revista letrare atunis nr · pdf file1 atunis revista letrare atunis nr.1 – 2 * shkurt -...
Post on 07-Feb-2018
248 Views
Preview:
TRANSCRIPT
1
ATUNIS
REVISTA LETRARE ATUNIS NR.1 – 2 *
SHKURT - PRILL * 2O15
ORGAN I LIDHJES: GALAKTIKA POETIKE “ ATUNIS”
Kolegjiumi i Revistës :
Kryeredaktore: Hasije Selishta Kryeziu
Zv / Kryeredaktor : Prof.dr.sc. But Jaku
Redaktore : Dr. Albana Alia
Përgjegjës i informacionit Letrar : Agron Shele
Lektore : Lirije Mikeli
Korrektor Letrar : Enertin Dheskali
Arti grafik: Irina Hysi
ZARË - PRISHTINË
ÇDO BASHKËPUNIM ME “ATUNIS” -IN ËSHTË I
MIRËPRITUR
Shtypur në shtypshkronjën:
Prishtinë më
2
PËRMBAJTJA E LËNDËS
EDITORIAL - Stafi i Revistës “ATUNIS”
KRITIKË – ESSE
Pjetër Budi poet dhe prozator. ( Përmbledhje )
-Studim nga Prof. Dr. Anton Nikë Berisha.
Tema e ujit, e verës dhe e gjakut në tragjeditë shakespeariane: Macbeth e
King Lear.
-Nga Dr. Albana Alia.
Vepra e Çerkin Ismailit - Një vizion arkitektonik (pjesë nga studimi )
-Nga Prof.dr.sc.But Jaku
Me shpirtin përherë në fluturim. (Referim estetik rreth poezisë së Frederik
Rreshpjes)
Shkëputur nga Libri “Ngjyrime Universale (Ese-I )” - Nga Agron Shele.
Gjamë aletheike për atdheun e kthyer në ferr.
Për librin e Kolec Traboinit “Orakujt kanë zbritur në ferr”.
- Nga Anton Gojçaj.
Magjia e përkthimit të një matrice poetike.
(Refleksione për librin " Striptizë poetike në Washington D.C. " të Moikom
Zeqos, botim i Aparkeas – Abraxas, Tiranë 2014) .
- Nga Fatmir Minguli.
Ëngjëll I Berisha: krijimtari e pasur në poezi dhe histori. - Nga Peter Tase.
Disa përvijime përshkrimore: Mbi romanin “Vajza e Agamemnonit” -
Ismail Kadare
-Nga Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi.
Një mendim i hapur për lirikën shqipe. - Nga Rami Kamberi.
3
PROZË
Hiri hyjnor ( Fragmente të shkëputura nga romani : “Hiri hyjnor ” ).
Nga Hasije Selishta Kryeziu.
Djalli që pagova për këshillë. (Fragmente të shkëputura nga romani : “Djalli
që pagova për këshillë”) - Nga Jeta Vojkollari
Derbi – Tregim nga Vladimir Myrtezai.
POEZI
Poezi nga Enertin Dheskali.
Poezi nga Eva Kacanja.
Poezi nga Kolec Traboini.
Poezi nga Bilall Maliqi.
Poezi nga Lirije Mikeli
Poezi nga Raimonda Moisiu.
Poezi nga Menduh Leka
Poezi nga Luan Maloku
Poezi nga Merita Berisha
4
PËRKTHIME
Anglezët e lumnueshëm. ( Reto Rossetti ) -Përktheu Bardhyl Selimi.
Pjesë nga libri ”Betoveni dhe Revolucioni Frëng”. -Përktheu Meri Lalaj.
Poezi nga Muhammad Shanazar. –Përktheu nga anglishtja Albana Alia.
Poezi nga Giovanni Pascoli. - Përktheu nga italishtja Sinan Vaka
INTERVISTA
Inva Mula: Dikur kam menduar se karriera ishte gjëja më e rëndësishme në
jetë.
-Intervistë ekskluzive nga Raimonda Moisiu.
5
EDITORIAL
Edhe një trëndafil më tepër në kopshtin e universit të letrave shqipe.
Revista “ATUNIS” vjen si prelud dhe shprehje e ndjesive të artit
bashkëkohor shqiptar dhe si e tillë ajo përçon vlerat dhe krijimtarinë
individuale të poetëve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe eseistëve vendas e të
huaj. Veç kësaj, ajo do të shërbejë si ndihmesë e mëtejshme për identifikimin
e vlerave më të mira kulturore dhe shpirtërore letrare. Vetë magjia e artit të
fjalës të tërheq drejt lëndinave më të bukura të muzave, të rrugëton përtej
horizonteve në perëndim, të zhyt në shtjellën e honeve më të thella, të rilind
në zbardhëllimin e vesuar të agimeve, të ngjit drejt qiejve të zogut në
fluturim, të djeg në terrin e yjeve të përflakur dhe përherë e përherë të mahnit
dhe të përfshin pa e kuptuar në vorbullën e fuqishme të ndjesisë, elokuencës
dhe madhështisë së mendimit artistik.
Në faqet e kësaj reviste, që në fillim, i është dhënë përparësi e natyrshme
përcjelljes së disa informacioneve më të freskëta letrare, si atyre kombëtare
ashtu edhe botërore, për të mundësuar rrjedhjen e përbashkët të rrymave të
ndryshme drejt mendimit universal dhe, për më tepër, përfshirjen e lexuesit
në çaste të risisë krijuese subjektive, të tematikave të ndryshme tërheqëse dhe
eksploruese, si edhe të projektimit të praktikave krijuese dhe metamorfike të
artit në tërësi.
Letërsia si pjesë përbërëse e deshifrimit të kulturës së të gjitha kohërave, ka
ardhur nëpërmjet formave dhe trajtave nga më të ndryshme dhe e gjithë kjo
prurje ka pasur në thelb vetëm një qëllim, pasqyrimin me qartësi mendimi të
esencës së realiteteve nëpër kohëra, si edhe parashtrimin e ideve metafizike
për më shumë zhvillim, prosperitet dhe emancipim shoqëror. Në këtë
kontekst dhe brenda larmisë së zhanreve që lëvrohen, vjen sot kristalizimi i
idesë sonë, për të përqasur por dhe për të diskutuar e reflektuar për
substraktin letrar të përzgjedhur, dritëhijet dhe përthyerjen e koncepteve,
ndonëse, shpesh, edhe mund të na kundërvihet. Vetë arti i fjalës është një
proces i thellë meditimi, përjetimi dhe frymëzimi i ndjenjave dhe emocioneve
sublime, është harmonizim dhe shkrirje e tërësishme me morinë e pafund të
natyrave jetësore pa harruar se në skenën e këtij teatri në ekzekutim duhet
vepruar me mprehtësi, fuqi shprehëse dhe përpunim idesh. Në fokusin e
këtyre prurjeve letrare kanë hyrë shtrirja në kohë, hapësirë dhe gjeografi
mendimesh, modele përvijuese rrymash dhe përthyerje konceptesh dhe
rregullash formale, vizioni i arsyetimit dhe i perceptimit të ndryshëm të lirisë
krijuese individuale.
6
Prania e mjeteve dhe e koncepteve të reja teknologjike e ka futur sot botën e
artit në një epokë të re ndryshimi, shpesh herë edhe të diskutueshme për
mënyrën dhe trajtimin e informacionit letrar, por ajo që përbën bazën dhe
gjithë ndjesinë e perceptimit dhe shijes së një gjinie të shkruar është botimi
në letër, si mundësi e prekjes, shfletimit dhe, më tej, e një shkalle të lartë
përjetimi. Në kopshtin e universit letrar shqiptar sot ka çelur edhe një
trëndafil i ri, i cili me farfurimën dhe ngjyrën e tij do zbukurojë edhe më
shumë natyrën letrare shqiptare.
Stafi i Revistës “ATUNIS”
7
KRITIKË – ESSE
8
PJETËR BUDI, POET DHE PROZATOR.
- Përmbledhje -
Studim nga Prof. Dr. Anton Nikë Berisha.
I.
Pjetër Budi (1566 – 1622) jetoi në një periudhë lëvizjesh të mëdha të botës së
krishterë: reformës dhe kundërreformës. Në kohën kur ai i botoi tri veprat e
përkthyera “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe
“Rituali roman” (1621), poezitë, parathëniet dhe pasthëniet origjinale, kisha
në Evropë kishte një ndikim të gjerë e të thellë në çdo aspekt të jetës së
njeriut. Kjo ndodhi sidomos pas Koncilit të Trentos (1554 – 1563) kur ajo
mori nën kontroll dhe në mbrojtje artet në përgjithësi, brenda tyre dhe artin e
fjalës, letërsinë.
Pjetër Budi duhet të ketë pasur njohuri dhe të ketë lexuar autorë të shquar
latinë dhe italianë, ose autorë veprat e të cilëve ishin përkthyer në latinisht
dhe në italisht, gjuhë të cilat i zotëronte mirëfilli. Ai do të ketë pasur njohuri
edhe për letërsinë e barokut për arsye se në rrafshin tematik synimi i
shkrimtarëve ishte të mohoheshin të mirat e botës tokësore dhe t’i jepej
përparësi jetës – botës hyjnore (kundërvënie e synimeve të renesancës).
Mirëpo, duhet thënë se ajo që bën amëzën – qenësinë e poezisë së Budit, të
parathënieve e të pasthënieve është Shkrimi i Shenjtë – Bibla, që jo vetëm në
kohën e tij, po për shekuj me radhë, u lexua dhe pati një ndikim të
shumëfishtë në filozofi, në antropologji, në sociologji, në muzikë, në pikturë
etj., po dhe në artin e fjalës, letërsinë. Mjafton të përmenden këtu Psalmet,
Këngën e këngëve, Himnet, Fjalët e urta, Libri i Jobit etj., që përligjin një
rrafsh të lartë shprehës poetik, po dhe një shumësi tematike dhe qenësi
mendimi, që pati ndikim të ndjeshëm në veprat letrare të periudhave të
ndryshme. Brenda Biblës dhe literaturës biblike Budi u mbështet edhe në
himne, në lavde dhe në lutje, që kishin një traditë të pasur duke filluar nga
shekujt e parë të themelimit të krishterimit.
Natyrisht, për hartimin e poezisë së vet Budi shfrytëzoi dhe traditën letrare
gojore shqiptare, e cila edhe pse nuk ishte shënuar e botuar, bënte një jetë të
gjallë në procesin e gojëshmërisë, duke u bartur prej një subjekti te tjetri.
