Download - Tregimet e Ferrit
AGIM HAMITI
TREGIMET E FERRIT Botim i dytë
Amri dhe Erna
Në vitet pesëdhjetë qendra e të internuarve në Tepelenë mishëronte
tiparet më karakteristike të një kampi shfarosjeje, veçanërisht për të miturit
dhe të moshuarit. Ata vite zie buke për mbarë Shqipërinë atje përjetoheshin
me vështirësi të shumëfishuara nga faktorë të tjerë. Familjet e të arratisurve
politikë flakeshin pa asnjë lloj përgjegjësie në atë ferr telash me gjemba, ku
mbijetesa i besohej rastësisë.
Pozicioni gjeografik i vendit ku ishin ngritur kapanonët-haure prej
dërrasash të vjetra ishte zgjedhur në shërbim të së keqes. Gjatë vjeshtës dhe
dimrit nga gryka e lumit pranë frynte një erë e acartë, e cila ndikonte
ndjeshëm në uljen e temperaturës së asaj zone të rrethuar nga malet.
Dërrasat e vjetra gjithë vrima gozhdësh të shkulura, me të cilat ishin
ndërtuar krevatet kolektivë tip dyshemeje me dy kate, zhvillonin tartabiqen
(çimkën) si një parcelë e rendimentit të lartë. Ky parazit grykës nuk ngopej së
thithuri gjakun e të internuarve anemikë duke u vrarë gjumin, vetëm gjatë të
cilit ata mund ta harronin përkohësisht mjerimin që përjetonin.
Uji i ftohtë e shumë gërryes e intensifikonte zinë e bukës. Të pushtuar
organikisht prej një urie kronike, fëmijët e kampit të Tepelenës për çdo
mbrëmje qanin me dënesë derisa i zinte gjumi prej drobitjes. Për t’i dhënë
fund këtij kori të përvajshëm, policia urdhëroi dy të rinj të internuar të
maskoheshin me një rrobë në kokë e t’i trembnin fëmijët me gjeste kanosëse.
Pasojat qenë fatale qysh natën e parë. Tre fëmijë, të lebetitur nga frika, u
sëmurën rëndë. Njëri prej tyre vdiq. Pas kësaj drame, fëmijët u lanë të lirë ta
shfrenin lirisht sikletin e urisë kronike.
Ndërkohë vdekshmëria mes të miturve mori përmasa shqetësuese edhe
për vetë regjimin mizor, që i flijonte pa shkak. Me një vendim qeveritar,
fëmijët në moshën 12 vjeç e poshtë mund të liroheshin nga internimi, nëse një
i afërt i tyre në jetën e lirë dilte garant për ta, në mungesë të prindërve. Për
shkak të luftës së klasave edhe brenda fisit, nuk qenë të shumtë fëmijët që u
shpëtuan telave me gjemba.
Baza ushqimore e të internuarve ishte bollguri i prishur nëpër magazinat
e ushtrisë, i cili nuk përdorej më prej saj, mbasi ishte plot me miza të vogla e
krimba. Jepeshin gjithashtu 400 gramë bukë misri në ditë për pleqtë e fëmijët
dhe 600 gramë për të internuarit që shkonin në punë të detyruar.
Bollguri i zier në kazan të përbashkët, me kripë e pa vaj, u ndahej të
internuarve dy herë në ditë: në mëngjes dhe në darkë. Dyndja e të
internuarve të uritur në ekstrem e bënte të pamundur ndarjen e tij pa
pjesëmarrjen e policisë së vrazhdë të kampit. Policët bërtisnin, shtynin,
godisnin pa mëshirë, por rregulli ishte i vështirë të mbahej. Asgjë nuk mund
ta ndalë në luftën për mbijetesë një qenie të kërcënuar nga fikja organike, për
shkak të stomakut të boshatisur në vazhdimësi. Pamja e rrëqethshme e
dyndjes së të uriturve drejt kazanit me gjellën bajate, që nxirrte avull, ishte
ilustrimi më i mirë i konstatimit të Hygoit si ekspert i mjerimit : Mbi popujt,
mbretërit ; mbi mbretërit, lufta ; mbi luftën, uria.
Askujt nuk i binte ndërmend ta pastronte pjatën mjerane me supën e
bollgurit, mbi të cilin lundronin krimba e miza. Askush nuk e mposhtte dot
tundimin për ta rrufitur sa më parë përmbajtjen banale të pjatës së aluminit,
që shtrëngonte në duart e dridhura, edhe kur supa ishte endé më e ngrohtë
nga sa duhej. Madjé, përdorimi i lugës ishte komoditet i tepërt në ato
rrethana, ku secili i internuar kishte në dorë diçka për të ngrënë vetëm dy
herë në 24 orë.
Të sakrifikuarat e mëdha të këtij kampi shfarosës ishin nënat me fëmijë.
Ndonëse punonin gjithë ditën për të transportuar dru me krahë nga pylli
matanë lumit, ato ishin të detyruara të kursenin diçka prej 600 gramëve bukë
misri të premtuara (në fakt nuk jepeshin kurrë 600 gramë), për t’ua dhënë
fëmijëve të tyre në mbrëmje, kur nuk i zinte gjumi me barkun bosh.
Natyrisht, vuajtjes së madhe fizike të këtyre nënave heroike u shtohej edhe
dhembja e mprehtë shpirtërore.
Një natë me stuhi të janarit 1953, një nënë trimëreshë krutane arriti të
arratisej prej kampit së bashku me djalin 14 vjeçar. Të bllokuar për shkak të
dëborës, ata u kapën natën tjetër prej forcave të ndjekjes. Me urdhër të DPB të
Tepelenës, komanda e kampit vendosi t’iu bënte një linçim shembullor para
të internuarve nënës me djalin adoleshent. Të dyve ua kishin prangosur duart
pas shpine. Para se të nisnin ndëshkimin e tyre fizik, policët lidhën me një
copë litar rreth një metër të gjatë prangat e nënës me ato të të birit. Goditjet
me shkop fillimisht nuk qenë me egërsinë e zakonshme. Spektakli i kobshëm
duhej të zgjaste para syve të ndezur të përfaqësuesve të DPB dhe të oficerëve
të komandës së kampit.
Ndonëse goditjet mbi nënën nuk vonuan të forcoheshin, ajo shtrëngonte
dhëmbët, pa nxjerrë asnjë tingull nga goja. Ndërsa djali, i traumatizuar nga
ç’po ndodhte në sy të të internuarve dhe oficerëve e policëve të shumtë, nuk
rezistoi dot gjatë. Në çdo goditje, ai rënkonte dhe përpiqej të bëhej kruspull.
Një shkop në kërci i krijoi shumë dhimbje dhe djali klithi «oh, nënë!».
Nëna stoike vazhdonte t’i duronte pa nxjerrë zë shkopinjtë e fortë, që
tashmë i kishin grisur vende-vende bluzën. Për të mos ta shqepur gojën e t’iu
bënte qejfin uniformave të terrorit, ajo kishte kafshuar aq fort buzën e
poshtme, saqë po i rridhte gjak prej saj. Por ajo ishte nënë dhe, si e tillë, mund
të përballonte me guxim goditjet fizike, por jo sëmbimin e zemrës. Duke
dëgjuar thirrjen e djalit në siklet, zëri i saj doli si një rënkim i mbytur: «biiir !».
Ajo u hodh me trup mbi djalin, për ta mbrojtur nga goditjet e mëtejshme.
— Largojeni bushtrën e tërbuar! urdhëroi nënkryetari i DPB që ishte i
pranishëm.
Goditjet mbi nënën u intensifikuan, ndërsa njëri prej policëve e kapi fort
tek të dy shpatullat që ta shkëpuste prej të birit. Mirëpo dhëmbët e nënës
kishin mbërthyer me të gjithë forcën që çliron organizmi i njeriut në çastet
sublime jakën e xhaketës së djalit dhe nuk shkëputej prej saj.
— Qërojeni! ulëriti nënkryetari i DPB i shpërfytyruar.
Një shkop i fortë në kokë e lau në gjak fytyrën e nënës që rënkoi
mbyturazi me dhëmbët të fiksuar tek jaka e të birit.
Turma e të internuarve i ktheu krahët spektaklit makabër dhe, pa urdhër,
u drejtua për tek kapanonët. Pranë viktimës mbetën vetëm xhelatët e
përgatitur për krimin në inkubatorët ideologjikë të partisë.
Nuk vonoi shumë dhe kampin e kapi epidemia e skorbutit. Shumica e të
internuarve mezi e shikonin rrugën edhe në mes të ditës, ndërsa kur
perëndonte dielli duhej t’i mbante dikush për krahu kur ecnin. Kjo gjendje e
vuri në pozitë të vështirë policinë e kampit për zbatimin e veprimeve të
parashikuara në rregulloren e brendshme. Të sëmurët nuk arrinin dot të
rreshtoheshin.
Komanda e kampit dha alarmin në M P të Brendshme për pamundësinë e
ushtrimit të disiplinës së rreptë që kërkohej. Për shëndetin e kërcënuar
seriozisht të të internuarve ata nuk ndienin asnjë lloj përgjegjësie. Humbja e
jetës së një të internuari nuk kushtonte më tepër se fleta e letrës, ku
përshkruheshin përmbledhtas rrethanat e vdekjes. Shëndeti i armikut të
klasës përfaqësonte forcën e së keqes për ta. Ministria dërgoi dy kamionë me
qepë në kamp, të cilat ua shpërndanë të sëmurëve.
Kur gjendja e mjeruar e të internuarve kishte mbërritur pikun e saj, MP të
Brendshme çoi në kampin e Tepelenës dy femra gjermane të zëna rob gjatë
viteve të luftës. Ato quheshin Amri dhe Erna. E para ishte mjeke, tjetra
inxhiniere topografie. Komanda e kampit i sistemoi dy intelektualet gjermane
në kapanonët e vjetër bashkë me familjet shqiptare. Meqenëse ishin të reja e
të forta fizikisht, policia i detyroi të shkonin në punë bashkë me gratë e
internuara shqiptare, të cilat prisnin e transportonin dru me krahë matanë
lumit, një orë rrugë larg prej kampit. Drutë përdoreshin për tu ngrohur
oficerët e komandës së kampit dhe për kuzhinën.
Dy gjermanet vuajtën shumë për të mësuar të prisnin dru me sëpatë e t’i
transportonin ato të ngarkuara në krahë me litar. Duart e tyre të buta u
mbushën gjithë flluska e u gjakosën, por ato nuk ankoheshin. Me kalimin e
kohës, një shtresë kalloje i pasoi flluskat dhe gjermanet filluan t’i përshtaten
gradualisht punës së rëndë.
Ato e njihnin mirë gjuhën italiane dhe komunikonin me një të internuar
shqiptare me emrin Afërdita, e cila gjithashtu dinte të fliste italisht. Amri dhe
Erna u tronditën nga gjendja e mjeruar e kampit. Veçanërisht keqtrajtimi i
fëmijëve dhe i pleqve prej policisë ishte mizor për mendimin e tyre.
— Është për tu habitur – shprehej Amri – që autoritetet shqiptare dënojnë
keqtrajtimin që u është bërë të internuarve gjatë viteve të luftës në kampet
gjermane të përqendrimit, ndërsa vetë trajtojnë kaq pa mëshirë popullin e
tyre në kushte paqeje. Në kampet gjermane nuk gjeje kurrë fëmijë si këtu dhe
as gjermanë të internuar, veç të huaj. Nuk dua të justifikoj atë që ka ndodhur
atje, por është vërtet e tmerrshme të trajtosh popullin tënd me këtë valë
urrejtjeje në rritje. Askush nuk ka të drejtë morale të ankohet prej keqtrajtimit
të të huajit, kur ushtron vetë terror mbi popullin e tij.
Kur Afërdita ia hidhte fjalën për vuajtjet e tyre në kampin e Tepelenës,
Amri i përgjigjej:
— Ne presim çdo lloj keqtrajtimi prej komunistëve shqiptarë, mbasi kemi
shërbyer në radhët e ushtrisë pushtuese gjermane. Gjersa ata torturojnë pa
pikë mëshire fëmijë e pleq shqiptarë të pafajshëm, ç’mund të presim ne prej
tyre?
Dy gjermanet vuajtën shumë për të mësuar të transportonin dru ngarkuar
me litar. Mirëpo falë fizikut të tyre të fortë dhe vullnetit shembullor për të
përballuar vështirësitë, me kohë ato arritën të bënin punën e tyre të detyruar
dhe, në raste të veçanta, të ndihmonin edhe të internuarat shqiptare.
Për të kaluar lumin nuk kishte urë. Gratë e internuara zbatheshin si në
vajtje edhe në ardhje, ndërsa policët i nxisnin të ecnin sa më shpejt.
Një ditë, kur ato mbërritën tek bregu i lumit të ngarkuara me dru, uji
kishte filluar të turbullohej, mbasi kishte rënë shi gjithë paraditen. Të
frikësuara prej ujit të turbullt, të internuarat po ngurronin të futeshin në
lumë. Policët filluan t’i shtynin e t’i kërcënonin, mbasi vesonte dhe ata donin
të ktheheshin shpejt në kamp. Të detyruara prej dhunës policore, ato zbatuan
urdhrin të kapura dorë për dorë. Një e internuar shtatimët, e cila ishte e
bindur që nuk e kapërcente dot lumin me barrën e druve në shpinë, iu lut
policëve t’i bënin një lëshim:
— Më lejoni, ju lutem, ta përgjysmoj barrën e druve dhe ta kaloj dy herë
lumin. Nuk i ngre dot njëherësh drutë, se edhe uji po shtohet. Mos më
detyroni të mbytem, në besoni Zotin.
— Nuk ka Zot, jo, por edhe sikur të kishte, ai do të bëhej me ne e jo me ju
të vdekurit. Prandaj lere Zotin e futu në ujë.
Me këto fjalë, polici e shtyu fort të internuarën drejt lumit. Ajo u lëkund
nën barrën e druve, iu morën këmbët dhe ra në ujë duke rënkuar. Me drutë
përsipër, trupi i saj u fundos.
Të dy gjermanet, që ishin vetëm dy metra larg saj, u sulën për ta
ndihmuar. E ngritën rrëmbimthi prej ujit dhe ia shkarkuan drutë. Me
ndihmën e shoqes së saj, Erna i hodhi përmbi barrën e vet drutë e lidhura me
litar të të internuarës shqiptare. Kjo kishte plagosur këmbën dhe çalonte tek
po përpiqej të kalonte lumin pa ngarkesë. Amri e kapi për krahu dhe e
ndihmoi të dilte në bregun tjetër.
Edhe pasi kaloi lumin, Erna nuk pranoi t’ia jepte barrën e druve të
internuarës shqiptare, e cila po dridhej prej të ftohtit dhe dhimbjes së këmbës.
Qysh prej asaj dite, të dy gjermanet, me t’iu afruar lumit, e shkarkonin shpejt
e shpejt shqiptaren shëndetligë dhe nuk e linin të hynte në ujë e ngarkuar.
Policëve u tërhoqi vëmendjen ky gjest fisnik i gjermaneve dhe çdo herë që i
afroheshin buzës së lumit ironizonin:
— Armiqtë e komunizmit e njohin në erë njëri-tjetrin dhe bëjnë aleancë
mes tyre.
Amri dhe Erna i shprehnin indinjatën e tyre Afërditës për sjelljen e
shëmtuar të policëve:
— Ju të gjitha jeni nëna shqiptare. Mjafton të kujtojnë vetëm këtë fakt dhe
policëve duhet t’iu dridhet dora, para se ta ngrenë mbi ju. Po ata vetë kush i
ka lindur, nëna apo ideologjia që i paska tjetërsuar? Një shoqëri që keqtrajton
nënën gjymton të ardhmen e saj.
Më 1956, Amri dhe Erna u riatdhesuan. Në prag të ndarjes përfundimtare,
ato u takuan përmallshëm me të internuarat shqiptare, me të cilat kishin
punuar e vuajtur së bashku. Dy gjermanet morën shënim emrat e disa prej
bashkëshortëve të arratisur të të internuarave shqiptare, të cilat nuk kishin
asnjë lajm për fatin e njerëzve të tyre. Ato premtuan se, nëpërmjet Kryqit të
Kuq Ndërkombëtar, do të përpiqeshin t’iu siguronin korrespondencë me të
afërmit e tyre.
Vetëm tre muaj pas riatdhesimit të Amrit dhe Ernës, në kampin e
Tepelenës mbërritën letrat e para prej familjarëve të arratisur të disa prej të
internuarave.
Pusi i Lenës
— Ju takon juve, djema, si vendës që jeni, të na gjeni një hije të freskët, ku
të lemë çantat dhe të vapojmë në pushimin e drekës.
— Në hije të rrapit, tek pusi i Lenës - thanë pothuajse në një gojë dy të
rinjtë.
Sikur emri i Lenës të mos ishte i gjinisë femërore, Astritit nuk do t’i kishte
bërë fare përshtypje përgjigjja e tyre. Në atë rast ai do të kishte menduar se
pusi mbante emrin e ndërtuesit të tij, apo të personit që e kishte pasur në
pronësi dikur. Mirëpo normat zakonore të krahinës së Sarandës e bënin të
vështirë shpjegimin e pagëzimit të një pusi me emër gruaje. Astriti nuk donte
të bëhej i bezdisshëm për dy të rinjtë, duke u treguar kureshtar pa u njohur
mirë, dhe preferoi heshtjen.
Ishin ditët e para që ata kishin filluar piketimin e një rruge të re
automobilistike fshati, në qershor të vitit 1961. Astriti kishte qenë diplomuar
inxhinier topografie në një universitet evropianoperëndimor në fillim të
viteve dyzetë. Pas vuajtjes së një dënimi me burg politik, ai kishte filluar punë
si topograf i thjeshtë në qytetin e vogël të Sarandës. Ndonëse nuk ishte prej
andej, vazhdonte të banonte familjarisht në Sarandë, ngaqë atje ndihej më pak
vala e luftës së klasave.
Rruga që po piketonte Astriti do të lidhte qendrën e një kooperative
bujqësore me linjën kombëtare. Hapja e saj ishte një detyrë urgjente për
pushtetin lokal të Sarandës, me urdhër të një anëtari të Byrosë politike, i cili e
kishte vizituar rishtas atë krahinë. Për këtë arsye Astritit i kishin caktuar edhe
një afat, se kur duhej ta përfundonte piketimin e saj.
Me vendim të këshilli popullor të fshatit, dy djem të rinj do të punonin
bashkë me topografin. Astriti kishte përvojë pune dhe piketimi i asaj rruge
nuk përbënte problem për të. Në saje të punës sistematike – pjesë e edukatës
së tij profesionale –, ai ishte i bindur se do ta mbaronte para kohe së piketuari
rrugën 4 km të gjatë. Kur pushonin, Astriti u tregonte barsoleta e ndodhí të
ndryshme dy djelmoshave, duke ua bërë të këndshëm bashkëpunimin me të.
Tek vendi i quajtur Pusi i Lenës, ku ata kalonin pushimin e drekës, një rrap
i madh shumëdegësh bënte hije për të vapuar një kope. Sado e nxehtë të ishte
dita, nën hijen e atij rrapi nuk rrihej dot veshur vetëm me këmishë. Astritit
nuk i kishte shijuar ndonjëherë më tepër cigarja, sesa në freskinë e asaj hije.
Vetëm 20 m larg nga rrënja e rrapit, gjendej një pus. Ishte rreth 7 m i
thellë, por i thatë. Gryka e tij, e punuar me çimento të nxirë nga koha,
tregonte se pusi kishte pasur ujë dikur dhe kishte qenë përdorur.
— Dini gjë ju, djema, pse quhet Pusi i Lenës ky këtu? i pyeti Astriti pas disa
ditësh, duke thithur cigaren nën hijen e rrapit.
Të befasuar prej pyetjes, dy të rinjtë u shikuan për një çast sy ndër sy,
pastaj e mori fjalën më i madhi prej tyre:
— Me sa kemi dëgjuar, kjo lidhet me një ngjarje të kahershme, kur ne
kemi qenë fëmijë. Në këtë pus është mbytur dikur një vajzë me emrin Lena.
— Prej fshatit tuaj ka qenë ajo?
— Jo, nga Piqerasi. Prej fisit të saj, me mbiemrin Sotiri, tani jeton vetëm një
grua e moshuar dhe e sëmurë.
Mbiemri Sotiri i fshatit Piqeras, fisi të cilit i përkiste edhe Lena, e turbulloi
qetësinë e Astritit. Ai nuk e vazhdoi më tej bisedën. Duke thithur cigaren
thellë në heshtje, topografi u përpi prej kujtimeve të trishtuara të një kaluare
të hidhur<
Pasi e kishin dënuar dhjetë vjet burg për veprimtari armiqësore, në fillim të
viteve pesëdhjetë Astritin e kishin çuar në kampin e punës së rëndë të
detyruar të Bedenit. Për mungesë specialistësh, e kishin caktuar të drejtonte
teknikisht punimet në një sektor të kanalit të Bedenit, të cilin e hapnin me
krahë të burgosurit politikë. I tronditur prej trajtimit çnjerëzor që u bëhej të
burgosurve, Astriti ishte përpjekur t’i ndihmonte në punë me sa mundej.
Midis shumë të burgosurve që dyluftonin përditë me vdekjen, ai kishte
njohur edhe Andon Sotirin nga Piqerasi i Sarandës. Një burrë i urtë e shumë
punëtor. Andoni punonte së bashku me një të burgosur të moshuar dhe një
intelektual të pamësuar me punë të rëndë fizike. Kështu ai ishte i detyruar të
sakrifikonte çdo ditë shëndetin, për të realizuar normën e detyruar të tre
personave, duke i shpëtuar dy bashkëvuajtësit e tij prej ndëshkimit policor.
Kjo sakrificë e Andonit i kishte frymëzuar respekt Astritit. Ky përpiqej që,
nëpërmjet normistit të brigadës ku punonte Andoni, t’ia lehtësonte
stërmundimin.
Punën e normistit në atë brigadë e bënte një ish-hetues i qarkut të
Gjirokastrës. Ai kishte shërbyer atje në kohën kur familja Sotiri u shkatërrua
prej Sigurimit të Shtetit. Ish-hetuesin e kishin dënuar pas trazirave në kufirin
shqiptaro-grek, në fillim të gushtit 1949.
Pas dy vjetësh punë së bashku, Astriti dhe normisti njiheshin mirë midis
tyre. Një ditë ish-hetuesi kureshtar e pyeti topografin:
— Pse je kaq i interesuar për ta ndihmuar Andonin në punë? Jeni njohur
para burgut së bashku?
— Jo. Por sakrifica e tij e përditshme në ndihmë të dy bashkëvuajtësve më
ngjall shumë respekt.
— Sotirajt e Piqerasit janë një fis i flijuar; e kanë paguar shumë shtrenjtë
luftën e klasave. Kur janë goditur ata prej Sigurimit, unë shërbeja në DPB të
Gjirokastrës. Në atë kohë, atje u zhvillohej hetuesia edhe të arrestuarve të
rrethit të Sarandës. Pozicioni im si hetues më mundësonte të mësoja edhe
veprime të prapaskenës. Për të vërtetën e fatkeqësive që kanë pësuar Sotirajt,
unë di më shumë sesa vetë Andoni. Do të t’i tregoj ty, që ta shtosh respektin
dhe ndihmën ndaj tij, se i meriton vërtet.
«Andoni dhe vëllai i tij më i madh, Vasili, u arrestuan në vitin 1945, të
akuzuar për vrasjen e një kuadri partizan në vitet e luftës. Megjithëse ata nuk
e pranuan akuzën gjatë hetuesisë së dhunshme që kaluan, të dy u dënuan me
vdekje. Pas dy muajsh të lidhur këmbë e duar, Gjykata e Lartë la në fuqi
dënimin me pushkatim të Vasilit, ndërsa Andonit ia ndryshoi në burgim të
përjetshëm. Ky u dërgua në kampet e punës së rëndë të detyruar, ku e kemi
gjetur edhe ne.
«Para se të arrestoheshin, të dy kishin qenë të martuar e me fëmijë. Vasili
kishte një vajzë 14 vjeçe dhe një djalë 11 vjeç. Andoni dy djem 10 e 8 vjeç dhe
një vajzë 6 vjeçe. Ata kishin edhe nënën 70 vjeçare. Kjo zuri shtratin e
mposhtur prej hidhërimit, kur dënimi i të bijve mori formë të prerë.
Ndërkohë DPB të Gjirokastrës e lajmëroi familjen Sotiri, nëpërmjet operativit
të zonës, për ditën e takimit me njerëzit e saj të dënuar. Meqenëse Vasili e
kishte dashur shumë vajzën e tij, Lenën, kjo do të shkonte ta takonte për herë
të fundit babanë së bashku me xhaxheshën – gruan e Andonit.
«Rrugën për në Gjirokastër ato të dyja do ta bënin në këmbë, mbasi
atëherë nuk qarkullonin automjete në atë linjë. Për të arritur në kohë, Lena
me xhaxheshën u nisën nga shtëpia pa gdhirë mirë. Nuk kishin ecur as
gjysmë ore, kur tre persona të panjohur u prenë rrugën tek një rrap, pranë të
cilit gjendej një pus, deri atëherë i paemër. Vendi ishte i veshur me shkurre.
Një pusí e sigurt në atë orë. Ata u lidhën duart dhe gojën të dy femrave të
pambrojtura dhe i shmangën nga udha. Pas një përdhunimi të egër, tre të
panjohurit ua zgjidhën duart viktimave të tyre, duke i kërcënuar se do t’i
vrisnin, në qoftë se do të bërtisnin apo do të lëviznin prej vendit, pa kaluar
një çerek ore.
«Pas largimit të tyre, gruaja e Andonit liroi gojën e saj dhe të mbesës
adoleshente. Kjo, e dëmtuar fizikisht, ulërinte prej dhimbjeve të mprehta.
Nga frika se mos dëgjonin përdhunuesit, xhaxhesha, duke qarë edhe vetë pa
zë, përpiqej t’i zinte gojën Lenës. Si kaloi një copë herë kështu, ajo u interesua
t’i vinte në ndihmë mbesës në siklet. Kjo kishte hemorragji të pandërprerë
dhe qante me britma. Rrobat e trupit, ashtu si vetë xhaxhesha, i kishte vende-
vende të grisura. Gruaja e Andonit e ngriti në krahë me mundim Lenën dhe e
afroi pranë pusit. Nxori një kovë me ujë dhe filloi ta pastronte e ta qetësonte.
