jeniÇeri i fundit - jusuf buxhovi · 2020. 12. 11. · perëndimin e diellit e përcolla sikur të...

141
1 Jusuf BUXHOVI JENIÇERI I FUNDIT (Roman) (Libër për vetveten) Pranimi i Gjakut të Dijës, nuk nënkupton përjashtimin e Dijës së gjakut...”

Upload: others

Post on 15-Feb-2021

3 views

Category:

Documents


0 download

TRANSCRIPT

  • 1

    Jusuf BUXHOVI

    JENIÇERI I FUNDIT

    (Roman)

    (Libër për vetveten)

    “Pranimi i Gjakut të Dijës, nuk nënkupton përjashtimin e Dijës së

    gjakut...”

  • 2

    Perëndimin e diellit e përcolla sikur të kërkoja diçka të veçantë në

    kapërcimin midis kuqërremit të butë në të zbehur dhe hijes së lehtë që lirohej nga kodrina përballë për t’u derdhur në ngushticën e detit, valët e të

    cilave shkriheshin në njëfarë pajtimi të qetë nga brenda, pikërisht aty ku

    shënohej ajo që ngaherë merrej si ndarje e dy botëve. Në atë pikasje, të asaj

    që kush e shihte si kufi i luftës së të kundërtave e kush si puqje dhe bashkim i tyre dhe ndryshe-ndryshe, një zë i brendshëm, apo tjetri në mua, që mund

    të ishte edhe Guri i fëmijërisë (emri i mirëfilltë, që do të më përkujtohet si

    Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut), po më fliste për udhëtimin që tashmë kishte nisur dhe duhej të më çonte aty ku fundi ishte fillim dhe

    fillimi fund, që në njëfarë mënyre pasqyronte shpërputhjën e përhershme

    midis pushtetit të dijës dhe dijës së pushtetit, e ku si do të shihet me anën e ndjenjës së Vatanit, do t’i kthehesha vetvetes, ndonëse i humbur...

    Me një gjuhë gjithë dridhërima dhe fjalë të veçanta, të shkëputura

    qëllimisht në mënyrë që të shmangeshin porosisë troçe, zëri i brendshëm

    apo ai Gur-Guri i fëmijërisë, që më dukej se pas asaj heshtje aq të gjatë ishte zgjua në mua, mundohej mos me e zanë ngojë as fundin e Rendit të

    Jeniçerëve, e as mundësinë e luftës për jetë a vdekje me Rendin e Ri

    Ushtarak me të cilin do të ballafaqoheshin frymëzuesit kryesor shpirtëror të tyre, fuqia e të cilëve i kishte ngritur, mbajtur dhe drejtuar Perandorinë në të

    gjitha fitoret.

    “Shembja fillon aty ku përfundon ngritja, ndërsa ngritja fillon aty ku përfundon shembja...”

    Një copë herë dëgjova të më vërtiteteshin fjalët për shembjen dhe

    ngritjen, që nuk paraqisnin tjetër pos pjesën e rrethit të përhershëm të

    përsëritjes. “Nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit, siç nuk ka asgjë të

    qëndrueshme përveç ndryshimit...”

    Në vazhdim m’u thanë edhe këto: “Asgjë nuk prehet...Çdo gjë lëviz... Gjithçka lëkundet... Në këtë

    lëkundje është Mençuria – djepi i gjithësisë...”

    Rreth Mençurisë dëgjova edhe disa fjalë që nuk ishin vetëm këshilla:

    -Mençuria është fuqi dhe fuqia është Mençuri, dhe të dyja bashkë e bëjnë gjithçka të përsosur, por edhe të paqëndrueshme njëherësh...

    -Andaj, mos je krenar për Mençurinë edhe pse asaj nuk duhet t’i ndahesh

    dot! Sepse, njeriu i mençur e lejon zemrën e tij të rrjedhë e të dalë nga shtrati,

    siç e bën edhe të ngurtë përjetësisht...”

  • 3

    Por, ai zë i brendshëm i tjetrit në mua apo Gur-Guri i fëmijërisë, pas

    atyre që m’i tha për Mençurinë , gjë që nuk i kisha pritur se do të ishin të tilla, vazhdoi më tutje të shpalosë mendime të ngjashme, me ç’rast zuri të

    fliste për Lëkundjen, duke ma bërë me dije se është diçka që mban në dorë

    thelbin e pushtetit, atë që rëndom nuk kuptohet drejt dhe më kohë, por të

    shumtën keqpërdoret edhe në emër të Krijuesit, të cilit rëndom i ndajmbathën të gjitha, madje edhe gjërat më të keqia...

    Kështu, duke u sjellë dhe përsjellë me mendime të ndryshme, të cilat tha

    se vinin nga Dijet e Vjetra me të cilat do të ballafaqohesha meqë vetëm me anën e tyre mund të arrihej çlirimi nga dhuna e dijës së njëanshme, zëri i

    brendshëm apo Gur-Guri i fëmijërisë, prej të cilit mendoja se isha

    shkëputur dhunshëm kur kisha marrë rrugën e Perandorisë, më tha se ato gjenden të shkruara te librat e vjetra, ku fshihet edhe çelësi i krijimit nga

    zanafilla dhe gjithë ato mbi të cilat mbështeten qytetërimet që njihen dhe

    nuk njihen, të perënduarat dhe të harruarat, të cilat paraqesin shtratin e

    mendësisë universale, atë qendër madhore, të cilën e njohim aq pak dhe e luftojmë aq shumë...

    “Mos pusho së reshturi në kërkim të librave të vjetër...Ato gjenden në

    botën e lashtë, që nga të dijshmit e hershëm quhej Pellazgji...” Ndërsa rreth zanafillës m’i tha edhe këto:

    “Njeriu është një yll i kufizuar në një trup, derisa, në fund, të çlirohet

    nëpërmjet luftës së tij të brendshme... -Vetëm nëpërmjet përpjekjeve dhe duke punuar deri në pafundësi, ylli

    brenda teje do të çelë serish në një jetë të re...

    -Ai që njeh zanafillën e të gjitha gjerave, ylli i tij është i lirë prej

    mbretërisë së natës...” Kur m’u thanë këto, sikur hetova një dorë të padukshme, që fare lehtë

    dhe gjithë dridhërima kapi dorën time dhe me atë shtrëngim të fortë,

    kërkonte që te unë te derdhej fuqia e fundit që përçonte ndonjë shpirt i ndritur, me çka më bëhej se tashmë pranë po më formësohej ai tjetri në

    mua, që kohëve të fundi me kishte folur thuajse pareshtur , mbase për me

    më ngushëllue, rreth asaj se si në botë gjithçka rrjedh në mënyrë

    qarkulluese, ku gjithçka ka ngritjen dhe rënien, ku gjithçka ngrihet e bie, për të shtuar se në saje të asaj në botë gjithmonë është një veprim e një

    kundërveprim, një përparim e një tërheqje, një lartësim e një fundosje, që

    për të, ky ligj manifestohej në krijimin dhe shkatërrimin , në lulëzimin dhe rënien , në ciklin jetësor të të gjitha gjërave, e në fund, edhe në gjendjen

  • 4

    mendoret të njeriut, por që të gjitha këto, si dije, gjenden të fshehura te

    librat e vjetër, që ne u afrohemi vetëm me mendje... Madje, edhe pse me atë shtrëngim të veçantë dhe shikim të flashkët ai

    që më bëhej se ishte Gur-Guri i fëmijërisë, sikur kishte dalë nga ndryrja e

    brendshme që t’i ikte fundit tragjik, me të cilën do të ndeshesha

    pashmangshëm, siç do të ndesheshin edhe mijëra dhe mijëra shehlerë, dervishë dhe pjesëtarë të tarikatit tonë të cilët e kishin më se të qartë se

    Rendi i Ri Ushtarak do t’i qëronte hesapet me në meqë ashtu luftonte për

    jetë a vdekje mësimet e shenjta mbi të cilat ishte ngritur dhe kishte qëndruar Urdhri ynë, kësaj nuk kisha dëshiruar t’i besoja, nga bindja se tashmë, ai zë

    i brendshëm me të cilin po ballafaqohesha, nuk paraqiste tjetër pos

    ndërlidhjen me hyjnoren, me të cilën kisha bashkëjetuar gjatë atyre viteve e viteve nëpërmes ndijimit të veçantë, dhe se ajo ndërhyrje kishte për qëllim

    të nxirrte në pah bashkëjetesën e të kundërtave në mua si pjesë e të qenit të

    përhershëm?...

    Dhe, me bindjen se tashmë nuk isha i vetëm e as i qetë nga të panjohura e ndryshme me të cilat do të ballafaqohesha, ku nuk duhej përjashtuar as ato

    që ai tjetri në mua apo Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Gur i Dheut si zë i

    fëmijërisë tashmë kishte zënë t’i shpaloste me çka gjithnjë e më shumë bindesha se vetëdija dhe ndërdija (së paku te unë) kishin një shtrat të

    përbashkët dhe ishin ato që fundit tim të pashmangshëm do t’i jepnin një

    kuptim që nuk ma kishe marrë mendja se do të ishte i tillë ( futja në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë), hipa në barkën e vogël, me të cilën duhej të kaloja

    në pjesën tjetër të ngushticës së detit, pikërisht atje ku thuhej se përfundonte

    Lindja dhe fillonte Perëndimi, përkufizim ky që për mua, ishte i

    papranueshëm dhe madje i padrejtë, meqë frymës së ndijimit ia vente përkufizimet dhe ndarjen në kundërshtim me fuqinë e shpirtit të përbashkët

    qiellor nga gjithësia e pashtershme, që ai nuk i njeh, pale se mbi to pastaj

    ishin krijuar përçarjet dhe urrejtja si shkas i luftërave të pandalshme, të cilat u duhen atyre që besimin e shohin si forcë dhe si të tillë e përdorin për të

    ndërtuar pushtet mbi njerëzit dhe hapësirat e mbikëqyrura prej tyre në vend

    se të ndodhte e kundërta...

    Por, era e lehtë që mori me vete barkën dhe e drejtoi në anën e kundërt sakaq ma krijuan përshtypjen se në atë kapërcim të shkurtër “nga njëra anë

    e botës në tjetrën” nga perceptimi i burimi të besimit (në diell apo hënë) dhe

    pas atyre që për vite e vite i kisha dëgjuar dhe të tjerave që i kisha marrë me mend, tashmë sikur kisha filluar të lirohem nga lëkura e jeniçerit, me të

    cilën kisha kaluar për tetëdhjetë vjet, i bindur se ai ndryshim ishte i

  • 5

    natyrshëm dhe në përputhje me atë përmbushjen shpirtërore që vinte nga

    mësimet e Sari Salltëkut të lavdishëm, pikërisht atyre që kishin frymëzuar Urdhrin dhe Rendin, të cilat doemos se kthenin te besimi i vjetër, që lidhet

    me Krijimin nga gjithësia dhe Krijuesin si mbikëqyrës i saj, ku i Krijuari

    shfaqet në formën më të lartësueshme të ngritjes, njëherësh duhet kuptuar

    edhe si Krijues... Në të vërtetë, në atë përvijim të ndryshimit të gjendjeve, kur tjetri në

    mua ose zëri i brendshëm nga fëmijëria si Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Guri

    i Dheut po më thoshte se deri më dje i kisha takuar një Urdhri që i kishte shërbyer ngritjes dhe mbajtjes së pushtetit me anën e forcës së besimit, që

    vjen nga shpirti me anën e thellimit në të, ndërsa në të ardhmen duhet të

    ballafaqohesha me pushtetin që ngrihet dhe ndërtohet mbi besimin e forcës që kthehet në dhunë, siç kishte qenë ajo e kamotshmja që kishte nxitur

    luftëra dhe kobe të pandalshme, në vend se të merrja vetën dhe të

    vetëdijesohesha për gjendjen me të cilën tashmë po ballafaqohesha, për herë

    të parë dhe fare papritmas hetova përftimin e një boshllëku (të strukur tinëzisht), që më bëri të ndjehem as jeniçer, e as tjetër, gjendje kjo që m’u

    duk e ngjashme me atë të para tetëdhjetë vitesh, kur i përcjellë nga im Atë,

    në rrugë për tek sheshi i kishës, ku bashkë me të tjerët duhej të merrnim rrugën e pa kthim, kisha ndjerë mundimin e atij tundimi, që duhej me ia

    lëshue vendin një mbushjeje fare të panjohur po aq sa edhe të frikshme së

    cilës medoemos duhej t’i nënshtrohesha? Atëbotë, pasi që isha ndarë nga motra dhe nga vëllai, që kur i kisha

    marrë ngrykë kishin ulur shikimin sikur të fshihnin një dhembje të

    pashpjegueshme dhe, kur ime Amë më kishte shtrënguar fortë e me një zë të

    qetë më kishte thënë se çfarëdo që do të ndodhte mbetesha Gur-Guri, Gur i Nanës dhe Gur i Dheut, doemos se një ditë do ta takoja (pasi që të kisha

    kaluar nëpër shtatë bjeshkë dhe shtatë kështjella), pra në atë përpëlitje të

    pabesueshme me të panjohurat që po më vërtiteshin furishëm, kisha hetuar tundimin e asaj zbrazjeje, të ngjashme me një shpëlarjeje nga pesha e atyre

    që kisha menduar se do të më ligështonin me rastin e ndarjes, të cilave, u

    kisha druajtur më së shumti.