9
Budi i hartoi poezitë e veta sipas një koncepti të caktuar: nis me Ditën e
gjygjit, që lidhet me Ditën e gjykimit të veprimeve të individit të kryera gjatë
jetës konkrete, për të vazhduar pastaj me historinë e lindjes së njeriut, me
prindërit e parë (Adamin dhe Evën), me lindjen e mëkatit, me shumimin e tij
dhe me ndërhyrjen e Hyjit – hedhjen në ferr të mëkatarëve dhe krijimin e një
jete të re me Noan dhe fëmijët e tij që bëhen shembull i përfilljes së Fjalës së
Hyjit, për të vazhduar me zënien e Jezu Krishtit në trupin e Marisë Virgjër,
jetën e tij, pastaj kryqëzimin dhe ngjalljen pas tri ditësh, me çka zë fill një
periudhë e re e jetës dhe e përshpirtshmërisë së njeriut.
Budit i shtjelloi poezitë mbi bazën e një modeli të përbashkët. Nëse për një
çast atyre u heqim titujt dhe i shënojmë me numra, ose i ndajmë me hapësira
të vogla midis tyre, siç ngjet, fjala vjen, me ndarjen e strofave (për të kuptuar
se është bërë një kapërcim, atëherë fitohet përshtypja se je duke lexuar një
poemë të gjatë, të përbërë prej pjesësh, prej këngësh, që në rrafshin e sasisë,
nuk është e domosdoshme të jenë të njëjta, siç ndodh me këngët e disa
veprave të kësaj natyre të letërsisë sonë të shkruar, fjala vjen: “Te dheu i
huaj” të Zef Skiroit, “Il Canzioniere albanese” të Françesk Anton Santorit,
“Lahutën e Malcís” të Fishtës etj. Po qe se dikush, kushtimisht, do të thoshte
se Budi e krijoi një lloj epi religjioz, që ka mbi 3000 vargje, atëherë mund të
pohohej se kryepersonazhi i poemës është Hyji atë, Biri i tij, Jezu Krishti,
Zoti konkret, i dukshëm dhe i prekshëm, Shpirti i Shenjtë (Trinia e Shenjtë),
ndërsa Adami, Eva, Noa, Shën Maria, Shën Magdalena etj., janë degët e
trungut që e plotësojnë atë, duke i dhënë tërësinë dhe madhështinë përkatëse.
Në poezinë e Budit, siç ndodh edhe në Bibël, Hyji është dashuri, është gjakim
dashuror dhe ngushëllim shpirtëror. Hyji e krijoi jetën dhe i krijoi njerëzit si
dëshmi e dashurisë ndaj tyre. I krijoi ata për të përjetuar jetën dhe që ata të
jetojnë në harmoni e në mirësi me njëri – tjetrin. Në këtë mënyrë, Krijuesi
(Hyji) njëjtësohet me të krijuarin (njeriun), ndërsa i krijuari (njeriu) për ta
përligjur këtë njësim me Krijuesin, duhet ta përfillë e ta përligjë atë me
veprimin dhe me jetën e vet të përditshme.
Shembull më i denjë i kësaj marrëdhënie, sa të veçantë aq dhe të denjë, në
poezinë e Budit është Biri i Hyjit, Jezu Krishti, i dërguar nga Hyji midis
njerëzve, shëmbëllim dhe konkretizim i vetë Hyjit atë: Ai u flijua në kryq, si
dëshmi e dashurisë ndaj Atit të vet dhe ndaj njeriut, siç del dhe në poezinë e
Budit: Se për ju jam dërguom, / Mbë këtë jetë me lēm, Për ju me u munduom
/Gjithëve me u çpërblēm. Rëndësia e Krishtit përligjet nga fakti, siç thuhet në
Ungjillin sipas Gjonit, se te Hyji atë mbërrihet vetëm përmes Krishtit:
“Askush nuk shkon tek Ati pos përmes meje” (Gjn 13, 6) për arsye se “Kush
më ka parë mua (Krishtin – v. ime), ka parë edhe Atin…Unë jam në Atin e
Ati është në mua” (Gjn 14, 9 – 10).
10
Këtu i ka rrënjët qëllimi i hartimit të poezive, të parathënieve, të pasthënieve,
të përkthimit dhe të botimit të veprave “Doktrina e krishterë”, “Pasqyra e të
rrëfyemit” dhe “Rituali roman”: që njerëzit e gjuhës dhe të gjakut të tij t’i
dinin dhe t’i shfrytëzonin të mirat e Hyjit për të jetuar në mirësi dhe në
harmoni me të afërmin, me secilin njeri, kudo qoftë dhe kushdo qoftë ai.
Poezitë e Budit para së gjithash janë këngë; ato janë përftuar që të këndohen
e të recitohen në kishë ose në raste të tjera, në festa, në procesione ose në
takime të ngjashme të karakterit kryesisht fetar. Në qenësinë e tyre këto
këngë janë, edhe himne, edhe lavde, edhe psalme, edhe litani, edhe forma
uratash, që mund t’i përdorë besimtari ose prifti në raste të ndryshme. Them
kështu duke pasur parasysh faktin se format e përmendura të kënduara gjatë
meshës ose në raste të tjera të jetës, përligjin besimin në Hyjin dhe jetesën
mbi bazën e dashurisë së tij dhe lidhen me ndjenjën e vullnetit e të gëzimin
që duhet të mbretërojë jo vetëm në aktin e besimit e të njësimit me Hyjin, të
lutjes, të përshpirtshmërisë e të përvujtërisë, po edhe në çdo veprim konkret
me të afrimit. Të gjitha këto do të jenë të qenësishme në Ditën e gjyqit të
Hyjit për fitimin e jetës së amshuar.
Budi i hartoi poezitë me qëllim që ato t’i pëlqejnë para së gjithash Hyjit,
meqenëse gjithçka i përket Atij. Duke i pëlqyer Hyjit, natyrisht ato do t’u
pëlqejnë edhe krijesave të tij, njerëzve, në këtë rast besimtarëve shqiptarë të
krishterë. S’do mend se hartimi i poezive të Budit është nxitur nga Hyji
prandaj ato doemos duhet t’i pëlqejnë Atij; çdo gjë tjetër do të ishte një
dështim, një përmbysje e dashurisë së ndërsjellë: Hyj – njeri.
Pjesa më e madhe e poezisë së Budit është përftuar mbi bazën e ballafaqimit
e të kundërvënies – kontrastit. Nga një anë shqiptohet jeta në harmoni e
njësuar me hirin e Hyjit, rëndësia e përshpirtshmërisë dhe e dashurisë ndaj të
afërmit, nga ana tjetër, jeta pa këtë besim dhe pa këtë dashuri, që është jetë e
shfrenuar, e drejtuar nga e keqja dhe ligësia, që në të vërtetë është jetë e
njësuar me djallin.
Në poezinë e Budit koha është subjektive, kohë hyjnore, që ngjet në hapësirë
e në kohë të ndryshme. Në të gjithçka mund të ndodhë për një çast ose mund
t’i përkasë përjetësisë, amshimit. Kjo ngjet për arsye se kemi të bëjmë nga një
anë me vetë misterin e fesë, të botës e të krijimit të saj e të njeriut nga Hyji
dhe, nga ana tjetër, me besimin dhe me dashurinë ndaj Hyjit dhe me
pavdekshmërinë e shpirtit.
Kjo veçanti e qasjes dhe e shqiptimit të dukurive të tilla, ka kushtëzuar dhe
rimarrjen dhe trajtimin e tyre të shpeshtë nga Budi, përkatësisht përsëritjen në
poezi të ndryshme, po edhe brenda një poezie. Dukuria ngjet për arsye se
Budi, siç u tha edhe më parë, nuk i shkroi poezitë për shkak të poezive vetë,
si vlera tekstore dhe si mesazhe para së gjithash poetike, siç ndodh tek poetët
e mëdhenj, po për shkak të qëllimit, të kumtit që sjellin e shprehin ato, për
11
shkak që si tekste përligjin rëndësinë e besimit në Hyjin dhe dashurinë për
njeriun. Vështrimi i shpeshtë ose përsëritja e dukurive, e fjalëve dhe e
shprehjeve, është synim, bën parimin krijues shprehës, siç ndodh dhe me
përsëritjet në poezinë gojore, sidomos në poezinë gojore epike. Është e ditur
se në poezinë gojore, variantet, variantiteti bën njërin nga përbërësit kryesorë
të lindjes dhe të transmetimit të tyre prej një subjekti në tjetrin, prej një brezi
në tjetrin. Kështu, fjala vjen, këngëtari epik (natyrisht dukurinë e ndeshim
dhe në disa lloje lirike) secilën herë që e këndon ose e rikëndon një këngë të
gjatë epike, e këndon një variant tjetër për arsye se ai nuk e di dhe nuk e
mban mend çdo fjalë e çdo formë shtjellimi të vargut, po e këndon mbi bazën
e thelbit të ngjarjes e të veprimit që rrëfehet, pra e ndërton tekstin sa herë që e
këndon këngën. Ngjashëm ndodh edhe në krijimet e gjata në prozë, fjala vjen,
në përrallë.
Krahas Hyjit atë, Birit të tij, Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, në poezinë e vet
Budi i kushtoi rëndësi të dukshme edhe Marisë, nënës së Krishtit. Veproi në
këtë mënyrë për shkak se Hyji e zgjodhi Marinë dhe në trupin e saj ngjizi,
amëzoi Birin e vet, Jezu Krishtin. Budi jo vetëm e përmend disa herë Marinë,
po i kushtoi asaj dy poezi të veçanta. Veproi kështu për faktin se Maria është
e pandashme nga Krishti. Në Marinë, Thesarin e Zotit, dhe përmes saj, Hyji
“bëri bashkimin e të gjitha hireve”. Vetëm Marisë Hyji i dorëzoi “çelësat e
visarit të dashurisë hyjnore dhe i dha fuqinë që të ecë udhëve më të
madhërishme dhe më misterioze të përsosjes” ose (sipas Shën Bernardi)
“Gjithçka përmes Marisë” nga fakti se Ajo është rruga që mundëson që
nëpërmjet saj dhe Krishtit të mbërrihet tek Hyji atë.
Psalmet si tekste letrare poetike paraqesin çelësin për ta kuptuar mirëfilli
poezinë e Budit e për të vënë komunikim me të. Them kështu për arsye se
pikërisht disa përbërës të poezisë së Budit që nga disa studiues janë marrë si
mungesë dhe “proliksitet”, bëjnë ndër qenësitë e saj dhe si e tillë ajo del diçka
tjetër nga ç’është pohuar. Budi me qëllim përsëriti fjalë, pjesë të vargjeve,
vargje, po dhe pjesë të tëra të tekstit, siç ndodh edhe në Psalmet. Për t’u
bindur në këtë dukuri mjafton të analizohet Psalmi 119 (118), më i gjati ndër
150 psalmet (me 352 vargje). Në procesin e këndimit ose të recitimit – të
lutjes së psalmeve – përsëritjet u kanë dhënë atyre bukurinë, ritmin,
tingëllimin, i kanë bërë ato më gjallërike, më të përfillshme dhe më njësuese
për mesazhin që ia drejtojnë marrësit.