Në kohën që ajo po përgatiste disa garza duke grisur shaminë e kokës, Lena,
e lebetitur prej dhimbjeve të padurueshme, u hodh kokëposhtë brenda në
pus. Xhaxhesha e tmerruar, duke mos ditur si t’i vinte në ndihmë, filloi të
ulërinte. Në atë vend të shkretë e në atë orë, nuk kishte kush ta dëgjonte, veç
vdekjes që po rrëmbente vajzën. Kjo fatkeqësi e dyfishtë e ktheu në shtëpi
gruan e lebetitur të Andonit, pa u shkuar dot në takim njerëzve të tyre të
dënuar. Vdekja e papritur e Lenës, në një kohë që pritej me ditë pushkatimi i
të atit, i shkaktoi një traumë të rëndë nervore nënës së saj. Me kalimin e
kohës, ajo pësoi një degradim mendor në rritje. Dy javë pas varrosjes së
Lenës, vdiq edhe gjyshja e saj e sëmurë.
«Nënkryetari i DPB të Gjirokastrës e kishte pasur djalin e hallës kuadrin
partizan, për vrasjen e të cilit akuzoheshin vëllezërit Sotiraj. Ai kishte caktuar
si punonjës operativ të zonës së Piqerasit një njeriun e tij. Pikërisht ky e
lajmëroi familjen Sotiri për ditën e takimit me njerëzit e tyre të dënuar.
Andoni i shkretë nuk di gjë për shkakun e vërtetë të vdekjes së mbesës dhe
përdhunimin e së shoqes, – e kishte mbyllur rrëfimin e trishtueshëm ish-
hetuesi normist.
Prej asaj dite, Astriti mezi e shikonte në sy Andonin nga keqardhja. E ëma
e vdekur prej dëshpërimit, e shoqja e përdhunuar, e kunata e lajthitur nga
mendja, vëllai i pushkatuar: tragjedi e shumëfishtë.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, një ditë vjeshte të vitit 1952 Andonin
e morën nga kampi duarlidhur. E çuan në hetuesinë e Tiranës. Pas dhjetë
ditësh, me urdhër nga lart, emri i tij u fshi prej regjistrit të kampit, mbasi
Andoni kishte vdekur në hetuesi prej një < infarkti. Një muaj më vonë u
mësua shkaku i vërtetë i riarrestimit dhe i infarktit të tij.
Vëllai i gruas së Andonit, i cili punonte shofer, ishte arratisur duke marrë
me vete motrën me fëmijë dhe djalin e vetëm të Vasilit. Në shtëpinë e
Sotirajve kishte mbetur vetëm gruaja e Vasilit, e cila nuk ishte në gjendje
mendore për t’i besuar një veprim me aq shumë rrezik.
Tek po sillte ndërmend këto ngjarje prekëse në hije të rrapit dhe pranë atij
pusi tashmë të thatë, i cili mbante, mjerisht, emrin e mbesës së vetëflijuar të
Andonit, Astritit iu mbushën sytë me lot e tha me vete:
«Një vatër tragjikisht e shuar. Nga gjithë ajo familje e madhe fisnike ka
mbetur vetëm një plakë e lajthitur prej vuajtjeve, sëmundjes, moshës e
vetmisë. Sidoqoftë, do ta vizitoj patjetër shtëpinë e shkretuar të njeriut
shpirtmirë Andon Sotiri. Ajo është një muze dhimbjeje.»
Ai i pyeti me takt dy të rinjtë për vendndodhjen e shtëpisë së Sotirajve.
Sipas përshkrimit të tyre, ajo ishte një shtëpi e lartë dykatëshe në anë të
fshatit, e veçuar, e cila dallohej lehtë.
Ishte ditë e shtunë. Pas pushimit të drekës, Astriti nuk punoi më. Ai i la të
lirë dy ndihmësit dhe u tha se do të takoheshin së bashku ditën e hënë.
Të nesërmen Astriti shkoi vetëm në punë. Pasi kontrolloi me kujdes
vendin rreth e rrotull, ai u drejtua për në shtëpinë e Sotirajve, nga ana e
kundërt e hyrjes së saj.
Me shikimin e parë, dukeshin qartë shenjat e mungesës prej një kohe të
gjatë të dorës së njeriut në mirëmbajtjen e asaj shtëpie. Muret e kishin
humbur bardhësinë, pjesërisht i mbulonte myshku. Në shumë vende kishin
marrë të çarë. Kanatat e drunjta të dritareve dukeshin të kalbura dhe binte në
sy mungesa e xhamave. Pamja e rrënuar e shtëpisë i ngjante një jehone
rënkimi.
Të vetmet shenja që tregonin se në atë banesë në shpirtdhënie jetohej
akoma ishin një copë tokë e punuar rishtas në bahçen me gardh të prishur,
një trastë e varur në një degë kumbulle në oborr dhe një fron i vogël, me një
copë rrobë përsipër, nën hijen e kumbullës.
Ndërkohë që Astriti po i hidhte një sy shtëpisë nga të gjitha anët, një grua
e moshuar, me shtat mesatar të kërrusur, shkoi e u ul tek froni. Veshja e saj e
çrregullt, flokët e thinjur të pakrehur prej kohësh dhe mënyra e të ecurit
dëshmonin se ajo e kishte humbur ndjenjën e vetëkontrollit. Portreti i saj ishte
mishërim i mundimit.
Astriti iu afrua dhe e përshëndeti. Në vend që t’i përgjigjej përshëndetjes,
gruaja hovi në këmbë dhe foli e shqetësuar:
— Kush je ti dhe pse ke ardhur?
— Jam një kalimtar e më ka marrë etja. A mund të më jepni një gotë ujë?
— Jo, jo, mos e përmend ujin në këtë shtëpi. Në ujë është mbytur Lena,
more vesh, apo jo?
Në pamundësi për të komunikuar me të zonjën e shtëpisë, Astriti la mbi
fron një paketë cigaresh me një pako kafe dhe, pa e përshëndetur gruan e
alarmuar prej pranisë së tij, u largua. Kur po kalonte tek cepi i shtëpisë, ai u
tremb nga klithma e befasishme e një kukumjaçeje që doli fluturimthi prej
kanatës pa xham të një dritareje. Gruaja, që po e ndiqte Astritin me sy, e vuri
re trembjen e tij. Duke qeshur me të madhe, i thirri:
— Mos ki frikë nga kukumjaçka; ajo është shoqja ime e vetme. Por mos
harro që ne të dyja nuk pimë ujë, prandaj as ti mos na kërko.
Të Vërteta që Sfidojnë Imagjinatën
Relievi i thyer dhe kushtet e ashpra natyrore e vështirësonin së tepërmi
jetën në një pjesë të asaj krahine të madhe. Për këtë arsye emrit të krahinës në
atë pjesë i ishte bashkangjitur cilësori e egër. Edhe përrallat që u tregoheshin
fëmijëve atje nuk e kishin atë butësinë e zakonshme, e cila i bën të
përshtatshme për botën fëminore. Kjo ndodhte ngaqë ata duheshin përgatitur
qysh herët, për të përballuar ashpërsinë e jetës në atë pjesë të krahinës, të
cilësuar jo rastësisht e egër prej banorëve të saj.
Gjatë viteve të luftës, kjo krahinë mori pjesë me të dy krahët: si me
fitimtarët edhe me të mundurit. Nga të dy palët pati edhe emra të dëgjuar.
Rrjedha e luftës, duke u kthjelluar, përfshiu me rrymën e fitimtarëve
shumicën e banorëve të krahinës. Një numër i vogël familjesh u detyruan të
përballonin pasojat e rënda të të humburit përballë një fitimtari mizor.
Agresiviteti i ideologjisë triumfuese, në bashkëveprim me vrazhdësinë e
natyrshme të mbartësve të saj, solli në Mallakastrën e Egër pamje të tilla të
luftës vetasgjësuese klasore, saqë edhe protagonistët e saj më fanatikë
habiteshin më vonë me aktet çnjerëzore që kishin kryer vetë.
Në vitin 1967, në një nga fshatrat e kësaj krahine kishte vetëm dy familje të
deklasuara. Njëra prej tyre kishte humbur rishtas kryefamiljarin. Ai qe
dënuar me vdekje për sabotim dhe e kishin pushkatuar. Meqenëse gruaja e re
me fëmijët jetimë përbënin një objekt të brishtë për ortekun e vrullshëm të
luftës së klasave, në pranverën e atij viti i anëtarësuan në kooperativën
bujqësore.
Pas kësaj, e gjithë vëmendja revolucionare e luftës ndaj armikut të klasës u
përqendrua mbi familjen tjetër. Kjo përbëhej nga kryefamiljari, Besimi, e
shoqja, e ëma dhe tre fëmijët. Të tre djem. I madhi ishte 12 vjeç, i dyti 9 dhe i
vogli 7 vjeç. Si burim të ardhurash për këtë familje shërbenin një arë
tetëdynymëshe, tre hektarë kullotë dimërore, 20 kokë dele dhe një pelë me
mëz.
Besimi e kishte shtëpinë rreth njëzet minuta larg prej kullotës dhe po aq
edhe nga toka e tij arë. Kur i çonte dhentë në kullotë dhe i sillte prej andej,
Besimi kujdesej që ato të mos dilnin nga udha. Përndryshe, e paguante fijen e
barit për fije ari. Ai merrte me vete herë gruan, herë dy nga djemtë për ta
ndihmuar. Kjo punë i sillte shumë mundim e telashe familjes së Besimit, por
ata nuk kishin burim tjetër të ardhurash. Nga na tjetër, atij i duhej të shlyente
rregullisht detyrimet me prodhime në natyrë dhe tatimet në rritje, që i
kërkoheshin nga shteti. Për arën dhe kullotën, Besimi jepte mish, vezë, gjalpë,
djathë e lesh. Ai kishte bërë disa herë kërkesë për ta pranuar në kooperativë.
Kështu do të shpëtonte prej telasheve të shumta të luftës së gjithanshme që
ushtrohej ndaj pronës së padëshiruar private.
— Je i padenjë për tu anëtarësuar në kooperativë – ishte përgjigjja
konstante e kryesisë.
Në verën e vitit 1967, këshilli popullor i fshatit dhe kryesia e kooperativës
bujqësore, në kuadrin e revolucionarizimit të mëtejshëm të jetës, i njoftuan me
shkrim Besimit vendimin e tyre lidhur me trajtimin që do t’i bëhej familjes së
tij në të ardhmen. Në bazë të këtij vendimi, familja e Besimit mund të kalonte
me këmbë ose me kafshë ngarkese në udhën e fshatit, por bagëtitë e tij nuk
duhej të shkelnin më atje. Tani e tutje ai mund t’i mbante dhentë vetëm në
arën apo kullotën e tij, përndryshe do të gjobitej rëndë.
Besimi u interesua për ta sqaruar këtë çështje si në këshillin popullor të
fshatit edhe në kryesinë e kooperativës. Të dy palët ia prenë shkurt:
— Mos e diskuto fare këtë çështje! Vendimi është i formës së prerë. Duhet
të na jesh mirënjohës që po të lejojmë të kalosh me kafshë ngarkese në udhën
e përbashkët të fshatit. Gjithë bashkëfshatarët e tu janë anëtarë kooperative,
kurse ti je privat. Bagëtitë private nuk duhet të shkelin në tokën kolektive,
përndryshe do ta pësosh keq.
— Më pranoni dhe mua në kooperativë, atëherë. Unë kam bërë shpesh
kërkesë për këtë.
— Bah, edhe ajo na duhet! Të na infektosh kooperativën bujqësore.
Besimi i mbajti dy ditë brenda në vathë dhentë, me shpresë se ata do ta
ndryshonin këtë vendim ekstrem. Kur u bind për të kundërtën, e shtroi
problemin në familje. Pasi i rrahën mendimet mes tyre, ata vendosën t’i çonin
e t’i sillnin dhentë nga kullota, duke i transportuar me pelë e në krahë. Nuk
kishte zgjidhje tjetër.
Besimi ngarkonte tri dele në pelë; dy anash samarit dhe një në mes. Një e
ngrinte vetë në krahë dhe një tjetër gruaja. Në këtë mënyrë, ata transportonin
pesë dele me një rrugë. Për t’i çuar të gjitha dhentë në kullotë, ata duhej të
bënin katër rrugë në mëngjes dhe po kaq edhe në mbrëmje, për t’i sjellë prej
andej. Në këtë punë të përditshme merrnin pjesë shumica e anëtarëve të
familjes së Besimit. Pas rrugës së parë, ata linin tek kullota dy djemtë më të
rritur që të kujdeseshin për dhentë e transportuara. Kjo vazhdonte derisa
bënin edhe rrugën e katërt dhe dhentë shtroheshin të gjitha në kullotë. Pastaj
në ruajtje të tyre rrinte vetëm Besimi, i cili priste dru ose bënte ndonjë punë
pastrimi në kullotë. E shoqja nxitonte të përgatiste fëmijët për në shkollë. Ata
e merrnin bukën e mëngjesit në dorë dhe e hanin duke shkuar në mësim.
Ditë veçanërisht e vështirë për Besimin dhe familjen e tij ishte ajo e
votimit. Kur familja e deklasuar i afrohej me ndrojtje qendrës së votimit,
grupi folklorik i fshatit shpërthente më fuqishëm se zakonisht në këngë e
valle, duke i bërë hare mjerimit për të cilin votohej. Pjesëtarët me të drejtë
vote të kësaj familjeje duhej të prisnin sa të votonin gjithë fshatarët e tjerë,
pastaj mund të paraqiteshin tek kutia e vetëzgjedhur. Atje duhej të tregonin
kujdes të veçantë, për të mos qenë as seriozë (sipas kodit klasor, kjo shprehte
urrejtje) dhe as të qeshur (kjo nënkuptonte tallje). Persona të stërvitur e të
paguar posaçërisht vëzhgonin çdo lëvizje në dhomën e votimit.
Një ditë votimesh Besimi e kishte nënën të sëmurë. Ai u interesua që,
sipas rregullit të shpallur, t’ia çonin kutinë e votimit në shtëpi të sëmurës.
Përgjigjja qe kategorike:
— E kush mund ta sjellë kutinë e votimit në shtëpinë tënde? Askush nuk
pranon ta kapërcejë pragun e një të deklasuari. Kutia e votimit nuk vjen dot
vetë atje.
Besimi u detyrua ta çonte nënën e sëmurë me pelë që të votonte. Tek
qendra e votimit kishte akoma njerëz në radhë. Ai e zbriti nënën nga pela dhe
e uli mbi një gur. Ajo u zbeh krejt dhe i ra të fikët.
Ngjitur me dhomën ku votohej, ndodhej infermieria e fshatit. Besimi
lajmëroi ndihmësmjekun dhe të dy bashkë e ngritën nënën peshë dhe e çuan
në infermieri. Ndihmësmjeku i bëri dy injeksione radhazi të sëmurës dhe i
tha Besimit:
— Nëna duhet çuar sa më parë në spital, se është shumë e sëmurë nga
zemra. Unë nuk kam telefon këtu që të njoftoj spitalin e rrethit, për të më
dërguar ambulancën. Ndofta e çojnë me makinën e kooperativës.
— Nuk besoj të jetë e lirë makina e kooperativës sot, iu përgjigj Besimi
duke u skuqur në fytyrë.
— E kuptoj ku e ke hallin, por do të flas njëherë vetë me ta.
Kur u kthye, ndihmësmjeku i tha me një buzëqeshje të hidhur:
— Kishe të drejtë. Mundohu ta çosh vetë në spital nënën, se është rëndë.
Tronditja e dëmton shumë, prandaj mos e hip në pelë.
Besimi e ngriti nënën në krahë, ndërsa bashkëshortja tërhiqte pelën për
freri. Meqenëse për të dalë në rrugën automobilistike duhej të ecnin treçerek
ore, burrë e grua ndërronin njëri-tjetrin kur lodheshin. Me të mbërritur në
xhade, Besimi e nisi në shtëpi të shoqen me pelë, që të kujdesej për bagëtitë
dhe fëmijët.
Nënën e shtruan menjëherë në spital. Meqenëse ishte në gjendje të rëndë,
mjekët e lejuan Besimin t’i qëndronte pranë shtratit. Në mbrëmje dhe gjatë
natës, gjendja e të sëmurës erdhi duke u përkeqësuar. Duke gdhirë dita tjetër,
ndërroi jetë. Besimi faturoi një kamion-taksi dhe e çoi nënën e vdekur në
shtëpi.
Fëmijët ishin në shkollë, e shoqja me bagëti. Ai kaloi tri orë i vetëm pranë
arkivolit, duke pirë duhan. Kujtoi vuajtjet e shumta të nënës dhe arkivoli iu
duk i vogël për t’i nxënë të gjitha brenda.
Të parët erdhën fëmijët. Ata filluan të qanin me ngashërim, mbasi gjyshja i
kishte mbajtur gjithmonë pranë. Besimi i nisi dy djemtë më të rritur për tek
mamaja që ta lajmëronin për vdekjen e gjyshes dhe ta ndihmonin të sillte
dhentë.
Atë natë të përzishme familja e trishtuar e kaloi krejt e vetme.
Besimi i përkiste një fisi të pashtuar. Vëlla nuk kishte. Dy kushërinjtë e tij
të parë ishin larguar prej kohësh nga fshati dhe nuk dukeshin më aty nga
frika e virusit biografik. Ai kishte edhe një motër, e cila ishte martuar prej
shumë vitesh në një familje të përkrahur nga pushteti në fuqi. Me
ashpërsimin e luftës së klasave, motra ishte detyruar t’i ndërpriste
marrëdhëniet me vëllain, për hir të interesave të familjes së saj. Atë vit ajo
kishte edhe një vajzë me bursë shteti në universitet. Në këto rrethana, Besimi
e pa më të udhës të mos ta njoftonte fare motrën për vdekjen e nënës.
Pasi e kaluan gjithë natën vetëm, ai duke pirë duhan dhe e shoqja duke u
përpjekur të qetësonte fëmijët, të cilët po ballafaqoheshin për herë të parë me
dukurinë vdekje, në mëngjes filluan përgatitjet për varrimin e nënës së
shtëpisë.
Midis arës së Besimit dhe kullotës, gjendej varreza e të parëve të tij. Atje
ishin katër varre: i gjyshit, i gjyshes, i xhaxhait dhe i një motre të vdekur në
moshën pesëvjeçare. Babai i Besimit kishte vdekur në burgun politik të
Burrelit dhe kishte mbetur pa varr.
Megjithëse bashkëfshatarët e tij e kishin marrë vesh fatkeqësinë që i kishte
ndodhur familjes së deklasuar, asnjëri prej tyre nuk kishte guxuar t’ia shkelte
pragun e shtëpisë. Besimi nuk e çonte dot arkivolin e nënës tek varrezat
vetëm me të shoqen. Nuk i mbetej zgjidhje tjetër, veç ta ngarkonte në pelë.
Ashtu veproi. Për të balancuar peshën e arkivolit, Besimi ngarkoi një trung në
anën tjetër të samarit të pelës. Gruaja e tërhiqte pelën për freri, që të ecte
shtruar. Besimi kujdesej për arkivolin, duke e mbajtur me dorë të mos
tronditej nga udha e përpjetë. Pas pelës ecnin kokulur tre fëmijët, të cilët
përbënin kortezhin më të vogël e më të sinqertë që mund të mendohet.
Tek varrezat e shkarkuan arkivolin me kujdes dhe e vendosën në një vend
të sheshtë. Besimi i tregoi së shoqes ku duhej hapur varri i ri, ndërsa vetë
filloi të çante me pyka e varé trungun e drejtë që kishte ngarkuar në pelë si
kundërpeshë të arkivolit. Pjesët e çara do t’i vendosnin pjerrtas mbi arkivol,
para se ta mbulonin me dhé.
Ata nuk e kishin përfunduar së hapuri varrin, kur aty ia behën kryetari i
këshillit të fshatit, plotfuqishmi i zonës, një bashkëfshatar komunist dhe një
person i katërt, të cilin Besimi nuk e njihte. Ndërsa tre të tjerët qëndruan rreth
20 m tej vendit ku hapej varri, kryetari i këshillit iu afrua pranë e i foli:
— Erdhëm duke menduar se kishit mbaruar punë me varrimin, Besim.
Sidoqoftë, ti duhet të vish pak me ne, se të kërkojnë.
— Kush më kërkoka në këtë çast, kur unë kam arkivolin e nënës në buzë
të varrit?
— Ti eja takoi njëherë ata, pastaj mund të të lejojnë të kthehesh shpejt, për
të mbaruar punë.
— Gjersa ata erdhën deri aty, le të bëjnë edhe disa hapa e të vijnë këtu, ia
ktheu Besimi duke hedhur shikimin mbi personat që rrinin pak më tej.
— Nuk janë këta që të kërkojnë ty. Shokët, që duan të të takojnë, po na
presin tek zyrat e kooperativës.
— Pa varrosur nënën, unë nuk largohem prej këtej, i tha prerazi Besimi
duke vazhduar punën për hapjen e varrit.
Kryetari i këshillit shkoi tek tre të tjerët, për t’iu transmetuar fjalët e
Besimit. Pas pak, aty erdhi plotfuqishmi i zonës, i cili i foli me një ton të
zbutur:
— Ne e kuptojmë gjendjen tënde shpirtërore në këto çaste, Besim. Mirëpo
paraqitja jote pranë shokëve të rrethit, që të kërkojnë, është një detyrim ligjor.
Krahas hallit që të ka zënë, përpiqu ta respektosh ligjin, se kështu është më
mirë si për ty edhe për ne.
— Unë ligjin e kam respektuar dhe e respektoj gjithmonë, përndryshe ai
nuk më kursen mua; e di mirë këtë. Por mendoj se respektimi i ligjit nuk
duhet të mohojë respektin për nënën e vdekur, që pret të varroset.
— Mirë, përfundoje së hapuri varrin, futeni arkivolin në të dhe le të
vazhdojë gruaja për ta mbuluar, derisa të kthehesh vetë. Unë do të të pres
atje, me ata shokët.
Kur plotfuqishmi u largua, bashkëshortja i tha e merakosur Besimit:
— Ik më mirë që tani, se mos ta marrin për keq vonesën e na hapet ndonjë
telash pastaj. Mjaft halle kemi edhe në këtë gjendje.
— Ja, sa të hapim varrin e të fusim arkivolin në të; pastaj do të iki.
Pas një çerek ore, Besimi hodhi lopatat e para të dheut mbi arkivol dhe
pëshpëriti i përlotur:
— Më fal, nënë! Ata që më kanë penguar të t’i plotësoja kushtet e
nevojshme në jetë, nuk po më lejojnë as të të varros qetësisht. Bëma hallall!
Shkoi tek ata që po e prisnin dhe së bashku morën rrugën për tek zyrat e
kooperativës bujqësore. Nuk kishin ecur as dhjetë minuta, kur në një kthesë
të rrugës panë një GAZ të ndaluar. Prej tij zbritën tre persona: një civil dhe dy
policë.
— Në emër të popullit, je i arrestuar! iu drejtua Besimit personi i veshur
civil.
Të dy policët e kapën në çast për krahësh dhe i hodhën prangat në duart
pas shpine. Mandej e futën në GAZ. Personi i veshur civil u ul në krah të
shoferit. Duke kthyer kokën pas, ai i foli Besimit gjithë mllef:
— Si guxove ti, armik populli, të mos votoje familjarisht pardje? Doje të
matje forcat me pushtetin tonë? Thyej qafën, tani, si gjithë armiqtë që kanë
dashur të bëjnë prova të tilla.
— Mua më vdiq nëna në radhë për të votuar dhe nuk e kam varrosur
akoma. Nuk besoj se jeta e një njeriu vlen më pak se vota e tij.
— Jeta e armiqve të partisë s’është veçse një pengesë në rrugën e
revolucionit tonë, iu skërmit kuadri i Sigurimit.
GAZ-i u nis. Dyqind metra më tej, rruga ngjiste një të përpjetë kundruall
vendit ku po varrosej e ëma. Besimi ktheu kokën dhe përqendroi shikimin e
mjegulluar nga lotët mbi varrin e zbuluar të nënës. E shoqja po hidhte dhé me
lopatë mbi arkivol. Kureshtarë, fëmijët po ndiqnin me sy GAZ-in, pa e ditur
se ai do t’i linte jetimë me baba gjallë për shumë kohë.
Llogaritarja
Në anën perëndimore të rrethimit të kampit të Spaçit, buzës së përroit
shtatthepisur, kalonte një udhë malore këmbësorësh. Ajo shkelej prej një
numri të kufizuar kalimtarësh, të cilët ishin banorë të një fshati të vogël me
shtëpi të shpërndara në grykëmalin përballë kampit. Kjo udhë çonte në
qendrën e vogël urbane të zonës, e cila përbëhej nga zyrat e ndërmarrjes së
shfrytëzimit të minierës, dyqanet e shitblerjes dhe zyrat e kooperativës
bujqësore. Ky ishte edhe stacioni i fundit që lidhte Spaçin me pjesët e tjera të
vendit. Automjetet apo personat, të cilët vazhdonin rrugën matanë këtij
stacioni, i lidhte patjetër puna me minierën e Spaçit ose me komandën e
kampit.
Deri aty vinin edhe familjarët e të burgosurve për takim me njerëzit e tyre.
Ata i paraqisnin letërnjoftimet oficerit të rojës, i cili shënonte edhe emrin e të
burgosurit që donin të takonin. Mandej prisnin në një shesh pak më tej që t’iu
thirrej emri për fillimin e takimit. Nëse njeriu i tyre ishte privuar nga kjo e
drejtë me vendim të komandës, për arsye të ndryshme të parashikuara në
rregulloren e kampit, oficeri i rojës ua kthente menjëherë letërnjoftimet, duke
i urdhëruar të largoheshin.
Pikërisht tek sheshi ku prisnin familjarët e të burgosurve t’iu thirrej emri
për takim, udha këmbësore bashkohej me rrugën automobilistike. Në vijim,
pasi qarkonte gjithë gjerësinë e kampit në zbritje drejt përroit të thellë, ajo
gjarpëronte në shpatin matanë. Në lartësinë rreth njëqind metra prej shtratit
të përroit, udha dilte tek një shesh i vogël me bar, karshi godinave të kampit.
