmirësim.

Raporti i Progresit i Komisionit Europian.

Raporti i Progresit i Komisionit Europian, nëntor 2016, evidenton një trend të konsoliduar

raportesh pozitive në ekonominë e vendit.

Page 5: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

5

Për sa i takon kriterit ekonomik, vendi vlerësohet për progresin e kryer në zhvillimin e

ekonomisë së tregut funksionale. Progres shënohet në përmirësimin e balancës buxhetore, luftën

kundër informalitetit dhe reformimin e sektorit të energjisë elektrike. Rritja ekonomike u

përshpejtua dhe situata e tregut të punës u përmirësua”.

Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë është përmirësuar nga mbështetja e investimeve në rritje.

Rritja ekonomike arriti pikën më ulët në vitin 2013, por ka qenë me trend në rritje që atëherë,

mbështetur nga politikat e Qeverisë, rritja e besimit të konsumatorit dhe biznesit dhe normat e

ulëta të interesit. Edhe pse kushtet e jashtme ishin sfiduese, rritja reale e PBB-së ishte 2.8% në

vitin 2015 dhe u përshpejtua më tej në tremujorin e parë të vitit 2016. Ajo u përshpejtua nga një

ringjallje e fortë në investime, e cila përmbysi një tkurrje 3-vjeçare, dhe nga kontributi pozitiv i

tregtisë së jashtme.

VI. Vlerësimi i Komisionit për projektbuxhetin e vitit 2017.

Anëtarët e Komisionit paraqitën vlerësimet e tyre, në parim, për projektbuxhetin.

VI.1. Vlerësimi i mazhorancës.

Shumica e deputetëve të Komisionit për Ekonominë dhe Financat vlerësuan se projektbuxheti ka

disa karakteristika kryesore, si më poshë:

1. Projektbuxheti mbështetet në kuadrin e pritshëm të zhvillimeve ekonomike.

Ekonomia e vendit, pas një periudhe ngadalësimi në vitin 2013, ka shfaqur shenja rikuperimi e

gjallërimi, duke përshpejtuar nga viti në vit, ritmet e zhvillimit. Rritja ekonomike, nga 1 për qind

në vitin 2013, 1.8 për qind në vitin 2014 dhe 2.8 për qind në vitin 2015, pritet të jetë 3.4 për qind

në vitin 2016. Shqipëria ka një rritje ekonomike ndër më të lartat, krahasuar me vendet e Europës

Juglindore.

Kjo rritje është rezultat i zhvillimeve pozitive në degët e tregtisë, transportit, industrisë

përpunuese, ndërtimit, informacionit dhe komunikacionit. Rritja ekonomike u mbështet nga

zgjerimi i kërkesës së brendshme, si rezultat i rritjes së konsumit dhe investimeve. Konsumi

shënoi një rritje reale prej 3.1 për qind.

Në raportin e FMN, të publikuar në nëntor 2016, theksohet se Shqipëria ka bërë progres në

eficiencën e investimeve publike”, së bashku me Kroacinë, Maqedoninë, Turqinë dhe Poloninë.

Përshpejtimi i rritjes ekonomike u reflektua në tregun e punës, ku punësimi u rrit me 6.8 për qind

gjatë gjysmës së parë të vitit. Norma e papunësisë vijoi trendin rënës, nga 17.5 për qind në vitin

2015, në 16.2 për qind që pritet të jetë për vitin 2016. Zhvillimet pozitive në tregun e punësimit

ndikuan në rritjen e të ardhurave dhe të konsumit.

Page 6: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

6

Kreditimi i ekonomisë, në muajin gusht, shënoi një rritje në terma vjetorë prej 3 për qind. Efekt

pozitiv në treguesit e kreditimit pati fshirja nga bilanci i bankave i kredive të humbura.

Standardet e kreditimit, si për bizneset, ashtu edhe për individët, u lehtësuan. Sektori financiar

rezulton i stabilizuar, me parametra pozitivë të likuiditetit, mjuaftueshmërisë së kapitalit dhe

rentabilitetit.

Situata fiskale.

Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit, për vitin 2016, parashikohen në nivelin 408 miliardë

lekë, me një rritje prej 7.6 për qind ose 29 miliardë lekë në krahasim me vitin 2015.

Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit parashikohet të arrijnë nivelin 438 miliardë lekë dhe janë

1.1 miliardë lekë ose 0.3 pikë përqindje më të larta se viti 2015.

Deficiti buxhetor vijoi tendencën në rënie, nga 4.1 për qind e PBB në vitin 2015, në 2.4 për qind

e PBB në vitin 2016.