Poezia e Budit ndërlidhet ngushtl edhe me Letrat e Shën Palit dhe me
dukuritë që shqiptohen në to me çka përligjet fryma e thellë e Besëlidhjes së
re. Ajo që i afron Letrat e Shën Palit me poezinë e Budit janë sidomos
dashuria për Hyjin dhe dashuria për njeriun, pasojat e mëkatit dhe domosdoja
e pendesës.
12
Budi i kushtoi kujdesin e dukshëm hartimit të vargut të tij, përkatësisht bëri
përpjekje që mesazhet t’i shprehë sa më bukur, që ato të cilësohen me rimë e
me ritëm, në mënyrë që të këndohen e të përvetësohen më lehtë, po edhe të
bëjnë ndikim më të madh. Në shumë raste në poezitë e veta Budi përdori një
gjuhë figurative, ku dëshmohet shumësia kuptimore e mesazheve.
Ndonjëherë kjo nuk vërehet në leximin e parë, po del kur thellohemi në
tekstin e tij, që dëshmon për një rrafsh të ngritur të shprehimësisë poetike.
Në qenësinë e vet gjithë poezia e Budit është një testament shpirtëror: përmes
artit të fjalës vështrohet Fjala e Hyjit, dashuria ndaj Tij dhe ndaj njeriut;
domosdoja e besimi në Të, e lavdërimit dhe e madhërimit të Tij dhe
shmangia nga mëkati dhe ligësia. Testamenti shpirtëror poetik i Budit për
arbënorët – shqiptarët dëshmohet sidomos në poezinë XVII me titull “Për
ndimët të gjithë kërshtenimit Arbënit” të botuar në “Doktrinën e krishterë”.
Poezia e Budit përkon (ngjason) me vargun gojor, duke filluar nga elementet
e mikrostrukturës së vargut, nga fjalëza e fjalë, frazeologji, pastaj togfjalësha
deri te pjesë të tëra të vargut. Përkimet dhe ngjasimet vërehen edhe në ritëm e
në theksa ritmikë. Ndryshimi vërehet kryesisht në strofë dhe në rimë. Njëri
ndër përbërësit e rëndësishëm të afërsisë e të përkimit të vargut të Budit me
vargun gojor është tetërrokëshi. Budi e përdori këtë varg, përmes të cilit te
shqiptarët u kënduan këngë të llojeve të ndryshme. Kjo përligjet edhe nga
gjuha e tyre, nga strukturën tekstore dhe nga frymësia që i përshkon ato. Disa
vargje të Budi mund të futen lirisht në tekstin e ndonjë kënge dhe të mos
vërehet ndryshimi ndërmjet tyre dhe vargjeve të tjera.
II.
Në fushën e prozës Pjetër Budi na la një trashëgimí të pasur e të rëndësishme,
qoftë me tekste origjinale, që përmblidhen në pesë parathëniet dhe pasthëniet
që u prijnë ose i përmbyllin veprat “Doktrina e krishterë”, “Pasqyra e të
rrëfyemit” dhe “Rituali roman”, qoftë me tekste të shqipëruara, ku herë –
herë ai bëri shtesa të ndryshme, që nuk janë në veprat nga i përktheu. Me një
fjalë, prozat që ai i krijoi, e plotësojnë figurën e Budit si shkrimtar, sidomos
për mënyrën si i shtroi dhe i shprehu dukuritë si dhe për gjuhën dhe stilin që
përdori, për përsëritjet që janë përbërës i rëndësishëm dhe i qëllimtë i
shtjellimit të tekstit, i shprehimësisë, i komunikimit dhe i ndikimit në
marrësin. Në to Budi përdori një stil të përpunuar e të ngritur, një gjuhë
shqipe të pasur, shpesh përdori një gjuhë poetike, ku përligjen përbërësit
kryesorë të prozës së mirëfilltë poetike e që në studim janë konkretizuar me
shembuj të shumtë.
13
Parathëniet dhe pasthëniet e Budit janë ligjërata, predikime apo homeli të
shkruara për priftërinjtë dhe besimtarët e krishterë katolikë, që si qëllim
kryesor kanë para së gjithash njohjen e Fjalës së Hyjit dhe rëndësinë e
besimit në Të, mënyrën e veprimit dhe detyrat që shtroheshin para barinjve
shpirtërorë dhe para besimtarëve. Si të këtilla ato do të mund të përdoreshin
në kishë gjatë meshës. Gjatësia e tyre, sidomos Pasthënia e “Pasqyrës” dhe e
“Ritualit” dhe të dhënat që jepen në to, sidomos në Parathënien dhe
Pasthënien e “Doktrinës”, i largojnë ato nga predikimet ose homelitë e
mirëfillta në meshë.
Në këto tekste origjinale në prozë Budi ka dëshmuar një njohje të thellë të
teologjisë në përgjithësi dhe të Biblës në veçanti, një shkathtësi në shqyrtimin
dhe ndriçimin e një varg dukurish, jo vetëm të rrafshit doktrinor, teorik, por
edhe të zbatimit të tyre në jetën konkrete – në punën me priftërinjtë dhe me
besimtarët. Njëherit ato dëshmojnë mirëfilli për besimin e thellë e të
palëkundur të Budit në Fjalën e Hyjit, përkatësisht në Shkrimin e Shenjtë, për
përshpirtshmërinë dhe për përvujtërinë e tij të thellë. Pra, gjithçka që bëri dhe
krijoi Budi e bëri për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të tij, sidomos barinjve
shpirtërorë dhe besimtarëve arbëneshë, të cilën punë e bëri me përkushtim
dhe me kënaqësi, nxitur nga Hyji dhe për dashurinë që kishte për Të dhe për
shenjtën fe që i përkiste.
Parathëniet dhe pasthëniet e Budit janë të qenësishme për faktin se ato
ndihmojnë të kuptohen më thellë edhe poezitë e hartuara nga ai, pastaj të
sqarojnë qëllimin pse Budi ia hyri përkthimit në gjuhën shqipe të
“Doktrinës”, “Pasqyrës” dhe “Ritualit”.
Në parathënien e “Pasqyrës së të rrëfyemit” Budi thotë se, pos poezive,
parathënieve dhe pasthënieve, kishte shkruar dhe lënë në dorëshkrim dhe
punime të tjera origjinale në famullitë ku kishte shërbyer dhe shërbente e në
vende ku banonte, të gjitha me qëllim ta ndihmojë Atdheun dhe gjuhën
shqipe: “[…] jashtë këcosh ende sā të tjera letëra me dorë të shkruome
gjindenë mbë sā vise, qi dëshmojënë, se sā i madh kā qenë gjithëherë kujdesi
e dëshiri i zemërësë sime për ndihmë të Patriesë e të gjuhusë sanë, qi u
vduorrë ende po vdārrenë mā të shumënë e veçëse për letërë e për të
mpsuom” (nënvizimi im).
Duke i analizuar mirëfilli poezinë, prozën, parathëniet dhe pasthëniet, po dhe
veprat e përkthyera prej Budit, mund të thuhet se është vështirë të gjendet
edhe një shembull tjetër në letërsinë tonë të vjetër, e jo vetëm në të, që ato të
përafrohen dhe të përplotësojnë njëra – tjetrën, jo vetëm për qëllimin e
hartimit, të tematikës e të vlerave si tekste gjuhësore shprehëse, po dhe të
komunikimit e të rëndësisë së ndikimit në marrësit e tyre.
Budi i shkroi parathëniet dhe pasthëniet me atë qëllim që i shkroi poezitë dhe
i përktheu tri veprat e përmendura: “Doktrinën e krishterë”, “Pasqyrën e të
14
rrëfyerit” dhe “Ritualin roman”: për të përligjur Shkrimin e Shenjtë,
përkatësisht Fjalën e Hyjit, rëndësinë e njohjes dhe të përhapjes së saj tek
njerëzit ose, siç do të thoshte Nëna jonë Tereze se jeta jonë “është vetë jeta e
Zotit në ne”, ose siç thoshte Shën Pali se të gjitha gjërat “[…] e kanë burimin
në Hyjin, i cili na paqësoi (pajtoi) me vetvete me anë të Krishtit” (2Kor 5,
18). Budi synoi të ndriçojë e ta sqarojë faktin se “Kush njësohet me Hyjin
bën me Të një shpirt të vetëm” (1Kor 6, 7) dhe “Meqenëse është një bukë e
vetme, ne, edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm: në të vërtetë të gjithë
jemi pjesë e një buke” (1Kor 10, 17).
Në veprat “Doktrina e krishterë”, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali
romak” të përkthyera nga Budi e të botuara në vitet 1618 – 1621, ka pjesë
tekstesh që nuk gjenden në tekstin origjinal (të veprave të përkthyera prej tij),
pra janë shtesa të Budit, të cilat kanë cilësi të prozës poetike. Për të përligjur
këtë po sjell vetëm këtë mendim të studiuesit Gunnar Svane që lidhet me
veprën “Pasqyra e të rrëfyemit”, i cili thotë: “[…] Pasëqyra e të Rrëfyemit e
Budit është përafërsisht katër herë e gjysmë tekst më i gjerë se Specchio di
Confessione i de Bonis […] Jo vetëm se Pasëqyra përmban një sasi materiali
që nuk gjendet në Specchio […], po edhe në rastet kur Budi i ruan dhe i bart
drejtpërdrejt proceset e të menduarit të origjinalit, ai shtie në punë intencë të
konsiderueshme për ta dhënë versionin shqip”.
Në fund po theksoj se veprat e përkthyera nga Budi “Doktrina”, “Pasqyra”
dhe “Rituali”, 23 poezitë me rreth 3200 vargje dhe 5 parathëniet dhe
pasthëniet që janë brenda tyre, nuk do të mund të ishin të atij rrafshi dhe të
asaj cilësie sikur Budi të mos ishte mbështetur në një traditë paraprake të
shkrimit të shqipes. Këtë gjë e përligj sidomos gjuha e pasur që ai përdori,
mënyra e sigurt e të shprehurit, shtjellimi i tekstit, format e ndryshme
frazeologjike, fjalë të urta, urime, mallkime etj. Po përkujtoj këtu vetëm katër
poezitë origjinale të Gjon Buzukut të botuara në veprën “Meshari” (1555),
variantet e ndryshme të përkthimeve që ai i përdori në “Mesharin” si dhe
poezitë në dorëshkrim të Atë Palit prej Hasit, të shfrytëzuara nga vetë Budi.
15
TEMA E UJIT, E VERËS DHE E GJAKUT NË TRAGJEDITË
SHAKESPEARIANE: MACBETH E KING LEAR.
Nga : Dr. Albana Alia
…accusatio manifesta
Simbolizmi kompleks i ujit.
Ndërmjet temave të ndryshme të dramave të tij, Shakespeare, trajtoi edhe
temën e ujit që spikat veçanërisht në dy nga tragjeditë e tij të njohura:
Macbeth (1606) me efekte të rafinuara iluzioniste dhe King Lear (1605),
vepër e veçantë morale, politike, shoqërore, psikologjike dhe filozofike.