Pozicioni i ekspozuar si një pikë vrojtimi dhe prania e një peme të vogël me
degë të hapura anash, e bënin këtë shesh një vend të preferuar prehjeje për
kalimtarët, para se të vazhdonin më tej udhëtimin e lodhshëm malor. Atje
fëmijët e shkollës prisnin njëri-tjetrin. Ndonjëri prej tyre, që nuk kishte bërë
detyrat e shtëpisë, i kopjonte shpejt e shpejt prej shokëve. Edhe kur
ktheheshin nga shkolla, ata uleshin tek sheshi, para se të shpërndaheshin
nëpër shtëpitë e tyre.
Përveç nxënësve të shkollës tetëvjeçare, të përditshëm në këtë udhë ishin
edhe furnitori me bukë i fshatit dhe një vajzë e re që punonte llogaritare në
zyrat e kooperativës bujqësore. Në shumicën e rasteve, llogaritarja shkonte
dhe kthehej nga puna me fëmijët e shkollës. Ajo kishte pak punë për të bërë
me shifrat anemike të një ekonomie bujqësore në agoni. Nga ana tjetër, në atë
zonë të thellë malore nuk mund të bëhej fjalë për disiplinë profesionale si
gjetkë.
Deri në vitin 1968, udha këmbësore në fjalë përshkonte mes për mes
territorin ku u ngrit kampi në pranverë të atij viti. Pas kësaj, ajo devijoi në
drejtimin e përshkruar më lart.
Kontingjenti i parë i të burgosurve politikë, që populloi kampin e Spaçit,
erdhi prej qytezës industriale të Repsit, disa kilometra më larg. Ata kishin
ndërtuar fabrikën e përpunimit të parë të mineralit të bakrit, që do të nxirrej
prej minierës së Spaçit.
Ardhja e të burgosurve të parë në kampin e Spaçit zgjoi kureshtjen e
banorëve të zonës. Sa herë që kalonin në udhën përqark rrethimit të kampit,
jo rrallë edhe posaçërisht, ata shikonin me habi e frikë shqiptarët kokëqethur
të veshur me uniformë doku bojë tulle, për të cilët kishin dëgjuar se ishin
armiq të partisë. Habia e tyre shumëfishohej kur mësonin se midis të
burgosurve kishte edhe ish-kuadro të rëndësishëm të partisë, inxhinierë,
mjekë e pedagogë, të cilët kishin punuar e jetuar në kryeqytet, apo në qytetet
kryesorë të vendit. Duke krahasuar jetesën e tyre të mjeruar e primitive me
atë ç’kishin parë kur kishin shkuar ndonjëherë në Tiranë, ata nuk arrinin dot
ta kuptonin se çfarë i kishte detyruar këta njerëz, të privilegjuar nga fati, të
shkelmonin komoditetin e jetës qytetare e të përfundonin në Spaç<
Ngritja e kampit në gropën e zymtë të Spaçit shërbeu si një kurbet i vogël
për banorët e zonave përreth. Me të nisi një erë e re ndryshimi ekonomik dhe
konceptimi të mirëqenies për shumë malësorë, të cilët u punësuan me fillimin
e shfrytëzimit të minierës. Sipas organikës së parashikuar, u punësuan mjaft
brigadierë të lirë e zëvendës të tyre, teknikë miniere, mekanikë, elektricistë,
inxhinierë gjeologjie, punonjës mirëmbajtjeje, magazinierë e shumë
zjarrmëtarë. Këta të fundit bënin ndezjen e minave në mbarim të punës së
çdo turni, mbasi të burgosurve nuk iu lejohej kontakti me eksplozivin.
Natyrisht, më të privilegjuarit ishin ata që u veshën policë. Veç mirëqenies
ekonomike, ata përfituan edhe pushtet. Ndërsa në kooperativën e varfër
malore atyre nuk u kishte rënë rasti as për të ruajtur ndonjërën prej kopeve të
rralla të bagëtive, në kampin e Spaçit partia po u besonte ruajtjen dhe
ndëshkimin e armiqve të saj. Karriera e befasishme cinike i eksitonte si dozë
droge pasionet e tyre agresivë, deri atëherë të fjetura. Në ditët e pushimit, ata
shkonin tek dyqani i fshatit të veshur me uniformë dhe krenoheshin për
torturat që kishin ushtruar atë javë ndaj armiqve të partisë.
Me kontingjentin e parë të të burgosurve që u vendosën në Spaç kishte
qenë dhe Arifi, një ish-arsimtar prej Shkodre. Ai ishte diplomuar mësues vitin
ogurzi 1966, kur lufta e klasave në Shqipëri do të arrinte së shpejti apogjeun e
saj dhe revolucionarizimi do ta shterpëzonte jetën e shoqërisë shqiptare. Në
shtator të atij viti, seksioni i arsimit të rrethit e emëroi mësuesin e
sapodiplomuar në një fshat malor të zonës kufitare. Arifi 20 vjeçar nuk kishte
dashur të shkonte atje. Meqenëse familja e tij kishte një cen në biografi, të dy
prindërit iu lutën të respektonte vendimin e seksionit të arsimit. Për hatër të
tyre, Arifi u bind.
I mësuar me jetën e qytetit dhe kujdesin familjar të gatimit e higjienës, ai
kishte vuajtur për të përballuar vështirësitë e jetës së beqarit në fshatin e
thellë malor. Për fatin e tij të keq, nuk e transferuan prej atij fshati as vitin
shkollor pasardhës. I dëshpëruar prej jetës së vështirë që e priste, Arifi u
arratis jashtë shtetit qysh javën e parë që rifilloi punën në të njëjtën shkollë.
Një muaj pas arratisjes, autoritetet e shtetit fqinj verior e dorëzuan në
Shqipëri. Pas një hetuesie të rreptë, e dënuan 22 vjet burg, si agjent i UDBsë.
Pranvera e vitit 1968 e gjeti Arifin bujtës të kampit të Spaçit, së bashku me
katërqind të burgosur të tjerë. Aty filloi punën me tre turne në minierë.
Gjatë vitit që ushtroi profesionin e mësuesit në malësi, krahas telasheve të
jetës me shumë mangësi, Arifin e kishte tërhequr bota e çiltër fëminore. Midis
tyre, ai e kishte ndier veten si midis engjëjsh. Në jetën e vrazhdë të Spaçit,
Arifi kujtonte me nostalgji njomështinë dhe ëmbëlsinë e ndjenjave të pastra të
fëmijëve.
Sa herë ndodhej në kamp, kur fëmijët e fshatit përballë shkonin apo
ktheheshin nga shkolla, ai ngjitej mbi tarracën e numërimit të të burgosurve,
për t’i parë nga sa më afër. Tarraca dilte si ballkon mbi udhën që kalonte
paralel me rrethimin e kampit dhe, si rreze shikimi, nuk ishte më tepër se
tridhjetë metra prej saj. Arifi i shikonte me vëmendje e kërshëri të madhe
portretet e fëmijëve të shkollës. Me kalimin e ditëve, ai u mësua aq shumë me
ta, sa ishte në gjendje të dallonte me shikimin e parë se cili prej tyre
mungonte atë ditë. Ata nuk ishin më tepër se dhjetë nxënës. Në mëngjes
fëmijët kalonin për në shkollë rreth orës tetë, ndërsa ktheheshin pas orës
dymbëdhjetë. Arifi nuk i shihte ata vetëm kur shkonte në punë turni i parë.
Dy javët e tjera i shikonte përditë.
Ndërkohë edhe fëmijëve po u binte në sy i njëjti portret të burgosuri, i cili
i vëzhgonte me vëmendje çdo herë që kalonin pranë rrethimit të kampit. Ata
filluan të reagonin me shenja të qarta interesimi ndaj të burgosurit që i
shoqëronte përherë me sy. Kur ndodheshin në pikën më të afërt të vëzhgimit
të ndërsjellët, fëmijët sajonin ndonjë shkak për të ndaluar. Duke u kujdesur që
të mos binin në sy të rojeve, ata përqendronin shikimin mbi të burgosurin
dhe me buzëqeshje i linin të kuptonin se e kishin pikasur interesimin e tij për
ta.
Llogaritarja po bëhej dëshmitare e heshtur e komunikimit në largësi midis
fëmijëve, me të cilët bashkudhëtonte shpesh, dhe të burgosurit misterioz. Në
një farë mënyre, edhe atë vetë po e joshte ky komunikim i veçantë. E re në
moshë, e shkëputur disi nga jeta për shkak të pozicionit të thellë malor të
vendbanimit, e vetmuar në vajtje-ardhjet prej punës, llogaritarja ndiente
nevojën e kësaj dukurie joshëse e argëtuese, e cila ia prishte paksa
monotoninë e jetës rutinë, pa rrezikuar asgjë nga ana e saj. Joshja prej së
panjohurës e së ndaluarës përbënte një tundim në rritje për shpirtin e saj të ri,
në zbrazëtinë e jetës që e rrethonte. I burgosuri ishte gjithashtu i ri në moshë,
me trup të hedhur e fytyrë të hijshme. Një buzëqeshje e përmbajtur, sa herë i
ndesheshin sytë me nxënësit ose llogaritaren, e bënte edhe më shprehëse
fizionominë e tij.
Një ditë fëmijët, duke u kthyer nga shkolla, kishin mbledhur një tufë lule
mali. Tek vendi i zakonshëm ata ndaluan dhe filluan ta përshëndesnin të
burgosurin duke tundur lulet. Ky iu përgjigj përshëndetjes së tyre me
salutime të kujdesshme me dorë, për të mos rënë në sy të ushtarëve në
vendrojë.
Ndërkohë pranë fëmijëve arriti llogaritarja, që po kthehej nga puna. Ajo
mori tufën me lule nga dora e njërit prej nxënësve dhe gjysmën e saj e flaku
drejt rrethimit. Lulet e shpërndara ngecën nëpër gjembat e telave. I burgosuri,
veç buzëqeshjes së zakonshme, i adresoi asaj edhe një përshëndetje të lehtë
me dorë. Llogaritarja iu përgjigj duke tundur pjesën tjetër të luleve dhe, si
hodhi pas flokët e gjatë e të zinj me një lëvizje të hijshme të kokës, vazhdoi
udhën me hap të ngadalshëm. Fëmijë e shkollës i shkuan pas.
Kur arritën tek sheshi i prehjes, llogaritarja u kthye me fytyrë nga tarraca e
kampit. I burgosuri nuk kishte lëvizur prej vendit. Si e përshëndeti atë edhe
një herë së largu, llogaritarja i lidhi lulet buqetë dhe i vari në një degë të
pemës me pamje nga kampi. Mandej mori rrugën për në shtëpi.
Dy javë më vonë, viti shkollor u mbyll dhe nxënësit nuk u dukën më në
udhën e zakonshme. Llogaritarja shkonte e kthehej e vetme nga puna, ndërsa
i burgosuri nuk mungonte të shfaqej rregullisht te këndi i tarracës. Nga
përvoja e përditshme, ajo e dinte se, sapo dilte te kthesa e parë e udhës prej
nga dukej tarraca e derisa arrinte tek sheshi i prehjes matanë përroit, çdo hap
i saj shoqërohej prej shikimit ngulmues të djaloshit të burgosur, të dëshiruar
për jetë të lirë. Kjo i pëlqente dhe e tërhiqte së tepërmi. Prej ciklit 24 orësh të
vegjetimit të përditshëm, llogaritarja i veçonte ato çaste si parathënie jete për
të dy të privuarit: ai prej burgut e ajo prej fatit. Vajza kishte përshtypjen se
çdo kalim i saj në udhën pranë rrethimit të kampit i ngjante një parade
erotike. Veç për një gjë ajo ishte e sigurt: rrethanat në të cilat zhvillohej ky
dialog ndjenjash nuk premtonin më tepër se një dashuri platonike. Kjo
garanci fizike e bënte edhe më të zhdërvjellët llogaritaren në reagimet e saj
ndaj sjelljes së djaloshit të burgosur.
Një javë që shkonte turni i dytë në punë, Arifi filloi të dilte në mëngjes tek
tarraca, duke mbajtur në qafë peshqirin e syve me fushë të bardhë e me vija të
kuqe e të verdha. Ato ditë llogaritarja, duke u kthyer nga puna, mbante në
dorë një tufë lulesh me të njëjtat ngjyra. Pasi bënte përshëndetjen e
zakonshme duke tundur lulet në pjesën e udhës më afër tarracës, ajo i
flakte një pjesë të tyre drejt rrethimit e buzëqeshur. Kur dilte tek sheshi i
prehjes, llogaritarja nuk harronte ta përshëndeste sërish në largësi të
burgosurin, t’i bënte buqetë lulet e mbetura dhe t’i varte në të njëjtën degë të
pemës.
Arifi nuk e ndante më peshqirin trengjyrësh, sa herë dilte mbi tarracë në
kohën që kalonte llogaritarja. Edhe ajo nuk e prishi ritualin e përshëndetjes
me përkundje lulesh trengjyrëshe dhe ekspozimin e tyre në degën e pemës
përballë kampit.
Në mesin e muajit gusht, Arifi filloi punën turni i tretë. Dy ditët e para të
asaj jave ai i shkëmbeu rregullisht mesazhet erotike me llogaritaren. Të
mërkurën në mëngjes kjo nuk e pa të burgosurin me peshqirin trengjyrësh në
qafë te këndi i zakonshëm i tarracës.
Kur shkoi në zyrat e kooperativës bujqësore, dëgjoi të flitej për një
aksident të rëndë të ndodhur gjatë natës së kaluar në minierë. Brigada e
avari-shpëtimit, e ardhur posaçërisht prej Rrëshenit, po punonte për të
nxjerrë kufomën e viktimës nga një shembje e madhe dheu. Veç fatkeqit që
kishte humbur jetën, ishin plagosur edhe dy të burgosurit e tjerë që punonin
bashkë me të.
Llogaritarja kishte humbur qetësinë. Një parandjenjë e keqe, se nuk do ta
shikonte më të burgosurin misterioz dhe peshqirin e tij simbolik, e detyroi që
ajo të mos fillonte punë atë ditë. Vetëm atëherë e kuptoi sesa vend kishte zënë
ai në jetën e saj.
Si qëndroi dy orë tek zyrat, duke u interesuar vazhdimisht për ndonjë
informacion të ri nga miniera, ajo mori dalëngadalë rrugën e kthimit për në
shtëpi. Sapo doli tek kthesa e udhës, prej ku shfaqej tarraca e kampit, fiksoi
me ankth shikimin në këndin e zakonshëm ku rrinte i burgosuri. Asnjeri. Për
t’i dhënë kurajë vetes, llogaritarja mendoi se ai mund të kishte qëndruar në
minierë me grupin e të burgosurve që po punonin bashkë me brigadën e
avari-shpëtimit. Gjithashtu, ai mund të ishte njëri prej dy të plagosurve. Nuk
donte ta besonte se fati mund të tregohej aq tekanjoz, sa të zgjidhte për të
ndëshkuar pikërisht atë midis gjithë të burgosurve.
Duke ecur me hap të menduar, llogaritarja arriti tek pjesa e udhës më afër
tarracës. U ndal dhe endi shikimin prej këndit të boshatisur të tarracës tek
telat e rrethimit. Nëpër gjembat e telave dukeshin lule të vyshkura, të cilat ajo
i kishte flakur ditët e shkuara drejt portretit që i buzëqeshte. Iu mbushën sytë
me lot dhe vazhdoi rrugën me kokën ulur. Si asnjëherë tjetër, asaj iu desh një
gjysmë ore për të përshkruar atë copë udhë deri tek sheshi i prehjes. U kthye
me gji nga kampi dhe e përpiu tarracën me sy. Atje lëviznin disa të burgosur,
por asnjëri nuk i ngjau me atë. Llogaritarja e dinte se ai, po të ishte në kamp,
nuk rrinte kurrsesi pa dalë tek këndi i vrojtimit; aq më tepër në një ditë të
tillë.
Sakaq, në udhën që çonte prej minierës në kamp, u duk një grup të
burgosurish me barelë në krahë, i shoqëruar prej tre policëve. Vajzës i shkuan
mornica në trup. Për të mposhtur emocionet, llogaritarja filloi të thurte një
kurorë të vogël me lule e gjethe. Ajo e kishte përfunduar kurorën, kur grupi i
të burgosurve me barelë në krahë mbërriti tek porta e brendshme e kampit.
Në të njëjtin çast, tek këndi i tarracës doli një i burgosur me peshqirin
trengjyrësh në dorë. Llogaritarja brofi përpjetë prej gëzimit. Nëpërmjet
shikimit të mjegulluar nga lotët, ajo nuk arrinte të dallonte nëse i burgosuri
me peshqirin e mirënjohur në dorë ishte vërtet ai. Peshqiri u shpalos
plotësisht në njërin krah, pastaj u kthye në anën tjetër. Llogaritarja u shkreh
në vaj, u përkul mbi gjunjë dhe mbuloi fytyrën me të dyja duart. Nga ajo anë
peshqiri trengjyrësh përshkohej tejembanë prej një shiriti të zi. Personi që
kishte dalë mbi tarracë ishte shoku i ngushtë i Arifit; i vetmi që kishte dijeni
për komunikimin e atij me llogaritaren.
Si ndenji disa minuta e mbështetur mbi gjunjë, vajza e përlotur vendosi
kurorën mbi të njëjtën degë të pemës, ku kishte çuar buqetat me lule deri një
ditë më parë. Pastaj bëri një përkulje të thellë në drejtim të grupit të të
burgosurve me barelë, që po hynin në oborrin e kampit, dhe, rrëmbimthi,
mori rrugën për në shtëpi.
Prej asaj dite, llogaritarja e përshkonte me kokën ulur e me hap të
shpejtuar udhën prej sheshit të prehjes deri tek rruga automobilistike dhe
anasjelltas. Kur sytë e saj të trishtuar rrëshqisnin rastësisht shikimin mbi
tarracën e kampit, mbusheshin vetvetiu me lot.
Ndërsa kurora përmbi degën e pemës po thahej përditë e më tepër,
llogaritarja nuk u ul më tek sheshi i prehjes. Ata sy që, për muaj me radhë, e
kishin soditur me aq dashuri, tashmë ishin mbyllur përgjithmonë.
Radiotransmetuesi
Ofiçina mekanike e kampit të Spaçit ishte një vend pune i privilegjuar.
Atje të burgosurit zanatçinj të hekurishteve ushtronin profesionin e tyre,
duke siguruar një burim modest të ardhurash në mënyrë shumë më të
rehatshme se bashkëvuajtësit e tyre, që punonin me tre turne në minierë.
Mekanikët punonin vetëm turni i parë, nuk kishin normë pune të detyruar
dhe nuk iu qëndronte njeri tek koka gjatë orarit të punës. Nga ana tjetër,
marrëdhëniet e tyre me policët, që i shoqëronin në punë, ishin krejt të
ndryshme, në krahasim me ato të të burgosurve të nëntokës.
Në ofiçinë, krahas punës për riparimin e automjeteve, ata përgatisnin në
mënyrë artizanale presa të ndryshme të zbukuruara, skelete syzesh dielli,
tokëza për rripa mesi, apo kuti duhani metalike. Policët e Spaçit tregoheshin
të pangopur për këta lloj artikujsh. Kjo bënte që ata të mbanin një qëndrim
dashamirës ndaj të burgosurve mekanikë, mbasi këtyre ua ndalonte
rregullorja e kampit të bënin punë private për cilindo.
Një përfitim tjetër i këtyre të burgosurve ishte kontakti i vazhdueshëm me
shoferë të lirë prej të gjithë rretheve të vendit. Këta punonin përkohësisht në
transportimin e mineralit dhe shkonin në ofiçinën e kampit për shërbime të
ndryshme mekanike. Duke u njohur nga afër me njëri-tjetrin, shoferët e
rretheve përkatëse u çonin letra apo sende të vogla në shtëpi të burgosurve
mekanikë, për shërbimet e kujdesshme që u kryenin automjeteve të tyre.
Megjithatë, duke qenë të burgosur të kampit të Spaçit, as mekanikët e ofiçinës
nuk u shpëtonin dot telasheve.
Njëri prej tyre kishte pasion shahun. Në jetën e lirë, ai kishte qenë
aktivizuar në kampionatin shahistik kombëtar. Mekaniku kishte përgatitur në
ofiçinë një kuti të vogël shahu. Figurat dhe gurët e thjeshtë të shahut i kishte
punuar me shije të hollë. Kohën e lirë e kalonte gjithmonë duke luajtur shah.
Një ditë në ofiçinë kishte shkuar për riparim një kamion autoburg. Të
nesërmen në mëngjes autoburgu duhej të nisej doemos për rrugë. I burgosuri
në fjalë dhe një mekanik tjetër u detyruan të qëndronin në punë edhe gjatë
orëve të turnit të dytë. Të shoqëruar prej një polici, ata u kthyen në kamp
rreth orë 11 të natës. Si hëngrën darkë, shkuan në kapanonin e tyre për të
fjetur. Shahisti gjeti nën jastëk gazetën SPORTI të ditës, të cilën ia kishte çuar
një shoku i tij. Nuk iu durua pa e shfletuar, meqenëse ato ditë ishte duke u
zhvilluar një matç i bujshëm për titullin botëror në shah.
Mori që poshtë dyshekut minikutinë e shahut dhe i vendosi gurët në
pozicionin fillestar. Prej këllëfit të jastëkut nxori një fletore e një laps dhe u
shtri brinjas mbi dyshekun e tij. Në këtë pozicion, i kishte kthyer krahët derës
së kapanonit. Filloi t’i lëvizte gurët sipas skemës së lojës të regjistruar në
gazetë. Secilën lëvizje e shkruante më parë në fletore, pastaj poziciononte
gurin përkatës. Bukuria e lojës, që po shpalosej para syve të tij të mrekulluar,
e magjepsi. Ai harroi krejt që në atë orë nuk lejohej të rrinte i veshur mbi
krevat.
Njëri prej policëve të shërbimit hyri për kontroll në kapanon. Pamja e të
burgosurit të shtrirë mbi batanije pa u zhveshur i tërhoqi vëmendjen. Për ta
kapur në befasi, filloi të ecte i përkulur midis dy radhëve të krevateve
kolektivë trekatësh. I burgosuri objekt vëzhgimi e kishte krevatin në kat të
dytë. Me hap gjahtari, polici arriti pranë tij. I burgosuri, i përpirë tërësisht
prej bukurisë së lojës, nuk ndjeu gjë. Polici drejtoi trupin dhe mbeti pa frymë
prej pamjes që iu shfaq para syve.
I burgosuri, i përkulur mbi një kuti të dyshimtë, diçka shkruante e mandej
diçka lëvizte brenda kutisë. Polici kishte dëgjuar se kështu veprohej për
deshifrimin e shprehjeve të koduara të përcjella me radiotransmetues. Ora në
të cilën po kryhej kjo punë përligjte sekretin e saj. Në çast policit iu kujtua se
ky i burgosur kishte një vëlla të arratisur. Sinjalet duhej të vinin prej andej<
Me një hov, polici kërceu në katin e dytë të krevateve duke thirrur:
— Mos lëviz prej vendit, je i arrestuar!
I trembur nga befasia e sulmit, i burgosuri mbylli me rrëmbim kutinë e
shahut dhe kërceu poshtë krevatit. Polici bëri të njëjtin veprim, duke e
urdhëruar me zë të rreptë:
— Dil jashtë me hap, pa e lëshuar atë që ke në dorë. Përndryshe, do ta
pësosh.
I burgosuri iu bind urdhrit.
— Ec drejt Zyrës Teknike.
Atje ndodhej polici tjetër. Me të mësuar këtë aventurë nate të të
burgosurit, ai i hodhi prangat në duar, duke iu hakërruar:
— Armiqtë e brendshëm janë përpjekur gjithmonë të lidhen me ata të
jashtmit, por partia ua ka thyer kokën.
Me një lëvizje të pakontrolluar të dorës prej acarimit, polici rrëzoi kutinë e
shahut dhe gurët u shpërndanë në dysheme.
— Bateri janë këto? pyeti me zë të vrazhdë.
— Jo, gurë shahu.
— Për pak, na i hodhe! Qysh kur ka filluar të luhet shahu me një person?
Dy policët e çuan të burgosurin duarlidhur tek shefi i prapavijës, i cili
ishte oficer roje atë natë. Një mullar burrë nga trupi dhe anemik nga truri, ai
hapi kutinë e shahut dhe filloi të kontrollonte gurët. Duke tundur kokën me
mosbesim, oficeri i rojës u shpreh:
— Kështu duan t’i maskojnë veprat e tyre armiqtë e partisë: herë me sport
e herë me muzikë. Por gënjejnë veten e tyre, se partisë sonë nuk ia hedhin
dot. Kësaj kutie do t’i bëhet ekspertiza në hetuesinë e Rrëshenit. Deri atëherë,
le të rrijë në birucë ky bandilli, që dashka të na mbush mendjen se luan shah i
vetëm në mes të natës.
Shahisti, i zënë mat, iu nënshtrua fatit.
Përgjegjës Bega
Meqenëse ai fshat ishte cilësuar reaksionar, pushteti diktatorial kishte
treguar gjithmonë kujdes në përzgjedhjen e kuadrove për administrimin e tij.
Kjo, natyrisht, jo në të mirën e fshatit, por për triumfin e plotë të ideologjisë,
me të cilën ai nuk ishte pajtuar vullnetarisht. Përçarja dhe nënshtrimi ishin
hakmarrja dhe arritja më e mirë në dëm të fshatit rebel.
Pas ngritjes së kooperativës bujqësore, kontrolli mbi jetën dhe ekonominë
e fshatarëve u bë i plotë. Kjo u jepte dorë kuadrove të përzgjedhur të partisë e
të pushtetit për realizimin e synimeve të tyre të mbrapshta.
Njëri prej kuadrove më jetëgjatë e më keqbërës në administrimin abuziv të
atij fshati të pasur ishte përgjegjësi i sektorit, Bega. Ky e ushtroi detyrën e
përgjegjësit fuqiplotë dy dekada. Karriera e gjatë e Begës ishte mishërimi më
tipik i investimit të pakursyer që u bënte diktatura vesit dhe injorancës, si
katalizator i tij. Duke qenë se vesi është pararendës i krimit, ai mbetet cilësia e
parë që synohet në përzgjedhjen e veglave të verbra.