Borxhi publik u reduktua nga 72.7 për qind e PBB në vitin 2015, në 71.4 për qind e PBB në vitin

2016.

2. Projektbuxheti mundëson përshpejtimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike në periudhën

afatmesme.

Projektbuxheti parashikon përshpejtimin e ritmeve të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme, e

cila pritet të jetë 3.8 për qind në vitin 2017, duke vijuar rritjen nga viti në vit dhe duke arritur

nivelin 4.3 për qind të PBB në vitin 2020. Rritja ekonomike në Shqipëri parashikohet të jetë ndër

më të lartat, krahasuar me vendet e tjera të Europës Juglindore: Mali i Zi, Bosnja dhe

Hercegovina, Maqedonia e Serbia.

Page 7: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

7

Rritja ekonomike do të mbështetet nga rritja e investimeve, veçanërisht e investimeve të huaja

direkte, si dhe rritja e konsumit. Rritja ekonomike do të mbështesë sektorët që kontribuojnë në

zhvillimin e modelit të ri ekonomik, formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, thellimin e

decentralizimit, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e mëtejshëm të mirëqënies së qytetarëve.

3. Projeksionet fiskale mbështeten në një parashikim realist të të ardhurave të

përgjithshme të buxhetit.

Të ardhurat e përgjithshme të projektbuxhetit parashikohen në nivelin 436 miliardë lekë, me një

rritje prej 28 miliardë lekësh ose 6.9 pikë përqindje në krahasim me realizimin e pritshëm të vitit

2016. Këto të ardhura përbëjnë 27.3 për qind të PBB, nga 27.2 për qind të PBB që janë në vitin

2016.

Rritja e parashikuar e të ardhurave është e përafërt me rritjen mesatare nominale të tyre për vitet

2000-2016. Ky parashikim realist i të ardhurave është në përputhje me rekomandimet e

institucioneve financiare ndërkombëtare dhe synon disiplinimin e shpenzimeve publike, si dhe

ruajtjen e një kuadri të qëndrueshëm të financave publike. Ai synon mospërsëritjen në këtë

projektbuxhet të fenomenit të parashikimit optimist të të ardhurave në disa vite të mëparshme, i

cili ka sjellë si pasojë rënien e efektivitetit të shpenzimeve publike dhe është shoqëruar me

reduktimin e të ardhurave gjatë vitit buxhetor.

Parashikimi i të ardhurave mbështetet në një paketë fiskale që synon, kryesisht, formalizimin e

veprimtarisë së biznesit, thjeshtimin e procedurave dhe mbështetjen e prodhimit vendas.

4. Rritja e shpenzimeve – bazë për zhvillimin ekonomik.

Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, për vitin 2017, parashikohen në nivelin 467 miliardë

lekë, me një rritje prej 28.6 miliardë lekë ose 6.5 pikë përqindje në krahasim me realizimin e

pritshëm të vitit 2016. Ato përbëjnë 29.3 për qind të PBB, nga 29.2 për qind të PBB që pritet të

jenë për vitin 2016. Kjo rritje e shpenzimeve do të destinohet për rritjen e investimeve publike,

kryerjen e reformave në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, si dhe rritjen e mbështetjes

ndaj shtresave në nevojë.

5. Tipari kryesor i politikës fiskale vijon të jetë konsolidimi në periudhë afatmesme.

Politika fiskale do të vijojë tendencën konsoliduese, duke synuar reduktimin e primeve të

rrezikut, reduktimin e ndikimit të sektorit publik në tregjet e brendshme financiare dhe rritjen e

hapësirave për kreditimin e sektorit privat. Tipari konsolidues i politikës fiskale shprehet

nëpërmjet reduktimit të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik në periudhë afatmesme.

Page 8: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

8

Defiçiti buxhetor.

Rritja e të ardhurave me ritme më të larta se shpenzimet është reflektuar në reduktimin, nga viti

në vit, të deficitit buxhetor. Rëndësi të veçantë, në këtë projektbuxhet, ka vijimësia e

përmirësimit të bilancit primar, i cili pas disa vitesh në nivele negative, për të dytin vit radhazi

(2016, 2017) parashikohet në nivel pozitiv, duke treguar që shpenzimet qeveritare janë nën

nivelin e të ardhurave dhe kjo tendencë do të thellohet nga vit në vit. Edhe bilanci korrent fiskal

është në nivele pozitive, të paarritura vitet e mëparshme, duke treguar që nuk merret borxh mbi

nivelin e investimeve, çka sjell impakt neto pozitiv në ekonomi. Nivelet e defiçitit buxhetor,

bilancit primar dhe bilancit korrent fiskal, në vite, janë si më poshtë :

Defiçiti buxhetor, bilanci primar dhe bilanci korrent fiskal (në përqindje ndaj PBB)

Borxhi publik.