Elementi i ujit paraqitet nëpërmjet një simbolizmi kompleks, i cili përfshin,
në të njëjtën kohë, kuptime të kundërta e ndërplotësuese. Lidhet me jetën dhe
vdekjen, me pjellorinë dhe sterilitetin, me krijimin dhe shkatërrimin, me
pastrimin dhe kontaminimin. Fuqia gjenerative e ujit bën që ai të njihet si
elementi nënë dhe si elementi femëror. Veç të tjerash, lëngu amniotik është
një substancë e ngjashme me qumështin, d.m.th. lënda ushqyese parësore dhe
më e kompletuar, e cila mund edhe të konsiderohet, sipas dy studiuesve
Gaston Bachelard e Mircea Eliade, një lloj hierofanie (hierophany), një
shfaqje e shenjtërimit, ose një simbol i vdekjes, si rezultat i fuqisë
shkatërruese në rrethana apokaliptike. Sipas medimeve të shprehura nga
Bachelard, uji ka të bëjë edhe me teknikën e vjetër të funeralit, imbarkimin e
trupave të vdekur në barka që të sjellin në mend barkën e Karontit. Qartësia e
këtij elementi errësohet kur ai përfton konotime fajësie. Si element primordial
me origjinë prej Kaosit, uji zhvillon një lloj ambiguiteti që nxit fantazinë dhe,
si rrjedhojë, krijon vlera shumësore përmes imagjinatës kolektive.
Duke u përqendruar te tragjedia e parë, Macbeth, vihet re se menjëherë në
skenën e parë shfaqen the Weird Sisters (motrat shtriga) që veprojnë përmes
shiut dhe mjegullës. Në skenën e dytë plagët e një kapiteni të ushtrisë së
mbretit Duncan rrjedhin gjak: […] to bathe in reeking wounds (I,2,98). Në të
njëjtën skenë gjejmë të shpërndara shprehjet e lidhura me gjakun: bloody
man, bloody execution. Të gjitha këto janë shenja për të përgatitur spektatorët
për atë që do të ndodhë më pas.
Imazhi i ujit merr rëndësi të veçantë në këtë tragjedi. Shpesh uji ndërlidhet
me lotët, në kuptimin e intimitetit dhe, së bashku, ngjizen dhe i japin formë
dëshpërimit. Zakonisht, lotët shprehin një kontekst trishtimi apo dëshpërimi,
por edhe të kundërtën, rrethana të një emozioni të fortë pozitiv. Shakespeare i
16
paraqet publikut të tij lotët, të vërtetë por edhe metaforikë. Mbreti Duncan do
të derdhë lot metaforikë dëshpërimi për çfarë ndodh në skenën e betejës së
rebelëve; vetë Macbeth do të përmendë lotët e trishtimit të nënshtetasve që do
të arrijnë të përmbysin edhe erën pas vdekjes së mbretit Duncan.
Në tragjedinë e dytë, King Lear, lotët dhe lëngu amniotik i plaçentës së
Gonoril, vajzës së madhe të mbretit, do të bëhen subjekt i mallkimit
(anatemës) të dyfishtë nga ana e tij përkundrejt të bijës: lotët e saj do t’i
gërryejnë kanale në faqe, fret channels in her cheeks, por i uron edhe sterilitet
të plotë, womb sterility, për të ndërprerë procesin e lindjes në qenien e saj
plot ligësi. Vetë mbreti do të derdhë lotët e nxehtë të dëshpërimit, veprim që
do të vërë në dyshim esencën e tij mashkullore duke shkaktuar fenomenin e
vazhdueshëm të femërzimit. Në tragjeditë Macbeth dhe King Lear, vërehen
personazhe të ndryshme mashkullorë që derdhin lot e kjo, ndoshta, duhet
marrë si projektim i anës së tyre joperfekte femërore.
Lotët e bijës së vogël të mbretit Lear, Cordelia, janë, në kuptimin pozitiv,
plot dëshpërim për atë që i ndodh të atit, por ajo përfaqëson edhe të vetmin
personazh që derdh lot të gëzueshëm në skenën e pajtimit me të. Edhe lotët e
birit të ligjshëm të Gloucester i drejtohen metaforikisht situatës mes tij, Kent
dhe të atit. Në dialogun midis Lear dhe Gloucester, Shakespeare do të
përdorë një fushë kuptimore komplementare: lot, sy, qarje (tears, eyes, cry,
weep, wail, water-pots), sipas një këndvështrimi sinkronik dhe diakronik;
pra, njeriu i derdh lotët nga çasti në të cilin lind, për të vazhduar gjatë gjithë
jetës, si aktor teatri me role të përcaktuara (stage of fools), por dhe në
vdekjen e dikujt tjetër me projektim të pritjes së vdekjes së vet.
Mbreti Lear, i zhytur në një dhimbje intensive, u bën thirrje të katër
elementeve të shkatërrojnë gjithçka. Ujërat duhet të vërshojnë e të përmbysin
tokën deri në shpërbërjen e plotë të qenieve njerëzore dhe të objekteve
materiale, por edhe për një lloj pastrimi të thellë të mëkateve. Më vonë, rënia
e shiut do të jetë nxitja kryesore e ripërtëritjes së tij, sepse deri në atë moment
ishte i dobët e i sëmurë mendërisht e fizikisht.
Shkrimtari dhe historiani rumen Mircea Eliade shkruan për rolin e veçantë të
shiut dhe të përmbytjes si një lloj pastrimi shpirtëror, asorbim dhe shpërbërje,
me qëllimin kryesor – lindjen e një jete të re. Era e furishme dhe shiu i
mëvonshëm mbi dallgët e egërsuara do të reflektojnë botën e tij të brendshme
tashmë të përfshirë në një shtjellë në lëvizje të vazhdueshme që ai vetë do ta
përcaktojë me fjalët: this tempest in my mind (Sk. II, 186; kjo shtrëngatë në
mendjen time). Kjo shprehje do të shoqërohet me lotët e tij të hidhur gjatë
gjithë zhvillimit të tragjedisë. Edhe Gloucester bën një paralelizëm mes detit
të furishëm dhe pështjellimit të jashtëzakonshëm në mendjen e mbretit Lear.
Nga ana tjetër, zhurma e tmerrshme e dallgëve do të bëhet e dobishme për
Edgar që i shpëton jetën të atit. Gjithë skena është shtjelluar në një izotopi të
17
imagjinatës (dallgët, zhurma). Deti është vend i lindjes, i rritjes dhe i
mbrojtjes së krijesave, por edhe vendi i vdekjes dhe i shkatërrimit të plotë.
Në King Lear gjendet edhe një imazh i veçantë i qenieve njerëzore që
kthehen në grabitqarë për njëri-tjetrin, like the monsters of the deep, si
përbindëshat e thellësive.
Figura e Lady Macbeth është paradoksale, si përfaqësuese e dyfishtë e seksit
mashkullor dhe femëror; ajo do të akuzojë të shoqin që ka pirë shumë nga
qumështi i nënës milk of human kindness (I,5,111) dhe është kthyer në një
qenie tepër të dobët, prandaj, për t’i ndërruar karakterin, në veshin e tij ajo do
të derdhë shpirtërat e ligj në formë të lëngshme për të reduktuar efektin e
qumështit të lëngshëm. Kështu, gjatë natës së errët do të thërrasë shpirtërat
për t’i ngurtësuar gjakun to make her blood thick (pra, për ta ndihmuar që të
pushojë së ekzistuari natyrën e saj njerëzore); për më tepër, është e gatshme
të shkëmbejë qumështin e saj, si nënë, me vrerin. Në veprën e tij L’eau et les
rêves, Bachelard përcakton qumështin si ushqim primordial arketipik. Lady
Macbeth dikur pranon të ketë ushqyer me qumësht një fëmijë, por nuk është e
qartë nëse e ka pasur me të vërtetë atë dhe nëse vazhdon të jetojë.
Dyshimi përforcohet nga këshilla e të shoqit, Macbeth; në një dialog me
përmbajtje të qetë, ai i kërkon asaj të lindë vetëm meshkuj, në përputhje me
karakterin e saj të ashpër. Imazhi i qumështit të ëmbël, që ushqen deri edhe
marrëdhëniet njerëzore, i derdhur në Ferr, me qëllim shkatërrimin e paqes
universale, përforcohet në fjalët e Malcolm (mbreti i ardhshëm), por, në këtë
rast, në mënyrë ironike. Edhe duka Albany do të thirret nga Gonoril njeri i
dobët me mëlçinë prej qumështi a milk-liver’d man, ndërsa Macbeth nga e
shoqja do të quhet burrë me zemër prej qumështi a man with a milk heart. Ja
pra, përsëri gjejmë gjurmët e një ndëlidhjeje të dyfishtë të anës mashkullore
dhe asaj femërore që do të sjellë si rrjedhojë frikën dhe impotencën në të dy
meshkujt e lartpërmendur.
Sibolika e verës dhe e gjakut
Vera është një substancë tjetër e lëngshme e lidhur me ujin dhe përfaqëson
hapin e parë drejt vrasjes. Dihet se vera është simbol i dyfishtë i jetës së
fshehur dhe uji i rinisë. Veç kësaj, qumështi dhe vera janë të lidhur ngushtë
me misticizmin.
Në Macbeth gjejmë terma me kuptim të lëngshëm: ujë, lot, shi, mjegull, det,
gjak, urinë, qumësht, lëng amniotik, supë ferri e shtrigave (water, tears, rain,
fog, sea, blood, wine, urine, milk, amniotic fluid, hell-broth), deri edhe
shpirtërat bëhen të rrjedhshëm në prani të Lady Macbeth. Nocioni i fluiditetit
përmendet në skena të ndryshme duke grishur gjakun që rrjedh prej betejës
18
në aktin e parë dhe, pasi përshkon gjithë tragjedinë, arrin deri te vdekja e
mbretit Macbeth.
Gjaku në konotimin e vet negativ konsiderohet si ujë i errët e i pistë, si
element femëror, si kontaminim, si faj, si mëkat, si rënie, si errësirë, si ferr. E
njëjta gjë vlen edhe për njollat apo pikat e gjakut por, ndërsa uji del si
element negativ, por edhe pastrues për shpirtin, gjaku i përket jetës dhe
vdekjes. Pikërisht, nëpërmjet derdhjes së gjakut dhe rrjedhjes së ujit gjatë
gjithë tragjedisë do të arrihet të sigurohet vazhdimi i dinastisë dhe mbreti i ri i
Skocisë do të kurorëzohet si autoritet i plotfuqishëm.
Në King Lear, gjejmë edhe imazhin e dorës së njollosur me gjak, por vetëm
si mëkat i mundshëm, përkundrejt fakteve që ndodhin në Macbeth. Veç kësaj,
thika e përgjakur me të cilën Regan vret motrën e vet, Gonoril, përdoret
kundër një femre, në vend të një figure mashkullore si Duncan e Macbeth.