Bega ishte bir i atij fshati, që e lindi për fatkeqësinë e tij. Ai mezi arriti ta
përfundonte shkollën fillore, duke i përsëritur të katër vjetët e saj. Mandej iu
përkushtua profesionit të bariut, të cilin e kishte trashëgim prej të parëve. Atë
e ushtroi derisa u mobilizua në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Ndonëse i pajisur me një intelekt tepër modest nga natyra dhe
gjysmanalfabet nga sasia dhe cilësia e arsimimit, Bega shquhej për ambicien e
tij që të bëhej dikushi. I pëlqente shumë ta quanin bari të zotin, djalë të fortë
fizikisht, apo t’i ngjisnin çdo lloj epiteti, që do ta dallonte prej të tjerëve.
Meqenëse fusha e veprimit për të demonstruar individualitetin e tij në
kuadrin e bariut ishte e kufizuar e në hije, periudha e shërbimit të
detyrueshëm ushtarak shërbeu si një pedanë e fortë për startin e karrierës
keqbërëse të askushit, i cili synonte të bëhej me çdo kusht dikush. Për arritjen
e këtij synimi, ai dëshironte t’i paraqitej rasti, të cilin ishte i gatshëm ta
shfrytëzonte me çdo kusht e me çdo çmim.
I paepur drejt këtij qëllimi, Bega e priti si shkretëtira pikën e shiut
propozimin për të bashkëpunuar me organet e Sigurimit të Shtetit. Kjo
ndodhi disa muaj pasi kishte filluar shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Duke
e parandier me nuhatjen karakteristike të njerëzve që orientohen kryesisht
prej instinktit, se ajo që quhej Degë ishte rrënja e çdo mundësie në të
ardhmen, Bega iu përkushtua me aq pasion bashkëpunimit me Sigurimin,
saqë po i habiste shefat e tij.
Shpejt u bë kandidat partie dhe krahu i djathtë i operativit të repartit
ushtarak ku kryente shërbimin. Asgjë nuk e ndalte dot hovin me të cilin Bega
i ishte përveshur misionit, që do ta pajiste me licencën e plotësimit të ëndjeve
keqbërëse. As shkëputja prej tij e të njohurve të mëparshëm, as ndërprerja
apo ndryshimi i bisedave midis ushtarëve sa herë që afrohej Bega dhe as
vërejtjet miqësore të operativit për një disiplinim të informacionit nuk arrinin
t’ia ulnin ritmin fluksit informativ të nënshkruar prej pseudonimit të tij.
Në përfundim të kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, shefat i
propozuan Begës të qëndronte me rrogë në ushtri. Ata donin ta fusnin në një
kurs njëvjeçar, për tu afirmuar si kuadër i Sigurimit. Ishte hera e parë dhe e
fundit që Bega nuk ua plotësoi dëshirën atyre. Ai donte të kthehej patjetër në
fshatin e lindjes, ku egoja e tij e sëmurë tani mund të gjente vetveten. Sado që
të përparonte karriera e tij në ushtri, triumfi i Begës do të ishte i cunguar, në
krahasim me atë që do të ndiente ai, kur përmasat e figurës së tij të
padëshiruar për shumicën e bashkëfshatarëve do të zmadhoheshin në
mënyrë progresive para syve, që nuk e kishin shikuar ndonjëherë me simpati.
Kjo ishte gjithçka për të, ndërkohë që karriera larg në ushtri mbetej një zë pa
jehonë për sedrën e tij cinike.
I kthyer në fshat me një identitet të dyfishtë (krahas emrit, ai tani kishte
dhe një pseudonim), Bega filloi punën si brigadier blegtorie. Por ai kishte
synime konkrete dhe një mbështetje efektive, në saje të së cilës mund t’i bënte
realitet. Angazhimi në shërbimin e fshehtë informativ i kishte mësuar Begës
shumë gjëra të reja. Ai e kuptonte tashmë, se mundësitë më të mëdha për tu
investuar nga prapavija e tij ishin atje ku edhe interesi informativ ishte më i
madh. Shpejt kaloi brigadier në bujqësi. Kështu ai ishte përditë në mes të
popullit, pranë interesave të tyre materiale dhe i pranishëm rregullisht nëpër
zyrat e kooperativës bujqësore.
Përveçse brigadier, Begën e zgjodhën edhe kryetar të këshillit popullor. Ai
u pajis edhe me një revole, të cilën e zgjodhi nga marka më kabà. Ai nuk e
ndante atë dhe e mbante të ekspozuar në brez.
Bega siguroi një vërtetim të rremë, sikur kishte mbaruar shkollën
shtatëvjeçare, dhe u regjistrua në shkollë të mesme të një qyteze pranë fshatit
të tij. Për të kaluar provimet pa hapur asnjë libër, Bega nuk paraqitej vetë në
shkollë, por dërgonte vartësit informatorë tek pedagogët e lëndëve përkatëse
me disa kilogramë mish, djathë, gjalpë apo mjaltë nga magazina e
kooperativës. Për ndonjë pedagog kokëfortë Bega hidhte në lojë asin rezervë.
Operativi i zonës i tërhiqte vërejtjen këtij pedagogu për moskuptim të
direktivës së partisë, se kuadrot besnike e me përvojë, të cilët kishin dhënë
rezultate në praktikë, duhej të pajiseshin me diploma. I frikësuar prej shkeljes
së direktivës partiake, pedagogu i kërkonte ndjesë Begës dhe e vlerësonte me
notë të lartë.
Viti i mbrapshtë 1967 qe shumë i mbarë për Begën dhe sërën e tij. Ai nuk
ishte më një informator i thjeshtë, por drejtonte një rrjetë të gjerë
informatorësh, me anë të të cilëve arriti të zbulonte një shpërdorim ekonomik
të konsiderueshëm të kryesisë së kooperativës bujqësore. U bënë shkarkime
në masë në administratën e kooperativës, duke krijuar hapësirë për të
pozicionuar në vende kyçe informatorë të tij të devotshëm. Veç detyrës së
brigadierit dhe kryetarit të këshillit, Bega de facto ishte operativ sigurimi i
fshatit.
Në fillim të viteve shtatëdhjetë, në kuadër të riorganizimit të ekonomive
bujqësore në kooperativa të bashkuara, Begën e emëruan përgjegjës të
sektorit më të pasur e më të populluar. Kjo detyrë e kënaqi ëndrrën e tij
lakmitare. Falë besueshmërisë së lartë që gëzonte në organet e Sigurimit të
Shtetit dhe fuqisë ekonomike të sektorit të madh e të pasur që drejtonte, Bega
e ndiente tashmë veten një kryetar kooperative i plotfuqishëm.
Ai nuk e kishte banesën afër qendrës së sektorit që drejtonte dhe vendosi
të ndërtonte shtëpi të re. Babai i tij i moshuar nuk pranoi të largohej nga
shtëpia e vjetër, ku kishte lindur e ishte plakur. Bega nuk ngurroi ta braktiste
babanë për hir të detyrës. Bile ai mori me vete edhe nënën e tij, duke e lënë
babanë fillikat. Për shefat shpirtërorë të Begës dhe garantët e karrierës së tij
kjo ishte një provë më tepër se ai, për hir të detyrës, sakrifikonte gjithçka.
Si përgjegjës sektori fuqiplotë në një fshat me 80 mijë kokë bagëti të imta,
dhjetëra mijëra hektarë kullotë bregdetare, 800 hektarë tokë arë dhe me mbi
tremijë banorë, Bega, më së fundi, e shikonte të realizuar ëndrrën e tij të
kahershme. Në të vërtet, ai tani ishte Dikush. Bega kontrollonte edhe vetë
operativin e Sigurimit, të cilin e arrestuan dhe e dënuan 6 vjet burg për
shpërdorim detyre. Të gjithë dëshmitarët, që i dolën në hetuesi e në gjyq për
t’i vërtetuar fajësinë, ishin informatorë të Begës.
Në territorin e gjerë të sektorit që drejtonte Bega ndodheshin edhe zyrat e
kooperativës së bashkuar. Çdo mëngjes Bega dilte tek sheshi para zyrave e
magazinave i rrethuar gjithmonë nga një grumbull kooperativistësh,
kryesisht të rinj, të cilët kërkonin ndonjë punë të favorshme ditore apo
afatgjatë. Kushti i plotësimit të kërkesave të të ledhatuarve të Begës dihej prej
të gjithëve: informacion, si shkëmbim me vendin e punës së privilegjuar.
Në mesin e viteve shtatëdhjetë, kur lufta e klasave njohu një shkallëzim të
ri, Bega u shfaq si grusht i hekurt i Sigurimit të Shtetit në goditjen e elementit
armik në fshatin e akuzuar tradicionalisht për prirje të tilla. Brenda një viti, në
sektorin e Begës u bënë disa arrestime për krim kundër shtetit. Të gjitha dosjet
penale ishin plotësuar me deklaratat e rreme të informatorëve të stërvitur nga
vetë Bega.
Një ditë, tek po kthehej në shtëpi prej një gostie të shtruar për të tek stallat
e lopëve të sektorit, Bega pa një gomar që po kruhej pas një tabele hekuri, mbi
të cilën shkruhej: PPSH, frymëzuesja dhe organizatorja e të gjitha fitoreve tona. I
ngrohur nga rakia me mish të bollshëm që kishte shijuar në gosti, ai nxori nga
brezi koburen e kabà dhe e vrau gomarin, duke bërtitur:
«Edhe kafshët i kanë bërë armiq, si vetja e tyre.»
E kishte fjalën për të zotin e gomarit, Myfitin, një fshatar i deklasuar, të
cilin e la pa kafshë ngarkese marrëzia ideologjike e përgjegjësit të sektorit.
Urrejtja klasore bënte që Bega të vuante nga ideja fikse, se çdo ngjarje e
padëshiruar në sektorin e tij kryhej prej të deklasuarve, ose me nxitjen e tyre.
Një ditë humbën disa shelegë në një tufë të sektorit. Përgjegjës Bega u
informua se, në orët e pasdites, një i ri i deklasuar bashkë me një person tjetër
kishin hipur në një autobus që shkonte në qytet. Sipas informacionit, djaloshi
i deklasuar mbante në dorë një trastë pëlhure me rreth 15 kg mish. Njollat e
freskëta të gjakut përmbi pëlhurën e bardhë tregonin qartë se ç’kishte brenda
trasta. Nga informimet e mëtejshme, Bega mësoi se i riu kishte babanë të
shtruar në spitalin e rrethit dhe pasditen, që kishte hipur në autobus, shkonte
atje.
Të pasnesërmen, përgjegjësi i sektorit e lajmëroi të dyshuarin të paraqitej
në orën pesë pasdite në zyrën e Begës. Personi që e lajmëroi i bëri të ditur
djaloshit të deklasuar se përse bëhej fjalë. Ata të dy e kishin kryer së bashku
shërbimin ushtarak dhe kishin besim tek njëri-tjetri.
Duke e parandier rrezikun që i kanosej prej përgjegjësit të rreptë, i riu i
deklasuar e la atë ditë punën dhe u interesua të takonte personin me të cilin
kishte hipur në autobus. Ky ishte oficer. Banonte në qytet, por shërbente në
një postë ushtarake pranë fshatit. Djaloshi nuk e gjeti atje oficerin dhe i la një
letër, me të cilën i lutej të shkonte në orën pesë pasdite tek zyra e Begës, për të
dëshmuar të vërtetën e trastës me mish.
Në orën e caktuar, i deklasuari shkoi tek zyra e përgjegjësit të sektorit. Ky
nuk kishte ardhur akoma. Për fat të keq, as oficeri nuk dukej vërdallë.
Pas një çerek ore, një gaz BÇ ndaloi para zyrave të shumta të kooperativës
së bashkuar. Prej tij zbriti Bega me punonjësin operativ të zonës. Me hap të
shtruar, duke folur me zë të ulur midis tyre, ata të dy u drejtuan për tek zyra
e përgjegjësit të sektorit. Pa e përshëndetur, si zakonisht, Bega e urdhëroi me
ton të prerë të riun e deklasuar:
— Eja brenda.
Ai dhe operativi u futën në zyrë, duke e lënë derën hapur.
Djaloshi hyri pas tyre. Bega mbylli derën e zyrës dhe iu drejtua gjithë
mllef e ironi:
— Babait në spital ia çove të gjithë mishin e shelegëve, apo mbajtët edhe
për të ngrënë vetë në shtëpi?
— Për cilët shelegë e keni fjalën? Babai është vërtet i shtruar në spital, por
unë nuk i kam çuar mish,se nuk kam.
— Ka kooperativa për ju, armiq të pandreqshëm, i bërtiti Bega dhe iu
vërsul me grushte.
Në çast, operativi i bllokoi të dy krahët të riut, duke e rrokur për mesi nga
pas. Djaloshi i deklasuar, tek po përpiqej t’iu shmangej goditjeve, i shpëtoi atij
nga duart dhe e qëlloi Begën me grusht. Operativi arriti t’ia mbërthente
përsëri të dy duart, ndërsa Bega, i pamësuar t’i kthente njeri llafin e jo më
dorën, u xhindos. Rrëmbeu një copë dërrasë në një qoshe të zyrës dhe e goditi
djaloshin me të gjithë forcën e krahut. Ky rënkoi nga dhimbja, ndërsa gjaku i
mbuloi këmishën verore. Bega, i tërbuar, u mat ta godiste përsëri, por dërrasa
nuk u shkëput nga supi i të riut. Ajo kishte pasur një gozhdë nga ajo anë, e
cila ishte ngulur në sup dhe i mpiu krahun djaloshit. Ndërsa gjaku
s’pushonte së rrjedhuri, operativi po përpiqej të shkëpuste dërrasën e varur
tek supi i djaloshit, kur në derë të zyrës u duk oficeri.
— Shoku Begë, ju garantoj se ky djalë është i pafajshëm, tha ai me nxitim e
i emocionuar, duke parë të riun gjithë gjak.
— Ku e di ti pse akuzohet ky? ia priti Bega i revoltuar.
— Në qoftë se është fjala për një trastë me mish, me të cilën unë dhe ai
kemi hipur ditën e martë në autobus për të shkuar në Vlorë, ju bëj me dije se
ai mish ka qenë i imi. Unë e kisha blerë tek një familje këtu, në fshatin tuaj, ku
do të blej përsëri. Javën e ardhshme martohet vëllai. Unë këtë djalë e njoh
vetëm si fytyrë. Atë ditë e kam takuar rastësisht në rrugën automobilistike,
kur do të kalonte autobusi i dolomitit. Unë i kërkova ndihmë, për ta futur
trastën me mish brenda, mbasi ajo kullonte endé gjak dhe ndruhesha mos më
bënte pis kostumin e ri që kisha veshur. Ai më bëri nder, duke e ngritur
vetëm trastën time, ndërsa unë, me sa po shoh, i paskam bërë qeder.
— Mos u bëj merak për të, se nuk i gjen gjë kollaj këta, jo. Pati fat që doli
kështu puna, se do ta kisha bërë të kullonte gjak i tëri, si trasta jote e mishit, i
tha Bega me një zgërdhitje të shëmtuar, por me ton të zbutur.
— Po unë ç’borxh ju pata, që ma punuat kështu? tha djaloshi i pezmatuar
me krahun e majtë të varur, shpatullat të mbledhura nga dhimbja dhe
këmishën gjithë gjak. – Babanë në spital e kam, tani duhet të shtrohem edhe
unë atje, për qejfin tuaj.
— Ju përfitoni nga zemërgjerësia e partisë sonë, që u lejon të shtroheni në
spital. Të jetë për mua, të shëndoshësh armiqtë është e keqja e vetes. Tani
thyej qafën, se nuk dua të t’i shikoj më sytë.
Operativi, i cili vazhdonte ta mbante akoma nga krahu i djathtë djaloshin,
e shoqëroi në korridor të zyrave, duke i thënë:
— Bëhen edhe gabime në identifikimin e fajtorëve, por hajdutët i urrejmë
të gjithë; edhe ti vetë, besoj. Për sa i përket incidentit në zyrë, mos harro se e
ke goditur me grusht shokun Begë në krye të detyrës. Është në të mirën tënde
të mbyllet me kaq kjo çështje. Për këtë, do të bisedoj edhe me shokun Begë.
Pavarësisht se rrëmbehet në ndonjë rast, ai është njeri i arsyeshëm. Tani shko
në shtëpi dhe nesër rri pushim, pa harruar ta mjekosh krahun.
Djaloshi nuk foli dhe u largua duke tundur kokën.
Oficeri, i ardhur posaçërisht, i ftoi Begën dhe operativin për kafe. Duke u
qetësuar, do të sqaroheshin më mirë.
— Mendoj se duhet t’i shqyrtosh më shtruar çështje të tilla, shoku Begë, i
sugjeroi oficeri në klub. – Edhe sikur të ishte e vërtetë që ai djalë kishte
vjedhur shelegët, a nuk ka rrugë e forma të tjera më ligjore për ndëshkimin e
tij?
— Ligjet e partisë janë të butë për armiqtë e pushtetit popullor. Për
mendimin tim, kjo kategori nuk duhet të dënohet në bazë të ligjit, kur e
shkelin atë me dashje. Ky është një nder që ata nuk e meritojnë aspak. Unë i
jam zotuar këtij pushteti, se do të luftoj pa u kursyer për të. Në këtë luftë unë
ndiej kënaqësinë e vërtetë të jetës sime. A e di ti se fshati, që unë administroj,
është një ndër më të mëdhenjtë e më të pasurit e vendit? Një fshat që laget
nga dy dete, imagjino! Ndoshta ka edhe kuadro të tjerë të aftë për ta
administruar këtë ekonomi të madhe bujqësore e blegtorale, por, me
emërimin tim në këtë detyrë, partia ka shprehur besimin e plotë që ka tek
unë. Atëherë, a më lejohet mua ta shpërdoroj mirëbesimin e saj? Sado me
përkushtim që unë të punoj për këtë pushtet, përsëri do t’i mbetem borxh.
Oficeri i ushtrisë dhe ai i Sigurimit të Shtetit e miratuan në heshtje
deklaratën solemne të Begës.
Falje e Ndëshkuar
E quanin Ferit Avdullari, por e thërrisnin Ferit Lopa. Kjo nofkë nuk ishte e
rastësishme, por lidhej me një manovër origjinale të Feritit për vjedhjen e një
lope dikur. Për të maskuar gjurmët e lopës, ai i kishte mbathur një palë çizme
fëmijësh së prapthi. Duke ecur, lopa linte gjurmë fëmije në drejtim të kundërt.
Shumica e të burgosurve nuk ia dinin mbiemrin e vërtetë Feritit.
Ai ishte prototipi i një kleptomani të lindur. Në çdo çast dhe kudo që të
ndodhej, mendja e Feritit punonte vetëm për një qëllim: çfarë mund të
përvetësonte. Lidhur me këtë dukuri të mirënjohur, Feriti shpaloste filozofinë
e tij origjinale:
— Pse kanë roje magazinat? Për të treguar se atje ka ç’të vjedhësh, po të
jesh i zoti.
Feritin e kishin dënuar tri herë për përvetësim. Mirëpo me tu liruar prej
burgut, ai niste gjithçka nga e para. Herën e katërt, për ta hequr qafe, i kishin
bashkangjitur edhe nenin xhol 55, duke e dënuar për agjitacion e propagandë
kundër pushtetit popullor. Pas kësaj, Feriti përfundoi në kampin e Spaçit. Ishte
58 vjeç. Për arsye moshe, përjashtohej nga puna në minierë. Në përgjithësi,
punën fizike e urrente. Edhe për këtë Feriti kishte filozofinë e tij, e cila
përbënte edhe thelbin e akuzës për agjitacion e propagandë:
— Në punë shkohet nga halli, jo nga qejfi. Vërtet krerët e komunistëve
tanë ia kanë vënë emrin Parti e Punës, por ata vetë duan të rrojnë në luks e në
rehati me punë të të tjerëve, jo të djersiten. Mua më pëlqen të bëj si ata.
Dhe për të bërë si ata, Feriti i ishte përkushtuar përvetësimit.
Ai kishte shumë oreks për të ngrënë. Nofka Lopa Feritit i përshtatej, më
shumë se në çdo gjë tjetër, tek përmasat e oreksit. Norma shumë e ulët e
ushqimit për të burgosurit e papunë ishte e papërfillshme për stomakun aktiv
të Feritit. Për të siguruar mbijetesën në ato kushte, ku i kërcënohej seriozisht,
ai i përkushtohej përvetësimit edhe në kamp, ndonëse mundësia atje ishte e
kufizuar. Mirëpo intuita e Feritit për të shfrytëzuar situatat e përshtatshme,
ku mund të përfitonte diçka, e kalonte çdo parashikim.
Feriti nuk e ndante nga vetja kurrë trastën prej doku blu, e cila nuk ishte
asnjëherë bosh. Atje ai mbante copa buke të përmasave të ndryshme, të
siguruara në rrugë të ndryshme. Mjaft prej të burgosurve, që punonin në
minierë, i jepnin Feritit ndonjë copë bukë, apo një racion marmelatë.
Gjithashtu ai siguronte diçka edhe tek sporteli i kuzhinës, prej nga nuk
largohej kurrë duarbosh, falë aftësisë së tij humoristike të komunikimit. Por
burimi kryesor i menysë pa pretendime të Feritit mbetej inspektimi i
tavolinave të mensës, pas çdo vakti që hanin të burgosurit e nëntokës. Në
trastën blu gjendeshin prej të gjithë artikujve ushqimorë që konsumoheshin
në kamp; deri edhe pilaf orizi apo makarona. Të vjelat e ditës Feriti i
konsumonte kur ishte i lirë nga veprimtaria bazë – gjuetia.
Ai dinte të shfrytëzonte me mjeshtëri të rrallë çdo rrethanë, që mund të
sillte furnizim për trastën e tij. Feriti i afrohej me lezet çdo të burgosuri që
kthehej me çanta në duar prej takimit me familjes dhe i fliste me zhargonin e
tij karakteristik:
— E, dora jonë, mirë i kishe njerëzit?
Pas kësaj pyetjeje, ai priste me interes jo përgjigjen për të, por sendin
ushqimor që do t’i dhuronte ai tjetri, në bazë të normave morale të burgut.
Bashkëvuajtësi që kishte takuar familjen do t’i jepte Feritit diçka prej
ushqimeve të përgatitura në shtëpi. Këto nuk ishin të papërfillshme, mbasi në
kamp bëheshin disa takime në ditë dhe inventarit të Ferit Lopës nuk i
shpëtonte asnjë prej tyre. Artikujt e ndryshëm ushqimorë, të fituar në këtë
mënyrë, ishin perlat e trastës blu, të cilën ai nuk e lëshonte nga dora edhe kur
ushtrohej kontroll fizik prej policisë. Prej trastës ai mund të ndahej vetëm me
dhunë. Kur i hiqej trasta blu, Ferit Lopës i ishte hequr një pjesë e shpirtit të tij.
Për të, ajo ishte si Toka për Anteun.
Sendet e ndryshme që përvetësonte Feriti i shkëmbente me artikuj
ushqimorë. Një prej mjediseve të kampit, ku ai nuk dilte pa gjë, ishte tek
çezmat në parabanja. Dikush prej të burgosurve të lodhur, të përgjumur, a të
sëmurë, do ta harronte atje, kasketën, shaminë e dorës, sapunin, tasin ose
lugën. Syve të Feritit, si sytë e një rrëqebulli, nuk iu shpëtonte asnjë send i
harruar atje. Të gjithë përfundonin në trastën blu. E veçanta e Feritit në këtë
rast ishte se këta sende ua rikthente të zotëve, kundrejt një takse të caktuar
prej tij. Askush nuk pranonte të përdorte sende të të tjerëve, të cilët do t’i
dallonte një ditë i zoti në ambientin e ngushtë e të kontrollueshëm të kampit.
Kishte të burgosur që e kishin blerë dy-tri herë tek Feriti sendin e tyre të
humbur. Ky ishte çmimi me të cilin ata paguanin pakujdesitë e tyre tek
taksidari Lopa.
Kryefjala e zhargonit të Ferit Lopës ishte togfjalëshi dora jonë. Në të
përmblidheshin kuptime të ndryshme, në vartësi të konsideratës që kishte
Feriti për bashkëvuajtësin, të cilit ia drejtonte ato fjalë. Nëpërmjet tyre ai
shprehte dashamirësi, ironi, urrejtje, përçmim, apo edhe ndonjë nënkuptim
tjetër më të stërholluar. Domethënien e vërtetë të këtij togfjalëshi Feriti e
transmetonte nëpërmjet tonit të zërit, mimikës aktive dhe cilësisë së
buzëqeshjes.
Një piktori të burgosur, i cili kishte shkruar me bojë të kuqe një mori
citatesh në fasadën e pallatit të kampit, Feriti i tha i buzëqeshur:
— Ma bëre zemrën mal me këtë parullë që ke qëndisur në hyrje të dhomës
sime, o dora jonë! Sa herë që më shkojnë sytë atje, më duket sikur jam në
shkollë të partisë e jo në burg.
Ndërsa një spiuni birucash, i cili sapo ishte kthyer prej shtegtimit, ai iu
drejtua duke picërruar sytë e tij djallëzorë:
— E, dora jonë, i binde armiqtë e popullit ta pranojnë fajin në hetuesi, apo
jo?
Kur çohej prej gjumit në mëngjes, pamja fizike e Ferit Lopës ishte e
veçantë. Sytë e mullosur me rrathë të mëdhenj mavi, fytyra e zverdhur gjithë
brazda rrudhash të fryra, buzët e ënjtura e të varura dhe këmbët që i tërhiqte
zvarrë krijonin një portret, realizimi i të cilit do të vinte në vështirësi edhe një
aktor të shquar. Natyrisht, portreti i Feritit do të ishte i mangët pa trastën blu,
prej së cilës ndahej vetëm kur e fusnin në birucë.