Një ndër objektivat më të rëndësishëm të projektbuxhetit është reduktimi, nga viti në vit, i

borxhit publik, si një hap pozitiv në drejtim të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale. Vënia në

zbatim e këtij objektivi ndihmon në disiplinimin e politikës fiskale, përmirëson qëndrueshmërinë

e financave publike dhe rrit interesin e investitorëve, të brendshëm e të huaj, në instrumentet e

borxhit shqiptar.

Page 9: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

9

Për këto arsye, forcimi i qëndrueshmërisë së borxhit publik, është një ndër kërkesat e reja të ligjit

për menaxhimin e sistemit buxhetor. Kriteret ligjore që lidhen me qëndrueshmërinë e borxhit

publik, në projektbuxhetin 2017, janë plotësuar si më poshtë:

Niveli i borxhit publik, në përqindje ndaj PBB, parashikohet të reduktohet, si më poshtë:(1)

Vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e

raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, është brenda parashikimeve të

botimit më të fundit “World Economic Outlook” të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar

më 4 tetor 2016.

(në miliardë lekë)

2014 2015 2016 2017 2018 2019

FMN – “World Economic

Outlook”

1,394 1436 1504 1597 1709 1,835

Projektbuxheti 1,394 1,436 1,502 1597 1,707 1,833

1 ) Neni 4/1, shkronja “a” i ligjit nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e

Shqipërisë”, i ndryshuar:

“Në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i

borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të planifikohet më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin

pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45 për qind të Produktit të

Brendshëm Bruto”.

Page 10: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

10

Projektbuxheti 2017 parashikon një fond kontigjencë, në vlerën 0.9 për qind të shpenzimeve

totale (4 miliardë lekë), për të kompensuar efektet negative që luhatjet e kursit të këmbimit

dhe të normave të interesit mund të kenë në nivelin e borxhit publik.

Projektbuxheti nuk përfshin të ardhura nga privatizimet e mundshme.

Shpenzimet kapitale janë parashikuar më të larta se defiçiti buxhetor. Madje defiçiti i

targetuar për vitin 2017 është 36 për qind më i ulët se shpenzimet kapitale të planifikuara për

qeverisjen qendrore ose rreth 46 për qind më i ulët se shpenzimet kapitale të financuara nga

qeverisja qendrore, por të alokuara edhe për FZHR, si dhe për sektorin e energjisë në formë

kredie direkte për investime. Rrjedhimisht, balanca korrente e targetuar është pozitive.

6. Gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike parashikohet të jetë rritja e investimeve publike.

Rritja e investimeve publike përbën një ndër prioritetet kryesore të politikave fiskale, pasi ajo

është motorri kryesor për rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese, zgjerimin e

veprimtarisë së biznesit, rritjen e punësimit, të konsumit, si dhe rritjen ekonomike në periudhë

afatmesme dhe afatgjatë. Për këtë arsye, projektbuxheti parashikon një nivel optimal të

investimeve publike me rreth 5 për qind të PBB (investime qendrore + Fondi i Zhvillimit të

Rajoneve + mbështetje për sektorin energjetik). Investimet publike do të vijojnë mbështetjen e

sektorëve kyç të ekonomisë, me qëllim përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit, si dhe përmirësimin

e shërbimeve publike dhe të jetës së qytetarëve.

Nga totali i investimeve prej 74.4 miliardë lekësh, rreth 27 miliardë lekë janë parashikuar të

përdoren në sektorin e transportit, duke u fokusuar në projekte jetike për vendin, siç janë:

Autostrada Tiranë-Elbasan, mbyllja e akseve të bypass-it të Fierit, vazhdimi i bypass-it të Vlorës,

intensifikimi i projektit të furnizimit me ujë të zonës së Durrësit, ndërtimi i Unazës së Tiranës,

kryerja e punimeve për bashkimin e Autostradës Tiranë-Durrës me Autostradën Tiranë-Elbasan

etj.

Në fushën e investimeve, prioritet është mbyllja e projekteve në proces, për të cilat do të

përdoren rreth 92 për qind e fondeve të sektorit të transportit.