    Por, ato nëpër të cilat kisha kaluar që nga koha kur im Atë fare i thyer më kishte folur gjithë mjegullim rreth asaj rrugë të gjatë e të pakthyeshme

    (duke ma bërë me dije se kuptimin e saj do ta merrja vesh më vonë, sapo të

    largohesha nga ajo botë e mbyllur për të cilën fliste se kishte një fuqi të jashtëzakonshme që t’i shkatërronte që në nismë ata që kërkonin me i

    kapërcye kufijtë e saj dhe fjalë të tjera të ngjashme), nuk kishin qenë tjetër

  • 6

    pos parapërgatitje të më bëhej me dije ai ndryshimi i pashmangshëm, të cilit

    duhej t’i nënshtrohesha, në mënyrë që ta përballoja sa më lehtë shkëputjen nga kalimtarja, siç i thuhej, duhej të merrej si një kapërcim tek e ardhmja,

    me të cilën isha i gjykuar që të njësohesha pa denjuar që ndonjëherë ta

    ktheja shikimin pas.

    Edhe pse im Atë më kishte folur për një dhunti, e cila duhej të gjente pasqyrimin e vet në një hapësirë të pafundme, jashtë atij rrethi të mbyllur në

    të cilën gjendesha ( dhuratë kjo që sipas tij, u takonte vetëm të rrallëve, dhe

    këtë ishte munduar me ma shpjegua me anën e disa sajesave, që atëbotë me vinin të pakapshme, por që më vonë, sapo të kthehesha në atë vorbull që po

    më priste të më përpinte në shenjë hakmarrje, pak nga pak do t’i ndriçoja si

    dhunti që vinin nga ndijimi hyjnor), e kisha të qartë se bëhej fjalë për një ndarje, e cila nëse nuk ishte e dhunshme, atëherë e detyrueshme gjithsesi,

    por që kjo atëbotë shfaqej e mjegullueshme pikërisht pse përcillej nga

    shpjegime të paqarta, të shumtën me ato që lidheshin me diçka që lente me

    kuptue se ishte jashtë pushtetit të tyre, së cilës duhej t’i nënshtroheshin përulësisht e të ngjashme...

    Natyrisht, se ato që nuk kisha qenë në gjendje t’i kuptoja atëherë - sa nga

    gjuha e fshehur që lidhej me “dhuntinë e jashtëzakonshme”, që nga im Atë thuhej se e kisha nga dika ( diçka që vihej mbi çdo gjë dhe duhej të

    pranohej me përulje të plotë, për çka një ditë do të vetëdijesohesha), e sa

    nga mundimi i pikëllimit që kishte filluar të zinte shikimin e sime Amë që disi përpiqej ta fshihte me fjalët Guri i Nanës, dhe Guri i Dheu, që të

    shoqëruara me ato se “hija ime megjithatë mbetej në lëkurën e gjarprit të

    shtëpisë”, të cilat m’i drejtonte pareshtur si një refren të ndryrë që duhej ta

    merrja me vete - asaj ndarje, së paku, nuk duhej t’i frikësohesha, por t’i jepesha i tëri, meqë e gjitha lidhej me atë se po shkoja për t’u bërë ai që

    duhej të isha në të vërtetë, ngaqë kjo nuk mund të bëhej aty, por diku tjetër,

    paçka se kuptimi i bërjes jashtë hapësirës sonë mbetej fare i paqartë dhe po aq i pakapshëm madje, ngaqë “hija ime” mbetej në lëkurën e Gjarprit të

    Shtëpisë, që do të thoshte se diçka imja mbetej këtu përherë, që atë largim

    të mos e bënte të përhershme (siç do të ndodhë në të vërtetë), e hamendje të

    tjera të ngjashme, që jo vetën nuk kishin fund por mendja ime nuk ishte në gjendje t’u jepte përgjigje...

    Por, nga moria e atyre që kisha dëgjuar dhe gjithnjë e më shumë më

    vinin vërdallë, megjithatë “lirimi” nga lëkura e Gjarprit të Shtëpisë për me iu bashkue një lëkure tjetër (Gjarprit të Pemës, që i për ndryshim nga ai i

    shtëpisë ruante botën), ku thuhej se dija e gjakut (për të cilën fliste ime Amë

  • 7

    si për diçka që bartte unazat e llojit të veçantë dhe ushqente njësoj dhe

    gjithmonë fisnikërinë e lindur dhe atë që nuk tjetërsohet nga bindjet ose besimet çfarëdo qofshin), e plotësonte i ashtuquajturi gjak i dijës, ose dije e

    përbashkët, të menduarit njëjtë dhe të ngjashme, për të cilat im Atë më

    kishte thënë se duhej t’u takoja, meqë ato ishin edhe pjesë e Dijeve të

    Vjetra, përherë të fuqishme, por të fshehura, me të cilat një ditë do të ndeshesha doemos...

    Megjithatë, çastin që isha ndarë nga im Atë - dhe kjo kishte ndodhur në

    një ditë vjeshte me diell të shndritshëm, që nuk e kishte nxehtësinë përcëlluese të verës kur para kishës së vogël të sheshit na morën të huajt (

    mes tyre një dervish zgjatan tepër i sjellshëm, i cili pasi na kishte veshur

    rrobat e reja: një këmishë e linjtë sipër brekusheve e njëjtë për të gjithë, na kishte dhënë gurabi dhe na kishte thënë se po merrnin rrugën e përhershme

    drejt urdhrit të lavdisë) - pamja e prindërve me gjithë kujtimet e fëmijërisë

    dhe të tjerat që e shoqëronin atë po më kthehej në një lëkurë Gjarpri të

    Shtëpisë, përgjegjëse për ruajtjen e atyre që i takonin qenies së paharrueshme. Dikur, madje, pas shumë ditë udhëtimesh, që ishin përshkuar

    me pushime të shkurtra nëpër vende të ndryshme fare të huaja, ku na

    bashkoheshin edhe të tjerë, që ndonëse flisnin gjuhë të ndryshme dukej sikur ishim të njëjtë, pra në atë përzierje që paraqiste fillimin e asaj

    shkrirjeje që do t’i nënshtroheshim, kur iu afruam ngushticës së detit dhe po

    bëheshim gati të hipnim në varkën që duhej të na bartte në anën tjetër, përfytyrimi i lëkurës së Gjarprit të Shtëpisë m’u kishte kthyer në një

    hajmali të brendshme shpirti, nga e cila më bëhej se kishin burimin fjalët e

    sime Amë (Gur-Guri, Guri i Nanës, dhe Guri i Dheut), hajmali kjo që

    megjithatë nuk e përjashtoi edhe atë lëkurën e Gjarprit të Pemës, që im Atë e shihte si një dhunti që e hetonin “të veçantit”, të cilët ngarkoheshin me

    përgjegjësi po ashtu të veçanta për drejtimin e njerëzimit e të ngjashme, gjë

    që në njëfarë mënyre ma bënin me dije se lidhja me lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë ose të tokës paraqiste lidhje me krijimin dhe kujtesën, ndërsa lidhja

    me lëkurën e Gjarprit të Pemës, ose gjarprit të qiellit paraqiste pranim i të

    ardhmes jashtë të kaluarës, madje duke e përjashtuar atë?...

    Dhe trysninë e pranimit të së ardhmes pa të kaluar, ku lidhjen e gjakut e zëvendësonte ideja e dijes së përbashkët si të mbikëqyrur, pra të asaj që

    lidhet me pushtimet dhe si diçka që përjashtonte të tjerat, zura ta njoh

    atëherë kur pas shumë ditësh udhëtimi iu afruam Kodrës së Shenjtë, që shpinte te ngushtica e detit, e cila lidhte Perëndimin me Lindjen.

  • 8

    Aty arritëm kur rrezet e dobëta po i afroheshin perëndimit dhe një freski

    e lehtë po na ndihmonte ta përballonim lodhjen e ditës ndër më të gjatat dhe ndër më të mundimshmet jo pse kishim qenë të detyruem me e kalue pa

    futur ujë në gojë, edhe pse ai nuk i mungonte karvanit të gjatë që na

    përcillte, ku kishte ushqime dhe ujë me bollëk, por pse na ishte thënë se ajo

    “ditë e veçantë” me të cilën mbyllej udhëtimi “nga njëra pjesë e botës në tjetrën”, duhej të ishte ditë agjërimi para se të jepnim betimin e Urdhrit ku

    do të pranonim emrat e rinj, ata të përhershmit, me çka përfundimisht

    shkëputeshim nga e kaluara pa ndonjë kuptim me iu dhanë të ardhmes së shenjtë.

    Dhe në atë përpëlitje me lodhjen dhe etjen e tmerrshme, përballimi me

    Kodrën e Shenjtë, para se me u paraqitë ato që lidheshin me ndryshimin e gjendjeve, duhej të shënonte fundin e etjes, pale se shfaqej si parakusht i atij

    kapërcimi që do të na ndërrojë kahun jetësor, sado që kjo nuk do të ndodhë

    aty për aty, siç shpresonim. Sepse, hyrja në Kodrën e Shenjtë, në një vend

    gjithë gjelbërim dhe freski që shoqërohej nga aroma e luleve, u përcoll me një ritual tjetër, i cili filloi sapo purpuri i perëndimit pllakosi gjithë vendin

    për të vazhduar gjatë gjithë natës me shumë e shumë sfida ndër më të

    paparashikuarat, deri sa u shfaq agsholi i ditës së nesërme kur nga përfshirja në një ritual dalldie, pranuam një gjendje tjetër shpirtërore, që mundësohet

    kur shpirti mund vuajtjet trupore.

    Në ndërkohën nga purpuri i perëndimit i diellit deri te agsholi i ditës së re, më kujtohet si kishin pasuar, sipas një rendi tejet të përpiktë, që të gjitha

    ndryshimet: nga marrja e emrave të rinj, atyre të përhershmëve e deri te

    betimi para varrit të Haxhi Bektashit të shenjtë, që do të bëhej pas ziqrit,

    prej nga pastaj do të fillohej jeta e jeniçerit, që nuk mund të merrej ndryshe pos lirim i përhershëm nga lëkura e Gjarprit të Shtëpisë dhe besimi i

    shenjtë në të.

    Në të vërtet, heqja e emrave, me të cilin ishte hapur rituali, nuk kishte kërkuar ndonjë veprim të veçantë, meqë nga çasti i ndarjes nga prindërit

    (kur i ishim lënë në përgjegjësinë e dervishit thatak dhe njerëzve të tij), në

    atë morinë që sa vinte e shtohej bashkë me ndjenjën e një shkrirjeje në të,

    na thuhej se për të gjithë vlente emërtimi i përbashkët “Abdullah”, që si “bij të Allahut” bëheshim gati të futeshin në Urdhrin e Veçantë dhe prej nga

    pastaj pagëzoheshim me emrat e rinj, me çka përgjithmonë duhej t’i

    harronim emrat që kishim, siç duhej ta shporrnim edhe të kaluarën tonë. Por, vallë, a ishte e mundur sakaq të bëhej kjo kur ishte ajo lëkura e

    Gjarprit të Shtëpisë, bashkë me atë fjalët e sime Amë ( Gur-Guri, Guri i

  • 9

    Nanës dhe Guri i Dheut) , të cilat, pa marrë parasysh ndarjen dhe pa marrë

    parasysh kohën që do të hynte në mes, me anën e kujtesës qoftë edhe të turbullt, lironin porosi shpirti, të cilat bënë që një ditë rrugëtimi im të

    kthehej prej nga ishte nisur?...