Një ditë në kampin e Spaçit bëhej apeli i të burgosurve në bazë të
kartelave të tyre personale. Ky lloj apeli bëhej vetëm një herë në vit. Në këtë
rast rreshtimi i të burgosurve bëhej sipas rendit alfabetik. Oficeri kartelist, i
cili e drejtonte këtë apel, u thirri me zë të lartë të burgosurve të grumbulluar
tek sheshi i kampit:
— Rreshtohuni të gjithë sipas analfabetit!
Kjo shprehje e gjymtuar filloi të përdorej në masë prej gjithë policëve të
pranishëm. Një i burgosur ish-arsimtar, i rreshtuar çift me Feritin, i tha këtij
me shaka:
— Ferit, thuaj shefit se tërësia e shkronjave të një gjuhe quhet alfabet, jo
analfabet. Analfabet quhet ai që nuk njeh alfabetin.
Feriti, me arsim fillor, i kishte shumë qejf sfidat, pa u thelluar në pasojat.
Kur njëri prej policëve përsëriti shprehjen e mësipërme, Feritit nuk iu durua
pa folur që nga rreshti ku ishte:
— I thonë alfabet komandant, jo analfabet.
— Dil prej rreshtit dhe eja këtu! i ra shkurt polici i ofenduar.
Kur Feriti u paraqit atje, oficeri kartelist, të cilit i përkiste pjesa kryesore në
këtë fyerje, i urdhëroi policët t’i hidhnin prangat dhe ta izolonin në birucë.
Në qelinë ku futën Feritin gjendeshin edhe dy të burgosur të tjerë.
— Pse të futën në birucë, Ferit? e pyeti njëri prej tyre.
— Demaskova injorancën e kartelistit, që i thoshte alfabetit analfabet, iu
përgjigj gjithë pompozitet Feriti.
Pas gjysmë ore, dy të burgosurit e tjerë nxorën, që poshtë dërrasës së
lëvizshme të vendosur mbi shtresën prej çimentoje të dyshemesë, dy palë
gurë shahu të vegjël. Mbi dërrasë ata kishin skicuar me laps kuadratet e një
fushe shahu.
Feriti i pyeti i habitur:
— Me se janë bërë këta gurë shahu?
— Me tul buke, iu përgjigj njëri prej tyre.
— Si ju paska mjaftuar racioni i bukës të bëni edhe gurë shahu me të? Me
kaq pak sa na japin këtu, nuk shuhet uria kurrë, pa le më të mendosh edhe
për gurë shahu! foli si me vete të tij Feriti.
Disa ditë pasi e kishin futur në birucë, Lopës po i gërryenin zorrët nga
uria. Ai ishte mësuar me trastë në dorë gjithë ditën dhe i pranishëm tek
mensa, sa herë që shkonin të hanin atje turnet e të burgosurve të nëntokës.
Feritit filloi t’i dilte gjumi natën prej ngacmimeve trallisëse të urisë. Në gjumë
ai shihte ëndrra vetëm me të ngrënë. Ato i ktheheshin në torturë, kur zgjohej
në errësirën e thellë të birucës.
Në një rast të tillë, Feritit diçka iu kujtua dhe filloi të lëvizte nëpër errësirë.
Midis dy të burgosurve të tjerë, në drejtim të kokave të tyre, ishin fshehur
gurët e shahut. Feriti futi dorën me kujdes dhe filloi t’i nxirrte një e nga një,
duke i vendosur nga ajo anë e birucës ku rrinte vetë.
Si e mbaroi atë punë, ai u shtri në shpinë dhe futi një ushtar në gojë. U
mundua për ta përtypur, por ishte e pamundur. I papërkulur në përpjekje për
të shuar urinë, Feriti nuk u ligështua. Ai e mbajti në gojë gurin e shahut, duke
e vërtitur me gjuhë. Tuli i tharë i bukës thithi sekrecionet e gojës makute të
Feritit dhe gradualisht pësoi një farë zbutjeje. Dalëngadalë, nën trysninë e
urisë, ai nisi ta përtypte me vështirësi ushtarin prej buke.
Për t’iu dhënë impulse të reja përpjekjeve të tij të paepura në përtypjen e
gurëve të shahut, Feriti ndoqi një metodë origjinale. Në grumbullin e figurave
të shahut që kishte veçuar, ai kërkoi dhe gjeti me tamina një oficer. Para se ta
fuste në gojë, pëshpëriti:
— Kartelist, ti më izolove në birucë, por unë do ta ha kokën.
Inati që ndiente ndaj kartelistit, i cili e ndau prej trastës blu, ia bënte më të
lehtë përballimin e sikletit të shkaktuar prej oficerit që po vërtiste në gojë. Për
të impulsuar rezistencën e tij, Feriti vazhdoi t’i bënte gjyqin në errësirë
kartelistit:
— Sado të më mundosh, unë nuk të lë pa ta ngrënë kokën; kot e ke. Nuk e
ke rastësisht lëkurën të zezë ti shpirtzi, që më fute në qeli për një fjalë goje. Po
të përtypa, thuaj si të duash pastaj: alfabet, apo analfabet, siç je vetë.
Pas kartelistit, i erdhi radha e gjyqit operativit të kampit. Mori njërën prej
torreve dhe filloi t’i fliste me ironi e përbuzje:
— E, dora jonë, a ke marrë shumë raportime nga spiunët e tu për Ferit
Lopën? E ç’mund të të thonë ata për mua? Që e kam mbushur torbën me
kothere? Ti e di atë, se unë nuk e fsheh dot nën xhaketë. Megjithatë nuk heq
dot dorë kollaj nga zanati ti, dora jonë. Edhe ato gjëra që i di, ty të pëlqejnë
më shumë kur i lexon të shkruara nga hafijet e tua. Ti u ngjan sorrave, që
mishin e krimbur e shijojnë më tepër se të freskëtin.
Me këto fjalë, operativi përfundoi në gojën e babëzitur të Feritit.
Në të njëjtën mënyrë veproi ai edhe me gurët e tjerë. Mbretin e
mbretëreshën i cilësoi si komandantin dhe komisarin e kampit, ndërsa dy
kuajt e zinj ishin kryetari i Zyrës Teknike (i burgosur, bashkëpunëtor i
operativit) dhe kryetari i Këshillit të Riedukimit (e njëjta cilësi me të parin).
Ushtarët i quajti me emrat e policëve: Pjetri, Zefi, Marku, Prenga, Lleshi,
Ndueja, etj.. Të gjithë i shijoi së tepërmi, megjithëse e munduan po aq e i
lënduan mishrat e dhëmbëve.
Nga të 32 gurët e shahut, Ferit Lopa fali vetëm dy: një oficer dhe një
ushtar. Ndonëse nuk ndjeu aspak ngopje duke ngrënë tridhjetë të tjerët,
ndjeshmëria shpirtërore triumfoi mbi grykësinë. Duke marrë në dorë oficerin,
Feriti citoi në errësirë motivacionin e faljes:
— Nuk të ha dot ty, o shef Aliu, megjithëse uria m’i griu zorrët që po
ulërijnë. Ti nuk ke prekur asnjë të burgosur me dorë e as nuk di të bërtasësh.
Ah, ti je me të vërtet dora jonë. Nuk e kuptoj si të kanë caktuar me shërbim në
Spaç. Engjëlli nuk e ka vendin në skëterrë. Mos ke edhe ti ndonjë njollë në
biografi, o dora jonë! Sido që të jetë puna, unë edhe ta di se do të vdes nga
uria, ty nuk të ha. Paç jetë të gjatë!
Feriti e puthi dhe e la mënjanë oficerin fatmadh. Pastaj mori në dorë
ushtarin dhe i foli, me ëmbëlsi:
— Po ty, o Lazër, ç’të është dashur kjo djall uniforme? Nuk po e kupton
akoma se kjo punë nuk është për ty? Ti nuk je prerë për polic burgu. Ke të
drejtë që i trembesh kooperativës bujqësore, por, po më dëgjove mua, duhet
t’i trembesh edhe këtij vendi të zi, se do të të prishë edhe ty deri në fund. Këtë
herë unë po të fal, por nuk e di nëse do ta meritosh faljen ndonjë herë tjetër
apo jo.
Feriti i çoi çift oficerin dhe ushtarin, që e mbijetuan ciklonin e urisë së tij,
dhe u shtri për të fjetur.
Të nesërmen, kur dy të burgosurit e tjerë deshën të loznin shah, nuk
gjetën asnjë gur tek vendi ku i kishin fshehur.
— Ku janë gurët e shahut, Ferit? e pyetën.
— Ja, këtu, u përgjigj Feriti, duke vendosur dorën mbi bark.
— Seriozisht e ke? Si është e mundur ta kesh ngrënë atë tul buke që ishte
bërë abanoz?
— Të gjithë rrufjanët kriminelë të Spaçit i përtypa një e nga një, për tërë
natën. Kam falur vetëm dy: shef Aliun dhe komandant Lazrin.
Duke thënë këto fjalë, ai u tregoi dy kuadrot e falur të kampit të Spaçit,
oficerin dhe ushtarin e pangrënë.
Në kohën që morën ushqimin e drekës, ata të dy ua treguan këtë ndodhi
të burgosurve të qelive të tjera. Gojë pas goje, informacioni mbërriti në zyrat e
komandës së kampit.
Pasdite erdhi tek birucat operativi me dy policë. Ata e nxorën Feritin tek
korridori i qelive.
— Na ke bërë gjyqin mbrëmë ti, surrat i ndyrë? Pa na i trego pak ata
kuadrot tanë që paske falur, i tha operativi, duke e shtyrë fort drejt derës së
birucës.
Feriti mori dy gurët e shahut dhe ia tregoi operativit.
— Kush janë këta fatlumë? e pyeti ai duke u skërmitur.
— Shef Aliu dhe komandant Lazri, iu përgjigj me një fije zëri e sytë poshtë
Feriti.
— Po ne të tjerëve, na ke ekzekutuar? Ndërsa ne të lëmë ta mbushësh
përditë trastën me copa buke, të majmesh si kaposh deti. Ta ndreq unë, tani.
Ja, pikërisht Lazri, që ti e ke falur, do të të rrahë paq, në syrin tim. Lazër,
vepro! e urdhëroi operativi policin e falur të Feritit.
Duke u skuqur në fytyrë, Lazri e lidhi me duar pas shpine Feritin dhe
filloi ta godiste. Kur operativi e vlerësoi të mjaftueshëm ndëshkimin fizik, e
urdhëroi Lazrin ta fuste përsëri në qeli Feritin, pa ia hequr prangat. Pastaj
shtoi, duke kërcëllitur dhëmbët:
— Lidhi edhe ata dy të tjerët, që janë në të njëjtën birucë me të. Do t’i lini
të tre të lidhur për 48 orë. Vetëm kështu do ta marrin vesh se kush i bën
gjyqet këtu e kush dënohet, meqenëse nuk e paskan mësuar akoma.
Kur vinte Viti i Ri
Në jetën e kampit të punës së detyruar, çdo ditë dukej më e gjatë nga sa
ishte në të vërtet. Kjo ndodhte ngaqë orët, ndonjëherë edhe minutat, mund të
sillnin të papritura të pakëndshme, për përballimin e të cilave të burgosurit i
duhej të harxhonte aq energji e qetësi, sa në kushte jete normale do të
mjaftonin për një kohë shumë më të gjatë. Pasiguria e përditshme sillte si
pasojë një jetë përherë në ankth dhe një lodhje nervore shkrehëse, të cilat
dukej sikur e ngadalësonin rrjedhën natyrore të kohës për mbartësit e tyre.
Kur në fund të ditës apo të natës së mundimshme – sipas turnit të punës –, i
burgosuri shtrihej për të fjetur, ndiente pasojat e shkrehjes fizike e nervore, të
cilat përbënin koston e lartë me të cilën paguhej heqja e një flete kalendari
prej jetëgjatësisë së tij.
Meqenëse kjo pjesë e jetës ishte ligjërisht e flijuar për të, i burgosuri
dëshironte me gjithë zemër që ajo të kalonte sa më shpejt dhe ai t’i afrohej sa
më pranë ditës së daljes nga burgu. Ky përjashtim mëshirues i natyrës do ta
shpëtonte atë nga vuajtjet e shumta, që do t’ia sillte me siguri koha në
rrjedhën e saj të zakonshme. Për sa i përkiste vetë kohës, si pjesë e
jetëgjatësisë së tij, ajo e humbur se e humbur mbetej për të burgosurin, në
çfarëdo formë që të rridhte. Kjo ëndërr e shoqëronte atë deri në mbarim të
burgut dhe bëhej një faktor rëndese psikologjike më tepër, që ia kthente në
një maratonë të vështirë kalimin e sforcuar të çdo dite.
Në rrjedhën e natyrshme të ditëve brenda telave me gjemba nuk kishte
uniformitet ngarkesash e pasojash. Prej tyre veçohej ajo e vitit të ri, për shumë
dukuri të saj. Atë ditë forcohej ngjyrimi gri i zymtësisë së jetës së burgut.
Shikimi i filxhanëve të kafesë merrte përmasa epidemike, duke synuar me
çdo kusht një motiv për të ringjallur shpresën vitin e ardhshëm. Filxhani
shikohej edhe tri herë në ditë dhe, prej tre varianteve të ndryshëm të të njëjtit
fat, përzgjidheshin elementët e përbashkët që do të thurnin pistën imagjinare
të shpresës së ardhshme, pa të cilën i burgosuri nuk bënte dot.
Njeriu në vështirësi e beson si të vërtetë atë që dëshiron më lehtë se në çdo
pozicion tjetër në jetë. Lodhja e madhe fizike, nervore e shpirtërore bënin që i
burgosuri të përpiqej për të ripërtërirë optimizmin e squllur nga lëngimi
nëpërmjet një vetësugjestionimi me bazë të supozuar elementesh
shpresëdhënës. Ndonëse ai e kuptonte se shumë prej parashikimeve të
filxhanparësve ishin produkt i thashethemeve të radioburgut, përsëri të
burgosurit i pëlqente t’i dëgjonte. Në stuhinë e jetës brenda telave me gjemba,
ai ndiente nevojën e një drite shprese dhe e pranonte atë si të vërtetë edhe
duke qenë thjesht një iluzion.
Vendi ku pihej më shumë kafe dhe, si rrjedhojë, shikoheshin më tepër
filxhanë ishte kuzhina private. Në atë ngrehinë kishte rreth 20 vende gatimi.
Në prag të vitit të ri ajo ishte e mbushur plot. Të grupuar sipas shoqërisë, të
burgosurit përpiqeshin t’i përfundonin sa më parë gatimet, për t’ua lënë
radhën bashkëvuajtësve të tjerë. Meqenëse vendet e gatimit ishin të pakta
krahasuar me numrin e të burgosurve, radha për secilin vendgatim ishte zënë
për gjithë ditën.
Drutë për zjarret e gatimit siguroheshin me vështirësi. Të burgosurit e
minierës lejoheshin të sillnin dru prej andej herë pas here. Veçse ato duheshin
përgatitur në copa të vogla, të papërdorshme për goditje, përndryshe policia i
flakte në përrua dhe i burgosuri ndëshkohej për shkelje të udhëzimeve të
komandës së kampit.
Ndërkohë që gatimet vazhdonin pa ndërprerje, me të njëjtin ritëm ecte
edhe parja e filxhanëve. Kuzhina private mbushej plot e përplot me tym prej
zjarreve të shumtë dhe nga mosfunksionimi i oxhakut prej llamarine. Një
mjedis i tillë ishte shumë i përshtatshëm që ekspertët e filxhanëve të lëshonin
tullumbace në tym. Njëri prej këtyre, duke i parë filxhanin një bashkëvuajtësi
të merakosur pse nuk i kishte ardhur familja në takimin e paralajmëruar të
fundvitit, po i thoshte:
— Familja jote ka qenë përgatitur të të vinte në takim, por një ndodhí jo e
rëndë e ka detyruar ta shtyjë ardhjen për pas vitit të ri.
Atë çast tellalli i kampit hyri në kuzhinën private dhe thirri me zë të lartë
emrin e të burgosurit të merakosur, i cili po dëgjonte të dhënat e filxhanit.
— Ja ku jam, si është puna? u interesua ky.
— Eja shpejt, more, se kam një çerek ore që po të kërkoj gjithandej. Nxito,
se të ka ardhur familja për takim.
— Ta gëzosh profesionin e bukur, byrazer! i tha duke qeshur
filxhanparësit i burgosuri që u nis për takim me familjen.
Me afrimin e vitit të ri, binte më tepër në sy dallimi midis të burgosurve
që ndihmoheshin ekonomikisht prej familjeve të tyre dhe atyre që nuk i
përmendte kush për të gjallë. Ndonëse realiteti i vrazhdë i kishte mësuar me
këtë mungesë dashurie njerëzore, të burgosurit e mohuar ndienin më tepër
ftohtësinë e jetës së lirë ndaj tyre, sesa atë të dimrit të ashpër të Spaçit, kur
dendësohej ardhja e letrave dhe kartolinave.
Natën e ndërrimit të viteve dhe ditën pasardhëse, një pjesë e vogël e të
burgosurve, kryesisht prej atyre që kishin një kohë të gjatë brenda telave me
gjemba, vishnin rroba të mira, që i kishte shpëtuar rastësia prej kontrolleve të
rreptë të policisë. Ato dy ditë komanda e kampit tregohej mospërfillëse ndaj
një dukurie të tillë. Tekefundit imitimi i jetës së lirë brenda telave me gjemba
do të sillte doemos një brengë më tepër për ata të burgosur, kur t’i fusnin
përsëri nëpër trasta rrobat e mira. Që të përsëritej ky ritual, duhej të kalonte
një vit kohë. Të veshur me rrobat e reja, të rruar taze e me një ecje të krekosur,
këta top-modelë të vegjetimit mjeran përbënin spektaklin më tragji-komik të
vitit të ri spaçian.
Mbrëmjen e ndërrimit të viteve binte në sy interesimi i përgjithshëm që
atë natë të shënuar të mos mbetej asnjë bashkëvuajtës në mëshirën e sportelit
të kuzhinës. Askush prej të burgosurve nuk ndihej i kënaqur në sofrën e tij
modeste, duke parë qoftë edhe një bashkëvuajtës që nuk e ndryshonte dot
menynë rutinë.
Edhe vitet e rinj spaçianë kishin dallime mes tyre. Në përgjithësi këto
dallime përbënin një hap përpara të së keqes. Secili prej tyre i gjente të
burgosurit me një vit vuajtje më tepër, një vit më shumë plakje e thinjie dhe
me viktima të reja. Kishte edhe ndonjë vit të ri, si ai 1981, që pritej me
kurbane. Në mbrëmjen e 1 janarit të atij viti, një i burgosur nga juglindja e
vendit, në gjendje depresioni, u hodh në telat e rrethimit nga muri në qoshe të
kuzhinës private. Ushtari i truprojës përballë nuk e la pa shfrytëzuar rastin
për të fituar lejen dyjavore, që parashikonte si shpërblim rregullorja për
vrasjen e një armiku të partisë.
Pas vrasjes, i burgosuri mbeti në pozicionin ndenjur, i mbështetur në
kuadratet e telave me gjemba, me krahët të hapur anash. Pamja e tij në
shpirtdhënie ishte një shëmbëlltyrë e kryqit. Të frymëzuar nga ky imazh, dy
priftërinj të burgosur u lutën për shpirtin e vetëflijuar në një qoshe të errët të
oborrit.
E përbashkëta e gjithë viteve të rinj të Spaçit ishte, se ata hynin të rinj në
kamp e dilnin të thinjur prej psherëtimave të të burgosurve.
Nuhatje Kanibalësh
Në mesin e viteve tetëdhjetë, miniera e Spaçit shfrytëzohej kryesisht me të
burgosur ordinerë. Vetëm në zonën e dytë të saj, krahas të burgosurve
ordinerë, punonte edhe një brigadë të burgosurish politikë. Këtyre u ishin
lënë për të shfrytëzuar frontet më të vështirë të punës në zonën më të vështirë
të asaj miniere.
Vuajtjet fizike dhe shpirtërore të të burgosurve ordinerë nuk iu linin gjë
mangët atyre të palës tjetër. Madjé, për shkak të prirjeve morale që
karakterizonin një pjesë të elementit përbërës, burgu ordiner shndërrohej në
një xhungël të vërtetë, duke e rënduar edhe më tej gjendjen e tyre të vështirë.
Veç policëve, brigadat e punës kishin edhe dy brigadierë: një të lirë e një të
burgosur. Këta të fundit zgjidheshin ndër më të fortët fizikisht dhe më
agresivët ndaj bashkëvuajtësve të tyre, duke ua thjeshtuar punën policëve.
Kur të burgosurve të brigadave të tyre u vinin familjet për takim, brigadierët
dhe trimat që mbanin pas vetes ua merrnin, me hir ose me pahir, artikujt
ushqimorë më të preferuar. Shpesh i detyronin që t’iu shkruanin familjeve
për t’iu sjellë cigare të mira, apo veshje që lejoheshin në kamp, të cilat u
dhuroheshin brigadierëve. Familjarët nuk e dinin që sakrificat e tyre
ekonomike, për të plotësuar kërkesat e djemve, kënaqnin oreksin e
aventurierëve xhahilë të burgut xhungël.
Kushtet higjenike në burgun ordiner ishin shumë të këqija. Kjo jo vetëm
prej mungesës së kujdesit shtetëror, por edhe si pasojë e luftës për supremaci
midis grupeve rivalë të të burgosurve që i bashkonte vesi. Dushet e larjes i
shfrytëzonin kapot e burgut dhe eskortat e tyre. Të burgosurit e tjerë, ose nuk
lejoheshin për tu larë, ose i linin vetëm pak minuta, sa për të thënë se u lanë.
Papastërtia trupore si dhe ajo e veshmbathjes dhe e rrobave të fjetjes
kultivonin vrullshëm morrin dhe parazitët e tjerë. Kur të burgosurit ordinerë
zhvisheshin për tu larë tek dushet primitivë të zonës së dytë të minierës së
Spaçit, trupat e tyre ishin gjithë njolla të kuqe e plagë, të shkaktuara prej
kruajtjeve të pareshtura e infeksionit. Ndonëse ata vuanin më shumë se të
burgosurit politikë, komanda e kampit përpiqej t’iu mbushte mendjen se
ishin bij të partisë.
— Sikur partia ta gjykojë një ditë se duhen zhdukur të burgosurit politikë,
ajo do t’ju armatosë që t’i shfarosni ata dhe të mbushni përroin me trupat e
tyre – u thoshte komisari i kampit.
Me kalimin e kohës, të burgosurit ordinerë e ndien mjaft ndihmën e palës
tjetër në punë, mbasi këta ishin më të organizuar, më me përvojë dhe me
koncepte pune më të qarta. Gjithashtu të burgosurit politikë i ndihmonin me
këshilla për tu sjellë mirë me njëri-tjetrin, u jepnin ndonjë llambë karbiti apo
çizme të përdorura, për të cilat ata kishin shumë nevojë, mbasi të tyret i
keqpërdornin ose ia vidhnin shoku-shokut. Për këtë arsye, një pjesë e të
burgosurve ordinerë ishin shumë mirënjohës dhe të gatshëm të sakrifikonin
për vazhdimin e marrëdhënieve me të burgosurit politikë.
Një ditë, gjatë punës së turnit të parë, një të burgosuri politik i doli çelësi i
vagonit dhe iu derdh minerali në rrugën kryesore, duke bllokuar kalimin. Ai
e çoi në vend me mundim koshin e vagonit dhe filloi të mbushte me lopatë
materialin e derdhur mbi shina. Pas pak aty erdhi një i burgosur ordiner me
vagonin e tij me mineral. Për të liruar sa më parë rrugën, ai filloi të
ndihmonte të burgosurin tjetër.
Pa mbaruar ata punë, mbërritën dy policët e turnit të parë me brigadierin
e të burgosurit ordiner.
— Çfarë po bën këtu ti, Mirjan? i bërtiti brigadieri të burgosurit ordiner,
për t’iu bërë qejfin policëve.
— Po ngarkojmë materialin e derdhur, se na ka bllokuar kalimin.
— Kaq shpejt i harrove porositë e komisarit të kampit, ti? A u tha mbrëmë
në mbledhje, se ne nuk duhet të komunikojmë me të burgosurit e palës tjetër,
apo nuk të pëlqejnë ty urdhëratë e komandës së kampit?
— Ju dhe komanda më kërkoni normën e detyruar në fund të turnit. Unë
nuk kam si ta realizoj atë, po të vonohem çdo rrugë prej vagonëve të rrëzuar.
— Këput qafën prej këtej! i bërtiti brigadieri, duke e goditur në shpinë me
një listelë që mbante në dorë.
I ofenduar nga prania e të burgosurit politik, Mirjani iu vërsul me grushte
brigadierit. Ky, i kapur në befasi, u rrëzua. Dy policët nxituan t’i vinin në
ndihmë, duke e goditur Mirjanin nga pas shpine. I burgosuri politik, i
ndodhur në pozitë te vështirë ngaqë ai ishte shkaku i grindjes, u hodh në
mbështetje të Mirjanit, i cili po ndeshej një kundër treve. Falë urrejtjes me të
cilën ata sulmonin, dy të burgosurit e fituan shpejt përleshjen.
Rregullorja e kampit i ndalonte policët t’i godisnin të burgosurit brenda
në minierë e duarzgjidhur. Kjo pakujdesi atyre mund t’iu kushtonte jetën.
Komanda e kampit u kishte ndërtuar posaçërisht një dhomë torturash
policëve tek hyrja e minierës. Në rast nevoje, atje ata ndihmoheshin prej
brigadierit të lirë ose të dënuar për ta mposhtur të burgosurin. Meqenëse në
rastin e Mirjanit dy policët kishin rënë brenda me këmbët e tyre, u detyruan
të ruanin heshtjen për incidentin në minierë. Natyrisht, pa e harruar atë.
Pas dy ditësh, të burgosurin politik pjesëmarrës në grindje e izoluan në
birucë. Akuza – largim pa leje prej frontit të punës –, iu përgatit me porosi të
dy policëve tek kolegu i tyre, që shoqëronte të burgosurit politikë në punë.
Ndërkohë Mirjani përpiqej të tregohej i vëmendshëm ndaj ndonjë kurthi
hakmarrës. Ai ishte i ndërgjegjshëm se dy policët dhe brigadieri, me të cilët u
përlesh, nuk do ta mbyllnin me heshtje atë që u ndodhi.