Si rezultat i një kriteri të ri të vendosur në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, do të

disiplinohet financimi i projekteve të reja të investimeve publike. Nuk do të fillohet asnjë projekt

i ri, pa alokuar në vitin korrent të paktën 20 për qind të vlerës së plotë të tij. Kjo masë do të

frenojë fenomenin e ndodhur vite më parë, kur fondet copëzoheshin në shumë projekte, me vlerë

fillestare shumë të vogël dhe të pakrahasueshme me vlerën e plotë, gjë që u bë shkas për krijimin

e detyrimeve të prapambetura në vlera të konsiderueshme.

Page 11: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

11

7. Projektbuxheti mbështet vijimësinë e financimit të reformave në sektorët kyç të

ekonomisë.

Projektbuxheti 2017 garanton vijimësinë e reformave të nisura në tri vitet e fundit, si dhe

kryerjen e reformave të reja në sektorët kyç të ekonomisë. Prioritet do t’i jepet reformës në

sektorin e ujit, reformës administrativo-territoriale, reformës në drejtësi dhe reformës në

administratën publike. Gjithashtu, do të vijojnë reformat në sektorët e energjisë, pensioneve,

financave publike, administratës publike, pushtetit vendor dhe bujqësisë.

Reformimi i këtyre sektorëve do të ndikojë në realizimin e objektivave prioritarë të ekonomisë së

vendit, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe rritjen e nivelit të jetesës së tyre.

Në sektorin e ujit do të synohet rritja e investimeve publike dhe përmirësimi i menaxhimit të

shoqërive aksionare të ujësjellës-kanalizimeve. Masa të rëndësishme do të merren për

subvencionimin e shtresave në nevojë.

Reforma në drejtësi. Për financimin e institucioneve të reja, të krijuara në kuadër të kësaj

reforme, është parashikuar një fond prej 500 milionë lekësh. Fondi për këtë reformë do të vijojë

rritjen gjatë viteve të ardhshme.

Reforma në administratën publike.

Kjo reformë parashikon, ndër të tjera, rritjen e nivelit të pagave të punonjësve buxhetorë,

mesatarisht me 10 për qind. Shtesa e fondit të pagave, për këtë qëllim, për vitin 2017, është

parashikuar rreth 6 miliardë lekë, ndërsa për tri vitet e ardhshme përkatësisht nga 7.2 miliardë

lekë secilin vit. Nga kjo reformë përfitojnë 110 mijë persona, nga të cilët 81 mijë punonjës janë

buxhetorë dhe 29 mijë punonjës të tjerë janë mjekë, infermierë dhe punonjës të universiteteve

publike. Politika e pagave do të jetë e diferencuar, duke i dhënë prioritet pagës minimale, pagës

në sistemin arsimor dhe shëndetësor, në administratën publike dhe në sistemin e Policisë së

Shtetit. Paga minimale do të rritet me 36.3 për qind ose me 8 mijë lekë/muaj.

Reforma administrativo-territoriale.

Buxheti i pushtetit vendor do të rritet nga 2.4 për qind e PBB në vitin 2016, në 3.2 për qind të

PBB në vitin 2017 dhe do të mbështesë zbatimin e reformës administrativo-territoriale.

Transferta e pakushtëzuar do të rritet me 20 për qind, duke u orientuar në rritjen e investimeve

dhe të shërbimeve publike. Për funksionet e transferuara në njësitë e pushtetit vendor do të

alokohen rreth 7 miliardë lekë. Për reformën e decentralizimit do të shtohet një fond prej 2

miliardë lekësh.

Page 12: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

12

8. Disiplinimi i shpenzimeve gjatë vitit elektoral 2017.

Për herë të parë, gjatë vitit elektoral 2017, do të disiplinohen shpenzimet buxhetore, duke mos

lejuar që të përsëriten situata kur defiçiti buxhetor vjetor në vitet zgjedhore, ekzekutohet në

pjesën e parë të vitit. Kjo ndodh për shkak të një kriteri të ri të ligjit organik të buxhetit, sipas të

cilit ekzekutimi i deficitit deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit buxhetor nuk mund të jetë

më i lartë se 55 për qind e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor.

9. Rritja ekonomike do të mbështesë përmirësimet në tregun e punës.

Rritja ekonomike do të shoqërohet me krijimin e vendeve të reja të punës. Si rezultat, norma e

papunësisë pritet të reduktohet nga 16.2 për qind e PBB në vitin 2016, në 14.8 për qind të PBB

në vitin 2017 dhe kjo tendencë në rënie do të vijojë edhe në vitet e ardhshme.