Vizioni i thikës me disa njolla gjaku sipër saj, do të trasformohet në një
vrasje, një fakt të vërtetë për të dy: Banquo e Duncan. Macbeth është i
ndërgjegjshëm se gjithë Oqeani, pronë e Neptunit, nuk do të mund të lajë
gjakun prej duarve të tij. Është vrarë mbreti, prandaj mëkati është i dyfishtë
dhe aq i thellë sa as uji nuk do të mund të realizojë pastrimin shpirtëror të
vrasësit. Mbreti vetë është burimi i gjakut blu, në kuptimin e vazhdimësisë
dinastike, tashmë e ndërprerë. Motivi i gjakut përmban edhe një funksion të
veçantë në tragjedi. Gjakun e gjejmë ku(r)do: mbi fytyra, mbi thika, mbi trup,
në një lloj portretizimi të mëkatit kolektiv.
Vizioni i fantazmës Banquo duke tundur gërshetat e përgjakura, his gory
locks, përballë fytyrës së mbretit Macbeth, është i tmerrshëm dhe i
plotkuptimshëm. Kjo lëvizje përmban një kuptim bachelardian të fluiditetit të
ujit dhe të gjakut, një lloj procesi emblematik i pafund përmes rrugës së
përgjakshme të pushtetit dhe autoritetit. Ka qenë, është dhe do të jetë e njëjta
gjë: pushteti do të zëvendësohet me një tjetër të të njëjtit lloj, këtë herë, pas
vdekjes së mëkatarit Macbeth. Gjakderdhja e gjithë ushtrisë së tij, siç do të
ngushëllohet Caithness, do të përmbushë pastrimin shpirtëror të gjithë vendit
dhe do të jetë ushqim për lulen e re krejt të ndryshme të pushtetit të ligjshëm
të sapolindur.
Excusatio non petita…!
19
VEPRA E ÇERKIN ISMAILIT
( pjesë nga studimi )
NJË VIZION ARKITEKTONIK
Nga : Prof.dr.sc.But Jaku
Romani “Ethe të trishta” përfaqëson kronologjikisht veprën e pestë, në
përgjithësi, dhe romanin e dytë, në veçanti, të autorit Çerkin Ismajli, me të
cilin ai edhe njëherë ka vënë në sprovë individualitetin e vet krijues në
zhanrin e prozës duke i dhuruar lexuesit një roman modern me tema dhe ide
të trajtuara me invencion të fuqishëm artistik.
Miti i vdekjes me sy hapur që njihet nga mitologjia iliro – pellazgjike i cili,
mbase ka edhe karakter biblik, në romanin,“Ethe të trishta ”të shkrimtarit
Çerkin Ismaili paraqet aspiratat e njeriut dhe idenë e sacrificës individuale
për liri, shprehur përmes metodave më të avancuara të figuracionit letrar, jo
vetëm duke ngacmuar, por edhe duke provokuar situate të makthta nga
realiteti i zymtë shoqëror që I relevon metafizika banale e absurdit të
subkoshencës që trand fuqishëm dinamikën e jetës reale kur njeriu dënohet jo
vetëm t`i përjetojë shpirtërisht, por t`i jetojë edhe si realitet ethet që
rezultojnë të trishta me posttraumën psikike në jetën e brishtë të pasluftës.
Ka diçka misterioze, mbase edhe magjike, që shëmbëllen midis filozofisë së
peshkut të Heminguejit dhe romanit “ Ethe të trishta”të Ismailit, që lexuesin
e rrëmben fuqishëm, e përvetëson me imazhin dhe mesazhin e fuqisë së
mendimit filozofik, përmbajtjen tekstuale dhe nëntekstin, konceptimin e
figuracionit metaforik, koloritin epiko – lirik dhe identifikimin, të mitit me
realen.
Miti i vdekjes së njeriut me sy hapur në këtë roman ndërlidhet me
filozofinë e konfrontimit të mizantropisë dhe filantropisë si dy kahe të
kundërta të botës spirituale të njeriut. Heronjtë e romanit të Çerkin Ismailit e
zgjedhin mënyrën e vdekjes me sy hapur jo pse e gjakojnë mënyrën e tillë të
vdekjes, jo pse nuk e duan apo janë irrituar nga jeta, por pse edhe pas vdekjes
duan t`i shohin sa realizohen përpjekjet dhe aspiratat e tyre për liri.
Shkrimtari, gradualisht dhe fare vetëdijshëm, figurat historike i mbërthen
dhe i ndërthur me botën mitike të vdekjes me sy hapur.
Sytë hapur për liri i mbeten edhe Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Më sy hapur jep frymën e fundit Dedë Gjon Luli, në Kroaci Filip Latinoviqi,
W.Teli në Zvicër. Më shikim kah liqeni i mbeten sytë hapur Oso Kukës. Me
20
sy hapur vdes në qeli burgu edhe Fazli Greiçevcui, me sy hapur vdes edhe
Adem Jashari…
Duke i ndërthurur dhe strukturuar ngjarjet dhe figurat historike në syzheun e
romanit, autori me invencion dhe zhdërvjelltësi të veçantë artistike e
dekompozon figurshmërinë metaforike të nëntekstit dhe rrëfimit letrar, duke
metamorfizuar mitin në absurd dhe absurdin në realitetin tonë historik i
cili në roman shfaqet jo vetëm si dhimbje individuale dhe kolektive por
edhe si trauma fizike e shpirtërore, si paranojë morbide e unit të njeriut në
përditshmërinë tonë të pasluftës që rezulton si botë zhgënjimesh shpirtërore
të njeriut të sacrificës individuale apo kolektive, kur;
“…paslufta na doli luftë e shkuar luftës ”.
Traumën paranojake të absurdit në realitetin e përditshmërisë tonë, shkrimtari
e veneron këtë bazë me prejardhje mitike që vazhdimisht e përcjell
shqiptarin në kontekste historike, duke i tjetërsuar jo vetëm portretin
shpirtëror, karakterin dhe botën ndjenjore, por edhe portretin fizik, duke e
gjykuar dhe dënuar të jetojë në kontestet historike të identifikuara si barrë
e mëkatit që mban të zgjuara dhembjet, të cilat ironikisht paaftësinë dhe
pafajësinë historike individi dhe kolektiviteti ynë i mbajnë gur në qafë.
Kështu, njeriu me traumën paranojake të kolektivitetit pushtues në luftën e
fundit, shkrimtari e ka parë si qenie njerëzore të dehumanizuar dhe
metamorfizuar në qenie hibride si një lloj kluoni fantaz – magorik dhe
njeriut të çakërdisur mentalisht dhe moralisht.
EGOJA VRASTARE, SADIZMI DHE FASHIZMI I USHTRISË
OKUPATORE.
Kolektiviteti pushtues, pra ushtria pushtuese në romanin “Ethe të trishta ” të
Çerkin Ismailit, është një ushtri fantazmë e sakatosur psikologjikisht, me
ndjenja të vrara, ushtri e përbërë nga skizofrenë, skajshmërisht paranojak, nga
të burgosur, ekstremisht të kriminalizuar dhe nga gjeneralë të ç`thurur
mentalisht, të cilët e nisin luftën pushtuese në emër të “shenjtërisë së Shën
Savës ”, duke bërë luftën e tokës së djegur;
“Po nuk e dogja këtë qytet si Neroni Romën antike , ose më thënçin gjeneral
Gexha …u, betua gjenerali pasi nguli bajonetën në lëdinë ”.
21
Përmes realizimit artistik të personazheve që udhëheqin ushtrinë okupatore,
duke përdorur një metodë të veçantë psikologjike të vetëzbulimit të
karaktereve, shkrimtari shpalos botën ndjenjore, egot vrastarë, sadizmin dhe
fashizmin e ushtrisë okupatore, në një kohë kur jo vetëm njeriu, por edhe
natyra; mushkonjat, galat, shiu, balta edhe NATO-ja janë kundër saj.
Gjeneralët e ushtrisë okupatore në vend të turpërohen dhe të pendohen me
krimet e kryera, mburren me krimin, sillen si heronj ngase krimi u është
ngulitur thellë në labirintet e errëta të jetës dhe qenies së tyre morbide. Pa
sensin e krimit të cilin shkrimtari e kërkon dhe e gjen jo vetëm në
karakteret, por edhe genin e tyre kombëtar në kontekstin historik, këto
personazhe nuk do të tipizoheshin dot.
Kështu, personazhi i gjeneral Gexhës dhe major Zhugës janë portretizuar si
prototipe të njerëzve të zhveshur plotësisht nga bota sensuale që e
karakterizon njeriun.
Një meritë e veçantë e autorit në romanin “Ethe të trishta ” është
individualizimi i gjuhës së personazheve, nëpërmjet të cilit ai satirizon dhe
ironizon portretin moral dhe psikologjik të tyre. Gjuha e gjeneralëve
okupatorë vlon nga sharjet, fyerjet, kërcënimet, namatisjet, shantazhet,
etiketimet për njëri-tjetrin, sidomos në episodet kur paraqiten skena të
tmerrshme të ikjes nga lufta. Ata shajnë Shën Savën në emër të të cilit janë
nisur në luftë, fyejnë e mallkojnë patrikun që i ka bekuar kur janë nisur në
luftën e tretë pushtuese, shajnë “shtetin e Stalinit” që në momentet
vendimtare u lë “ këmbët e arushës në dorë ”. Finalja e luftës e thyen
moralisht, e zhgënjen, e demoralizon, e përul këtë kope gjeneralësh, të cilët
misionin e “shenjtë” të pushtimit të tokave e shndërrojnë në vjedhje, abuzim
moral dhe plaçkitje. Ata vjedhin e plaçkitin ç`gjejnë përpara;
“ Ju vidhni kufoma sa të mundeni. Dhjetë maune me kufoma i kam
premtuar gjeneral Çiklopit kur jam nisur në luftën e shenjtë. Kur të kthehemi
do mburremi me vjedhjen e kufomave. A ka ushtri në historinë e
përbotshme të ketë vjedhur kufoma si ne… Pastaj eshtrat e këtyre futzinjve
do t`u shesim familjeve të tyre fatzeza… Kështu,vetë do bëhemi milionerë
edhe shtetin e bëjmë milioner. Kështu, i humbim përgjithmonë edhe gjurmët
e krimit. Shikoni. Këtë qafore e vodha t`i var në qafë kurvës time
gjarpërushë sapo të arrij në kryeqytetin e shtetit tonë ”, mburrej para
batalonit gjeneral Gexha.
22
RENEGATËT E LUFTËS, KUR E DO MOMENTI, DINË TË
KOVERTOHEN
Edhe falanga e “Mëhallës së Xhehenenit ” e paraqitur në roman nëpërmes
një galerie të tërë personazhes siç janë Lugati, Akun Bishti, Harun
Bixhozxhia, Ziban Ziu, Zebek Zabuni, Haram Harambashi, Rahiala etj, janë
aleatë të luftës dhe të pasluftës me okupatorin. Ata janë portretizuar injorantë,
intrigantë, mendjeshprishur, idiotë dhe atdheshitës të mbytur në pellgun e
krimit barabar me okupatorin. Renegatët e djeshëm të luftës janë paraqitur
finokë që kur e do momenti dinë të konvertohen në “ çlirimtarë” të
pasluftës, shfaqen si elite e re politike dhe ushtarake.