Mirjani ishte nga Mamurrasi. E kishin dënuar një vit burg për largim pa
leje prej repartit ushtarak, ku kryente shërbimin e detyrueshëm. Ishte 22 vjeç.
I kishin mbetur edhe katër muaj burg për të vuajtur. Përveç prindërve, kishte
dy motra të martuara dhe një vëlla më të vogël në moshë. Ditët e fundit
kishte marrë një telegram, me të cilin motrat e lajmëronin se të enjten e
ardhshme do t’i vinin për takim.
Javën pas grindjes, Mirjani filloi punën turni i tretë. Ditën e martë, rreth
orës një pas mesnate, brigadieri i lirë e nisi të merrte një martel të mbetur në
një galeri, ku ishin ndërprerë punimet. Ai ndodhej 150 m larg prej furnelit ku
Mirjani mbushte vagonin e tij me mineral, për ta nxjerrë nga miniera. Ai filloi
ta ngjiste çdo shkallë me vëmendje e qetësi të plotë. Dritën e llambës së tij të
karbitit e kishte maskuar me një copë karton. Në krye të furnelit
tetëshkallësh, rreth 30 m lartësi, ai gjeti martelin dhe tubogomën.
Para se të fillonte zbritjen e shkallëve, Mirjani kontrolloi rreth e rrotull dy
galeritë, të cilat vazhdonin në të djathtë e në të majtë, për të diktuar praninë e
ndonjë personi. Të dy galeritë ishin të gjata, por ai ndriçoi vetëm fillimet e
tyre me dritën e llambës që ia hoqi kartonin maskues. Pastaj lëshoi
tubogomën nëpër furnel dhe nisi të zbriste shkallët me martel në krahë.
Ndërsa Mirjani po zbriste shkallën e dytë, prej thellësisë së galerisë së
krahut të majtë rrëshqitën tri hije. Dritat e llambave i kishin maskuar me nga
një kënaçe. Dy prej tyre kishin nga një gur të madh në dorë dhe u
pozicionuan në krye të furnelit. Llamba e karbitit që mbante në dorë e
ndriçonte plotësisht Mirjanin, mbasi ai nuk ia kishte maskuar dritën në
zbritje, pas kontrollit që bëri. Kur ai filloi të zbriste shkallën e tretë, dy
personat e errësirës, pasi e llogaritën mirë pozicionin e Mirjanit në lëvizje, e
goditën rrufeshëm me dy gurët e mëdhenj që mbanin në duar.
Një britmë tmerri e shoqëroi rrokullisjen dramatike nëpër shkallë të të
burgosurit. I dëmtuar rëndë prej goditjes së gurëve, Mirjani, pas një sërë
përplasjesh nëpër shkallë e bankina, u shemb pa ndjenja në fund të furnelit.
Tri hijet zbritën me nxitim, morën gurët me të cilët kishin goditur dhe u
zhdukën në thellësi të minierës.
Pas një copë here, dy policët e punës dhe brigadieri i burgosur ordiner
shkuan tek vagoni që kishte lënë Mirjani poshtë furnelit. Ata u interesuan se
ku ndodhej Mirjani.
— E ka dërguar brigadieri i lirë të na marrë një martel tjetër në horizontin
612, se marteli ynë është me defekt, i sqaroi minatori i grupit të punës.
— Ecni e lajmëroni të vijë menjëherë, se do t’ju bllokohet furneli e nuk do
të keni vend ku të hidhni mineralin pastaj, i urdhëroi polici.
Minatori nisi njërin prej shokëve të grupit të punës, për të zbatuar urdhrin
e policit. Kur i burgosuri arriti atje, u trondit pa masë. Mirjani, i mbytur në
gjak, po rënkonte. Ai vrapo tek shokët e punës dhe, i tmerruar, u tregoi
ç’kishte parë.
Ata mbushën treçerek me mineral vagonin që kishte lënë Mirjani poshtë
furnelit dhe nxituan në ndihmë të tij. Kur e ngritën peshë dhe e vendosën mbi
vagon, Mirjani lëshoi një pasthirrmë të fortë dhimbjeje dhe vuri dorën tek
veshkat. Ata i ngritën këmishën dhe panë një shembje të rëndë, shumë të
ënjtur e mavi.
Kur dolën jashtë minierës, e zbritën të dëmtuarin prej vagonit dhe e
vendosën pranë zjarrit, ku ngrohej uji i dusheve primitivë. Atje kishte dritë
dhe ngrohtësia mund t’i bënte mirë Mirjanit që po fërgëllonte. Aty pranë
ndodhej dhoma e policëve, të cilët u lajmëruan për aksidentin. Këta shkuan
tek Mirjani dhe shprehën keqardhje për fatkeqësinë e tij. Pastaj njëri prej
policëve u tha të burgosurve që e kishin nxjerrë jashtë të dëmtuarin:
— Tani ju shkoni shpejt në frontet e punës, se për të plagosurin
interesohemi ne.
— Nuk do ta çojmë me barelë në kamp? Ai është i sëmurë rëndë dhe
gjendja e tij nuk pret derisa të gdhihet, u shpreh minatori i grupit të punës.
— Vendosim ne për këto punë e jo ju, iu hakërrua polici. – Ju shkoni të
kapni ciklin e punës, përndryshe do të ndëshkoheni kur të dilni.
Tre të burgosurit iu bindën urdhrit. Mirjanin e lanë ndanë zjarrit ku e
vendosën.
Policët u futën në dhomën e tyre dhe filluan të pinin një shishe raki rrushi,
të cilën ua kishte sjellë brigadieri i lirë. I burgosuri, që kujdesej për ngrohjen e
ujit të dusheve, vendosi në zjarrin poshtë cisternës drutë e fundit dhe shkoi të
priste të tjera.
Prej dhimbjeve të mëdha, Mirjani filloi të lëvizte në mënyrë të
pavetëdijshme, duke iu afruar së tepërmi zjarrit. Ndërkohë drutë që vendosi
rishtas kujdestari i dusheve filluan të digjeshin, duke e shtuar flakën.
Tek po pinin raki, policët ndien erën karakteristike të mishit të djegur.
Gjithë duke qeshur, ata dolën nga dhoma e tyre dhe shkuan ku dergjej
Mirjani. Zjarri i shtuar kishte arritur fare pranë trupit të të plagosurit. Në
drejtim të veshkave, pikërisht atje ku dëmtimi ishte më i rëndë, mishi kishte
filluar të digjej. Kuptohej që Mirjani, pa ndjenja e me kolonën vertebrore të
dëmtuar, nuk ndiente gjë. Të kënaqur nga kjo pamje, policët filluan të
shkëmbenin romuze midis tyre:
— Sa erë të këndshme paska mishi i tij i pjekur! Duket që është mish i
njomë. Një bërxollë e mirë do të na shijonte së tepërmi me rakinë e rrushit.
— Ia dhamë fjalën, se do t’ia hanim kokën, dhe nuk e premë në besë. Tani
eja të shkojmë tek i burgosuri që po pret dru për cisternën. Këtë trimin lere të
vazhdojë të piqet, gjersa e dashka të pjekur dreqi që do t’i marrë shpirtin.
I burgosuri i kishte çarë drutë dhe po përgatitej t’i transportonte, kur dy
policët arritën atje.
— Lëri drutë në tokë, se i çon më vonë. Na çaj edhe ne ca për sobën, i tha
njëri prej tyre.
I burgosuri zbatoi urdhrin. Ai çau dru edhe një çerek ore, pastaj filloi
transportimin e tyre. Policët i shkuan pas me hap të shtruar.
— Mirjani po digjet, bërtiti i burgosuri, kur nuk ishte më shumë se 20 m
prej cisternës.
Ai flaku drutë përtokë dhe rendi atje. Ndërsa i burgosuri po përpiqej me
të gjitha forcat për ta larguar prej zjarrit trupin e lëshuar të Mirjanit, policët
shprehën habinë e tyre për ç’ka po u shikonin sytë:
— Si është e mundur kjo? Kur ishim ne këtu, gjithçka qe në rregull. Duhet
t’i telefonojmë sa më parë komandës të na dërgojë njerëz për ta marrë, se
qenka dëmtuar rëndë.
Pas gjysmë ore erdhi infermieri i kampit me katër të burgosur me barelë,
të shoqëruar prej një polici. Trupin e sakatuar të Mirjanit e vendosën përmbys
mbi barelë dhe nxituan ta çonin në infermierinë e kampit. Mundësia e
ndihmës mjekësore atje ishte e vogël, veçanërisht për gjendjen e tij të rëndë
shëndetësore.
— Si qenka katandisur ky, as në klinikën më të mirë të botës nuk do t’i
bëhej dot derman, u shpreh i hidhëruar mjeku i burgosur pas ekzaminimit. –
Dëmtimi i rëndë i kolonës vertebrore, humbja e shumtë e gjakut dhe djegia
kanë sjellë pasoja fatale për shëndetin e tij. Frymëmarrja, që s’i ndihet fare,
dhe pulsi i mekur tregojnë se Mirjani po jeton orët e fundit.
Mjeku me infermierin filluan t’i pastronin me kujdes vendin e djegur dhe
plagët në kokë e në trup. Këtë po e bënin më tepër për të lehtësuar
ndërgjegjen e tyre, sesa gjendjen e rënduar në ekstrem të të sëmurit. Pastrimi
fizik po e përgatiste Mirjanin për në botën tjetër, ku shpirti i tij i pastër do të
merrte me vete gjithë arsenalin mizor të torturave, që i dhuruan
bashkatdhetarët e tij.
Pas tri orësh, djaloshi 22 vjeçar ndërroi jetë. Ishte ditë e mërkurë.
Të nesërmen i erdhën dy motrat për ta takuar. Oficeri i rojës lajmëroi
komandantin e kampit. Ky thirri mjekun oficer dhe i kërkoi raportin mjekësor
të vdekjes së Mirjanit. Të tre u këshilluan një copë herë në zyrën e oficerit të
rojës. Një polic i lajmëroi motrat e Mirjanit që të shkonin tek zyra. Ato u
afruan atje të ndrojtura, ndërkohë që të tre oficerët ishin çuar në këmbë.
Fjalën e mori komandanti i kampit:
— Me keqardhje ju njoftojmë se, si pasojë e një aksidenti në minierë, vëllai
juaj ka humbur jetën.
Motra e vogël u shemb përtokë pa ndjenja, kurse tjetra u shkreh në vaj,
duke përsëritur me përgjërim emrin e vëllait.
Tri forma të përçudnuara të «Njeriut të Ri»…
1
Para portës prej nga hynin në kamp të burgosurit që ktheheshin nga
miniera, ishin tri dërrasa të vendosura shtrirë. Ata duhej të ecnin
këmbëzbathur mbi to, kur policia bënte kontrollin e tyre fizik. Gjatë dimrit, tri
dërrasat mbuloheshin me një shtresë akulli dhe shkelja këmbëzbathur mbi to
ishte një torturë më vete.
Një natë që kontrolli i turnit të dytë po zhvillohej nën një rrebesh shiu në
mesnatë, polici i njërës prej brigadave nuk i detyroi të zbatheshin të
burgosurit. Ai u mjaftua vetëm me kontrollin në trup. Njëri prej të
burgosurve të kësaj brigade, i pajisur me cilësitë e njeriut të ri, e raportoi
policin në komandën e kampit për neglizhencë në detyrë. Policit iu tërhoq
vërejtje për tolerancën e manifestuar ndaj armiqve të popullit. Ndërkohë ai e
mësoi emrin e raportuesit.
Të nesërmen mbrëma, gjatë kontrollit të zakonshëm pas kthimit nga puna,
po ai polic u tha të burgosurve të brigadës së tij:
— Mbrëmë unë kam shkelur rregulloren e komandës, për shkak të motit
të keq. Nuk kam ndërmend të përsëris të njëjtin gabim sonte. Për këtë më ka
ndihmuar edhe një shoku juaj, të cilit i jam mirënjohës. Prandaj zbathuni pa
humbur kohë, para se të vini tek dërrasa e kontrollit.
Ndonëse binte përsëri shi, kontrolli u zhvillua sipas rregullores. Kur tek
dërrasa u paraqit një i burgosur i mirënjohur prej bashkëvuajtësve si
informator i komandës, polici i foli me zë të rreptë:
— Zhvish pantallonat, se diçka ke futur poshtë tyre!
I burgosuri iu bind urdhrit, duke u dridhur prej të ftohtit. Polici i shkundi
fort pantallonat, e kontrolloi atë në trup dhe e shtyu me forcë jashtë dërrasës,
në llucë, duke i shfryrë me inat:
— As kafshët nuk i kundërvihen vetvetes.
2
Një letër e çuditshme informative, e nisur prej kampit të Spaçit, kishte
mbërritur në MP të Brendshme. Nëpërmjet saj, akuzohej bariu i tufëzës
kolektive (term Ramizian) me stanin përballë kampit, se i nxirrte dhitë me
vonesë në kullotë (!).
Një ekip i kësaj ministrie, i ardhur në kampin e Spaçit për probleme të
ndryshme, u interesua edhe për këtë informacion, i cili nuk kishte lidhje as
me kampin e të burgosurve, as me repartin ushtarak e as me komandën e tij.
Mirëpo si letrat e nisura nga ushtarët e repartit, edhe ato të të burgosurve të
Spaçit, mbanin të njëjtën adresë. Nisur nga ky fakt, hetuesit e ministrisë
menduan se kjo letër duhej të ishte dërguar prej ndonjë ushtari të mobilizuar
rishtas, i cili kishte qenë bari. Kjo shpjegonte keqardhjen e tij për dhitë e
uritura.
Për çudinë e tyre, ata nuk e gjetën dot mes ushtarëve autorin e letrës.
Asnjëri prej efektivit ushtarak nuk e kishte mbiemrin Pando, si autori i letrës.
Të befasuar nga ky fakt, ata kërkuan ndihmën e operativit të kampit. Me të
mësuar mbiemrin, operativi njohu njërin prej informatorëve më të zellshëm e
më të bezdisshëm, të cilit i kishte tërhequr disa herë vërejtjen për teprimet në
informime të parëndësishme e të përsëritura. Për këtë arsye, Pando e niste
një pjesë të informacionit të tij drejtpërdrejt në MP të Brendshme.
Pando, arsimtar nga profesioni, i përkiste minoritetit grek. Kënaqësinë e
ekzistencës së tij e ndiente vetëm duke raportuar këdo e për gjithçka. Heqja e
së drejtës së informimit do të ishte dënim kapital për të.
Të nesërmen e identifikimit të autorit të letrës enigmatike, operativi i
tërhoqi vërejtjen Pandos faqe gjithë të burgosurve:
— Stefan, mos u merr me bariun e tufëzës e as me ndonjë dukuri tjetër të
jetës së lirë, prej së cilës je i privuar me ligj. Vëzhgimet e tua nuk duhet ta
kapërcejnë rrethimin e kampit, ndryshe janë të pavlefshme.
— Për të mirën e përgjithshme e kam bërë, zoti shef, iu përgjigj buzagaz
Pando, fytyra e të cilit nuk e dinte se ç’ishte skuqja në jetë.
3
Brigadat e turnit të tretë po shkonin në punë. Një Skodë me rimorkio u
preu rrugën tek një urë brenda rrethimit. Për t’iu shpëtuar rrotave të
rimorkios, dhjetë të burgosur dhe një polic u detyruan të kërcenin, prej një
lartësie 7 m, në shtratin e përroit. Të gjithë pësuan dëmtime fizike të
ndryshme, përfshirë edhe fraktura të rënda.
Të burgosurit e tjerë, me lejen e policëve, u përpoqën t’iu vinin në ndihmë
bashkëvuajtësve të dëmtuar. Midis këtyre ishte edhe Rexhep Mània, për të
cilin buzëqeshja e një polici vlente më tepër se një takim me familjen. Kur dy
bashkëvuajtës u afruan tek Rexhepi për ta ndihmuar, ky, ndonëse rënkonte
prej dhimbjeve, u tha me zë të dobët:
— Më lini njëherë për njëherë mua, por kujdesuni për komandant Gjonin,
që është këtu pranë.
Gjon quhej polici i rrëzuar.
Këtë ndodhí të pështirë e mësoi edhe mjeku i burgosur, i cili u dha
ndihmën e parë të dëmtuarve. Shumica e këtyre, ndër ta edhe Rexhepi, u
shtruan në infermierinë e kampit. Ata që ishin dëmtuar më rëndë i çuan në
spitalin e të burgosurve në Tiranë.
Midis dëmtimeve të tjera, Rexhepi kishte thyer edhe kockën e hundës.
Mjeku i burgosur, kirurg, u kujdes që pjesa e dëmtuar e hundës së Rexhepit të
bashkohej me pjesën tjetër jo në pozicionin e natyrshëm, por me një kënd të
dukshëm që nxiste të qeshurit. Lidhur me këtë veprim, i cili nuk ishte në
pajtim me parimet e mjekësisë, kirurgu i burgosur u tha shokëve më të afërt:
— Si mjek, nuk më lejohej ta shëmtoja në këtë mënyrë; si i burgosur
politik, po. Para se të jem mjek, unë jam njeri. Është e tmerrshme që viktima
të thërrasë «rroftë xhelati!» edhe duke dhënë shpirt. Ky tjetërsim poshtërues i
qenies njerëzore e meritonte një vulë turpi në fytyrën e pafytyrë.
…Por kishte edhe kështu
1
Një ditë, kur brigadat e turnit të tretë po ktheheshin nga puna, policët, si
zakonisht, veçuan tek porta e numërimit të burgosurit që nuk kishin realizuar
dot normën e detyruar të punës. Pasi u futën në kamp të burgosurit e tjerë,
oficeri i rojës u dha urdhër policëve t’i torturonin personat duarlidhur, që po
prisnin ç’do të bëhej me ta. Një veprim i tillë nuk lejohej nga rregullorja e
komandës së kampit, në bazë të së cilës ndëshkimi fizik i të burgosurve duhej
bërë vetëm në korridorin e birucave, ose në dhomën e posaçme afër portës së
madhe.
Kishte disa minuta që policët, e bashkë me ta edhe oficeri i rojës, po
godisnin të burgosurit, kur ushtari i truprojës më të afërt të rrethimit
ndërhyri energjikisht, duke i kaluar fishekun në gojë armës:
— Ndal! Ndërprisni menjëherë çdo veprim, përndryshe do të hap zjarr.
I ndërgjegjshëm për shkeljen e rregullores dhe i befasuar prej ndërhyrjes
së ushtarit, oficeri i rojës u detyrua të tërhiqej.
Pak më vonë, me urdhër të oficerit të rojës, ky ushtar u zëvendësua në
truprojën e shërbimit. Të nesërmen e nisën për në Tiranë, në hetuesi. Ashtu si
ligjet, edhe rregulloret nuk duhej të zbatoheshin kurrë në mbrojtje të armiqve
të partisë.
2
Ndreca kishte dëgjuar të flitej për kampin e Spaçit por ato që përjetoi atje,
qysh muajin e parë që u vesh polic, nuk i kishte imagjinuar dot kurrë. Ai e
ndjeu shpejt se vendi i punës që kishte zgjedhur nuk ishte për të, por i vinte
rëndë ta braktiste menjëherë, gjersa kishte bërë kërkesë me shkrim për tu
punësuar atje. Rrahja e të burgosurve prej policisë e kishte tronditur në
ndërgjegje. Ai vetë e kishte ndarë mendjen për të mos prekur të burgosur me
dorë. Megjithatë e kuptonte se në atë vend pune ishte e vështirë t’i ruante
duart të pastra.
Pas periudhës së instruktimeve, Ndrecën dhe policët e tjerë të rinj i
caktuan fillimisht si ndihmës të kolegëve të tyre me përvojë, të cilët
shoqëronin brigadat e punës në minierë. Edhe atje Ndreca, ndryshe prej të
tjerëve, përpiqej ta evitonte përdorimin e dhunës.
Në kuadër të stërvitjes së policëve të rinj për tu përballur me të papriturat
e mundshme të kampit të Spaçit, komanda organizoi një lojë të posaçme. Në
kamp u futën njëherësh një numër i madh policësh të vjetër e të rinj. Të
burgosurit vazhdonin normalisht veprimet e tyre të zakonshme. Papritur
shefi i policisë u dha urdhër që ata të hynin menjëherë nëpër dhomat e tyre të
fjetjes. Policët, të porositur qysh më parë për këtë aksion, i sulmuan me
shkopinj gome të burgosurit. Veçanërisht policët e rinj tregoheshin të
papërmbajtur në demonstrimin e aftësive të tyre terroriste para syve të shefit,
i cili, me duar të kryqëzuara mbi gjoks, po ndiqte me sy veprimet e nxënësve
të tij.
— Mbaje atë të shëndoshin në vend, Gjin, të vij ta godit edhe unë ca herë
me shkopin e ri të gomës, se ky plaku u rrëzua me goditjen e parë.
— Mos e lësho atë cubin me bluzë gri, Pjetër, se po vij t’ia tregoj mirë
burrninë.
— Mos i lini t’i ngjisin shkallët ata të tre atje, se janë të fundit e mandej do
të ngelemi pa punë.
Thirrje të tilla ilustronin pasionin policor të këtyre reprezaljeve pa shkak.
Me shkopin e gomës në dorë, Ndreca qëndronte në këmbë para stendës
ku afishohej shtypi. Nuk po kuptonte asgjë pse po ushtrohej kjo dhunë mbi të
burgosurit. Shefi i policisë e vuri re pasivitetin e Ndrecës, iu afrua pranë dhe
e pyeti:
— Po ti pse qëndron sehirxhi, apo të vjen keq për armiqtë e partisë? Pse
nuk i godit të burgosurit?
— Përse duhen goditur, çfarë bënë?
— Atë e di komanda e kampit, që ka dhënë urdhër për këtë punë. Ti, si
polic, je i detyruar të zbatosh urdhrin.
— Jo, unë nuk pranoj të rrah njeri, qoftë edhe me urdhër. Rregullorja e
kampit parashikon forma të tjera të ndëshkimit fizik, por jo rrahjen.
— Rregullorja na ka bërë ne, apo jemi ne që e kemi bërë rregulloren? Me
këtë mendje që paske ti, kot e ke marrë përsipër detyrën e policit. Më mirë
dorëzo kapelën dhe shko në shtëpi.
— Urdhëro kapelën dhe shkopin e gomës. Unë më parë e vras një burrë,
sesa ta qëlloj me shkop gome.
— Eja shpejt lart, tek zyrat, e urdhëroi shefi me zë të rreptë.
Pas ballafaqimit në komandën e kampit, Ndreca i la lamtumirën
uniformës së krimit.
Disa muaj më vonë, ai filloi punën si seleksionues kampionesh në minierë
për analizat e shtresave të mineralit në laboratorin gjeologjik. Të burgosurit e
përshëndesnin gjithë respekt, kur shkëmbeheshin me të në galeritë e
minierës.
3
— Grua, sëpatën dhe kosoren, me të cilat kam mbajtur familjen kaq kohë,
ruaji në një vend të veçuar, t’i kemi si kujtim të periudhës së parë të
bashkëjetesës sonë.
Ditën që i tha bashkëshortes këto fjalë, Pali ishte emëruar përgjegjës
sektori në ndërmarrjen e mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të pyjeve në rrethin e
Pukës. Për dymbëdhjetë vjet me radhë ai nuk i kishte ndarë nga dora sëpatën
dhe kosoren. Me to kishte rritur katër fëmijë, për të cilët kujdesej e shoqja
shtëpiake.
Pali e shkelte përditë me këmbë territorin pyjor të sektorit që drejtonte. Ai
e njihte mirë pyllin. Nevojat e punonjësve, gjithashtu. Këto përpiqej t’i
plotësonte sa më mirë, brenda mundësive që kishte. Pas dy vjetësh, sektori i
tij dallohej si më i miri i gjithë ndërmarrjes. Punonjësit, shokë të tij kaq vjet, e
donin dhe e respektonin shumë.
Pali kishte gjashtë vjet që e ushtronte këtë detyrë, kur në Qafë-Bar u ngrit
kampi i të burgosurve politikë, me të cilët do të shfrytëzohej miniera.
Shtëpinë e banimit e kishte afër këtij kampi.
Një ditë dimri në të errur, Pali po kthehej në shtëpi. Binte shi i imët e bënte
ftohtë. Kur po kapërcente rrugën automobilistike, i zunë sytë një zjarr të
vogël rrëzë një pishe. Rreth zjarrit shquheshin silueta njerëzish të mbuluar me
plastmas, për tu mbrojtur prej shiut. Meqë zjarri mbetet armiku më i madh i
pyllit, përgjegjësi i sektorit u drejtua për atje. U afrua pranë njerëzve që
ngroheshin dhe i përshëndeti. Ishin dy gra dhe dy fëmijë nga 10-12 vjeç secili.
— Nga jeni e ku po shkoni? i pyeti Pali.
— Jemi prej Durrësi e atje shkojmë, u përgjigj njëra prej grave. – Kemi tri
orë që presim makinë, por ato kalojnë e nuk ndalojnë të na marrin.
— Ku keni qenë?
— Kemi takuar njerëzit tanë të burgosur këtu, në kamp.
Pali e kuptoi arsyen pse nuk ndalonin makinat për t’i marrë.
— Në këtë orë nuk punojnë më kamionët e transportimit të mineralit. Si
do të bëni?
— Do ta gdhijmë natën nën plastmas, duke pritur mëngjesin. S’kemi
ç’bëjmë tjetër.
Atij malësori me sedër e me tradita i erdhi rëndë t’iu thoshte natën e mirë
dy grave të vetmuara shqiptare me dy fëmijë, në mes të pyllit e të errësirës,
në një natë dimri me shi.
— Është vonë për të pritur akoma makinë. Ejani me mua në shtëpi, ta
kaloni natën me gruan e me fëmijët e mi.
Pas një ngurrimi të çastit, gratë e frikësuara nga nata, që po binte me
shpejtësi, pranuan të shkonin me të.
Të nesërmen, në mëngjes herët, Pali i shoqëroi ato deri në rrugën
automobilistike. Atje u interesua e u gjeti një makinë për në Laç. Dy gratë dhe
fëmijët e falënderuan me gjithë zemër bamirësin e tyre.
— E, Pal, paske pasur miq sonte, ë? i foli një polic i kampit të Qafë-Barit, i
cili kishte zënë vend në kabinë, pas shoferit.