VI.2. Vlerësimi i opozitës.

Deputetët e opozitës e kundërshtuan projektbuxhetin në të gjitha aspektet dhe pjesët përbërëse të

tij.

VII. Raportet e Komisioneve të tjera të Kuvendit.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në mbledhjen e datës 24 nëntor 2016, shqyrtoi raportet

e komisioneve të tjera të përhershme të Kuvendit për vlerësimin në parim të projektligjit “Për

buxhetin e vitit 2017”. Në këto raporte pasqyrohet mendimi pro i mazhorancës dhe kundër i

opozitës, si dhe jepen argumentet përkatëse. Në disa raporte pasqyrohen disa kërkesa për shtesë

fondesh buxhetore në ministritë apo institucionet e linjës.

Gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit nen për nen, Komisioni do të shqyrtojë të gjitha

amendamentet e propozuara nga komisionet e përhershme të Kuvendit për ndryshime në

projektbuxhet, për të bërë të mundur miratimin e tyre brenda mundësive që ofron kuadri

makroekonomik e fiskal vjetor dhe afatmesëm.

VIII. Përfundim.

Mbështetur në vlerësimet e përmendura më lart, Komisioni e miratoi, në parim, projektligjin “Për

buxhetin e vitit 2017” me votat pro të mazhorancës dhe votat kundër të opozitës.

RELATORËT KRYETARI

Anastas ANGJELI Erion BRAÇE

Ervin BUSHATI

Page 13: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

13

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

Tiranë, më 12.12.2016

Dokument parlamentar

(Komision përgjegjës)

R A P O R T

PËR VLERËSIMIN NEN PËR NEN DHE NË TËRËSI TË PROJEKTLIGJIT

“PËR BUXHETIN E VITIT 2017”

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e Komisionit përgjegjës, në mbledhjet e

datave 7, 9 dhe 12 dhjetor 2016, shqyrtoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e

vitit 2017”, propozuar nga Këshilli i Ministrave. Procedura e shqyrtimit të projektligjit u

mbështet në nenet 32-39, 80 dhe 83 të Rregullores së Kuvendit.

Shqyrtimi nen për nen i projektbuxhetit u zhvillua pas miratimit në parim të tij, në seancën

plenare të datës 1 dhjetor 2016. Ai mori në konsideratë edhe projektligjet e paketës fiskale dhe

ndryshimet përkatëse, të miratuara në Komision.

Për t’u njohur më në detaj me projektbuxhetin e disa prej sektorëve më të rëndësishëm të

ekonomisë, Komisioni zhvilloi disa seanca dëgjimore, respektivisht me Ministrin e Arsimit dhe

Sportit, Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrin e Shëndetësisë, si dhe Ministrin e

Page 14: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

14

Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Ministrat informuan Komisionin mbi

prioritetet e projektbuxhetit në sektorët që ata drejtojnë, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të

deputetëve.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi raportet e komisioneve të tjera të përhershme të

Kuvendit për vlerësimin nen për nen të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2017”. Në këto raporte

pasqyrohet se në secilin komision projektbuxheti është miratuar, nen për nen dhe në tërësi, me

votat pro të mazhorancës. Disa komisione kanë propozuar ndryshime në shpenzimet e

parashikuara për vitin 2017 për ministritë dhe institucionet e varësisë së tyre, duke dhënë edhe

argumentet mbështetëse.

Gjithashtu, pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat janë paraqitur disa propozime të

argumentuara, për ndryshime në projektbuxhet, nga Byroja e Kuvendit, Kontrolli i Lartë i Shtetit

etj.

Të gjitha propozimet e paraqitura u analizuan nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, si

dhe u konsultuan me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, për të parë mundësinë e mbulimit

të tyre me burimet e nevojshme buxhetore.

Në përfundim të këtij procesi, si dhe duke analizuar burimet e mundshme për të përballuar

shtesën e shpenzimeve buxhetore, Komisioni miratoi një pjesë të propozimeve. Për propozimet e

paplotësuara, Komisioni rekomandon përballimin e nevojave të domosdoshme nga fondi i

parashikuar në projektbuxhet, duke rritur efektivitetin e përdorimit të fondeve në dispozicion.

Komisioni e miratoi projektligjin nen për nen dhe në tërësi me votat pro të mazhorancës dhe

votat kundër të opozitës, duke propozuar disa shtesa e ndryshime në projektligj, si më poshtë:

I. Në nenet e projektligjit bëhen këto ndryshime:

Neni 1 ndryshohet si më poshtë:

Page 15: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

15

“Buxheti për vitin 2017 është:

Të ardhurat 436 400 milionë lekë;

Shpenzimet 467 599 milionë lekë;

Deficiti 31 199 milionë lekë.