    Edhe pse ishte fjala për një fillim dhe për një kujtesë të përbashkët e të

    mbikëqyrur si të përhershme, ku besimi duhej të njësonte dijen dhe shpirtin, që si parakusht kishte shkëputjen nga fillesa dhe largimin nga “qenia e

    veçantë”, me të cilën lidhet secila krijesë, si do të shihet, kjo nuk ishte e

    mundur, sepse të përbashkëtës sado e arsyetuar që të ishte, karshi kujtesës shpirtërore, nuk i mjaftonte vetëm vullneti për bindje e as detyrimi i

    nënshtrimit, të cilat i përjashtonte vullneti për fuqi...

    Por, krahas “të përbashkëtës si detyrim i nënshtrimit”, ku fshirja e kujtesës nëpërmes ndërrimit të emrave paraqiste hapin e parë dhe më

    domethënës, që kishte zënë fill në një shesh të hapur, të rreshtuar në një

    gjysmë harku përballë një shatërvani të madh që pareshtur dhe shumanshëm

    përhapte currila uji të freskët, aty dëgjuam edhe për pastrimin e jashtëm, atë të pavërejturin, para se të vazhdonim me pjesën tjetër të ceremonialit. Një

    dervish tjetër me një mjekër vezake, fes të madh në kokë dhe pelerinë të

    bardhë me gajtanë të praruar me ar , i shoqëruar prej shumë të tjerëve që i shkonin pas, me shenjën e dorës që jepte, na shkëpuste një nga një nga

    radha e gjatë, dhe pasi na ledhatonte, me fjalët që nuk i kuptonin, na hapte

    rrugën për te dervishët tjetër, që na merrnin përsipër dhe na shoqëronin deri te uji i shatërvanit, ku duhej të pastronim lehtas duart, fytyrën dhe kokën, që

    pastaj e gjitha të përfundonte me futjen e një grushti ujë në gojë, me të cilin

    ajo duhej të shpërlahej për t’u nxjerrë jashtë dhe assesi të pihej.

    Më kujtohet se atë etje shkallmuese të parën dhe të fundit të tillë në jetën e time, etje kjo që do të m’i përkujtojë sfidat e ndryshimit të gjendjeve,

    fillimisht e bënin edhe më të padurueshme stërpikat e ujit që vinin, ndërsa

    ajri i mbushur me lagështi përvëlimin nxehtësisë së brendshme në vend se t’ia fashisë ia shtonte edhe më, ndërkohë që ajo dorë uji që e fusim në gojë

    për me e shpërla atë, krijonte përshtypjen e të dënuarave me etje përballë

    ujit, gjë që paraqiste një shkallë të paparë dhune, me të cilën duhej pajtuar

    durimi i jashtëm me atë të brendshmin në mënyrë që të krijoheshin rrethanat për atë pastrimin e brendshëm shpirtëror që besimit të ri i duhej si

    shtrat i përhershëm...

    Megjithatë, ajo që prej nesh kishte filluar të përjetohej si mundim i rëndë dhe te disa me u kthye në alivanosje, kishte marrë fund me shpërthimin e

    një shiu si rrebesh, që ishte shfaqur çastin që kishim përfunduar pastrimin

  • 10

    dhe na kishin drejtuar në një pjesë tjetër, po ashtu të rrethuar me gjelbërim

    të shumtë, që dukej si një kube. Uji që kishte rënë si rrebesh sipër dhe ne e kishin përjetuar si shpëtim përballë shkallmimit fizik, nuk kishte qenë shi,

    siç kishim pandehur shumica prej nesh, por ishte pjesë e një spërkatje të

    qëllimshme nga pjesët e skajshme me anën e çepave shpërndarës, që

    hidhnin ujë nga lartë dhe ai dukej sikur të ishte shi. Gjatë asaj spërkatje që i ngjante rrebeshit të shiut, kishim bërë çmos që me kokën përpjetë, me gojën

    e hapur dhe duart e mbledhura përskaj saj, me thithë sa më shumë ujë. Në

    atë përpëlitje me ujin shumë prej nesh ishin rrëzuar dhe shkallmuar madje nga lëvizja e pambikëqyrur e masës, por kjo nuk kishte ndërprerë betejën e

    ethshme për ujin, që kishte vazhduar përder sa, ashtu si kishte filluar, befas

    ishte ndalur, duke ia lënë vendin një avulli që ishte liruar nga trupat tonë të nxehur dhe nga gurët e shtruar, sikur të ishte pjesë të së papastrës, nga e

    cila, në atë mënyrë dhe vetëm ashtu, përfundimisht duhej të ndaheshim...

    Dhe, freskia shkallmuese kishte marrë fund para një varri të madh

    – një nur i përflakur, që na doli përpara sapo ishim drejtuar në të

    majtë për në pjesën e një sheshi të madh dhe aty, ku secilin prej nesh

    e kishte pritur nga një xhybe e bardhë me kullon të kaltër, që duhej ta

    vishnim pasi që t’i hiqnim përfundimisht rrobat që kishin bartur gjatë

    udhëtimit. Varri me kube të madhe, i mbuluar me çevre të shumta

    jeshile, ishte i rrethuar me dy rrathë dervishësh me xhybe mavi, që

    rrinin këmbëkryq dhe dukeshin si të ngrirë. Pas një heshtje të bëftë, në atë hapësirën midis tyre dhe dervishëve

    përreth varrit të madh që rrinte në mes, ishte shfaqur një tjetër dervish me një xhybe mavi të qëndisur me gajtanë prej arit, i cili pasi kishte thënë një

    lutje të gjatë në gjuhën që nuk e kishim kuptuar, kishte nisur të

    përshëndeste në gjuhë të ndryshme, ku pas pak, në gjuhën time (dhe kjo më kishte ardhur si diçka e jashtëzakonshme, një trandje e beftë që në mendjen

    time kishte mbetur e ngulitur përgjithmonë si pjesë e asaj të veçantës, e cila

    do të përfundojë aty dhe në atë vend), kisha dëgjuar edhe fjalët me të cilat më bëhej me dije se aty isha me dëshirën e Krijuesit; se para se të kalonim

    në urdhrin e lavdishëm të jeniçerëve, duhej t’u bashkoheshin mësimeve të

    famshme të Haxhi Bektashi, i cili kishte marrë përsipër që mësimet e

    Profetit të madh bashkë me ato të mendësitë që dalin nga Krijuesi i gjithëfuqishëm, t’i përhapte në gjithë botën, në mënyrë që besimi i ri

    njëherësh të shfaqej si forcë mendjeje dhe shpirti me të cilin mundësohej

    bashkimi i të gjithëve në përbërje të pushtetit të më të mirës, ku dallimet

  • 11

    krijojnë fuqinë e të përbashkëtës dhe assesi përçarje, siç do të ndodhë në të

    shumtën... Aty, kisha dëgjuar për herë të parë fjalët për fillimin e Urdhrit si besim

    hyjnor, siç kisha dëgjuar edhe ato që u thanë për Perandorinë si shtrat

    shpirti, pa të cilën nuk mund të ketë as Urdhër e as Besim dhe asgjë...

    Fundi i Urdhrit dhe fillimi i rrënimit të besimit...

    Kur i hapa sytë dhe shikimi im i lodhur ndeshi hapësirën që para tetëdhjetë vitesh, për herë të parë e kishte përvjedhur me një kureshtje të

    frikshme nga të panjohurat e përballimit, hapësirë kjo që për mua kishte

    shënjuar hyrjen në botën e Urdhrit dhe të Besimit, sikur m’u bë se kalimi gjërave të përkohshme ua kishte ruajtur trajtat në përputhje me sjelljen e

    atyre që këtë dëshironin (që ishin shumicë dhe kërkonin të mbeteshin në atë

    vorbull), ndërsa shpirtit tim ia kishte kthyer ato që i takonin – ndijimin hyjnor, me anën e të cilit ai duhej me u ngritë mbi ato që ishin të

    përkohshme për t’u mishëruar me të përhershmet...

    Kjo ndjenjë, që e dija se nuk do të më tradhtonte kurrën e kurrës , sakaq

    ma krijoi bindjen se rrugëtimin e përhershëm, do ta bëja me shëmbëllesën e Sari Salltëkut të shenjtë dhe mësimeve të tij të veçanta shumë prej të cilave

    ndonëse i kishim prekur shkaras ato kishin lënë pas fshehtësinë e të

    panjohurës së ndaluar, që megjithatë duhej ndjekur në mënyrë që ajo të plotësohej, bindje kjo që më erdhi edhe nga shkrepja e një vetëtime të

    brendshme, që mbushi shpirtin tim me frymën e asaj, që, pa marrë parasysh

    rrezikun e ndonjë shkarjeje heretike, ishte në gjendje me i lidhë për vete ata që nëpërmes pushtetit të dijes dhe jo të dijës së pushtetit kërkonin të

    lartësueshmen si qëllim përfundimtar...

    Në atë gjendje të madhërueshme e njëherësh tallanditëse, prej nga më në

    fund kuptohet kufiri midis të vërtetës dhe mashtrimit, ndjeva përftimin e barrës së përgjegjësisë dhe sfidën e saj, pesha e së cilës kishte shembur

    edhe më të përkushtueshmit, trandje kjo që po më pushtonte gjithnjë e më

    shumë edhe përkundër asaj se më bëhej se dikush nga brendia ime, apo tjetri në mua (që mund të ishte ajo thirrja Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Guri i

    Dheut nga fëmijëria, që vinte nga ime Amë ) po më thoshte se nuk kisha pse

    me u frikësuar kur lëkura e Gjarprit të shtëpisë, që më priste dhe sikur më

    thuhej se brenda për brenda saj isha në gjendje me u ba ballë të gjitha mëdyshjeve dhe sprovave me të cilat ndeshemi err e terr dhe mirë që është

    kështu, sepse pa to shpirti dhe mendja jonë përgjumet...

  • 12

    Dhe, duke ndjekur jehonën e atyre që nga zëri im i brendshëm (që mund

    të ishte thirrja e sime Amë nga fëmijëria si Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut), të cilat thuheshin për Besimin dhe të tjerat që dalloheshin për një

    gjuhë tjetër, me shumë e shumë mendime rreth Krijimit qiellor dhe të

    tjerave që nuk i kisha njohur dhe madje shfaqeshin edhe heretike krahasuar

    me ato me të cilat isha thadruar, sikur të kërkonte mbrojtje nga të panjohurat dhe zallahia e tyre, mendja ime tashmë kishte filluar me kapë

    mësimet e Rumit, Hallaxhit, Arabiut dhe veçmas ato të Baba Bektashit,

    mësime këto me të cilat isha futur në botën e sufinjve, ku shpirti im gjente paqe të përhershme.

    Por këtë herë, në saje të tjetrit në mua dhe zërit të brendshëm ( që si

    Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Gur i Dheut në formën e pamjes së Gjarprit të Shtëpisë po ndërhynte kudo), ato shfaqeshin të ndërlidhura dhe me pjesë të

    mendimeve nga librat e ndryshme, për të cilat kishim njohuri dhe i zinim

    ngojë, por gjithnjë me i dhanë të drejtë rrugës sonë, për të cilën thuhej se

    ishte nyje e të gjitha të tjerave... Meqë tallandia, në të cilën më futen mendimet e lartësueshme, nuk ishte

    e përhershme siç do të dëshiroja (ishin hove që vinin e shkonin duke lënë

    pas amulli), gjendja jashtë saj sakaq më përballi me një trishtim të paparë, tepër të frikshëm madje, ngaqë më bëhej se brendësia ime kundër vullnetit

    tim, ia kishte lëshuar vendin diçkaje, në të cilën tashmë kishin zënë vend

    trajta të pakuptimta, që edhe më të ngatërruara e të papërmbajtshme i bënte vendi që zija në pjesën e prapme të qezës së vjetër me shikimin e kthyer nga

    ana e kundërt e lëvizjes së saj, pra e lindjes, e cila në atë rrugëtim gjithë

    shalakatje, sikur qëllimisht më ndiqte pas, më me lidhë për të dhe të më

    mbante me përfytyrimin e saj, si diçka me të cilën isha mësuar të ushqeja shpirtin përherë, por me ma ba me dije gjendjen e re shumështresore për

    nga mendimet, drejtimi i së cilës kërkonte durim dhe mbi të gjitha kërkonte

    edhe përqendrim të jashtëzakonshëm. Dhe për me i ikë sado pak atij ndryshimi që megjithatë e dija se ishte i

    pashmangshëm dhe madje pjesë e atij udhëtimi, ku ndërhyrja e atij tjetrit në

    mua ose Gur-Gurit, Guri të Nanës dhe Gurit të Dheut me përfytyrimin e

    Gjarprit të Shtëpisë prej nga isha larguar dhe më bëhej me dije se herdo-kurdo duhej të kthehesha, për pak mbylla sytë me shpresën e ndjelljes së një

    terri, në të cilin do të zhytesha prej nga pastaj me anën e ndriçimit të

    mendjes, do ta kisha më të lehtë atë përballim, që e parafytyroja rikthim të domosdoshëm kah vetvetja pa marrë parasysh se çfarë do të ishte dhe si do

    ta përjetoja.