Ushtrinë e NATO – s , e presin me lule, duke pozuar si viktima. Përsëri
merren me organizimin e krimit. Nxisin dukuri devijante në shoqërinë e
sfilitur të sapodalë nga lufta. Abuzojnë me moralin shoqëror. Organizojnë
bixhozin, trafikimin e femrave, organizojnë atentate, vrasje, dosjet e të cilave
i mbyllin si misterioze.Vlerat shoqërore i servirin si kundërvlera, kurse
shundin, kiçin, sakatosjen intelektuale e servirin si vlerë moderne. Ata
abuzojnë me vlerat individuale dhe kolektive të luftës. Ai që tradhton një
herë ka prirje të tradhtojë shumë herë, sikur do të thotë autori, duke lozur
me karakterin dhe psikologjinë e tyre prej injorantësh e deri në vrasës
ordinerë. Kundër kësaj kaste renegatësh shkrimtari paraqet figurën e
atdhetarit të devotshëm, Lush Rebeli, personazhit qendror të romanit.
Përpjekjet e këtij personazhi, që në roman del si më i admiruari nga
lexuesi, për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në periudhën e pasluftës
rezultojnë të dëshmuara, edhe pse përpjekjet si ndal dot. Heroi i burgjeve, i
organizimit të rezistencës kundër pushtuesit, heroi i luftës dhe sacrificës
sublime, heroi që lë gjymtyrët e trupit duke rrëzuar gurin e kufirit
shndërrohet në hero të paepur kundër fundërrinave shoqërore që në
shoqërinë dhe realitetin tonë të pasluftës njeriut i imponojnë jetë jetë me
trauma të reja në rrethanat e pasluftës akoma pa u mbyllur plagët e luftës.
Përpjekjet e tij për t`u vënë gjoksin përpara dukurive devijante të pasluftës
i përngjajnë asaj filozofisë lasgushiane të lundërtarit në detin e trazuar që “
hepohet… anohet…valon…por luftën se ndal kursesi ”. Renegatët
saktësisht i masin pulsin dhe ritmin e jetës shoqërore, ndaj tani ndërrojnë
strategjinë e tyre të veprimit. Përveç nxitjes së dukurive devijante në
shoqëri, ata organizojnë rrjetin mafioz të pëfitimit nga mashtrimi i
familjarëve që në luftë kanë humbur të dashurit e tyre duke ndrydhur më
ashpër se lufta ndjenjat sublime të prindit ndaj fëmijës që nuk ka as varr për
ta qarë. Një nënë dhe një grua e mashtruar, nga dhembjet e së cilës për të
23
birin dhe të shoqin përfitojnë mafiozët e pasluftës, është Xixëlonja, heroina
e romanit që bie pre e renegatëve Ziban Ziu e Akun Bishti.
“Jo more edhe Gëzimi edhe Rama janë gjallë në burgun e kolonel
Xhungalliqit. Më gojën time kam folur me Gëzimin e Ramën. Më veshët e
mi i kam dëgjuar. Mirë jam nëna Zhizhë, po nëna Razhë si është
…Dhimbja e Plaga si po ia kalojnë me dhimbjet e pasluftës, më tha Gëzimi
im. Hallall i paçin dhjetë mijë market Ziban Ziu e Akun Bishti i kryeqytetit
që më mundësuan t`u dëgjoj në telefon zërin Gëzimit e Ramës. Por….diç,
po druaj. Të keqen nëna, Gëzimit tim si t`u kishte trashur ashtu zëri e
gjuha. Nuk mundi të më thërrasë nëna Xixë, por më thirri Zhizhë . Edhe
nënë Razën e thirri nëna Razhë. ”
Ky citat është vetëm një dromcë e trishtë e traumës, paranojake që përjeton
viktima e shpërfillur e luftës në lirinë e brishtë të pasluftës në romanin “Ethe
të trishta ” të Çerkin Ismailit.
24
ME SHPIRTIN PËRHERË NË FLUTURIM.
Referim estetik rreth poezisë së Frederik Rreshpjes - Shkëputur nga Libri
“Ngjyrime Universale (Ese-I ) ” .
Nga : Agron Shele
Ndodh shpesh që mungesën e një miku e përjeton trishtshëm, ndërsa atë të
një personaliteti e përjeton tronditshëm, të pazakontë dhe absurde për ikjen e
beftë, gati të zbrazët për boshllëkun që krijon, por dhe shumë reflektive për
gjurmët e ndritshme që ka lënë pas. Shumë vite më përpara vdekjen e poetit
të madh Frederik Rreshpja, këtij bohemi që kishte për zemër dhe shpirt lirinë
e pakufi njerëzore, këtij disidenti dhe humbësi që lulëzoi mbi gërmadhat e
kohezionit më të egër të shqiptarëve, të krijuar nga diktatura, do e përjetoja
poetikisht :
Ti ike ashtu, krejt papritur
me mallin vjeshtëror në gji.
Me zemrën mbetur peng atje
tek i shenjti,
liqen turfullim.
Ti humbe rrugëtimës pa kthim,
me të vetmin ëndërrim në shpirt,
me të vetmen pasuri që kishe,
Dorëshkrime
dhe copëza poezish.
Ti ike larg, si era,
në të përjetshmen paqe,
ngadhënjim.
Me sytë e shpresës tek e nesërmja,
me shpirtin, përherë në fluturim.
Koha dhe pas koha sjell tjetër sugjestion dhe një vështrim estetik do të ishte
ndoshta shumë më pranë ndjesisë dhe plotësimit të aspiratës letrare për të
depërtuar, lançuar, por dhe kuptuar diafragmën estetike dhe filozofike të këtij
modeli dhe inspiruesi të ndryshimeve të mëdha artistike në Ballkan dhe më
25
gjerë. Kaq impresionues dhe kaq tronditës ka trokitur vepra e tij në artin e
madh bashkëkohor sa korifenj të kritikës botërore do e cilësonin, si art i një
mjeshtërie që u mungon autorëve të mëdhenj botërorë, ose të qënit krenar për
këtë Pushkin shqiptar. E gjithë poezia e tij vjen si një flakërimë që përskuq
yjet e ndezur të qiellit, vjen si pasthirrmë e ndërgjegjies qytetare për
reminishencat e kohëve gri të atdheut , vjen si dhimbje e sublimitetit njeri,
vjen si muzë e mbrëmjeve të ngrysura dhe përthyerjeve të agimeve zbardhësi,
vjen si meditim dhe fuqi të pakufi shprehëse, vjen si konfiguracion i
pakrahasueshëm dhe metaforikë deri në magji. Ndërthurja e elementëve
figurativë me mesazhin filozofik janë komponentët bazë të poezisë së këtij
autori, i cili krejt natyrshëm ideon dhe percepeton si individualitet i
përmasave dhe hapësirës universale të mendimit, si mëshirues i aspiratave
etike dhe përparimtare, si ndjesi përjetuese dhe tronditje shpirti. Kaq
ngjyruese është telajua e penelatës së tij poetike sa befasohesh dhe
inspirohesh, prekesh dhe hyjnizohesh dhe kështu si në majat e olimpit letrar
shqiptar ndjek fluturimin e muzave dhe zotave të tij të frymëzimit, ndjek
largësitë kryqëzuese të mistizmit, ndjek vezullimin e dritës që tejçon nga
përtej kozmosi i areolës krijuese.
” Duke ecur në ajër, atëherë kur vdesin ngjyrat
Mbi gjunjtë e muzgut;
Duke ecur mbi retë atëherë kur vdesin shirat,
Duke ecur mbi ujëra kur vdes anija e bardhë.”
Vargje tronditëse, vargje që shkelin nëpër rrugëtimin eremi poeti, aty ku
prizmat nuk përthyejnë më kolorite ngjyrash, por kuadratojnë gjysmëdritën e
përftuar nga syprina e tavolinës së heshtur, mendime haluçionalë, re dhe shira
të vdekur, pa ndjesi, pa sëmbimin e xhamave kristalinë ku bulëzat jetë
shtrijnë gjymtyrët përmallim, pa vela të bardha, por si në humbëtirën e
pamatë të ngjirizeve thellësi ku qënësia humbet shkëlqim dhe kuptimësi.
Diçka ka ndodhur atje mes qiellit dhe ngjyrimeve, mes reve dhe shiut, mes
ujërave dhe anijeve të bardha. Zemra e poetit është krisur por jo thyer, dhe
ashtu i endur në zanafillën e gjithë këtij misticizmi, gati si në metamorfozë, ai
rend me gjunjë muzgu, për të rrëfyer të parrëfyerën, për të drejtuar gishtin e
drejtësisë mbi pretorët e komunizmit dhe për të vrarë monstruozitetin e
memecërisë.
” Këndoi bilbili i vetmuar deri në dhembje,
Por askush nuk e dëgjoi zërin e tij,
Sepse i mungonte kafazi.
Mbi një piedestal heshtjeje
26
Dergjet profili im që në lindjen e gurit. ”
Shtjellimi i idesë, e cila në mënyrë metaforike profilizon që me epokën e
gurit, gati në përjetësi (kuptim shumëdimesional i profilit njerëzor),
epiqendërzon qëndrimin e hapur dhe gjithë botën ideore të autorit, i cili i
vetmuar (ose i veçuar për mendësinë dhe mentalitetin krejt tjetër nga ai i
shoqërisë së tij bashkëudhëtare) shpreh dhimbjen për fatkeqësinë e madhe që
përjeton vendi (diktatura), por dhe dëshpërimin nga indoktrinimi i një populli
të tërë ( metastazat e të cilit nuk i shërojnë as dekada të tëra) dhe i ngritur mbi
piedestalin e heshtjes rrebelon me akcent bilibili zërin e arsyes, si zë i së
vërtetës, drejtësisë hyjnore dhe lirisë aq të munguar. Aspekti i këtyre vargjeve
nga pikëpamja filozofike por dhe psikologjike mbart një mesazh shumë më të
gjerë, atë të referimit dhe funksionimit të qënies si natyrë njerëzore
(arsye+ndërgjegje), i cili është krijuar për të aspiruar dhe manifestuar vlera
dhe në thelb të gjithë këtij karakteri qëndron vullneti dhe konseguenca për
parashtrimin por dhe mbrojtjen e qëllimeve të shenjta dhe ideve.
” Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin
Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen! ”
Humbjen e nënës poeti e përjeton në mënyrën më drastike, më të prekshme,
më të dhimbshme se vetë dhimbja, nën një shi mermeri, të projektuar nga
arkeologjia e perëndive mitike gati të paprekshme dhe përjetshme, por që po
rrëzohen dhe po shemben, për të ringritur tjetër idhull, tjetër shtatore më e
lartë se të gjithë orakujt e mbledhur bashkë, atë të krijueses së jetës, Zotit të
vetëm që e ka patur udhërrëfyes në jetë : Ave, nëna ime!