Ai përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale: sigurimet shoqërore,

sigurimet shëndetësore dhe kompensimi i pronarëve.”.

Neni 2 ndryshohet si më poshtë:

“Buxheti i shtetit për vitin 2017 është:

Të ardhurat 337 600 milionë lekë;

Shpenzimet 368 799 milionë lekë;

Deficiti 31 199 milionë lekë.”.

Neni 3 ndryshohet si më poshtë:

“Buxheti vendor për vitin 2017 është:

Të ardhurat 40 900 milionë lekë;

Nga të cilat:

- transferta e pakushtëzuar nga buxheti qendror 15 635 milionë lekë;

- transferta specifike 6 715 milionë lekë;

Të ardhura të tjera 18 550 milionë lekë;

Shpenzimet 40 900 milionë lekë.”.

Në nenin 4, pika 1, fjalët “transferta për rritjen e pensioneve nga buxheti” zëvendësohen me

fjalët “transferta për indeksimin e pensioneve nga buxheti”.

Në nenin 8, të ardhurat tatimore bëhen 299 400 milionë lekë.

Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:

Page 16: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

16

- Shpenzimet e buxhetit qendror bëhen 368 799 milionë lekë;

- Fondi për rritjen e pagave bëhet 5 500 milionë lekë.

Në nenin 11, rreshti i parë, numri i punonjësve bëhet 81 713 vetë.

Në nenin 14, rreshti i parë, fjalët “fondi për rritjen e pagave prej 6 000 milionë lekësh”

zëvendësohen me fjalët “fondi për rritjen e pagave prej 5 500 milionë lekësh”.

Neni 20 ndryshohet si më poshtë:

“Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të shtetit, në

dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2017, është 31 699 milionë lekë, i dhënë me hollësi, si

më poshtë:

Për huamarrjen e brendshme vjetore dhe mbështetjen buxhetore nga institucionet

ndërkombëtare deri në 41 229 milionë lekë.

Për huamarrjen neto për financimin e projekteve të huaja deri në - 10 030 milionë lekë.

Për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, deri në 500

milionë lekë.

Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1 103 025 milionë lekë, i dhënë me hollësi, si më

poshtë vijon:

Stoku i borxhit shtetëror 1 045 386 milionë lekë.

Stoku i borxhit shtetëror të garantuar 57 639 milionë lekë.”.

II. Në tabelat dhe anekset bashkëlidhur projektligjit bëhen këto ndryshime:

1. Kuvendi.

Në projektbuxhetin e Kuvendit bëhen këto ndryshime:

a) Shtohen shpenzimet me 64 milionë lekë, nga të cilat:

- shpenzime personeli 50 milionë lekë, nga të cilat:

o Programi “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi” 25 milionë lekë;

o Programi “Veprimtaria ligjvënëse” 25 milionë lekë.

Page 17: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

17

Kjo shtesë synon përputhjen e nevojave me burimet.

- Investime 14 milionë lekë në Programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”. Kjo

shtesë nevojitet për të përballuar pagesën e TVSH në kuadër të implementimit të projektit

IPA “Sistemi audio video për sallat e komisioneve të përhershme parlamentare dhe disa

ambienteve të tjera në Kryesinë e Kuvendit”.

b) Projekti për sistemin elektronik të vettingut të përfshihet në listën e projekteve të investimeve

të buxhetit të vitit 2017, pa shtuar shpenzimet kapitale përkatëse. Fondet për këtë projekt do të

përballohen nga rialokimi i brendshëm midis projekteve, duke reduktuar fondet për projekte të

tjera.

Sipas zërave, shtesa e shpenzimeve detajohet si më poshtë:

- Pagat shtohen me 60 milionë lekë (nga të cilat 25 milionë lekë në Programin

“Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi” dhe 35 milionë lekë në Programin

“Veprimtaria ligjvënëse”);

- Kontributet e sigurimeve shoqërore zbriten me 10 milion lekë (në Programin

“Veprimtaria ligjvënëse)”.

- Investimet shtohen me 14 milionë lekë.

2. Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në projektbuxhetin e KLSH shtohen shpenzimet me 96 milionë lekë, nga të cilat:

- Shpenzime personeli 30 milionë lekë, për të mbuluar shpenzimet për personelin

ekzistues;

- Investime me financim të brendshëm 66 milionë lekë, për të përballuar shpenzimet e

transferimit të institucionit në një godinë të re, siç janë ndërtimi i rrjetit të network-ut,

informatizimi i procesit të menaxhimit të auditimit dhe mobilimi i zyrave.