Ai i mbante mend gratë që kishin bërë takim të djeshmen me burrat e tyre
të burgosur.
Pas dy ditësh, Palin e thirrën në Komitetin e Partisë në Pukë.
— Është e vërtetë që ke strehuar në shtëpinë tënde dy familje armiqsh, që
kishin qenë për takim tek njerëzit e tyre të burgosur në kampin e Qafë-Barit?
— Unë kam strehuar në shtëpi dy gra shqiptare dhe dy fëmijë, të cilët po
dridheshin prej të ftohtit e frikës në mes të pyllit, natën në shi. Nuk dihej nëse
do ta gdhinin të gjallë atë natë dimri në mes të maleve, apo jo. Për të tjerat, as
jam interesuar e as më interesojnë.
Një javë më vonë, Palit iu komunikua shkarkimi nga detyra e përgjegjësit
të sektorit pyjor.
— Më vjen keq, Pal, se ti je një kuadër shembullor. Por ky vendim është
marrë nga lart, e sqaroi në mirëbesim drejtori i ndërmarrjes, i cili kishte
shumë respekt për të.
— Faleminderit për fjalët e mira. Për mua është më e rëndësishme të jem
njeri në radhë të parë, pastaj përgjegjës sektori pyjor.
Atë ditë Pali u kthye në shtëpi më herët se zakonisht.
— Grua, nxirri sëpatën dhe kosoren prej vendit ku i ke fshehur, se nesër
më duhet të shkoj në punë përsëri me to, e porositi të shoqen.
Vdekja që zbuti Tigrin
Për shkak të një dëmtimi të pjesshëm të syrit të majtë, të njohurit e vjetër e
thërrisnin Qorri. Ndonëse ky dëmtim fizik i kishte ndodhur qysh në fëmijëri,
Qorrit i pëlqente ta lidhte atë me luftën. Ai kishte marrë pjesë në luftë dhe
ishte plagosur në këmbë. Mirëpo, kur binte fjala për plagët e luftës, ai
pretendonte se ishte plagosur në kokë e në këmbë. Në të vërtet, ai ishte
rrëzuar nga shkallët dhe kishte rrezikuar jo vetëm syrin, por edhe jetën.
Qorri i kishte kaluar të 25 vjetët, kur kishte dalë partizan. Megjithëse me
shkollë fillore, ai kishte rënë në sy midis shokëve për shkathtësinë e tij. Për
këtë arsye e kishin emëruar komandant kompanie dhe e kishin anëtarësuar
në parti. Para se të merrte pjesë në luftë, Qorri nuk kishte ditur gjë se ç’ishte
propaganda. Prandaj premtimet e bujshme, për të ardhmen e pasluftës, ai i
besonte pa u bërë asnjë firo.
Anëtarësimi në parti dhe joshja e së ardhmes së pasluftës i kishin dhënë
një impuls të ri shkathtësisë natyrore të Qorrit. Ai u shqua, veçanërisht, për
rreptësinë e tij në gjyqet partizane. Kjo cilësi, e vlerësuar së tepërmi nga
partia, e bëri Qorrin anëtar të përhershëm të gjyqit partizan. Meqenëse kreu i
shtabit të përgjithshëm partizan e njihte personalisht Qorrin, ky u bë syri dhe
dora e tij në të gjitha goditjet që jepeshin prej gjyqit partizan. Kjo ia rriti së
tepërmi autoritetin në sytë e të tjerëve. Për ta, Qorri ishte hija e atij tjetrit.
Ai nuk ndryshoi profesion as pas luftës. Qorri u caktua instruktor dhe
përgjegjës i kompanisë së ekzekutimit. Ishte kërkesë e kreut të shtetit që ai të
merrte pjesë në ekzekutimin e personave të rëndësishëm dhe t’ia dorëzonte
me dorën e tij materialet filmike përkatëse.
I nxitur prej prirjes së tij shpirtërore drejt krimit, Qorri bënte më tepër nga
sa i kërkohej. Ai nuk lodhej së qeni i pranishëm në ekzekutime të
njëpasnjëshme nëpër rrethe të ndryshme të vendit, duke marrë pareshtur
shpirtra njerëzish në atë periudhë ekzekutimesh të bollshme të viteve ’40-’50.
Aktin e ekzekutimit të një njeriu Qorri e përjetonte me kërshërinë dhe
pasionin e një artdashësi për një vepër arti të arrirë. Kjo dukuri e
temperamentit të tij u bë shkak që bashkëpunëtorët t’i ngjisnin nofkën e dytë
në jetë: Tigri.
Në një rast, gjatë ekzekutimit të një gruaje, Tigri, në kundërshtim me
rregulloren përkatëse, sapo ajo ishte rrëzuar përtokë e goditur për vdekje,
kishte shkarkuar mbi barkun e saj një breshëri plumbash automatiku, duke
shkrofëtitur:
— U bë problem në Byronë Politike barku yt i ndyrë, nëse ishte plotë apo
jo, sikur do të bëhej kiameti për një armik më pak.
Një herë tjetër kryhej një ekzekutim me varje në litar. Gjatë shpirtdhënies
së mundimshme, të ekzekutuarit të mavijosur në fytyrë i kishte dalë gjuha
jashtë. Ndërsa për të pranishmit e tjerë kjo ishte një pamje e pakëndshme,
Tigri, i ngazëllyer, kishte provuar të bënte humor të pështirë:
— Sa e paska gjuhën! Me të mund të gatuhet një tenxhere paçe.
Në mesin e viteve shtatëdhjetë, kur Tigri ishte pranë të gjashtëdhjetave, i
vdiq djali i vetëm, i sapofejuar. Vdekjen e djalit ai nuk e përballoi dot si Tigër,
por si Qorr. U trondit shumë dhe e humbi përkohësisht dëshirën e
pashtershme për ekzekutime. Ai kërkoi dhe iu miratua e drejta për pushime
të zgjatura. Në përgjithësi Tigri nuk kishte bërë pushime vjetore, ngaqë nuk
ndiente të ngopur duke asgjësuar fizikisht armiqtë e partisë.
Pas vdekjes së të birit, Tigri u bë i zymtë dhe i mbyllur në vetvete. E shtoi
pirjen e duhanit dhe të alkoolit. Ai kishte dhe një vajzë, por ajo ishte martuar
larg Tiranës. Shkëputja nga puna bëri që ai ta ndiente edhe më tepër
zbrazëtinë familjare, të krijuar pas humbjes së djalit. Vetëm për vetëm me të
shoqen e hidhëruar në kulm, Tigri po e përballonte me vështirësi ftohtësinë e
mjedisit familjar. Në këto rrethana, ai vendosi të bëhej me fëmijë tjetër. Për
këtë e ndihmonte fakti që bashkëshorten e kishte shumë vjet më të re në
moshë.
Kur u bind për shtatzëninë e së shoqes, Tigri rifilloi punën. Mirëpo tani
nuk binte më në sy vullneti i tij i pamasë për të shkuar në mbarë vendin, sipas
gjeografisë së ekzekutimeve. Në mekanizmin e shpirtit të tij prej Kaini ishte
ndryshkur një ingranazh.
Disa muaj më vonë, Tigri drejtonte ekzekutimin e njëkohshëm të dy
personave. Ata ishin prej dy rretheve të ndryshme të jugut dhe ekzekutimi i
tyre i përbashkët do të kryhej në një zonë të pabanueshme të një rrethi të
tretë.
Në rrëzë të një vidhi të lartë ishte hapur një gropë e mjaftueshme për dy
persona. Pak para orës një pas mesnate, dy të dënuarit me vdekje ndodheshin
pranë vendit të ekzekutimit. Njëri prej tyre kishte qenë nëpunës shteti, kurse
tjetri bari. Ky ishte i veshur me rroba shajaku.
Të parin tek rrëza e vidhit çuan bariun. Ai ecte me hap të shtruar midis
atyre që e kishin mbërthyer nga krahët e prangosur pas shpine. Tjetrin e çuan
duke e mbajtur pothuajse peshë. Ai nuk nxirrte zë dhe nuk kundërshtonte
asnjë veprim të atyre që e shoqëronin, por nuk e zotëronte dot veten, për
shkak të një shkrehjeje të përgjithshme nervore. Kur e çuan buzë gropës, e
cila po i priste gojëhapur, ai nuk qëndronte dot në këmbë. Tigri urdhëroi ta
lidhnin dorë për dorë me të dënuarin tjetër. Bariu ishte shtatlartë dhe lidhja
me të alivanosurin do ta detyronte ta mbante peshë atë. Megjithëse po jetonte
minutat e lamtumirës nga kjo botë, ai kundërshtoi me forcë:
— Unë jam dënuar me vdekje, por jo me zvarritje për së gjalli. Dua të
goditem në këmbë dhe ashtu do të vdes.
Tigri dha një urdhër me zë të ulët. Njëri prej oficerëve të pranishëm e
goditi me një plumb revoleje pas koke të alivanosurin. Ky u shemb brenda në
gropë. Tjetri mbeti i vetëm përballë vdekjes.
Tigri urdhëroi “zjarr!” dhe armët u shkrehën. I godituri u lëkund dhe, në
vend që të rrëzohej në gropë siç pritej, u mbështet pas trungut të vidhit, duke
rrëshqitur përgjatë tij. Tigri me vartësit e tij shpirtmarrës nuk po u besonin
syve. Nga përvoja e tyre e gjatë në këto lloj punësh, vlerësohej praktikisht e
pamundur që një njeri, i goditur nga afër me plumba karabine, të mos
rrëzohej përtokë. Dukuria e jashtëzakonshme që po përjetonin shëmbëllente
si një ogur i zi, veçanërisht për gjendjen e tronditur shpirtërore të Tigrit. Atij
po i krijohej përshtypja se kjo skenë e pabesueshme ishte hakmarrje e
profesionit të hershëm për rikthimin në të, pas vdekjes së djalit të vetëm.
Pangopësia me gjak e me vdekje e shpirtit të tij makut po ndëshkohej në këtë
mënyrë.
Ndonëse rezistenca, për të mos u rrëzuar, e personit që po ekzekutohej po
zgjaste vetëm disa sekonda, në saje të rrëshqitjes pas trungut të vidhit, të
pranishmëve ekzekutorë u dukej sikur po kalonin minuta të tëra. Ngjarja që
po përjetonin mishëronte të pamundurën e bërë realitet dhe elektrizimi
emocional që u shkaktonte e shumëfishonte gjurmën e saj në kohë.
I turbulluar deri në humbjen e vetëkontrollit, Tigri bëri një veprim të
paimagjinueshëm më parë. Me sa zë kishte, ai urdhëroi për herë të dytë
“zjarr!”. Batareja e dytë e armëve u zbraz në çastin kur trupi i mbingarkuar
me plumba, pas një dridhjeje të përgjithshme, përfundoi në gropë.
Ekzekutorët morën frymë thellë dhe, sikur ta kishin bërë me fjalë, ndezën
cigare njëherësh. Rrugën e kthimit e bënë në heshtje të plotë.
Pas tri ditësh, Tigri paraqiti kërkesë me shkrim për të dalë në pension. Në
fund të muajit iu miratua. Prej asaj dite, ai u tërhoq tërësisht në jetën
familjare.
Ngjarja e fundit, me të cilën Tigri mbylli karrierën e gjatë si kryeekzekutor,
la gjurmë të thellë në ndërgjegjen e tij deri atëherë të shurdhër. Ajo i kishte
tejkaluar të gjitha parashikimet për të papriturat e mundshme, që mund të
haste Tigri gjatë ushtrimit të profesionit të tij prej Xhebraili. Fytyra e njeriut të
fundit të ekzekutuar me urdhër të tij nuk i shqitej prej syve, ndërsa zëri i tij
protestues, për të mos u lidhur me fatkeqin tjetër, i kumbonte në veshë.
Kjo ngjarje e jashtëzakonshme e kishte çarë digën e pandjeshmërisë së
Tigrit dhe vërshimi i kujtimeve të hidhura u bë i papërballueshëm për të.
Efekti i magjishëm i mrekullisë tronditëse të përjetuar natën e fundit të
ushtrimit të profesionit makabër e kishte thyer përfundimisht Tigrin. Dikur ai
e quante daljen në pension paradhoma e vdekjes, ndërsa pas asaj që i ndodhi ai
bëri kërkesë urgjente të hynte atje. E pabesueshmja, e përjetuar si realitet prej
tij, i imponoi nënshtrim ndaj së panjohurës së plotfuqishme. Ky reaksion
shpirtëror e shndërroi Tigrin në lepur.
Meqenëse përpjekja për ta harruar atë ngjarje po sillte tek ai efektin e
kundërt, Tigri zgjodhi një mënyrë origjinale të trajtimit të saj ––
vetëndëshkuese në pamje. Djalit që i lindi ai i vuri emrin e të ekzekutuarit me
rroba shajaku, viktimës së tij të fundit. Sa herë që përmendte emrin e djalit,
Tigri tashmë i zbutur kujtonte atë ngjarje të rrallë, prej së cilës ai u ndikua më
tepër nga gjithçka kishte parë e dëgjuar në jetë.
Për çdo vit sa qe gjallë, tri ditë para se të festonte përvjetorin e lindjes së
djalit të vonuar, ai shkonte në majë të një kodrine, përballë vidhit të
paharruar, dhe qëndronte dy orë i vetëm, duke pirë duhan e duke sjellë
ndërmend të kaluarën e tij. Për çdo herë, Tigri kthehej prej andej gjithmonë e
më i heshtur, më i zymtë e më pak tigër.
Urtësia e një të marri dhe marrëzia e të urtëve
Xhema ishte nga fshatrat e zonës kufitare të Kukësit. Me profesion, bari.
Në mesin e viteve shtatëdhjetë e arrestuan dhe e dënuan për agjitacion e
propagandë kundër pushtetit popullor. Një valë e nxehtë e luftës së klasave në
këtë periudhë e trefishoi numrin e të burgosurve politikë brenda katër
vjetësh.
Xhema ishte njeri i sinqertë deri në naivitet. Kjo veti e tij u shfrytëzua me
ligësi prej keqbërësve. Ndonëse kishte qenë pranë të dyzetave, Xhema nuk
kishte krijuar endé familje. Këtë dukuri Sigurimi i Shtetit e vlerësonte si
premisë për arratisje, kur bëhej fjalë për një banor të zonës kufitare. Për t’i
bërë parapritë në kohë kësaj të keqeje, një person i dyshimtë si Xhema bëhej
viktimë e nenit grykës 55 të Kodit Penal.
Xhema akuzohej për krim kundër shtetit lidhur me dy thënie të tij.
«Bari rritet më shpejt matanë kufirit, sesa nga ana jonë», ishte shprehja e
parë armiqësore e Xhemës. «Kooperativa bujqësore duhet prishur», ishte krimi
i dytë verbal i bariut kuksian.
Të dyja këto shprehje antiklasore kishin një emërues të përbashkët
armiqësor : mohimin e arritjeve të mëdha ekonomike të rendit socialist. Prirja
mohuese e Xhemës ndaj sukseseve të socializmit në Shqipëri, binte
veçanërisht në sy në vlerësimin e rritjes së barit. Udhëheqësi shqiptar kishte
deklaruar publikisht, se bari në Shqipëri mjaftonte për të ushqyer kafshët
edhe njerëzit.
Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, Xhema ngrinte supet i hutuar nga
sa po ndodhte në sallën e gjyqit. Ai e shoqëronte me një buzëqeshje të hidhur
shprehjen kërcënuese të prokurorit të seancës:
— I pandehur, ke shkelur ligjin me ndërgjegje.
Ngaqë kjo shprehje po i përsëritej shpesh, Xhema e humbi durimin në një
rast dhe ia ktheu fjalën prokurorit:
— Asha Zotin, si i keni shtru ju tanë rrugët me ligje, or zotni, na s’kena
ç’ka me ba tjetër: o me fluturu, o me shkelë mbi ligjet tuej.
Të pranishmit në sallë filluan të qeshnin mbyturazi.
Për vërtetimin e pjesës së dytë të akuzës, u thirr në sallën e gjyqit si
dëshmitar një bashkëfshatar i Xhemës. Meqenëse ky pretendonte se nuk e
mbante mend deponimin që kishte bërë në hetuesi, kryetari i seancës
gjyqësore filloi ta lexonte vetë deklaratën që kishte nënshkruar dëshmitari:
«Në marsin e vitit 1974 kooperativa jonë bëri analizën e realizimit të planit
të prodhimit për vitin e kaluar. Me këtë rast, kishin ardhur dy të deleguar
prej rrethit. Pas dy orë mbledhjeje, u bë një pushim. Shokët e kryesisë së
kooperativës bujqësore dhe të deleguarit e rrethit shkuan në klub. Ne,
fshatarët, ishim shpërndarë grupe-grupe, duke pirë duhan e duke biseduar.
Unë dhe Xhema rrinim bashkë përpara klubit, të ulur mbi dy gurë. Xhema,
duke shkundur llullën, më tha: Me katërdhet lekë për ditë pune, nuk ngryset jeta,
or lum miku. Me pasë njëzet burra të armatosun e me i vra tanë ata që po pijnë në
klub, kish me u prishë kjo kooperativë e mallkueme, që asht tuj na marrë shpirtin. »
Si mbaroi së lexuari deklaratën, kryetari i trupit gjykues pyeti
dëshmitarin:
— Kur i pandehuri Xhemë të shprehu këtë mendim armiqësor, çfarë i the
ti?
— Për besë, o Xhemë – i thashë – ba me u prish pernjimen kooperativa me
njëzet burra, i pari do të isha vetë në ballë të tyne.
Këtë herë të pranishmit në sallë nuk e mbajtën dot të qeshurën me zë të
lartë.
Kryetari i seancës, i nevrikosur e i fyer njëkohësisht, goditi tryezën me
grusht duke bërtitur:
— A e shikon, i pandehur, si e ke infektuar ndërgjegjen e fshatarëve të
ndershëm me helmin tënd ideologjik? Pa e kuptuar, ata bien viktimë e
armiqësisë tënde, duke iu kundërvënë në mënyrë të pandërgjegjshme rendit
tonë socialist.
Mjaftoi ky episod antiklasor që bariu kuksian të dënohej tetë vjet burg dhe
dënimin ta vuante vetëm në Spaç.
Xhema ishte i sëmurë nga zemra dhe nuk punonte në minierë. 600 gramë
bukë në 24 orë, me pak lëng të hidhur perimesh pa yndyrë, do të thoshte uri e
përhershme në klimën e ftohtë të Spaçit. Babai kishte kohë që i kishte vdekur,
ndërsa nëna ndodhej e shtruar në spital, kur e arrestuan Xhemën. Kishte dy
vëllezër të martuar, të cilët, të rënduar prej halleve të tyre familjare, nuk
kishin mundur ta ndihmonin në jetën e vështirë të Spaçit.
Pavarësisht nga cilësia e të ushqyerit, Xhema nuk e kishte provuar urinë
në fshat. Tundimi i saj çoroditës e nxori disi nga vetvetja bariun e qetë
kuksian. Ai hynte shpesh në mensë. Një kuzhinier prej rrethit të tij, i cili e
kishte njohur Xhemën para se të binte në burg, e thërriste tek sporteli mbasi
ndante ushqimin për të burgosurit e nëntokës. Edhe këta vetë i jepnin diçka
nga ana e tyre. Ndonëse i uritur, Xhema nuk e zgjaste menjëherë dorën për të
marrë nga kushdo atë ç’ka i ofrohej, pa kontrolluar më parë personalitetin e
bashkëvuajtësit, edhe pse bëhej fjalë për një dhuratë. Ai nuk pranonte të
merrte asnjë cigare prej të burgosurve hafije, apo atyre që i jepnin diçka për ta
fyer. Ishte për tu admiruar intuita e tij në përzgjedhjen e saktë morale të atyre
të burgosurve që Xhema i vlerësonte të padenjë për bamirësi.
I prekur në sedër prej lëshimit moral që i kishte lejuar vetes nën trysninë e
urisë, Xhema, si për të pajtuar firon e personalitetit me paraqitjen fizike, hoqi
dorë prej trajtimit të pamjes së tij të jashtme. Kuzhinieri kuksian pohonte se ai
e kishte mbajtur mjaft mirë veten në jetën e lirë. Edhe në burg binte në sy një
tregues i sjelljes së Xhemës, që vërtetonte fjalët e kuzhinierit. Ai i përkiste
numrit të vogël të të burgosurve, të cilët nuk i dërgonin ndërresat e
brendshme në lavanterinë e rëndomtë të kampit, por i lanin e i thanin vetë.
Mospërfillës ndaj paraqitjes së jashtme, në shikimin e parë Xhema u
krijonte përshtypjen e gabuar të tjerëve, se nuk e përjetonte në thellësi
mjerimin spaçian. Oficerët e kampit dhe policët e thërrisnin Marrak. Xhema
nuk shqetësohej fare për këtë dhe sillej sikur nuk vinte re asgjë nga ç’ndodhte
përreth tij. Në të vërtet gjithçka rridhte ndryshe<
Nën leckat e përçmuara të burgut, tek ky gjysmëjeremit vegjetonte një
krijesë e ndjeshme ndaj shumë dukurive të atij mjedisi tjetërsues, të cilat nuk
u bënin edhe aq përshtypje shumë të burgosurve të tjerë, që nuk e përfillnin
për të gjallë Xhemën. I vetmuar e përherë me hap të menduar, Xhema endej si
hije nëpër oborrin e kampit, duke u krijuar përshtypjen të tjerëve, se ai nuk
shikonte as vendin ku hidhte hapin.
Në përgjithësi, nuk kishte dëshirë të komunikonte me njeri. Falë ngujimit
në vetvete, Xhema e kishte perfeksionuar së tepërmi aftësinë e shmangies së
ngacmimeve keqdashëse. Përshëndetjet e robërve të Zotit – siç i quante ai të
burgosurit e respektuar – nuk i linte pa përgjigje. Ndonjëherë bënte edhe
shaka kalimthi me ta.
Me shtat të mbushur mesatar të mbuluar prej kapotës së murrme edhe në
verë, me opingat prej llastiku të burgut të mbathura me pece të rëndomta, me
pantallonat që dukeshin si të njollosura kastile, me fytyrë mishtake të
parruar, portreti i Xhemës bënte efektin e një antireklame, sesi nuk duhej
katandisur qenia njerëzore. Një shikim i veçantë i syve të tij të mbyllur
përgjysmë dhe tkurrja karakteristike e cepave të buzëve rrezatonin përqark
hijen e një buzëqeshjeje të përhershme ironizuese. Ndaj kujt dhe pse?
Ndoshta kushdo që e shikonte Xhemën në burg kishte pjesën e tij në
reflektimin e heshtur të kësaj ironie të mprehtë. Komanda dhe policia e
kampit si shkaktarë të tjetërsimit të sforcuar që ushtronin, bashkëvuajtësit për
mosnjohjen e Xhemës së vërtetë dhe vetë qenia e tij fizike, për hir të së cilës
ishin tkurrur visaret moralo-shpirtërorë, fshikullohej prej këtij reflektimi së
brendshmi të tyre. Në rrezatimin ironik të kësaj buzëqeshjeje të hidhur gjetën
pjesën e tyre, ndofta më të trishtueshmen, edhe dy vëllezërit e Xhemës, kur
erdhën ta takonin për herë të parë katër vjet pas arrestimit.
— Unë kam dekë tash katër vjet për ta. U thoni me shku pranë grave të
tyne e mos me u rropatë me një të dekun, i tha Xhema tellallit të kampit, kur e
lajmëroi për takim.
Me këmbënguljen e oficerit të rojës, i cili ishte po prej Kukësit, Xhema u
detyrua të shkonte tek porta e jashtme e kampit, ku e prisnin vëllezërit. Këta
u zbehën në fytyrë dhe u përlotën, kur mezi arritën ta njihnin nën pamjen e
tjetërsuar. Xhema e vuri re këtë dhe u foli pa i përshëndetur:
— Janë tepër të vonu kta lotët tuej. Duhej me i derdhë nji her’ e mirë ditën
e arrestimit tem dhe tash do isha i harru krejt prej t’tanëve.
— Xhem, mos na fol ksisoj. Na të kena dasht e të dum përher, por nuk na
kan lan hallet tona me t’ardh me t’taku.
— E sot, pse ini mundu kot? Un nuk jam ma Xhema që kam ken dikur dhe
nuk i vlej ma lotët tuej. Un tash kam msu me lyp e s’më skuqet ma faqia prej
shtrimjes dorës. E kam vra turpin, për me jetu vet. Çdo mbramje un mbledh
bishta cigaresh përtok e nesëret i shkoq në llullën teme. Gjallesa ime tash asht
turpi juej e ju s’duhet me ardh me kqyr turpin tuej.
Me këto fjalë lënduese, ai u ktheu krahët pa i përshëndetur dy vëllezërve
të tronditur e të hutuar.
— Xhem, thirri vëllai i vogël – kena ardh me të njoftu vdekjen e nanës.
— Shpejt kam me shku me e taku n’arihet; atje besoj se kam me taku dhe
ju nji dit.
Kur po zbriste shkallët për tek sheshi i rreshtimit të të burgosurve,
Xhemën e arriti operativi i kampit, i cili e kishte ndjekur me sy takimin me të
vëllezërit.
— Pse nuk i more ushqimet që të kishin sjellë vëllezërit, Marrak? e pyeti
me një buzëqeshje dashakeqe. – Apo të pëlqen më shumë spinaqi i kampit, se
ka hekur?
— Më pëlqen ma tepër spinaki i kampit, se ka çelikun e partis mren, ia
ktheu Xhema i revoltuar oficerit të Sigurimit, që po e ngacmonte dhe në ato
çaste dëshpërimi.
— Këput qafën, Marrak i poshtër! klithi operativi i egërsuar prej ironisë
therëse të Xhemës, i cili po i përmendte emrin e kombinatit metalurgjik të
Elbasanit.
Operativi e shtyu fort me të dy duart; Xhema u rrokullis nëpër shkallët e
pjerrëta, duke shembur brinjët.
Prej asaj dite, operativi i porositi policët e kampit të tregoheshit më të
vëmendshëm e më të rreptë me Xhemën.