Poezia e Frederik Rreshpjes ka pezëm dhe larmi stilistikore, ajo vjen jo
vetëm si strukturë e lirë shpërthyese, por dhe me vargje strofike dhe rimime
të puthitura, ku njësoj si Pushkini të beftëson me fuqinë shprehëse, bukurinë
dhe kumbimin e fjalës poetike, të mahnit me elokuencën dhe ndjeshmërinë e
shpirtit dhe të magjeps me figuracionin e krijuar.
” Noton në përrua me gjethet mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte
Dhe shtergët e fundit shkuan të ngrirë
Mbi syte e verdhë në heshtje. ”
27
Harmonizimi perfekt i elementëve natyrë me elementët jetësorë e bën
vjeshtën më simbolike, më platonike, më adhuruse për iluzionitetin që sjell
kjo stinë në memorien e njeriut, si stinë e shirave të sigmatizuar nga lotët e
vajzës, për gjethen dhimbje që humbet nëpër erë, si dhe për ngjyrën e trishtë
që përkon me shpirtrat e trazuar.
” Lulëzoi druri i portës së vjetër.
Ah, druri i vdekur çeli lule!
Ti këputi dhe me to bëj kurorë,
për mua që të prita deri në vdekje. ”
Me të njëjtën stilistikë vjen edhe poezia ” Druri i portës ” , dru i cili kish
mbetë i shkretë nga vitet e pritjes së poetit, dhe kur kërcëllima gati e humbur
e hapi atë, ai çeli si në profeci lulet më të bukura të jetës.
” O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në stere.
Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të ktherm përsëri në çdo stinë që të dua.
Unë kam qënë trishtimi i botës.
O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri. ”
Poezia “Përgjithmonë” ka një domethënie dhe kuptim gati universal, e cila
ngre paratezat e jetës dhe të vdekjes, dy gjendjeve ekstreme, të cilat nuk
maksimilizojnë me dramatizëm por me afektivitetin përjetësues edhe pse kjo
vjen e dozuar nga përditësia e tij pesimiste (Unë kam qënë trishtimi i botës).
Vdekjen poeti e parafytyron pa kujë dhe bujë, edhe pse deti me gjithe
mistizmin dhe madhështinë e tij nuk do të mund të trazojë më me valët
shkumëzuese, pa dhimbje, edhe pse lotët e natyrës do kenë ngrirë, por ashtu
të thjeshtë, si një çast humbimi të përkohshëm dhe të mbështjellë nga ajri i
mbrëmjes së rilindjes së frymimit të muzave të tij.
Frederik Rreshpja është rikthyer edhe më rrëzëllues, ka rilindur edhe më
madhërishëm në të katër stinët e vitit, në pranverën e luleve dhe verën
mahnitëse të Bunës, në vjeshtën e dhimbjes dhe dimrin e akullnajëzuar, si
frymë dhe model, si simbol i dlirësisë dhe shpirtit përherë në fluturim, si poet
i gjithë dimesioneve dhe mbret i metaforikës shqiptare, si vlerë që theu tabutë
e kohës dhe diell që shkëlqen përmbi qiejtë poetikë, për të sotmen dhe të
nesërmen e Letërsisë sonë Kombëtare.
28
GJAMË ALETHEIKE PËR ATDHEUN E KTHYER NË FERR
-Për librin e Kolec Traboinit “Orakujt kanë zbritur në ferr”
Poemë, Tiranë 2015.
Nga : Anton Gojçaj
Poema “Orakujt kanë zbritur në ferr” është një gjamë e thekshme dhe e
dhimbshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Tentakulat e saj prekin poezitë
e njohura satirike të Fishtës, Ali Asllanit, Nolit, Çajupit, poezinë dhe prozën e
Migjenit, por edhe vargjet dhe personalitetin e “bitnikut” amerikan Alen
Ginsberg, etj. Në sensin e komunikimit “intertekstual”, jo imitues. Në
krahasim me të gjithë ata, Traboini është një grim më i ngrohtë, më i
mëshirshëm. Ai edhe kur godet, (vetë) nuk ndjen më pak dhembje sesa i
godituri. Nuk shkruan si dikush që i gëzohet të keqes së tjetrit, po si njeri
zemërplasur, me durim dhe shpresë të humbur, që tregon me gisht plagët e
shoqërisë, por edhe shkaktarin e tyre.
Është zëri i ndërgjegjes dhe krenarisë (kombëtare), që pa marrë parasysh
sedrën e lënduar, ende mbahet dhe inkurajon vetveten. Të keqen e lufton me
gjilpëra ironike që ngulen thellë. Nganjëherë, me objektivin për t’ia kthyer
me të njëjtën monedhë palës që merret në shënjestër, si përgjigje për
poshtërsitë që ajo ia bën, përdoret sarkazmi:
Të jesh shqiptar e të kapërcesh
kufinjtë e shteteve
është si të ngjitësh në mal
Gurin e Sizifit.
(……………………….)
Eja e dashur të vemi në krevat.
Jemi të vdekur.
T’i tregojmë për herë të fundit
Pasaportat njëri-tjetrit
E pastaj na dërgofshin në djall.
(Gjama 10)
Lënë përshtypje të mirë figurat e realizuara stilistike, që nganjëherë dalin të
shumëfishta, si në sekuencën strofike: “për lepurin që struket në një guvë / si
të ish fëmijëria jonë / e nëpërkëmbur” (GJAMA 13), ku brenda një imazhi të
thjeshtë gërshetohen metafora, simboli, krahasimi dhe alegoria.
29
Në trevën e Malësisë së Madhe, nga i ka rrënjët poeti, burrat nuk qajnë. Por
kur vdes një mashkull, vajtori bën gjamë! Si njëfarë rekuiemi epik! Po kujt i
bën gjamën Kolec Traboini? Kush qenka i vdekuri që poetin e detyron t’i
bëjë jo më pak se 17 gjamë? Askush tjetër veç “Atdheu si trup prostitute”!
E quajnë mbretëreshë
të denjë për kurorë
për fron e oborr
për pajë e për prikë
të tjerë, që edhe ata
duan ta rrjepin
e duan seks-nudo
Republikë!
(Koralja e Orakujve 5 )
Gjendjen e keqe të bashkëkombasve autori e pikturon si me penel në një
tabllo metaforike plot dramacitet dhe tepër shprehëse:
Gomone e shpuar, e zhvirgjëruar
në mëshirën e pamëshirë të dallgëve
frymët njerëzore tallazitur e përhumbur
në katakombet ogurzeza të Otrantos.
Narkotikë në borseta grash
e bagazhe artistësh
me “Monologët e Vaginës” nën sqetull
(Gjama 4)
Nga vjen gjithë kjo namë e ky mallkim për shqiptarët? Kush është fajtor pse
Shqipëria është shndërruar në një serial horrori “live”, ku çdo ditë zhvillohen
skena tragjike përmasash shekspiriane, në “salla koncertesh me kufoma
shëtitëse”? Poeti fajtorët i identifikon dhe i lëçit me të vetmin mjet që ka –
me fjalën e fuqishme poetike:
Parlamentarë mediokër të zbritur prej
guvash si njerëz të lashtë a majmunë
afrikanë para megafonësh modernë.
Me një Parlament
ku çligjërohen ligjet
e ligjërohen antiligjet
e në Foltoren e Popullit
ujqërit u bëjnë moral
30
qytetarëve të ndershëm.
(Gjama 7)
Një term që ndoshta e shpreh mjaft mirë frymën e kësaj poeme është aletheia
(Aλήθεια), fjalë që në greqishte ka domethënien e “zbulimit të diçkaje të
fshehur”, zbardhjen, nxjerrjen në dritë të së vërtetës lidhur me ndonjë dukuri
a çështje jo të qartë. Ky orakull “aletheian” predikon zhveshjen, demaskimin,
deri në lëkurë, të botës, pa rroba dhe pa grim, ashtu siç e ka falë Zoti:
...e me çdo kusht
metaforave hermetike u hiqni
brekët.
O Zot, sa e bukur kjo botë poetike
lakuriq!
(Interlud 3)
Nëna e të gjitha të këqijave për popullin shqiptar është politika! Në vend që
njerëzve t’ua bëjë më të lehtë jetën, politika shqiptare kontribuon për
nëpërkëmbjen e vlerave humane dhe morale. Dyluftimi i poezisë (artit) dhe
politikës nuk është diçka e re në shoqërinë shqiptare. Ky konflikt ka një
vazhdimësi historike qindvjeçare dhe këtu përsëri i kujtojmë “Anzat e
Parnasit” të Fishtës, “Hakërrimin“ e Ali Asllanit, poezinë e Nolit dhe
poezinë e novelat e Migjenit, etj.
Lidhja me atdheun është anteike, e prek në palcë poetin, i cili edhe kur
kritikon, mundohet të reflektojë për arsyet, shkaqet, duke shtruar pyetje dhe
duke kërkuar analogji... Vargjet e disa “gjamëve”, mëse një herë, megjithëse
lidhjet mund të jenë tepër të largëta dhe të imëta, më kujtuan një fragment
nga Ungjilli sipas Lukës (13:34 – “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e
me gurë i mbyt ata që të dërgohen”), sidomos në çastet kur subjekti lirik i
drejtohet drejtpërdrejt Atdheut, i zhgënjyer për mosmirënjohjen dhe
vrazhdësinë që i vjen prej tij:
... Shqipëri, vendi im, deri kur do të
vazhdojnë këto mundime njerëzore?
Deri kur do t`i lësh pjellat e tua
të bredhin nëpër botë për ca
euro-dollarë që mezi ua shtyjnë rrojtjen
të lajë pjata për bukë një poet a doktor?
(Gjama 2)
31
Shqipëria e Traboinit sillet më shumë si njerkë sesa si nënë ndaj bijve të vet
më të virtytshëm dhe më të talentuar. Kur mediton për arratisjet e përmasave
“biblike” të bashkëkombasve ai gjen një ngjashmëri te populli i Izraelit, që po
ashtu, për shumë shekuj, endej gjithandej nëpër botë, pa atdhe... Për
ndryshim nga Izraeli, këtu atdheu ekziston, por është kthyer në ferr të vërtetë,
prandaj poeti/orakulli është “në fund të fundit të durimit dhe shpresës” dhe i
revoltuar i drejtohet (atdheut) me një – antigjamë:
Atdhe ka ardhur koha të dhjesim!
Pëlhura me një shqiponjë të çapëlyer
Kacavjerrur në gjysëm shtizë.
Një kokë klith, tjetra rënkon.
Sqepat e varur si zorrë varfanjaku
këndojnë me ulërima:
Është ora finale – vendimtare mbi dhe.
Inter-fekale – do të jetë bota e re.