3. Presidenca.

Në projektbuxhetin e Presidencës shtohen shpenzimet me 10 milionë lekë në zërin investime.

Page 18: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

18

4. Zyra e Administrimit të Buxhetit të Pushtetit Gjyqësor.

Në projektbuxhetin e ZABGJ bëhen këto ndryshime:

- Shtohen 10 punonjës për administratën gjyqësore;

- Shtohen shpenzimet operative me 33 milion lekë, nga të cilat:

o 13 milion lekë për mirëmbajtjen e sistemit të regjistrimit audio;

o 20 milionë lekë për shpenzime mirëmbajtjeje për dy gjykatat e reja, Gjykatën e

Apelit Shkodër dhe Gjykatën e rrethit gjyqësor Elbasan.

5. Avokati i Popullit.

Në projektbuxhetin e Avokatit të Popullis shtohen shpenzimet operative me 1 milionë lekë. Për

shkak të projekteve të donatorëve të huaj, më parë këto shpenzime janë mbuluar prej tyre. Tani

këto shpenzime do të përballohen nga institucioni.

6. Gjykata Kushtetuese.

Në projektbuxhetin e Gjykatës Kushtetuese shtohen shpenzimet me 10 milionë lekë, nga të cilat:

- Shpenzime operative 7 milionë lekë, për zhvillimin e aktiviteteve me rastin e 25-vjetorit

të krijimit të institucionit;

- Investimet 3 milionë lekë, për përfundimin e projektit të informatizimit.

7. ILDKPKI.

Në projektbuxhetin e ILDKPKI shtohen shpenzimet e personelit me 5.5 milionë lekë, për të

mbuluar koston e numrit të punonjësve të parashikuar për vitin 2017.

8. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në projektbuxhetin e KQZ shtohen shpenzimet për investime me 30 milion lekë (27 milionë

lekë për rikonstruksionin e magazinës së bazës materiale; 3 milionë lekë për blerjen e një

automjeti).

9. Shkolla e Magjistraturës.

Page 19: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

19

Në projektbuxhetin e Shkollës së Magjistraturës bëhen këto ndryshime:

- Shtohen 3 punonjës në organikë (redaktor, këshilltar dhe pedagog i brendshëm);

- Shtohen shpenzimet me 27 milionë lekë , nga të cilat:

o Shpenzime personeli 5 milion lekë;

o Shpenzime korrente 21 milionë lekë (për shpërblime/bursa për 25 kandidatë për

magjistratë të vitit të parë, realizimin e programit të testimit profesional dhe

konferencën shkencore për 20-vjetorin e Shkollës);

o Shpenzime për investime 1 milion lekë (për blerje pajisje).

10. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në projektbuxhetin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave

Personale shtohen shpenzime për investime me 1.5 milionë lekë (për pajisje për zyrat e reja).

11. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Në projektbuxhetin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi bëhen këto shtesa:

- Shtohet 1 punonjës (për zyrën e Personave me Aftësi të Kufizuara);

- Shtohen shpenzimet për investime me 5 milionë lekë, për blerjen e një automjeti dhe

vendosjen e një platforme për personat me aftësi të kufizuara.

12. Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit.

Në projektbuxhetin e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit bëhen këto shtesa:

- Shtohen 4 punonjës në organikë (për sektorin e arkivës);

- Shtohet fondi i pagave me 2 milionë lekë.

13. Ministria e Mbrojtjes.

Në këtë ministri propozohet të shtohet fondi i pagave për Forcat e Armatosura prej 400 milionë

lekësh, duke u zbritur nga fondi i rritjes së pagave të administratës publike prej 6 miliardë lekësh.

Rialokimi i këtij fondi reflektohet në programet përkatëse.

Page 20: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

20

14. Shërbimi Informativ Shtetëror.

Në projektbuxhetin e SHISH shtohen shpenzimet operative me 40 milionë lekë, për të plotësuar

nevojat në rritje të institucionit.

15. Ministria e Kulturës.

Në projektbuxhetin e Ministrisë së Kulturës rialokohen shpenzimet korrente, si më poshtë:

- Shtohen me 15 milionë lekë shpenzimet në këto programe:

o “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi 5 milionë lekë;

o “Arti dhe kultura” 10 milionë lekë.

- Pakësohen me 15 milionë lekë shpenzimet në programin “Trashëgimia kulturore dhe

muzetë“.