  • 13

    Por, hetova se në atë gjendje, mendja ime sikur nuk ishte e aftë të

    udhëhiqte veprimet që do t’i mundësonin atë kapërcim nëpër të cilin kisha kaluar sa e sa herë. Përkundrazi, ndjellja e territ dukej se kishte shkëputur

    edhe fijet e fundit që i duheshin rikthimit së dritës së rëndomtë për ta

    darovitur errësirën...

    Kjo më solli një tjetër mundim, që edhe më të rëndë e bënte shalakatja e qezës nëpër rrugën e cila të shumtën përvidhej nëpër leqe të panumërta, që

    dukej se shkëputeshin nga njëra-tjetra shkurtazi për me e paralajmërue

    mundësinë e përhumbjes, që vjen nga kapërcimi jo i natyrshëm nga gjendja në gjendje...

    Në të vërtetë, ato që në atë rrugëtim tashmë më shfaqeshin si leqe të cilat

    çojnë në humbjen e pusullës dhe të luhatjes së besimit madje, në njëfarë mënyre kisha pasur rastin t’i hetoja para më shumë se gjysmë shekulli,

    pikërisht atëherë kur po kthehesha nga beteja e parë dhe e fundit, diku në

    qendër të Rumelisë, që ndonëse e kishim fituar kundër moskovitëve, të cilët

    kishin depërtuar nga pjesa veriore në saje të tradhtisë së disa laramanëve, e kisha përjetuar si fill të një humbjeje të mundshme, që vjen përditë nga pak,

    por që është e pashmangshme. Pra, aty kur si rëndom plagët e luftës

    kthehen në mburrje edhe në saje të , të betimit të Urdhrit se ne ishim me dhanë, se ne ishim për sakrifica ndër më të rëndat, ku ajo edhe me dekë për

    çështjen e besimit ishte më e afërta dhe më e dashura, pa pritë e pa kujtuar u

    shfaq fermani për lejimin e pronës dhe të familjes me çka jeniçerët e devotshëm nxirreshin nga rruga e lavdisë, së cilës i kishin qëndruar besnik

    për shekuj me radhë...

    Edhe pse familja për ne ishte e shenjtë, megjithatë përfshirja në të bënte

    që Urdhri ynë nga mbrojtësi dhe frymëzuesi kryesor i besimit mbi të cilin ishte ngritur fuqia e Perandorisë të kthehej në shfrytëzues të rëndomtë të

    pushtetit, gjë që e ndryshonte rrënjësisht gjendjen tonë shpirtërore, që si do

    të shihet i parapriu atij kobi që nuk do të vonojë e do të na gjejë jo vetëm neve (sapo erdhi në fuqi Rendi i Ri), por do ta gjejë edhe vetë Perandorinë,

    e cila nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë ballë shembjes nga brenda pikërisht

    pse i mungonte ngrehina që e kishte mbajtur...

    I dëshpëruar dhe me përshtypjen e një tradhtie të madhe që i ishte bërë besimit, atëbotë, mendja ma thoshte se mund të vinin kohë kur ushqyesit

    dhe mbrojtësit e idealeve perandorake që përherë kishin luftuar për

    vendosjen e pushtetit të më të mirës dal nga dal të kthehen në mbrojtës të pushtetit, të atyre që besimin dëshirojnë me e përdorë për me përfitue prej

    tij për qëllime të caktuara... Medet, thashë! A nuk do të thotë kjo me u

  • 14

    kthye në njerëz të thjeshtë, në mëkatarë të rëndomtë, në hyzmeqarë të

    pushtetit, të cilët jetojnë dhe vdesin për një kënaqësi të përkohshme, pa çarë kokën se ashtu nënçmohen tmerrësisht?...

    Në atë tallandi dëshpëruese seç m’u kujtuan ato që dikur m’i kishte

    thënë im Atë rreth asaj se po shkoja atje ku do të ndiqja rrugën drejt majave,

    pse e kisha shpirtin e tillë, një shpirt si dhunti perëndie, që sipas tij kërkonte hapësirë që ta shprehte fuqinë dhe madhështinë, ndërsa tash kërcënohesha

    të kthehesha në hyzmeqar të pushtetit, desha apo nuk e desha këtë?...

    Ndonëse atëherë, nuk kisha në gjendje me e kuptue rrugën e lartësive dhe çështjet e “shpirtit të veçantë” dhe të tjerave që më thuheshin të

    fshehura dhe më bënin lëmsh, ishte futja në Urdhër dhe ato që nisen aty, që

    bëri t’i kuptoja fjalët e tim Ati, e madje edhe t’ua zbërtheja të fshehtat, ato që kishin të bënin me një të vërtetë të përhershme, pra me atë se idetë e

    mëdha bashkë me dijet gjendeshin në hapësirat perandorake dhe si të tilla

    paraqesin mundësi për ngritje të vazhdueshme, ndërsa periferisë i

    mbeteshin thashethemet dhe broçkullat që prodhon mbyllja... A thua po kthehesha në rob të kësaj të dytës?...

    Dita e katërdhjetë, ose fillimi i përballimit me vetërrënimin...

    Të menduarit për një botë të hapur dhe në lëvizje e sipër, ku gjaku i dijës

    nuk e përjashton dijen e gjakut por atë e kthen në pjesë të vullnetit për fuqi, ka kuptim po qe se e gjitha është në gjendje t’u bëjë ballë sfidave që i vinë

    nga e kundërta, pra nga bota e mbyllur dhe e rrudhur, e cila asnjëherë nuk

    pajtohet me fuqinë e lartësive si dhe pushtetin e majave, por vepron në drejtim të rrënimit të tyre, duke vu në lëvizje të gjitha mjetet që dalin nga e

    liga dhe pushteti i saj...

    A nuk ishte vallë ndeshja e përhershme midis asaj lart-poshtë dhe

    poshtë-lartë me ngritjen dhe rënien, që kishte nxjerrë në pah pushtetin e të mirës dhe të keqes si dhe kishte përcaktuar karakterin e ndërtuesit dhe të

    rrënuesit, madje edhe të perandorit dhe të vrasësit?...

    Natyrisht se në këtë lëvizje të përhershme, pa qenë në gjendje me vlerësue shkallën e saj, në saje të përkushtimit të tim Atë dhe vullnetit të tij

    që të më largonte nga bota e çarshisë, zgjodha ngritjen me përkushtimin se

    në atë rrugë të pambarim me anën e përçimit të ndijimi hyjnor, nëpërmes

    dijeve të hapura, shpirti ushqehet me vlera të përhershme... Por, ç’e do që dukej se edhe fuqia e ndijimit hyjnor, së cilës iu dhashë i

    tëri dhe kisha bindjen se ishte të më mbronte nga kërcënimi i çfarëdo

  • 15

    rrënimi, në atë rreth dhe në ato rrethana të turbullta, sikur nuk ishte në

    gjendje ta bënte këtë?... I përballuar me atë mëdyshje, që ishte e pashmangshme, hetova se

    tashmë kisha arritur deri aty, ku nuk sprovohej matja midis asaj lartë-

    poshtë, por sprovohej kryesisht fuqia e dobësisë, që për pasojë kishte

    rënien... Dhe kjo pamje, që mund të thuhet se tashmë paraqiste një gjendje

    trishtuese shpirtërore nëpër të cilën kalon ai që ndodhet në zgrip të asaj që

    ta pranojë edhe fuqinë e të ligës e me këtë ta humb gjithë fuqinë e besimit me të cilën ishte ushqyer një jetë të tërë, më doli përpara pikërisht ditën e

    katërdhjetë të atij rrugëtimit që e kisha nisur nga qendra e Perandorisë kur e

    kapërceva ngushticën e detit që ndante dy botët dhe pas lash ogurin e gjakut dhe të masakrës së pamëshirshëm që do t’i gjente ata që nuk do të pranojnë

    të bëhen hyzmeqar të pushtetit që po vendoste Rendi i Ri Ushtarak...

    Në të vërtetë, atë mëngjes të freskët pranvere m’u bë se u ktheva në atë

    pikën e fillimit, te ajo lëkura e Gjarprit të Shtëpisë, prej së cilës isha liruar me arsyetime të ndryshme shumë prej të cilave nuk m’i hante koka, nga të

    cilat megjithatë kisha krijuar bindjen se ashtu duhej të ndodhte ngaqë në atë

    ndërrim lëkurash (nga ajo e Gjarprit të Shtëpisë te ajo e Gjarpri i Pemës) mund të kishte diçka të fshehtë, të gjithëfuqishme, që përcaktonte fatin e

    secilit për të mirë apo për të keq dhe se kësaj duhej nënshtruar, por që

    mendja ma thoshte se në gjithë atë zhvillim kishte edhe diçka të paprekshme dhe të gjithëfuqishme, që si e parashkruar në qenie, mbetej

    përherë të na drejtonte kah qëllimet e larta, kah gjërat e përshpirtshme, të

    cilat, jo secili ishte në gjendje t’i hetonte, e aq më pak t’i shprehte në

    përputhje me shtysën e tyre... Dhe, mund të them, se atëbotë, në përputhje me atë që më vonë e pashë si dhunti, fare pavetëdijshëm u përpoqa të

    mbushja kokën me shumë e shumë pamje, me shumë e shumë fjalë dhe

    çmos tjetër, të cilat ndonëse kishim mbetur të zvetënuara, megjithatë, në mua, ruanin sëmbimin e diçkaje të ngrirë nga e cila nuk kishte largim...

    Dhe, për habinë time, përballimi me Vatanin, atij sëmbimi fare të

    rrudhur, sakaq ia hoqi ngrirjen e bashkë me të edhe tisin e mjegulluar të

    harresës, për me e kthye në një pamje të natyrshme, të ngjashme me atë që e kisha lënë, gjë që kjo një copë herë ma futi mëdyshjen se mos vallë isha

    përfshirë nga ndonjë vegim që shfaqet pas lodhjeve të mëdha ose gjendjeve

    tepër të tendosura ku humbet pusulla?... Një çast madje, kur zbrita nga qeza dhe preka strajcën me ato pak plaçka që u rrinin sipër librave dhe disa

    fletoreve që kisha me vete, më shkoi mendja se mos ndodhesha përballë një

  • 16

    gjendjeje dyshe, kur e kaluara e hershme, si kujtesë e strukur dikur dhe fare

    e rrudhur aty për aty ta ketë përjashtuar pjesën tjetër, pikërisht atë që me mund dhe përkushtim e kisha ndërtuar për me ba të ditur fuqinë e të

    kaluarës ndaj të ardhmes?...

    Tek e fundit, paralajmërim i kësaj a nuk ishte edhe shfaqja e atij zëri në

    mua (Gur-Gurit, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut) si jehonë e thirrjes së sime Amë nga fëmijëria, një si një fshehje e cila kishte pritur të ndërhynte çastin

    që fundi im dukej i ngatërruar dhe i pashpresë madje?...

    Krahas atij të menduari që ma kthente shpresën, ishte ajo pamje e ngrirë, që tashmë po shkrihej, që m’u bë se nuk ishte aty me pasqyrue vetëm një

    gjendje të ftohtë, ku kishte ngecur koha bashkë me kujtimet sado të

    flashkëta qofshin, por për më tepër ishte me më futë në atë mbetje, të më bënte pjesë të veten prej nga do të shkëputej e djeshmja, pra e gjitha nëpër

    të cilën kisha kaluar gjatë gjithë jetës me çka me përjashtimin e atyre që

    kishte thithur shpirti im, të mbetesha edhe pa të sotmen dhe të mbetesha

    edhe pa te nesërmen?... A thua se e gjithë kjo ishte në përputhje me ligjin e kësaj bote se ai që

    nuk arrin majat, bie poshtë?...

    Por, m’u bë se ishte përgjigjja që më erdhi nga brenda, që mund të ishte e tjetrit në mua apo e zërit të Gur-Gurit, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut nga

    fëmijëria, me të cilën sikur po më bëhej me dije se në këtë botë, fitimtarë

    nuk merren ata që nuk ia dalin ta ndryshojnë atë, por ata që nuk bëhen pjesë e saj...