Një mbrëmje, ndërsa Xhema ishte duke shikuar në këmbë televizorin,
njëri prej policëve të shërbimit të brendshëm iu afrua pranë e i tha:
— E, Marrak, e shikon se ç’bën partia jonë zemërmadhe? U sjell televizor
edhe armiqve të saj, në vend që t’iu fus nga një kokërr plumbi pas kokës.
Xhema tundi kokën në mënyrë mjaft shprehëse dhe iu përgjigj duke
picërruar sytë:
— A e din pse asht tuj e kursy partia zemërmadhe at kokërr plumbi, o
komandant? Ka hall se na pështojmë prej vuejtjeve e asaj nuk ka kush me i
nxjerr bakër e pirit falas.
— Eja shpejt pas meje, përndryshe të tërhoqa zvarrë, iu kanos polici
provokator.
Ai e çoi Xhemën tek dhoma e ndëshkimit fizik, ia prangosi fort duart pas
shpine dhe e goditi disa herë me grushte e shkelma. Pastaj u ul ndanë
tavolinës, nxori prej sirtarit një copë bukë me marmelatë dhe filloi ta hante
me sytë tek Xhema. As ky nuk e ndante shikimin prej policit.
— Pse më shikon ashtu, si dac? Apo mos do të të ushqej me bukën time
dhe ty, Marrak? e pyeti polici duke shpërndarë thërrime nga goja.
— Jo, falemnerës, komandant, e të baft mir buka e partis! Ke pas të drejt
pak ma par, kur më the se “partia e ka zemrën të madhe”. Asha Zotin,
njashtu është, gjersa asht tuj u ushqy ju policëve me buk e marmalat.
Meazallah, me ba vaki me ju ushqy me mish! Mjer na ç’do hekshim! Kishit me
na shky krejt.
I tërbuar nga inati, polici e goditi Xhemën me copën e mbetur të bukës
dhe e çoi drejt në birucë.
Një ditë tjetër, tellalli lajmëroi gjithë të burgosurit, se do të organizohej një
mbledhje me komisarin e kampit. Ishte koha e një propagande të shfrenuar
kundër ideve të Mao Ce Dunit të frymëzuara prej filozofëve të lashtësisë
kineze, Konfucit dhe Mencit. Komisar Shahini djersinte kur shkruante me
vështirësi edhe emrin e tij. Sa më shumë dëgjonte të flitej për kinezëritë, aq më
tepër i çoroditej mendja e ngrirë në frigoriferin ideologjik të partisë.
Në atë mbledhje komisari shoqërohej prej operativit të kampit,
zëvendëskomisarit dhe kryetarit të Zyrës Teknike – një i burgosur i
rehabilituar. Një togë policësh qarkullonte nëpër mensë, për të siguruar
mbarëvajtjen e mbledhjes. Kur katërshja e lartpërmendur zuri vend tek tryeza
e mbuluar me beze të kuqe, komisar Shahini mori fjalën:
— Pavarësisht se ju jeni të burgosur politikë, partia jonë nuk ju a fsheh
problemet ideologjike, që kanë lindur kohët e fundit midis saj dhe
udhëheqjes kineze. Mao verdhacukut i duket vetja sikur është dielli i
komunizmit. Për partinë tonë, ai është një hiç me bisht dhe nuk na i bën syri
tërrt, pse u prishën marrëdhëniet me të. Partia jonë nuk ka pyetur e nuk po
pyet prej imperialistëve e revizionistëve, që na rrethojnë, e jo më nga Mao
qosja në Çinmaçin, siç thotë populli. Udhëheqësi i lavdishëm i partisë sonë u
përpoq shumë t’ia qartësonte gabimet e rënda ideologjike Mao matufit, për të
mos dalë prej shinave të marksizmit. Mirëpo atij i është bërë mendja tym nga
shënimet e Kocufit e Macit, të cilët kanë qeverisur Kinën para tij. Eh, pak na
bën ne, se u tërbua Mao sytullumbacja! Për partinë tonë ka rëndësi të shtjerë
në dorë sa më parë shtatë formulat e Hoxhë Tahsinit, të cilat mund t’i
zbërthejë vetëm një njeri në botë: udhëheqësi i lavdishëm i partisë sonë.
Imperialistët e kanë marrë vesh se po u zbërthyen ato formula, fiton
komunizmi në të gjithë botën dhe po u shkon drapër nga frika. Ata po bëjnë
çmos që ato formula të mos bien në dorë të udhëheqësit tonë të lavdishëm
dhe NATO po i ruan në një kryqëzor me roje të shumtë. Por, të shohim, a do
t’i ruajnë dot deri në fund apo jo – shtoi me një ton krenar komisari, i
vetëkënaqur në kulm prej ligjëratës që kishte mbajtur.
Pjesëtarët e tjerë të presidiumit kishin ulur kokat, duke e ndier veten
ngushtë prej përçartjeve të komisarit para të burgosurve. Këta mezi po e
mbanin të qeshurën, që do t’i përplaste me policinë.
Komisar Shahini, të cilit i shndriste fytyra prej kënaqësisë, iu drejtua të
burgosurve:
— Kush ka ndonjë pyetje për sa u fol, le ta bëjë.
Të burgosurit e dinin nga përvoja, se ky ishte momenti më kritik i
mbledhjes dhe nuk e thyen heshtjen.
Papritur u dëgjua prej fundit të sallës zëri i Xhemës me zhargonin e tij
karakteristik:
— A përtypen dot njato shtatë formula, që paskan kenë shtatë mrekulli, o
zotni komisar?
— Çohu në këmbë, kur flet, Marrak, dhe largoje një herë nga mendja
përtypjen. Përsërite pyetjen me zë më të lartë.
Xhema u çua me përtesë në këmbë dhe foli me zë më të fortë:
— Pyeta nëse hajen njato formulat që përmendët ju, o zotni komisar. Në
rast se hajen, ka rrezik me u mbaru zahiretë atyne rojave të shumtë në
kryqëzuer e na hajnë edhe formulat. Ec e gjeji, mandej, njato të shkreta, kah
po dalin ata jasht në oqean.
— Të hëngrët dreqi ty e mendjen tënde të mbrapshtë, Marrak i djallosur!
shfryu komisari. – E çoni në birucë këtë ters, që çdo gjë e nis me të ngrënë dhe
e përfundon në WC, i urdhëroi ai policët.
Kur Xhema duarlidhur, i kapur prej krahëve nga dy policë, iu afrua derës
së mensës, afër së cilës ishte tryeza me beze të kuqe, operativi u bëri shenjë të
ndalonin. Si i hodhi një shikim përbuzës Xhemës, ai iu skërmit:
— Hiqesh budalla ti, Marrak, por je shejtan budalla. Veç mos harro se, kur
të rrahu policia herën e fundit, nuk t’i mbajti dot prapanica gazrat e sforcuar,
paçka se hiqesh si burrë malësie.
Ndërsa operativi po shqiptonte fjalët e fundit, Xhema ngriti kokën dhe
fiksoi mbi të një shikim të egërsuar. Pastaj iu përgjigj me zhargonin e
zakonshëm:
— Asha Zotin, ke të drejt, o zotni operativ. Kur të sulet socialismi në
shpinë si egërsinë e tërbueme, nuk ka prapanicë burri me i mbajt njato të
ngrata që pati nerin me i përmend goja jote fisnike. Aní, njashtu kanë vepru
edhe prapanicat e mëdhaja që kan ken ulun në kolltukt e naltë të sociailismit,
kur ky i hangri si buçja këlyshët e vet.
— Qërohu prej këtej, armik i ndyrë, ulëriti operativi, i bërë spec në fytyrë.
Dy policët e tërhoqën Xhemën zvarrë, duke e goditur me grushte e
shkelma, derisa e përplasën në birucë.
Amaneti pa adresë
Ata ishin tre shokë që i lidhte profesioni. Pushimet vjetore i kalonin
gjithmonë bashkë. Të tre ishin të privilegjuar të kohës. Ky fakt u garantonte të
drejtën e zgjedhjes së muajit dhe të qendrës më të pëlqyer të pushimit.
Zakonisht pushonin në muajin gusht. Ata nuk shkonin asnjëherë në të njëjtën
qendër pushimi dy vjet rresht. Njërin vit frekuentonin plazhin, ndërsa vitin
pasardhës pushonin në klimë malore.
Në larminë e përzgjedhjeve të tyre, qendra më e preferuar e pushimit
mbetej Dhërmiu. Gjelbërimi i harlisur dhe qetësia e plotë e këtij këndi të
kaltër i joshte tre shokët bashkëpushues të ktheheshin çdo tre-katër vjet në
shtëpinë e pushimit në Dhërmi.
Rregullin e pushimeve të tyre ata e prishën vetëm në gushtin e vitit 1972.
Bile prishja e rregullit në këtë rast qe e dyfishtë. Ata jo vetëm që shkuan dy
herë rresht në plazh, por të dy herët shkuan në Dhërmi. Në realitet, deri në
mesin e muajit korrik, ata e kishin pasur në plan t’i kalonin pushimet e atij
viti në Razëm të Shkodrës. Pikërisht në mes të korrikut dy prej shokëve u
nisën me shërbim jashtë shtetit. Kur u kthyen, e gjetën me mendje të
ndryshuar Abeun, shokun e tretë. Ky gëzonte një lloj vetoje shoqërore midis
tyre, ngaqë tregohej gjithmonë i gatshëm t’ua plotësonte dëshirat shokëve,
ndërsa vetë nuk shtronte kërkesa të njëanshme. Mirëpo këtë herë Abeu kishte
qenë i prerë në vendimin e tij:
— Si gjithmonë, unë dëshiroj të pushojmë së bashku edhe sivjet, por, për
shkak të një arsyeje të fortë personale, nuk e ndryshoj dot vendimin që kam
marrë: më duhet t’i kaloj pushimet patjetër në Dhërmi. Ndërkohë nuk më
mbetet hatri fare që ju të pushoni në Razëm, siç e kishim parashikuar.
— Për ne të dy është më e vështirë të ndahemi prej teje, sesa të shkojmë
përsëri në Dhërmi. Tekefundit kjo ka qenë qendra më e preferuar e pushimit
për ne. Aq më tepër që na nxit edhe kureshtja, për të zbuluar enigmën e
vendimit tënd.
Rrugën Tiranë–Dhërmi e bënë me një veturë luksoze. Ishte ditë e nxehtë
dhe pushuan disa herë gjatë udhëtimit për tu freskuar. Rreth orës pesë
pasdite iu afruan Llogorait. Kur filloi ngjitja e rrugës malore, ku ndihej
freskia e ajrit të pishave, Abeu filloi t’i bënte bisht bisedës me shokët, duke
lënë të kuptohej se i pëlqente heshtja. Dy të tjerët, duke mos dashur t’ia
cenonin qetësinë ëndërrimtare, nisën të bisedonin me njëri-tjetrin me zë të
ulët.
Udhëtimi me veturë luksoze mes gjelbërimit të pishave e bredhave, nëpër
degët e të cilëve fishkëllente ajri i freskët malor, krijonte një mjedis romantik
meditimi. Por Abeu, me shikimin e tretur në masivet e gjelbër pyjorë që i
parakalonin në xhamin anësor, dhe mendjen shumë larg prej tyre, as nuk
dëgjonte bisedën e shokëve dhe as nuk shijonte bukurinë natyrore përmes së
cilës udhëtonte.
Kur dolën në Qafë të Llogorait, përballë detit Jon, Abeu propozoi të
pushonin përsëri. Zbritën nga vetura dhe u ulën në hijen e një pishte të
madhe. Prej aty e soditnin kaltërsinë e Jonit si prej një ballkoni gjigant me
lartësi një kilometër. Në magnetofonin e tyre dëgjohej një këngë e huaj,
shumë e preferuar në atë^periudhë. Njëri prej shokëve fishkëllente ulët sipas
ritmit të këngës, tjetri përplaste lehtë duart, ndërsa Abeu pinte cigare në
heshtje dhe<
Vetëm disa ditë më parë, ai e kishte përshkruar përsëri këtë rrugë, në orë
të vona të natës. Udhëtohej me disa makina që po ndërmerrnin një shtegtim
sekret, drejt një vendi të fshehtë në brigjet e detit Jon. Në një gaz BÇ ndodhej
një i dënuar me vdekje. Atë natë ai do të ekzekutohej diku më tutje, në ata
brigje të heshtur, qetësinë e frikshme të të cilëve në ato orë strehë vdekjeje e
prishte vetëm shushurima e valëve të detit. Këto valë të palodhura do të ishin
dëshmitaret e heshtura të asaj që do të ndodhte atje e që do të kushtonte një
jetë njeriu.
Ndoshta për të pasur valët e detit si dëshmitare të vetme të lamtumirës së
tij nga jeta, i dënuari me vdekje kishte kërkuar të pushkatohej në brigjet e
detit Jon. Atë natë ai bënte udhëtimin e fundit në jetë, ndërsa të tjerët do të
ktheheshin me një pasagjer më pak e me një krim më shumë në arsenalin e
kobshëm të veprimtarisë së tyre.
Abeun nuk e lidhte asgjë drejtpërdrejt me këtë procesion vdekjeje. Për hir
të profesionit të tij të veçantë, sa të rëndësishëm aq edhe delikat, atij dhe
kolegëve të tij u rezervohej e drejta për të asistuar si vëzhgues, nëse
dëshironin, në ekzekutimin e personave të dënuar me vdekje, të cilët ishin
shquar për kurajë të madhe në hetuesinë torturuese dhe në gjyqin e vrazhdë
të diktaturës. Vëzhgimi nga afër i vdekjes heroike të njerëzve të rrallë me
nerva të çelikta shërbente si një leksion praktik për përgatitjen psikologjike
tepër të nevojshme në profesionin e Abeut dhe të kolegëve të tij. Kur Abeut i
ishte bërë ftesa për rastin e fundit, dy shokët e tij ndodheshin jashtë shtetit me
shërbim. Ishte kjo arsyeja që ata nuk orientoheshin dot lidhur me shkakun e
vendimit të tij të papritur, për t’i kaluar pushimet verore sërish në Dhërmi.
Edhe atë natë makinat kishin ndaluar disa minuta pikërisht aty, në Qafë të
Llogorait. Shumica e udhëtarëve kishin zbritur për shërbime personale, apo
për tu shpirë pak. Edhe atë natë Abeu ishte ulur në rrëzë të po asaj pishe dhe
kishte ndezur cigare. Kishte qenë një natë e bukur vere. Hëna ishte e plotë
dhe sipërfaqja e detit shkëlqente si pasqyrë e praruar.
Abeut i kishte bërë përshtypje kërkesa e të dënuarit me vdekje, për ta
ekzekutuar përballë detit Jon. Fjala e tij e mbrojtjes, para se t’i komunikohej
vendimi i dënimit, e kishte befasuar trupin gjykues:
— Nuk kërkoj e as pres falje prej jush. Unë e di mirë se ju nuk do të më
dënonit dot me vdekje kundër dëshirës së atij shteti, në favor të të cilit unë
akuzohem se paskam kryer veprimtari agjenturore. Për këtë arsye, edhe sikur
të donit, ju nuk ma falni dot jetën. Unë e di më mirë nga ju pse duhet të
vritem. Në adresë tuaj kam vetëm një kërkesë, e cila nuk lidhet me jetën time,
por me vdekjen. Dëshiroj të ekzekutohem përballë detit Jon. Po ma plotësuat
këtë dëshirë, nuk do të ndiej urrejtje ndaj jush, pse po nënshkruani dënimin
tim me vdekje, të cilin e ka vendosur tjetërkush.
Dy muaj më vonë, kur i ishte komunikuar vendimi i Gjykatës së Lartë për
dënimin e tij me pushkatim, ai kishte përsëritur të njëjtën kërkesë:
— Nuk prisja ndryshim vendimi për dënimin tim me vdekje, por dëshiroj
të më pushkatoni në brigjet e detit Jon. Besoj se nuk ju kushton gjë plotësimi i
kësaj kërkese, mbasi dy metra katror nga kjo tokë e huaj unë do t’i zë, kudo
që të pushkatohem.
Abeu i kishte lexuar fjalët e tij në një material shkresor, të cilin ia kishin
dorëzuar së bashku me ftesën për të asistuar në këtë ekzekutim. Reagimet
kurajoze në hetuesi e në gjyq premtonin një qëndrim burrëror të të dënuarit
me vdekje edhe në vijën e pushkatimit. Për të ardhur kjo minutë fatale, nuk
duhej të kalonte më tepër se një orë prej çastit kur Abeu kishte flakur tej
bishtin e cigares, që kishte pirë i mbështetur pas trungut të pishës.
Ndonëse ishte mësuar me dukuri të tilla, atë e kishte pushtuar një
kureshtje e madhe për të parë fytyrën e njeriut, i cili nuk do ta shikonte
lindjen e diellit mëngjesin e ardhshëm. Në kohën që do të hynin përsëri nëpër
makina, ai takoi oficerin përgjegjës të shpurës ekzekutive dhe i shprehu
dëshirën për të parë të dënuarin. Për hir të autoritetit të padiskutueshëm të
Abeut në ato qarqe, oficeri u tregua i gatshëm. Ata të dy u afruan tek gazi BÇ,
ku gjendej i dënuari. Përgjegjësi hapi derën e pasme dhe i pyeti dy oficerët që
e kishin vënë në mes njeriun që po udhëtonte drejt vdekjes:
— Jeni gati të vazhdojmë udhëtimin?
— Gjithçka në rregull, u përgjigj njëri prej atyre.
Ndërkohë Abeu e kishte përqendruar shikimin mbi të dënuarin. Ai ishte
rreth 35 vjeç. Me shtat mbi mesataren dhe fytyrë të hequr me tipare të
rregullta. Nën ndikimin e shikimit të përqendruar të Abeut, i dënuari me
vdekje drejtoi sytë mbi të dhe i foli me një ton qortues:
— Mos më shiko me aq interes, se nuk kanë ndërmend të më shesin në
tregjet e kësaj bote; do të më bëjnë dalje në botën tjetër.
Abeu u tërhoq pas dhe shkoi tek makina me të cilën udhëtonte. Një orë
më vonë, gjithçka i përkiste të shkuarës së pakthyeshme<
Duke i përjetuar sërish me imagjinatë këto skena ankthi, Abeu mbështeti
kokën pas trungut të pishës dhe mbylli sytë. Dy zogj cicëronin, duke kërcyer
degë më degë të pishës, në ndjekje të njëri tjetrit. Prej toneve kanosës të
cicërimave, Abeu e kuptoi se ata po grindeshin mes tyre. Me një buzëqeshje të
hidhur, belbëzoi:
«Megjithatë as shpendët e as kafshët e të njëjtit lloj nuk e luftojnë deri në
asgjësim njëri-tjetrin. Njeriu njeriun, po. Dhe për këtë e ka fajin arsyeja.»
Ndërsa Abeu po bluante në mendje paradokset e jetës njerëzore, një boçe
pishe, e ngacmuar prej zogjve, u shkëput nga dega dhe e goditi në gju. I
shkundur prej përhumbjes, ai u ngrit me vërtik në këmbë.
— Ejani të vazhdojmë rrugën; mezi pres të zhytem në det, u tha shokëve,
për të ndryshuar rrjedhën e mendimeve.
Ata shkuan pas tij, pa e fikur magnetofonin.
Pas njëzet minutash, arritën në shtëpinë e pushimit. U sistemuan nëpër
dhomat e tyre dhe shkuan e u zhytën në det. Mandej u shtrinë për të pushuar.
Të tre i zuri gjumi prej lodhjes së udhëtimit dhe banjës.
Kur u zgjuan dy shokët e Abeut, ky nuk ishte në dhomën e tij. E mbyllur
me çelës nga jashtë, kuptohej që Abeu kishte dalë. Ata të dy e kërkuan në
mjediset e gjelbëruara përqark shtëpisë së pushimit, në sallën e televizorit, në
klub, por nuk e gjetën askund. Shikuan mos kishte shkuar të lahej në det, por
më kot. Atëherë ata të dy u ulën tek një tryezë në lulishte dhe filluan të luanin
shah. Ndërkohë dielli po perëndonte.
Dy shokët po përfundonin lojën e dytë të shahut, kur u duk Abeu. Ai
mbante në dorë një shishe të mbështjellë me gazetë.
— Shkove në fshat për të blerë raki rrushi, Abé? e pyeti njëri nga shokët.
— Nuk është raki, jo, u përgjigj Abeu, duke u afruar pranë tyre.
— Po çfarë është, ujë i ftohtë?
— Jo, ujë i turbullt.
— Abé, je bërë enigmatik kohët e fundit. I turbullt, si uji që mban në dorë,
do të mbetesh për sytë tanë deri në fund të këtyre pushimeve, të
paparashikuara për t’i kaluar në Dhërmi?
— Jo, tani do të kthjellohem krejt. Ejani të shkojmë në dhomën time.
Dy të tjerët e lanë pa përfunduar lojën e shahut dhe i shkuan pas. Kur
hynë të tre brenda, Abeu mbylli derën me çelës, si edhe kanatën e hapur të
dritares. Nxori diçka nga valixhja dhe e futi në xhep. Pastaj filloi të sqaronte
shokët:
— Keni të drejtë të kërkoni arsyen, pse doja t’i kalonim këto pushime në
Dhërmi. Natyrisht, unë nuk kisha ndërmend t’ju a mbaja të fshehtë, por prisja
çastin e duhur për t’ju a thënë. Ky çast erdhi.
«Nëntë ditë më parë, diku matanë këtyre brigjeve, isha i pranishëm në
ekzekutimin e një njeriu të dënuar me vdekje. Bëhej fjalë për një nga ata raste,
për të cilët ne na ftojnë posaçërisht. Ndofta edhe ju do të kishit qenë të
pranishëm atje, po të ishit ndodhur në Tiranë. Ai kishte kërkuar në mënyrë të
përsëritur që të pushkatohej në brigjet e Jonit. Po të mos më kishte zgjuar
kureshtjen kjo kërkesë e çuditshme, mund të mos kisha shkuar fare. Kështu
do të kishte qenë më mirë për mua. Ato që pashë e dëgjova atë natë korriku
me hënë të plotë më tronditën mjaft. I dëgjoni vetë fjalët e tij në prag të
vdekjes, se kështu do ta kuptoni më mirë si gjendjen time shpirtërore të asaj
nate, edhe arsyen e kërkesës për të ardhur përsëri në Dhërmi me pushime.
Abeu nxori nga xhepi një regjistrues zëri të vogël, i shtypi butonin e
funksionimit dhe e vendosi mbi tavolinë. Pas disa sekondash, u dëgjua zëri i
njeriut që priste vdekjen nga minuta në minutë:
— Hajde natë, hajde! Të largohesh nga jeta në një natë kaq të bukur, i ri e i
shëndetshëm siç jam unë, do të thotë se Zoti më ka rezervuar diçka më të
mirë në botën tjetër. Dhe ju këtë e quani dënim? Sa të mjerë që jeni!
«Po ti, moj, Aretí, në gjumë je tani? Ke disa vjet pa e parë djalin dhe, me
siguri, të del gjumi natën, kur e kujton. Zemra e nënës është vlera më e lartë e
qenies njerëzore. Mua edhe një cigare jetë më ka mbetur, nënë. Kjo është
cigarja e fundit që po tymos mushkëritë e mia, para se ato të copëtohen prej
plumbave. Nuk zgjatet jeta duke pirë cigare tjetër. Unë s’kam qenë
ndonjëherë burracak në jetë, që të tregohem i tillë në fund të saj. Kur, pas pak,
mua do të më rrëzojnë plumbat, ty, Aretia ime, do të të dalë gjumi prej një
ëndrre të llahtarshme të nxitur nga parandjenja e nënës. Falma brengën që do
t’i shkaktoj zemrës tënde të madhe, o Nënë! Ti je burrëreshë dhe do të
pranoje me dëshirë që yt bir të vdiste më mirë prej plumbave, sesa prej
dizenterisë. Faleminderit për këtë zgjedhje krenare, perëndesha ime!
«Ky det, përballë të cilit dëshiroja të vdisja, lag matanë brigjet ku jeton
Aretia ime. Në qoftë se midis jush, që po argëtoheni me fundin tim, ka ndonjë
që e ndien sadopak në vetvete peshën e fjalës Nënë, le t’ia provojë këtë Zotit,
duke më plotësuar një amanet. Kur t’i krijohet mundësia, të mbushë një
shishe ujë deti dhe me gjysmën e saj të spërkasë varrin tim të paemër. Në
gjysmën tjetër le të shtjerë pak dhé nga ky i gropës sime dhe shishen ta flakë
në det. Edhe po nuk arriti dot shishja në brigjet ku jeton Aretia ime, jam i
sigurt se disa pika uji të përziera me dheun e tretur të gropës sime, që do të
derdhen prej saj, do t’i lagin ndonjë ditë këmbët nënës, duke i shkaktuar një
lemzë në kujtim të të birit.
«Ky mbetet një amanet pa adresë, mbasi unë nuk njoh asnjërin prej
spektatorëve cinikë të vdekjes sime. Megjithatë mendoj se një ditë shpirti
mëkatar i ndonjërit prej jush do ta ndiej nevojën t’i provojë vetes, se tek ai
nuk ka vdekur përfundimisht gjithçka njerëzore. Rastin për këtë po ia ofron
një njeri me fjalët e fundit që po shqipton në jetë.
«Tani e kanë radhën armët tuaja, o hije të zeza, që e ushqeni jetën tuaj me
vdekjen e të tjerëve.»
Në vazhdim dëgjohej urdhri «zjarr!» dhe krisma e armëve.
— Kjo skenë më ka dalë tri herë në ëndërr, u tha Abeu shokëve të tij. –
Megjithëse nuk jam supersticioz, më dukej sikur shfaqja e saj në gjumë nuk
do të më shqitej, pa plotësuar amanetin e tij. Tani më ka mbetur pa kryer
vetëm akti i fundit i atij amaneti; ju ftoj ta bëjmë së bashku.
Ishte ballë muzgu, kur ata dolën jashtë. Me hap të menduar, zbritën në
buzë të detit. U zhveshën të tre e u futën në ujë. Abeu shtrëngonte shishen në
dorë. Ata shkuan me not tek një shkëmb brenda në det dhe hipën mbi të.
Abeu e flaku shishen larg dhe u bashkua me shokët. Të tre në këmbët e në
heshtje të plotë, ata e ndoqën me sy, derisa u shkri me kaltërsinë.