16. Akademia e Shkencave.

Në projektbuxhetin e Akademisë së Shkencave shtohen shpenzimet operative me 10 milionë

lekë (për studime, botime, librash, monografish e albumesh).

17. Radiotelevizioni Shqiptar.

Në projektbuxhetin e RTSH shtohen shpenzimet për investime në shumën 200 milionë lekë

(për dixhitalizimin).

18. Qendra Kombëtare Kinematografike.

Në projektbuxhetin e Qendrës Kombëtare Kinematografike shtohen shpenzimet operative me 5

milionë lekë (për projekte filmike).

19. Autoriteti për Hapjen e Dosjeve.

Në projektbuxhetin e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve shtohen shpenzimet me 30 milionë lekë,

nga të cilat:

Page 21: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

21

- Shpenzime personeli 10 milionë lekë;

- Shpenzime operative 10 milionë lekë;

- Shpenzime për investime 10 milionë lekë.

Këto fonde janë të nevojshme për funksionimin e këtij institucioni, si institucion i ri i

sapokrijuar.

20. Ministria e Financave.

Në projektbuxhetin e Ministrisë së Financave bëhen këto shtesa:

- Shtohen 70 punonjës (për riorganizimin e doganave dhe plotësimin e detyrimeve të reja

që rrjedhin nga reforma në drejtësi);

- Shtohen shpenzimet me 115 milionë lekë, nga të cilat:

o Shpenzime personeli 45 milionë lekë, për të përballuar shtesën e numrit të

punonjësve;

o Shpenzime për investime 70 milionë lekë, për financimin e një projekti të

asistencës teknike.

21. Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Në projektbuxhetin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë bëhen këto shtesa:

- Shtohen 3 punonjës;

- Shtohen shpenzimet për investime me 50 milionë lekë, për asistencë teknike për

efiçencën e energjisë.

22. Ministria e Shëndetësisë.

- Në projektbuxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë shtohen shpenzimet operative me 23

milionë lekë për blerjen e fishave për fëmijët diabetikë.

23. Ministria e Drejtësisë.

- Në projektbuxhetin e Ministrisë së Drejtësisë shtohen shpenzimet për investime me 40

milionë lekë për rikonstruksionin e godinës së morgut.

24. Departamenti i Administratës Publike.

Në projektbuxhetin e DAP shtohen 5 punonjës, pa shtuar shpenzimet përkatëse. Kjo shtesë

bëhet në kuadër të reformës në administratën publike.

Page 22: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

22

25. Partitë politike.

Në projektbuxhetin për partitë politike shtohen shpenzimet korrrente me 100 milionë lekë, për

të siguruar përshtatjen me kuadrin e ri ligjor të reformës zgjedhore.

26. Pushteti vendor.

Në projektbuxhetin e pushtetit vendor bëhen disa ndryshime, si më poshtë:

- Projektbuxheti i pushtetit vendor shtohet me 172 milionë lekë, për të mbështetur

reformën e decentralizimit. Nga këto:

o Transferta e pakushtëzuar shtohet me 135 milionë lekë;

o Transferta specifike për investime shtohet me 37 milionë lekë;

- Tabela 3 “Transferta e pakushtëzuar dhe specifike për bashkitë për vitin 2017”

zëvendësohet me tabelën, me të njejtin numër, bashkëlidhur raportit;

- Në Aneksin 3 “Fondi për Zhvillimin e Rajoneve”, pika 8, fjalia e dytë ndryshohet si më

poshtë:

“Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për infrastrukturën vendore i papërdorur në fund

të vitit 2016, mund të mbartet në vitin 2017, me miratim të Ministrit të Financave,

por jo më vonë se deri në fund të dhjetorit të vitit 2017.”.

27. Burimet.

Shtesa e shpenzimeve totale me 1070 milionë lekë do të përballohet nga:

- 400 milionë lekë nga rritja e të ardhurave tatimore;

- 670 milionë lekë nga reduktimi i shpenzimeve në disa zëra, sipas tabelës fiskale

bashkëlidhur.

Përfundim.

Komisioni e miratoi, nen për nen dhe në tërësi, projektligjin “Për buxhetin e vitit 2017” me votat

pro të mazhorancës dhe votat kundër të opozitës.

Page 23: KUVENDI - Diabet...pjesët e veçanta të tij, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Shqyrtimi në parim i projektbuxhetit u gërshetua me shqyrtimin në

23

RELATORËT KRYETARI

Anastas ANGJELI Erion BRAÇE

Ervin BUSHATI