    Ishte ky paralajmërim, që sado rrëqethës qe, më ndihmoi ta marr si të

    natyrshëm përballimin tim të parë me atë që mund të dukej si një

    humbëtirë, që njëherësh ma bëri të ditur se në atë gjendje mbijetesa nuk duhej me u matë me vetë-mbylljen si vetëmbrojtje, por me aftësinë që turrit

    të vazhdueshme të rrënimit, që vjen nga jashtë, jo vetëm t’i kundërvihesh

    me fuqinë e brendshme shpirtërore, e cila qëndron si mburojë e përhershme, por edhe me ndryshimin e asaj në përputhje me qëllimet e caktuara...

    Natyrisht se mbrojtja e brendshme nëpërmes asaj që gjithë jetës e kisha

    ndërtuar, edhe pse tashmë nuk isha gjithaq i sigurt në veprimin e saj nga

    shkaku se pas shkatërrimit të Rendit të Jeniçerëve edhe Urdhrit tonë po i merrej koka, sprovën e parë dhe mbase më të vështirën e pati pikërisht në

    ato çastet e asaj ndeshjeje me atë pamje të ngrirë, kur ballafaqimi me të nisi

    të dukej si një ndërlidhjeje me diçka që sikur e njihja, jo vetëm si një vegim të lehtë që kishte mbijetuar në mua pse më lidhte me fillin prej të cilit isha

    shkëputur , por e gjitha të dukej si një rikthim i të fshehurit në mua, te atij

  • 17

    prej të cilit isha ndarë, por që si do të shihet këtë nuk e kishte pranuar, gjë

    që aty kishte pritur, me bindjen se trupi im, pasi të bridhte e të bridhte, pasi të mbushej e përmbushej, pasi të dështonte të kthehej në kërkim të vetvetes,

    ku në të vërtetë me futjen në lëkurës së Gjarprit të Shtëpisë duhej të

    ndodhte edhe ai ballafaqimi vendimtar me të?...

    Dhe ajo ndërlidhje me vetveten e harruar, që në rrethanat e asaj bote nuk do të thoshte tjetër pos ikje ose lirim nga tjetri në mua, pra nga ai që kishte

    zënë vendin që gjykuar sipas mendësisë së atyshme, nuk duhej ta kishte dhe

    ndryshe-ndryshe, nisi me futjen në atë pamje të ngrirë, kur ajo po kthehej në diçka, që pak nga pak po shkrihej, prej nga fillimisht m’u duk se u gjenda

    në atë hapësirën e njëjtë prej nga para tetëdhjetë vitesh isha larguar me

    ndjenjën se aty nuk do të kthehesha kurrë pasi që ajo ruante një mallkim të pashpjegueshëm të mbetjes shërbëtor i dikujt dhe asgjë më shumë pa

    përjashtuar edhe mundësinë që në ato rrethana, sipas nevojës, të kthehesha

    edhe në vrasës, gjë që kësaj mund t’i ikej vetëm me largim dhe harresë?...

    Në atë përhitje të çuditshme tashmë jashtë çdo ndërhyrjeje të tjetrit në mua që e kisha përjetuar si zë i fshehur nga fëmijëria i Gur-Gurit, Gurit të

    Nanës dhe Gurit të Dheut , zë ky i fëmijërisë që tashmë e dija se shfaqej si

    jehonë e thirrjes së ime Amë dhe kjo po më frikësonte dhe shqetësonte njëherësh, hetova se sendet e shkëputura dhe të shformësuara gjatëkohë në

    kujtesën time, si të tilla, sikur paraqitnin përpjekjen për rikthimin e një bote

    të rrudhur dhe të mbyllur, e cila po i nxirrte në pah ato që kujtesa e një fëmije nuk kishte qenë në gjendje me i marrë me vete, por që i kishte lënë

    aty të ngrira qëllimisht, që pas rikthimit të shpaloseshin deri në pafundësi?...

    Kështu, duke u nisur nga gjërat më të afërta (Nana, Baba, Motra dhe

    Vëllai) dhe të tjerat përreth, në atë shkrirje së çuditshme, hetova sikur po i rikthehesha diçkaje (lëkurës së Gjarprit të Shtëpisë), që e kishte

    zëvendësuar një lëkurë tjetër, (e Rendit të Jeniçerëve dhe të Urdhri), e cila,

    ngaqë nuk kishte qenë në gjendje t’i përthekojë ato që ishin futur në të ose për arsye të tjerat të panjohura, një ditë kishte rënë fare, gjë që e gjitha

    hapte të menduarit rreth asaj se çfarë në të vërtetë kishte qenë rruga ime:

    pjesë e një ndërtimi, pjesë e një dështimi, apo pjesë e një ecjeje të

    ngatërruar, që duhej të përfundonte kështu nga shkaku se lëkura e parë, ajo e lindura e gjakut, është e përhershme dhe e pazëvendësueshme, ndërsa të

    tjerat ( të dijeve), janë të ndryshueshme e madje edhe të përkohshme, po qe

    se nuk prekin majat?... Sidoqoftë, zhvendosja nga e tashmja ( Rendi i Jeniçerëve dhe Urdhri ),

    tek kujtesa (familja), edhe pse do të duhej që gjërave t’ua kthente lidhjen e

  • 18

    natyrshme dhe qetësinë madje, kjo sikur nuk po ndodhte, nga shkaku se

    ishin botëkuptimet e ndryshme, ndër to raportet midis Dijës së Gjakut me Gjakun e Dijës, që ndonëse sipas meje nuk e përjashtonin njëra-tjetrën,

    çështjeve ua kishin ndryshuar trajtën, formën dhe madje edhe kuptimin...

    Por, ballafaqimi midis asaj që kishte mbetur si kujtim i flashkët në mua

    me atë që kishte pranua qenia ime si ndërtim i brendshëm shpirtëror gjatë atyre tetëdhjetë vjetësh do të fillojë me time Amë, përfytyrimin e së cilës e

    ruaja si një pamje të përhitur fare, fuqia e së cilës, më kohë, tejkalonte të

    tjerat, mbase edhe për atë thirrjen Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Gur i Dheut, që si do të shihet, që si zë i brendshëm, kujtesës sime iu kishte qepur sapo

    kisha marrë rrugën e kthimit?...

    Dhe, kur po dëgjoja të më fliste diçka që më vinte e turbullt fare dhe po e përjetoja si një përmbysje të jashtëzakonshme të atyre që gjatë gjithë jetës

    ishin vendosur në mua, hetova se ishte ngjyra e të njëjtit zë, pra i sime Amë,

    që më rastin e përcjelljes, ma kishte bërë me dije për gjërat që nuk duhej t’i

    harroja e me të cilat një ditë do të ballafaqohesha ( kthimi në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë, të cilit duhej t’i paraprijë kalimi nëpër shtatë kështjella

    dhe shtatë bjeshkë), dhe se ato fjalë tash vinin të veshur me një ftohtësi të

    jashtëzakonshme, që ma hapi dyshimin se mbase aty nuk ishte për me shprehë ngrohtësi amnore, që është e natyrshme edhe pse nga ajo isha

    privuar që herët, por ishte që të shprehte njëfarë dyshim dhe mospajtim

    madje pse kisha ardhur në atë gjendje?... Madje, m’u bë se mungesa e ngrohtësisë amnore, të cilën po e hetoja

    edhe në shikimin e saj dhe po e hetoja edhe në sytë e lëbyrur si dhe në

    gjithë pamjen e jashtme, mund të kishte të bënte me shfaqjen e një

    kundërshtimi që mund t’ia kishte shkaktuar kthimi im që lidhej me atë konceptin e fundit si fillim dhe anasjelltas, me çka ajo nuk mund të pajtohej

    nga shkaku që të mos kaloja nëpër të njëjtat mundime, që do të kishin të

    njëjtin fat?...Me atë hamendje në kokë, madje m’u bë se po më thoshte se nuk paraqisja tjetër pos një dështak, të cilin çarshia e këtushme e tallë dhe e

    nënçmon, meqë këtu nuk vlen dija, por pushteti, i cili sa më shtypës që të

    jetë, aq më shumë i nënshtrohen...

    Por, ato që më bëhej se ime Amë po m’i thoshte për dështimin dhe nënçmimin me të cilin do të përballohesha këtu u përpoqa t’i përjashtoja,

    ngaqë mendja ime kishte parasysh ballafaqimin me Dijet e Vjetra, për të

    cilat kishte dijeni edhe ajo dhe mund të mos pajtohej nga shkaku se ashtu mund të pranoheshin dallimet e papërballueshme me Dijet e Reja, që ajo

    mund t’i shihet pjesë te një kobi tjetër në të cilin mund të përfshiheshim e

  • 19

    do të na ballafaqonte edhe me zhdukjen e pashmangshme, që tashmë e

    kishin përgatitur armiqtë e dijeve të fshehura dhe gjithë ata që ardhmërinë e shihnin si pushtim e jo si kujtesë, ku edhe më tutje mund të vepronin në saje

    të diturisë së tiranisë dhe librave mashtruese e të mbyllura?...

    Në këtë përpëlitje me ato që tashmë domosdoshmërish dëshiroja t’i

    shihja në frymën e këtyre dallimeve, dhe brenda tyre të përcaktoja edhe kuptimin e rikthimit tim si ndërlidhje me çështjet e madhërishme me të cilat

    ndjehesha se isha shpirtërisht i ngarkuar dhe madje me detyrën e një

    misionari, por edhe të martiri të çështjes, m’u bë sikur m’u bë se ime Amë foli e tha diçka rreth Sëmundjes së Territ?...

    Çfarë t’i thosha për Sëmundjen e Territ, për atë gjendje që merret si

    çekuilibrim i përhershëm shpirtëror midis dy gjendjeve?... Sikur të më mëshironte m’u bë se më tha se nuk mund të jetohej

    njëherësh në dy gjendje dijesh dhe në dy kohë kundërshtuese...

    Fjalët për dy gjendjet kundërshtuese m’u bë se i nxori si qortim, ose pse

    si të tilla një pjesë e imja dëshironte t’i merrte në mënyrë që të gjente shkakun midis largimit dhe rikthimit tim në atë botë, megjithatë ato më

    erdhën më shumë si uratë...

    Desha t’i thosha se ishte pikërisht thirrja e brendshme që më kishte rikthyer; desha t’i thosha se isha këtu që të lirohesha nga çekuilibrimi i

    dijeve, duke iu kthyer atyre të vjetrave (ngaqë të rejat ishin të njëanshme –

    urdhra); desha t’i thosha se fundin duhej ta ktheja në një rifillim - edhe pse do të jetë ky fund i kobshëm për mua si për gjithë ata që shkëputen nga

    dhuna e urdhrave qofshin ato edhe si mësime të shenjta e të ngjashme,

    desha pastaj të gjithën ta lidhja edhe me kthimin te lëkura e Gjarprit të

    Shtëpisë si kthim në vetvete për të cilën më kishte folur dikur me një zë të përhitur që i drejtohej kujtesës sime, por hetova se përfytyrimin e saj e

    kishte zëvendësuar një hije e lehtë, që pasi treti, shfaqi pamjen e tim Atë,

    pamje kjo që kishte një dukje miqësore, dashamirëse madje, që mund të gjykoja se aty ishte të më uronte mirëseardhjen ose më m’i përkujtua ato që

    dikur m’i kishte thënë me druajtje rreth asaj se po shkoja në atë botë t’i

    takoja ardhmërisë, ku mund të arrija të gjitha dhe madje të bëhesha edhe

    perandor?...Madje, m’u bë se qëndrimi tij po më fliste për atë përcaktimin: “perandor ose vrasës?...”

    Kundruall atij përfytyrimi, nuk e di se ç’ndjenjë kisha: atë të

    ngushëllimit, apo të dëshpërimit? Ndjenja e parë, pra ajo e ngushëllimit, mund të lidhej me përmbushjen e

    parashikimit që im Atë e kishte me u largue nga mbyllja dhe kurthi i saj i

  • 20

    përhershëm, me u ba pjesë e ardhmërisë, qëndrim ky që mund të shpjegohej

    edhe me atë ndërrimin e lëkurave të gjarprit, kur ajo e Gjarprit të Shtëpisë , që ma përkujtonte ime Amë, lidhej me tokën si zanafillë dhe mbrojtjen

    nëpërmes saj, ndërsa ajo e Gjarprit të Pemës, që ma përkujtonte im Atë,

    lidhej me ngritjen në hapësirë, ku mendja e zotëron atë.

    Ndërsa ndjenja e dytë, ajo e dëshpërimit, mund të lidhej me realitetin e atyshëm, që megjithatë mund të merrej si mospërmbushje e parashikimit se

    ardhmëria mund të arrihet po qe se shkëputemi nga e kaluara e tejkaluar, që

    për të, por jo vetëm për të, mund të ishte ajo që botën e mbante përherë në një gjendje pengu nga shkaku se kujtesa ishte ajo që me lidhjet nga e

    shkuara dhe kurthi i tyre i përhershëm, shfaqej jo vetëm si pengesë e ecjes

    përpara, por edhe shkaktar i të këqijave të tjera që sjellin kobe të pandalshme?...

    Sidoqoftë, pamja miqësore dhe tejet dashamirëse e tim Atë, edhe pa

    nxjerrë ndonjë fjalë rreth atyre që përherë mbeteshin çështje të hapura,

    dukej sikur ishte më me trimnue, dukej sikur ishte më me përkrahë mos me u dhanë dhe mbi të gjitha dukej se ishte me ma ba me dije se duhej me

    vazhdue me i besue asaj me të cilën shpirti im ishte brumosur gjatë asaj

    kohe, pa marrë parasysh se dija më kishte kthyer në një viktimë të pashmangshme, që mendja ma thoshte se ai kishte njohuri për të gjitha edhe

    para se të ndeshesha me to, gjë që shpjegohet edhe me vendimin që kishte

    marrë më me dërgue në Rendin e Jeniçerëve pa e detyruar kush, në mënyrë që atje të fitoja mundësinë me iu dhanë vullnetit për fuqi, asaj shtyse të

    jashtëzakonshme që gjen shprehje vetëm aty ku ka kushte për të, pra në

    hapësirat perandorake dhe assesi ku mbizotëronte bota e çarshisë dhe ligjet

    e saj të pandryshueshme të ngulfatjes... Madje, duke u thelluar në atë shikim të butë dhe plot ngrohtësi, m’u bë

    se nga aty po përçoja një mbështetje të jashtëzakonshme që im Atë e kishte

    ruajtur për mua kur do të vijë koha që të përballohem me atë gjendje tepër shpërputhëse dhe të tjerat që do të më përcjellin deri te fundi im i kobshëm,

    të cilin ai mund ta kishte ditur se do të ishte i tillë dhe madje edhe e kishte

    pritur, meqë vetëm ashtu jeta ime merrte kuptim...

    Andaj, m’u bë se tashmë po më thoshte se ishte i lumtur që në atë që tashmë me pa të drejtë dukej si një çarshi e përhumbur dhe mund të ndodhte

    të mbetej e tillë përgjithmonë nga shkaku se qëllimisht duhej t’i humbeshin

    gjurmët e qendrës se një qytetërimi të vjetër me shumë e shumë librat të fshehura në trupin e saj me të cilën lidhej zanafilla dhe në përgjithësi

    krijimi, do të përfundoja lajmëtar...

  • 21

    Desha me iu afrue dhe me iu falënderu që më kishte nxjerrë nga ai ujë

    amull; desha me iu falënderue edhe për mbështetjen e tanishme, kur për të kisha nevojë më së shumti; desha me iu falënderue për ato që m’i kishte

    thënë rreth majave dhe lartësive të cilave nuk duhej t’u ndahesha; e mbi të

    gjitha desha t’i thosha se këtu nuk isha kot, por isha që të përmbushja një

    mision e të ngjashme, fjalë këto që nuk e di se a do t’i nxirrte dot gjuha ime e rrudhur, por hetova se tim Atë nuk e kishte përpara...

    Dhe, aty ku pak më parë një si frymë e jashtëzakonshme nga afër po më

    përçonte, më bëhej se asaj tash ia kishin zënë vendin pamjet e flashkëta të sime Motër dhe tim Vëlla, që dukje sikur po ma bënin me dorë dhe pak nga

    pak po ktheheshin në hije, që po largoheshin.

    Kisha përshtypjen se im Vëlla po më thoshte se i gëzohej kthimit tim, të cilin gjithsesi e kishte pritur, por njëherësh fliste për diçka që na kishte hyrë

    në mes dhe gjërave ua kishte ndryshuar kuptimin rrënjësisht sa të dukej se

    më nuk e njihnim njëri-tjetrin si duhej, se madje gjuha jonë ishte e

    ndryshme e të tjera, por që i vinte mirë që ishte ashtu për të kthyer baraspeshën e thyer të të kundërtave...

    Duke i parë në atë përftim kalimtar, ndjeva mall dhe dhembje njëherësh

    pse jeta nuk ishte e njëjtë për të gjithë, pse disa i ngarkonte me përgjegjësi të tepërta, e disa i dënonte të mbetshin pjesë e shumicës së përdorshme e të

    ngjashme...

    Në kërkim të “prijësit” dhe të luftës...

    Takimi im i përfytyruar me tim Amë, tim Atë, me Motrën dhe Vëllanë bashkë me ato që nxirrnin në pah tjetrin ose atë Gur-Gurin, Gurin e Nanës

    dhe Gurin e Dheut, si zë i fëmijërisë i mbetur në mua, po të mos ishte

    shfaqja e Sadri Çaushit me jeniçerë që po i rrinin pas, me siguri se do të

    zgjaste edhe më dhe do të mund të ndërlidhej edhe me çështje të tjera që duhet t’i shërbenin rikthimit tim tragjik me të cilin isha pajtuar dhe madje si

    i tillë pse lidhej me një qëllim dhe kuptim që mendja ime si ngushëllim

    edhe mund ta kishte imagjinuar... Kryejeniçeri më uroi mirëseardhje, ndërsa jeniçerët më nderuan sipas

    rregullave të njohura ushtarake, shumë prej të cilave i kisha lënë pas dhe

    tashmë ato në qendër kishin filluar të hiqeshin nga përdorimi për t’ua

    lëshuar vendin të tjerave, që vinin nga Rendi i Ri Ushtarak. Ndryshe nga kredhjet e pakmëparshme me mbetjet e kujtimeve të

    hershme, që i duheshin të menduarit tim në ato rrethana kur disi duhej ta

  • 22

    ndërlidhja të kaluarën me të tashmen për hir të së ardhshmes gjithnjë e më

    të paqartë, që edhe më të paqartë e bënin pasojat që do të shfaqeshin nga thyerjet e ashpra dhe të përgjakshme madje midis Rendit të Vjetër dhe atij

    të Ri Ushtarak, takimi me Sadri Çaushi dhe jeniçerët më përballoi me hijen

    e një pushteti në shembje e sipër, dukja e të cilit mund të ishte tepër

    dyshuese, nga shkaku se ai mund të ishte pjesë e atij mashtrimi që rëndom shfaqet në kohët kalimtare kur njëri pushtet zëvendëson tjetrin, të shumtën

    me dhunë, por që kjo në pjesët e skajshme duhej të krijonte përshtypjet e

    një kapërcimi të natyrshëm, gjoja që nuk ka të bëjë me pushtetin, që është i paprekshëm dhe i përhershëm, por vetëm me ndërrimin e vartësve të tij, të

    cilët sa ora janë në gjendje që t’u përshtaten rrethanave e me këtë t’u hapin

    rrugën hakmarrjeve të ndryshme, që u shkojnë për shtati pushtetarëve të rinj, të cilët e dinë se suksesi i çdo pushteti rëndom varet nga qërimi i

    hesapeve me kundërshtarët.

    Edhe pse sjellja e Sadri Çaushit dhe e jeniçerëve që i shkonin pas, lente

    për të kuptuar se ata nuk merreshin me ato që thuheshin për rënien e pushtetit të tyre dhe zëvendësimin me Rendin e Ri Ushtarak, i cili tashmë

    po i merrte frenat e Perandorisë pikërisht sipas mësimeve që Padishahu i

    kishte përvetësuar nga moskovitët dhe latinët, me të cilët edhe më tutje ndodheshim në luftë herë të hapur herë të fshehur, luftë kjo që vazhdonte në

    dëm tonin prej nga ne rrudheshim dhe gjithnjë e më shumë ktheheshim në

    mall për kusuritje midis armiqve tanë të përhershëm, megjithatë fitohej përshtypja se Jeniçerët e këtushëm nuk ishin të gatshëm të ndaheshin prej

    tij. Përkundrazi, kur po pinim shurup me trëndafil dhe nëpër kokën time

    edhe më tutje po shqitnin pjesët e parafytyrimeve të mëparshme, ku në një

    mënyrë të ngatërruar fare më bëhej se ndërroja lëkurën nga ajo e Gjarprit të Shtëpisë tek ajo e Gjarprit të Pemës dhe anasjelltas, Sadri Çaushi zuri të më

    fliste për nderin e Jeniçerit si dhe devotshmërinë e Urdhrit mbi të cilin

    qëndronte ngrehina e Perandorisë sikur ata të ishin në kulmin e lavdisë e jo të fundit të tyre të pashmangshëm në luftë me Rendin e Ri Ushtarak, që

    tashmë kishin filluar dhe ishte çështje vetëm se çfarë çmimi do t’i paguhej.

    “Kjo botë nuk mund të merret mend pa Jeniçerët...Ata janë pjesë e një

    tradite të gjithhershme të njësimit të pushtetit të shpirtit me atë të forcës...” Fjalët e fundit dukej se nuk po i thoshte që të shfaqte dyshim, por

    vendosmëri dhe përkushtim. Madje, ato i përmbylli me betimin se Jeniçerë

    do të ketë gjithmonë, pa marrë parasysh si do të quhen... Ato që i tha rreth Perandorisë dhe rolit të saj, ndonëse ai mendonte për

    atë tonën, ia tumira me një lëvizje koke, edhe pse sipas mendimit tim kjo

  • 23

    nuk vlente për ato në rrënim e sipër, siç ishte kjo e jona, por vetëm për më

    të mirën, atë ideale, që për fat të keq, nuk ishte shfaqur dot, nga shkaku i vetëm se ngritjet e perandorive përherë kishin ndjekur hapësirën dhe

    zgjerimin e saj në dobi të më të fortit dhe pushtetit të tij të pakufishëm, e jo

    pushtetin e hapësirave në dobi të së mirës së përgjithshme, gjë që kishte

    bërë që perandoritë përkundër ngritjes dhe shtrirjes së tyre dhe pa marrë parasysh kohëzgjatjen, që ka mundur me qenë edhe me shekuj, të jenë të

    përkohshme, rënia dhe shkatërrimi i të cilave rëndom ishte përcjellë me

    tirani dhe gjendje kaotike dhe shkatërrim vlerash, rivendosjes së të cilave pastaj u është desh shumë kohë dhe mund...

    Sikur t’i kishte lexuar mendimet e mia, pasi përsëriti atë se jeniçerët

    mbeteshin të përhershëm, ato që tha për botën dhe perandoritë, Sadri Çaushi i plotësoi me fjalët se ishte forca ajo që kushtëzonte të qenit e perandorisë,

    duke theksuar se në të vërtetë forca ishte perandori dhe meqë ajo ishte e

    domosdoshme dhe e përhershme, atëherë edhe pasqyrimi i saj (si perandori)

    po ashtu ishte i përhershëm... Prapë heshta. Po të flisja do t’i thosha se të qenit e perandorisë rridhte

    nga fuqia e të mirës dhe pushteti i saj dhe jo nga përdorimi i fuqisë për me e

    mbajtë pushtetin sa më gjatë qoftë edhe me anën e forcës... “Ku nuk ka forcë, ka pështjellim...Ku nuk ka pushtet ka hallakamë...”

    Kur i tha këto, u kthye nga jeniçerët që i rrinin prapa dhe bëri me dorë

    nga armët e lehta që mbanin ( kishin nga një kobure në shokë dhe thikat në këllëfë sermi).

    “Pa këto armë, këta duken ndryshe, qyqanë, që nuk ua var kush. Të

    ngjeshur me armë, ata paraqesin autoritetin e pushtetit, por edhe ligjin dhe

    çdo gjë tjetër...” Pas një heshtje të shkurtë, Sadri Çaushi, nxori koburen që kishte në

    shokë dhe e vuri përpara. Një copë herë më shikoi, duke prekur pjesën ku

    vendoseshin fishekët. Ndonëse në atë shikim nuk kishte kërcënim, dikur ktheu tytën e armës nga unë dhe tha se ajo, megjithatë, vriste...

    Në atë gjendje, që gjithnjë e më shumë dukej shkallmuese, ndoqi

    shikimin tim të ngrirë, sikur të kërkonte përgjigje për atë që e mundonte.

    Kur ia tha mendja se me heshtjen time e kishte marrë përgjigjen, që mund të kishte krijuar përshtypjen se ajo nuk ishte në përputhje me ato që fliste,

    ktheu armën në shokë dhe përkulshëm tha se i tëri ishte në urdhrin tim.

    “Autoriteti i jeniçerit karshi kreut është i plotë dhe i përhershëm...” Hetova se ishte çasti të largohesha. Ishte më se e qartë se gjoja fjalët e

    forta ia kishte nxjerrë dëshpërimi dhe frika për ardhmërinë. E falënderova

  • 24

    dhe i thash se aty isha të merresha me çështjet e shpirtit, për të cilat, tash më

    shumë se kurrë kishim nevojë, që botën ta ta bënim më të mirë dhe më të dashur...

    Sigurisht që ato që ia thashë për besimin kryejeniçerin jo vetëm që nuk e

    kishin ngushëlluar por e kishin frikësuar edhe më shumë, ngaqë mund ta

    kishte hetuar se përpara kishte një të tillë si vetja... Jeniçerët, që i rrinin prapa, më përcollën deri krye rrugës dhe pasi që më

    nderuan ushtarakisht, u kthyen. Për ta, edhe pse në atë moshë të shtyrë, me

    xhyben e shehut, mbetesha kryejeniçer. Me ndjenjën e lirimit qoftë edhe të përkohshëm nga barra e mundimeve

    të të parit të jeniçerit vendor Sadri Çaushit, që ia pasqyronin fjalët e forta

    dhe shikimi dyshues që derdhte ndaj të tjerëve, dyshim ky që ishte i arsyeshëm kur dihej se çfarë e priste atë dhe Urdhrin e tonë, mora rrugën e

    Teqesë së Madhe, ku ishte Qendra e Bektashinjve. E dija se atje tashmë më

    priste Baba Qazimi, i cili kishte marrë lajmin për ardhjen time.

    Kur kalova urën e lumit, hetova se dy nga jeniçerët, kujdesshëm, më vinin prapa. E kisha të qartë se ata, por jo vetëm ata, nuk do të më

    ndaheshin, se kishin detyrë të më përcillnin err e terr për me i pa jo vetëm

    veprimet e mia, por me i kapë edhe fjalët e mia, për me i kapë edhe mendimet e mia për me i kuptua gjithë ato që kishin të bënin me mua dhe

    sjelljen time këtu, sado që këtë mund ta bënin edhe pa rënë gjithaq në

    sy...Kjo ishte edhe e pritshme, sepse, shqetësimi i pushtetarëve vendorë, mund të mos lidhej gjithaq me fundin e pushtetit të tyre për të cilin ata

    tashmë ishin të vetëdijshëm, por për më tepër lidhej me mëdyshjen se ç’rol

    mund të kishin në këtë zhvillim Bektashinjtë, të cilët ndonëse ishin

    frymëzuesit kryesor të Jeniçerëve e me këtë edhe shtyllë kryesore e fuqisë së Perandorisë, hesapet e tyre me suniitë përherë kishin qenë të hapura në

    formën e një lufte të brendshme për sa më shumë shtrirje, që asnjëherë nuk

    ishte ndalur dhe çështje ishte si dhe në ç’mënyrë edhe në këto anë do të vazhdohej në rrethanat e reja?...Me siguri se prania ime e papritur si dhe

    thashethemet e përhapura nga të gjitha anët se aty nuk isha kot, këtyre

    hamendjeve u kishin dhënë edhe më shumë ushqim dhe hapësirë, meqë këtu

    shtrirja e besimit përherë ishte lidhur me atë që kishte pushtetin në dorë. Sidoqoftë, atë pjesë të rrugës vendosa ta bëja sikur të mos i hetoja

    përcjellësit. Dëshiroja me kapë sa më shumë nga ato që kujtesa e fëmijës i

    kishte ruajtur për shumë e shumë vite të pashlyera, pa marrë parasysh se shumë prej tyre tash nuk ishin më, ose ishin ngatërruar me të tjera.

  • 25

    Dhe, në atë ecejake midis të kaluarës dhe të tashmes, hetova se kishte

    mbetur vetëm një rrugë e pluhurosur, që niste diku nga lumi dhe ndiqte një leqe të pakryer në të majtë, e cila sikur humbte pas pak, ndërsa të tjerat,

    ishin pjesë e një bote që për mua shfaqej fare e panjohur dhe e huaj fare.

    Ajo ndjenjë, mbase do të më mbërthente të tërin, po mos të ishte

    paraqitja e një dervishi, i cili pasi më nderoi me përkuljen e rëndomtë, më tha se Baba Qazimi po më priste në Teqe.

    Përmendja e Baba Qazimit dhe Teqeja e Madhe sakaq më nxorën nga

    ndjenja e njeriut të huaj e të përhumbur me shumë e shumë hamendje, që ma kishte krijuar ecja vetëm nëpër atë pjesë të shehrit, ndjenjë kjo me të

    cilën, në njëfarë mënyrë të veçantë, në formën e një rrymimi të brendshëm

    me shumë zërë isha ballafaquar sapo kisha arritur. Dervishi tha edhe disa fjalë të tjera që shprehnin mirëseardhje, por nuk ua vura veshin ngaqë ishte

    të menduarit rreth asaj që më priste, që sakaq ua mbylli rrugën të tjerave, të

    menduar ky që ma bëri të ditur se për pak, nën trysninë e gjërave të jashtme,

    por të pashmangshme, isha shkëputur nga qëllimi i kthimit tim, që lidhej me ato që duhej ndërmarrë që fundi i përgjakshëm i Jeniçerëve, i filluar tashmë

    dhe një ditë do të hetohej edhe në këto anë të mos përcillej edhe me

    rrënimin shpirtëror dhe të tjerat që mund të tërhiqte pas ky ndryshim, i cili krahas hakmarrjes ndaj vlerave perandorake dhe të tjerave, të cilat kishin

    paraqitur dallim të brendshëm që kishin ndërtuar hierarkinë e natyrshme

    shoqërore të vendit, do të mund të kishte për pasojë edhe fitoren e mendësisë së çarshisë si një e keqe tjetër e madhe, që vështirë kapërcehej...

    Nuk e di as vet, pse këto desha me ia thanë edhe dervishit, që më rrinte

    manash dhe më printe drejt Teqesë së Madhe, e cila gjithnjë e më shumë po

    më afrohej duke ua marrë pamjen të tjerave, por me të shpejtë hoqa dorë nga kjo, jo vetëm pse nuk ishte e udhës që me atë lëmsh pa ndonjë arsye të

    veçantë ta ngarkoja atë që e merrte për nder që i kishte rënë detyra më me

    pritë dhe më me shoqërue, por pse e dija se ato çështje nuk duhej me i hapë ashtu shkaras as me Baba Qazimin e as me të tjerët, edhe pse do t’u vinte

    radha, veçmas atyre që kishin të bënin me rrethanat e reja pas shfaqjes së

    Rendit të Ri Ushtarak, që po e zëvendësonte atë të Jeniçerëve, pale se edhe

    kjo duhej të bëhej me shumë kujdes dhe maturi, gjithnjë në përputhje me atë se nëpër ç’rrugë do të kalojnë këto ndryshime (nga qendra kah periferia

    ose anasjelltas), e mbi të gjitha duhej pasur parasysh se çfarë do të jenë

    përgjigjet që këto ndryshime mund të marrin nga pikëpamja shoqërore dhe ajo ushtarak në nivelet vendore, ku edhe mund të ketë kundërvënie, por

    edhe pranime të kushtëzuara dhe lojëra të ndryshme me shumë e shumë

  • 26

    kusuritje që mund të shkojnë edhe deri te lëvizjet ndër më të

    paparashikuarat me pasoja tragjike për të gjithë?... Tek e fundit, për këtë ligj a nuk tërhiqte vërejtjen edhe Baba Bektashi i

    ndritur kur thoshte se fuqia e njëmendtë e ideve, që lindin në qendër, matet

    në skaje, aty ku është logu më i përshtatshëm i thyerjeve të tyre, që ato

    pastaj, për me e marrë vulën e duhur, domosdoshmërish duhet t’i kthehen qendrës.

    Por, në ato rrethana të përmbysjeve të përgjakshme dhe pështjellimit të

    paparë, me të drejtë hapej edhe çështja se cila në të vërtetë ishte qendra e njëmendtë: vendi prej nga vinin idetë e gjithëkohshme, siç ishin ato të

    Dijeve të Vjetra botërore, ku edhe Sari Salltëku i përndritur kishte gjetur

    frymëzim me të cilin në masë të mirë ishte ushqyer edhe Rendi ynë, apo vendi prej nga drejtohej Perandoria, ku gjendej forca e pushtetit tashmë të

    paqëndrueshëm dhe të kushtëzuar nga jashtë, që rrezikonte të shembej

    pikërisht nga trysnia e këtyre ndryshimeve?...

    Me këtë hamendje hyra në pjesën e brendshme të Teqesë, aty ku degët e një mani të madh i rrinin kurorë gjithë hapësirës me lule të ndryshme

    (zambakë, karajfile, trëndafila të kuq e të bardhë si dhe disa jargavanë ngjit

    murit), të cilën e mbushnin me një qetësi të veçantë, që as shushurima e lehtë e një shatërvani në mes, e as të tjerat në atë rrethim nuk ishin në

    gjendje ta thyenin. Përkundrazi, currilat e lehtë të ujit, që preknin edhe

    kalldrëmin përreth, atë e bënin edhe më joshëse, pikërisht siç i duhej përgatitjes së ballafaqimit me ato që shfaqte brendia e Teqesë së Madhe.

    Një copë herë shijova atë qetësi. Aroma e luleve gjithfarë dhe currilat e

    lehtë të ujit, ma përkujtuan kopshtin magjik të Teqesë së Plumbit në

    kryeshehër, ku pas largimit nga shërbimi i Jeniçerëve kisha kaluar pjesën më të madhe të kohës, ku edhe isha mbushur me dituri të shumta që vinin

    nga librat tona por edhe të tjerat, që nderoheshin në mënyrë të veçantë.

    Sikur ta kishte pritur këtë, dervishi që më kishte shoqëruar deri aty, rrinte si i ngrirë para derës së hajatit, i gatshëm të më përcillte deri te pjesa e

    brendshme.

    Guitja e kumrive në pjesën e çatisë si dhe fluturimi i shpejtë i

    pëllumbave që kaluan nga njëra pjesë në tjetrën, më nxorën nga qetësia e brendshme, së cilës po i jepesha për herë të parë pas asaj shkëputje prej

    katërdhjetë ditësh sa iu kishin dashur udhëtimit tim deri aty.

    Si i trandur iu drejtova hyrjes së derës së hajatit, ku po më priste dervishi, i cili m’i lëshoi para papuçet. Zbathja e këpucëve dhe mbathja e

    papuçeve i shërbeu atij kapërcimit të domosdoshëm të gjendjeve, nga ajo e

  • 27

    jashtmja, te e brendshmja, që përcillej me rregulla të njohura për mu,

    zbatimi i të cilave më kthente te vetvetja, pra te bota shpirtërore së cilës iu kisha dhënë me përkushtim që nga koha e futjes në Urdhrin e Bektashinjve,

    që si parakusht i domosdoshëm i paraprinte Rendit të Jeniçerëve.

    Gjatë asaj kohe të shkurtër, vargoi i ngjarjeve nëpër kokën time sikur

    qëllimisht shkëputi disa prej tyre, që lidheshin me çaste të veçanta, të cilat jetës sime deri në këtë shkallë i kishin dhënë kuptim, ku pikasa betimin e

    jeniçerit, pastaj hyrjen dhe pranimin në Urdhër, dhe së fundit, ndarjen

    përfundimtare (me trup por jo me mend) nga Baba Bektashi i ndritur, që lidhej me kthimin prej nga kishte filluar udhëtimi im, i cili duhej të

    përfundonte ku edhe kishte nisur, me çka merrte kuptim të menduarit rreth

    përsëritjes së të njëjtës, te fillimit si fund dhe fundit si fillim dhe meditimeve të tjera rreth Dijeve të Vjetra gjithnjë të hapura, ku tashmë

    kisha krijuar bindjen rreth asaj se krijimi lidhej me Krijuesin në mënyrë të

    ndërsjellë ku edhe të Krijuarit ishin pjesë e Krijimit siç mund të thuhej se

    edhe Dijet e Reja, pra ato që flisnin për ardhmërinë jashtë të tjerave i shërbenin pushtimit, çështje këto me të cilat do të merrem gjatë ditëve në

    vijim, të cilat do t’i paraprijnë edhe fundit tim të pritur në “Kështjellën e

    Hijes” te Bjeshkët e Nemuna. Me ato kredhje në kokë, hyra në samahanën e madhe, ku më priste Baba

    Qazimi. Kalimi nga hajati për te pjesa kryesore e Teqesë u përcoll edhe me

    një ndryshim të bëftë të dritës, që hapësirës i kishte dhënë një ndriçim të jashtëzakonshëm sikur t’i vinte nga një burim i brendshëm që nuk ndikohej

    nga jashtë. Sytë e mi e hetuan këtë thellësi drite dhe iu deshën disa qaste që

    ta pranojnë atë ndryshim, ndryshim ky që më përballoi me një pamje tepër

    qetësuese, që i duhet meditimit dhe thellimit shpirtëror. Madje, ngashënjimin tim pas meditimit, e hetoi edhe Baba Qazimi, i cili pasi që tha

    fjalët e rëndomta për mirëseardhjen, vazhdoi të shikonte librat që kishte

    përpara. Nga mbërthimi i meditimit u lirova vetëm atëherë kur me një vonesë ia

    ktheva përshëndetjen dhe i urova shëndet.

    Por, edhe pas kësaj, Baba Qazimi, u tregua tepër i vëmendshëm rreth

    kahut që duhej ta merrte biseda jonë. Ndonëse një copë herë më mati me sy për të kërkuar shtegun më të përshtatshëm nëpër të cilin duhej të kalonte

    ajo, megjithatë dikur foli e tha se ndodheshim përballë asaj me qenë o mos

    me qenë, që i rrodhi si shqetësim, në vend se të ishte e kundërta... I përballuar me jehonën e atyre fjalëve që edhe ashtu i kuptoja si pjesë e

    atij shqetësimi të përgjithshëm, që tashmë kishte përfshirë gjithë

  • 28

    Perandorinë, duke nxjerrë në pah edhe dilemën e forcës së besimit si pjesë e

    të qenit si çështje të çështjeve, një copë herë u mata se a duhej t’i tumirja dhe me këtë të pranoja shqetësimin e përgjithshëm, apo t’i hyja një bisede

    të matur, së paku përderisa të hapeshin fletët e duhura, që ishin të

    pashmangshme në ato rrethana kur zëvendësimi i Rendit të Jeniçerëve me

    atë të Rendit të Ri Ushtarak (nizamit xhehid), domosdoshmërish prekte edhe Urdhrin tonë dhe çështjet tjera shpirtërore dhe ato shoqërore mbi të

    cilat qëndronin themelet e perandorisë, por edhe ngrehina e gjithëmbarshme

    e besimit, që ndonëse i lejonte edhe të tjerat, mbetej e lidhur për mësimet e Allahut, të cilat kishin fjalën kryesore?...

    Edhe pse Baba Qazimi, mund të mos i dinte të gjitha ato që rreth

    Jeniçerëve prej kohësh zienin në kryeshehër - veçmas hendekun e hapur midis tyre dhe Perandorisë, hendek ky që ndoshta, në ndërkohën e atij

    katërdhjetë ditshi të udhëtimi im mund të ishte kthyer në një qërim të

    përgjakshëm të hesapeve midis dy atllarëve që kërkonin një mullar -

    megjithatë, ai duhej të kishte njohuri rreth fermanit që ishte lëshuar nga lartmadhëria e tij, sulltani, me të cilin njëherë e përgjithmonë merrte fund

    koha e Jeniçerëve, edhe pse dihej se asaj çështje nuk mund t’i mbyllej

    kapaku ashtu, meqë pashmangshëm hapte edhe shumë e shumë të tjera që kalonin në shqetësim të përgjithshëm, gjë që ishte e pritshme që atë ta

    shprehte edhe njeriu i parë i Bektashinjve në këto anë, me çka nuk

    përjashtohej mundësia e ndërlidhjes me ndonjë qëndrim, të ngjashëm me atë të krerëve të Jeniçerëve vendorë, që edhe ata të bëheshin pjesë e

    konfliktit me Perandorinë nga bindja se ashtu duhej të mbrohej ajo që mund

    të shkatërrohet nga brenda, që për shumëkënd, krahas çështjes së shenjtë,

    paraqiste edhe druajtje për humbjen e Vatanit nga ata (grekët dhe sllavët) që tashmë pak nga pak po ia shkëpusnin pjesët?...

    Me rropatjet rreth atyre që mund të ndodhnin dhe me frikën se këndej

    pari derdhja e gjakut të jeniçerëve do t’ia hapë rrugën thikave të moskovitëve dhe të latinëve që do të na farojnë pamëshirshëm, mendja ma

    tha se Baba Qazimi, jo vetëm që mund t’i dinte ato të cilat prej kohesh

    kishin qarkulluar nëpër çarshinë perandorake, por dinte edhe më shumë nga

    shkaku i vetëm se zhvillimet e rëndësishme, siç ishin këto me të cilat po përballeshim, rëndom përcillen edhe me përhapjen e thashethemeve dhe

    veprimeve të tjera të kurdisura mirë e mirë nga shërbimet e veçanta të

    pushtetit në mënyrë që në skajet e saj të maten ato që mund të ndodhin dhe ato që duhet të ndodhin, që pastaj qendra të hartonte strategjinë e

    gjithëmbarshme të veprimit të mbikëqyrur, ku koka e jo bishti duhet të

  • 29

    udhëhiqte vallen, që në këtë rast kishte rëndësi të madhe për Perandorinë të

    mos lejohej futja e gishtave të huaj në atë lojë të madhe ( të moskovitëve, të Sinodit të Shenjtë, dhe të latinëve tinëzarë), sado që mund të thuhej, se me

    formimin e Rendit të Ri Ushtarak që zëvendësonte Jeniçerët, ata tashmë ia

    kishin arritur qëllimit të tyre dhe pritej që prej saj të nxirrnin dobinë

    kryesore – shkatërrimin e mbikëqyrur të Perandorisë në përputhje me interesat e tyre...

    Meqë fjala ishte për Rendin e Jeniçerëve, që kishte shumë pasues në

    vilajetet perëndimore dhe mbi forcën e tij ishte ndërtuar edhe pushteti i prijësve vendorë me fuqi të madhe, mbi të cilin qëndronte dhe forca e

    brendshme perandorake ku edhe mbrohej, ndërsa Rendi i Ri Ushtarak, pritej

    të kundërshtohej mu aty ku duhej të ishte më i forti (nga Urdhri ynë dhe fanatikët tjerë të shumtë), kjo lente për të kuptuar se mund të pritej ndeshja

    për jetë a vdekje midis tyre, ndeshje kjo që pastaj mund të kishte fundin e

    vet në qendër, që nuk mund të ishte tjetër pos vdekjeprurës për vetë

    Perandorinë, ngaqë për herë të parë pas pesëqind vjetësh, e shtyrë nga jashtë, pra nga ata që në shekullin e fundit, në emër të miqësive të dyshimta,

    por të detyrueshme (me moskovitët dhe botën latine), po e detyronin me

    luftue me vetveten. Dhe, kundruall këtij zhvillimi rrënues, të cili tashmë i ishte ndezur fitili,

    ishte fare e natyrshme, që edhe Bektashinjtë, frymëzuesit shpirtëror të

    Jeniçerëve, të mos bënin sehir, jo vetëm pse fati i tyre në atë ndeshje të pashmangshme me Perandorinë tashmë ishte i vulosur, por pse ajo humbje

    e përgjakshme, e cila vendin do ta çonte drejt fundosjes, ku nuk

    përjashtohej mundësia që pastaj pa besim dhe vatan shpata e moskovitit të

    na faronte, duhej të shfrytëzohej për një rikthim të përgjithshëm shpirtëror, që besimi të kthehet në forcë dhe Vatani në besim...

    Se mund të ishte kështu, pra që Baba Qazimi t’i kishte ato qëllime në

    kokë dhe priste që ato të mbështeteshin edhe nga një autoritet i Rendit dhe i Urdhrit njëherësh, siç me merrte mua e pastaj gjithë çështjen ta lidhte me

    Qendrën si një fuqi drejtuese shpirtërore, e cila duhej të fillonte nga këtu

    (pse jo kur nëpër këtë hapësirë kishin kaluar të gjitha librat e shenjta dhe

    gjithë ato që ishin kthyer në luftë qytetërimesh) dhe hamendje të ngjashme, kjo mund të lidhej edhe me ato që m’i tha rreth “kthimit të pikënisja“, ku ne

    e dinim se ishte shfaqur Sari Salltëku i përndritur, në kërkim të gjetjes së

    qendrës së Perandorisë së shpirtit universal, që duhej të ishte aty diku ku ishin shfaqur Dijet e Vjetra, për të cilat dihej shumë pak, por që shpëtimi i

    botës gjithsesi se gjendej te rikthimi i atyre dijeve e jo në garën e

  • 30

    përhershme të perandorive për mbizotërim herë nga perëndimi në drejtim të

    lindjes e herë nga lindja në drejtim të perëndimit, garë kjo që ardhmërinë e lidhte me pushtimet dhe jo me fuqinë e dijeve me të cilat bota mund të

    drejtohej kah më e mira...

    Madje, njëherë më shkoi mendja, se Baba Qazimi, mund të kishte të

    njëjtat mendime siç kisha unë rreth Dijeve të Vjetra dhe librave të tyre, që thuhej se mund të ishin të fshehura diku në pjesën tonë për të cilat Sari

    Salltëku i përndritur kishte njohuri, andaj jo rastësisht kishte ardhur këtu ku

    besimi në krijuesin kishte qenë i mirëfilltë dhe prej nga kishin burimin edhe librat e shenjta dhe gjithë ato që thuheshin për zanafillën e botës dhe të

    njeriut në mënyrë që prej këndej të bënte me dije për një burim të madh dhe

    të pashtershëm dijesh të përbotshme, që ishte në gjendje të ushqente përherë mendjet dhe shpirtin tonë, veçmas në kohën e thyerjeve të mëdha, kur

    mbështetja nuk kërkohej te themelet, pra e kaluara dhe vlerat e saj të anash

    kaluara ose të mohuara, por te pushtimi i ardhmërisë...

    Sidoqoftë, edhe pa ndjekur ato që Baba Qazimi kishte synuar t’i hapte me këtë rast, që si do të shihet do të na preokupojnë deri në atë shkallën sa

    rrugët tona të ndaheshin dhunshëm, me hamendjet që po më mbërthenin,

    tashmë kisha filluar të përfshihesha në lëmshin e këtushëm, të cilit duhej me iu gjetë filli disi para se çdo gjë të ngatërrohej keqas. Tek e fundit, a nuk

    erdha këtu për këtë?... A nuk ma kishte thënë këtë edhe Baba Bektashi i kur

    ma kishte bërë me dije se sulmi i mundshëm i pushtetarëve ndaj qendrës sonë, që parashihej të kthehej në një hakmarrje ndaj Urdhrit sapo të fillojë

    qërimi i hesapeve me Jeniçerët dhe bërthamën e tyre në kryeshehër, nuk

    duhej të shënonte fundin, por një fillim të ri, fillim ky që ngarkonte

    lajmëtarët dhe misionarët që ishin nisur me detyrë e shenjtë në vilajetet e skajshme të Perandorisë, që krahas parandalimit të shfaqjes së dëshpërimit,

    përçarjeve dhe të tjerave për të cilat tashmë kundërshtarët tanë ishin marrë

    vesh dhe kishin punuar, jo vetëm ta ruanim Urdhrin nga shkatërrimi i plotë që mund t’i vinte nga ushtrimi i dhunës dhe marifetet tjera , por të

    krijoheshin mundësitë që nga atje dhe i ripërtërirë nga Dijet e Vjetra ose të

    ndaluarat që ruanin të vërtetën e fshehur rreth krijimit, serish t’i kthehej

    qendrës, qoftë edhe si besim i forcës, ani pse këtij rikthimi i duhej kohë dhe mund i madh?...

    “Rikthimi ynë do të bëhet pikërisht në saje të parimit të rikthimit...Sepse,

    dijet lindin, arrijnë kulmin e forcës së tyre e më pas nis koha e prapakthimit, që pas epokash të tëra i kthen në masa të vdekura materieje, në pritje të një

    impulsi tjetër që do të riaktivizojë energjitë e tyre për të nisur një cikël të

  • 31

    ri...Kështu ndodh me të gjitha botët; ato lindin, rriten dhe vdesin, vetëm për

    të rilindur sërish...E njëjta gjë ndodh me gjithçka që ka trajtë e formë, meqë ato luhaten nga veprimi tek kundërveprimi, nga lindja në vdekje, nga lëvizja

    në ngecje e sërish nga e para...Parimi vlen njësoj për gjërat e gjalla; ato që

    lindin, rriten e vdesin, e sërish rilindin...Parimi vlen njësoj edhe për lëvizjet,

    filozofinë dhe besimet... ” Me këto fjalë me të cilat në forma të ndryshme u ndesha sapo preka