(Interlud 2)
Atmosfera e zymtë që mbizotëron shkon deri në fillin e fatalizmit - “qenërisht
na rrahën të ardhmen / prej së djeshmes vijmë të rraskapitur / lindëm e po
vdesim në vuajtje” (Zëra ikanakësh përtej mjegullave). Fatmirësisht, “zbulimi
aletheian” nuk është i njëjtë me “zbulesën” (apokalipsën) e Gjonit dhe mbetet
shpresa se bota shqiptare (dhe jo veç ajo) megjithëse ka rënë shumë poshtë
moralisht, mund të ndodhë lustrimi dhe vetëndërgjegjësimi.
Libri mbyllet me elegjinë satirike semantikisht dhe muzikalisht mjaft
koherente “Ma vodhën atdheun”, e cila brenda vetes ka aq shumë mllef të
akumuluar sa përngjan sikur është shkruar me llavë.
Poema, me kritikën që i bën politikës zyrtare dhe atyre që mbajnë frerët e
pushtetit, manifeston tipare të theksuara satirike.
E veçanta e saj është mungesa e humorit dhe prania e melankolisë.
E kam ditur se Kolec Traboini e shkruan bukur poezinë e dashurisë. Me të
lexuar dorëshkrimin “Orakujt kanë zbritur në ferr“, u binda se ai e “qan” edhe
poezinë satirike. Këto vargje janë më shumë sesa thjesht satirike. Është lirikë
polemike par excellence.
32
MAGJIA E PËRKTHIMIT TË NJË MATRICE POETIKE.
(Refleksione për librin " Striptizë poetike në Washington D.C. " të Moikom
Zeqos, botim i Aparkeas – Abraxas Tiranë 2014).
Nga : Fatmit Minguli
Një libër, një antologji e poetëve modernë amerikanë, një përkthim magjik i
73 poetëve të përzgjedhur nga poeti Moikom Zeqo.
Përkthime të poezisë anglosaksone e veçanërisht të asaj amerikano veriore.
Të përkthesh një poezi të poetit të huaj do të thotë te përkthesh vetë poetin.
Atëhere përkthimi nuk është më një përkthim. Eshtë diçka tjetër që vetë
Moikomi e quan "striptizë poetike" e që mund të thuhet dhe "striptizë
shpirti".
"Këta poetë janë brenda meje. Ose unë isha brenda tyre" – kështu shprehet
Moikom Zeqo për këtë liber që është më tepër se antologjik.
Kur e pyetën një njeri të ditur se ç'është poezia, ai u përgjigj:- Eshtë një
mister i pashprehur-.
Po përkthimi i poezisë ? - do shtoja unë. Përgjigjen e gjej pikërisht në këtë
libër ku janë përkthyer poetët më të mirë të Amerikës.
***
Letërsia anglosaksone ka ardhur relativisht vonë ne Shqipëri. Fan Noli e
hapi portën e saj me Shekspirin dhe me Longfelloun. Pastaj erdhën " Fijet e
barit" të Walt Witman- it nga Skënder Luarasi dhe "Parajsa e humbur" e
Xhon Miltonit përkthyer nga Alqi Kristo.
Por poezia moderne kishte boshllëk në vazhdimësi deri kur Gentian Çoçoli
botoi të përkthyer kolanën komplete me dhjetë poetë amerikanë. Nje plotësim
boshllëku i ndjeshëm jo vetëm për poetët dhe studiuesit shqiptarë.
***
Moikom Zeqo e filloi këtë punë madhore që në vitin 1997, në Washington
D.C. , ku " ethet " e para u shprehën të botuara në librin e tij "Shtatë ditë të
zbulimit të Amerikës" dhe me vonë në librin " Çfarë i thotë nata varkës së
zbrazët" të poetit bashkohës amerikan Wayne Miller.
Ndërsa në librin e parë i dha një dritë inteligjente poetëve të "Beat
generation", shoqëruar me rrezatimin profetik të Wallt Witmanit, në librin e
dytë Moikomi na fut në botën e poezisë urbane të ditëve tona në Amerikë.
33
Po këto nuk mjaftonin për xhveshjen e plotë të shpirtit poetik të tij prandaj
solli këtë vepër të papërsëritshme duke u futur në rrymat përçuese të ideve të
poezisë së Botës së re moderne.
Një rrugë e gjatë përkthimi, një aventurë elegante në tokat e pazbuluara
poetike. Por rrugëtimi i gjatë nuk është e vetmja veshtirësi. Poezia moderne
amerikane përveç përzgjedhjes së autorëve ngërthen në vetvete mistere të
reja, mistere ndryshe nga ato të poezisë eurocentriste.
Umberto Eko thotë: " Përkthimi është një nga gjërat më të vështira por që e
bën të njohur letërsinë në botë".
Moikom Zeqo është shumë kërkues në këtë fluks vështirësie, fluks që tani,
me këtë libër të poezisë amerikane, është kthyer në një përmendore
kuptimplote.
***
Le të kthehem në boshllëkun që ekzistoi në Shqipëri, mungesën dhe largësinë
e poezisë anglo - saksone në Shqipëri. Përse ky fenomen ?
- Në Shqipëri u krijua matrica e eurocentrizmit, ngadalë por e plotësuar.
- Poezia e poetëve amerikanë nuk mund të përkthehet nga mjeshtrit e
mediokritetit.
Dhe me të vërtetë Ezra Pound, një nga poetët e mirë amerikanë që guxoi,
ndërmjet të tjerash, të përkthente poetët e mëdhej të Kinës e të Japonisë
thotë fare thjeshtë:" Poetët e mëdhenj, përkthehen vetëm nga poetë të
mëdhenj".
Por nuk mjafton me kaq vështirësia e nxjerrjes në drite të një antologjie, kur
është fjala për poezinë moderne amerikane. Dana Gioia, kritik dhe studjues i
letërsise amerikane bashkohëse shkruan:
" Shumëfishimi i poezisë së re dhe i programeve të poezisë ka arritur
dimensione të habitshme që kapërcejnë çdo masë historike. Gati njëmijë
përmbledhje të reja me vjersha botohen çdo vit, përveç asaj mizërie me poezi
të reja që botohen nëpër revista të vogla dhe të mëdha. Askush s'e di se sa
recitale poetike organizohen çdo vit, por me siguri numri total i tyre duhet të
jetë dhjetra mijra. Konkretisht tani në Sh.B.A. ka rreth dyqind programe
pasuniversitare për artin e të shkruarit, dhe më shumë se njëmije programe të
tilla të nivelit universitar. Duke marrë një mesatare prej dhjetë studentësh që
studiojnë për poezi në çdo seksion pasuniversitar, në dhjetëvjeçarin e
ardhshëm vetëm këto programe do të nxjerrin rreth njëzet mijë poetë
profesionistë me diplomë. Nga statistika të tilla një vëzhgues mund të arrijë
lehtë në përfundimin se jetojmë në epokën e artë të poezisë amerikane."
Përse kjo pasqyrë e botës poetike amerikane? Sepse duhet kuptuar edhe
shumëfishimi i botëve poetike në një rrezatim të reflektuar me thyerje
prizmash, thyerje gjeometrike simetrike dhe thyerje pa përcaktueshmëri.
34
I ndodhur në dhomën e mistereve të poezisë amerikane të kohës sonë,
Moikom Zeqo ka ditur të orientohet me shqisën e shtatë, duke hedhur tej
format konvencionale të studimit të poezisë.
Antologjia me përkthime të poetëve moderne amerikanë "Striptizë poetike
në Washington D.C.", nën ankthin e së vërtetës jepet me shumë perparesi të
cilat po i paraqes të radhitura më poshtë:
- Eshtë nje komplet i madh poetik me 73 poetë që nga Witmani.
- Janë poezi që janë përkthyer vetëm nga Moikomi, çka përbën një veçanti
madhore në botën e përkthimeve.
- Eshtë përdorur teknika e kuptueshmërisë së vargjeve me formën e vargjeve
te paraqitura në prozë. Kjo është forma e jashtme por që i jep krahë
brendësisë për të kapur idenë në mënyrën më të plotë që poeti kërkon të
shprehë.
- Ka sensin e estetikës në përkthim, gjë që në shumë përkthyes mungon. Nëse
kjo estetikë nuk ekziston, atëhere një poet i madh i huaj duket tepër i
rëndomtë.
***
Po të shohim historikisht një nga faktorët e mësipërm, pikërisht përdorimin
e teknikës të paraqitjes së poezisë në formë proze, gjejmë si paraardhës Faik
Konicën që përktheu disa poetë të mëdhenj.
Natyrisht që realizimi me art i kësaj eksperience nga ana e Moikom Zeqos,
bazohet në përsosje të vazhdueshme të një pune të madhe edhe si poet
origjinal. Ndryshe nuk do të gjendej kjo përshtatje kaq natyrale e përkthimit
të poetëve modernë amerikane.
Moikom Zeqo sjell poetë të tillë të njohur në gjuhën shqipe si William
Blake, Walt Whitman,William Butler Yeats, Thomas Eliot, Ezra Pound,
Wallas Stevens, Silvia Plath, Gregory Corso, etj. Ai ka ditur të përzgjedhë
poetët midis detit të madh të poetëve amerikanë, ata poetë që na afrohen me
shumë si mesdhetarë por edhe si temperament prej shqiptari.
Nga është nisur Moikomi ka bërë këtë përzgjedhje?
Në radhë të parë ka qëmtuar vetëm pak poetë dhe në radhë të dytë nga
krijimtaria e çdo poeti ka marrë vetëm pak poezi. Qindra vëllime qarkullojnë
nëpër botën amerikane me poezi të këtyre poetëve por në antologjinë delikate
të Moikom Zeqos “ Striptizë poetike në Washington D.C.”, do të gjejmë
botën e shkuar të mpleksur me të tanishmen konkrete dhe me të ardhmen
abstrakte.
Për shembull poeti Charles Simiç në poezinë “ Njeriu i padukshëm” duket
sikur e përgjum të tanishmen dëftore dhe e trondit nga e ardhmja e foljeve
qiellore.
35
Vetë Moikomi në parathënien e librit të tij tjetër më të ri “Tri meduzat” –
Mischellanea 8 – shkruan: “ Ekzistenca e poezisë është përherë e fshehur, për
të mos u zbuluar asnjëherë plotësisht. Eshtë përherë përgjysmë. Edhe në
dritë, edhe në errësirë, simbolizmi i një grafike enigmash…”
Dhe me të vërtetë, ai është zbatues i rreptë i këtij përcaktimi perlë. Eshtë
kjo që tregon dhe sekretin e suksesit të një antologjie poetike të përkthyer. Ai
kthehet në magun e kërkimit të shpirtrave poetikë të ndjeshëm e të ngjashëm.
Ai përdor lëngun alkimik përmes makthit të përkthimit jo sintetik, por
frymor.
***
Në këtë antologji lexuesi shqiptar do të gjejë kënaqësinë e intersektimit të
botës së sotme amerikane me botët e lashtësisë europiane, me Biblën dhe me
Odiseun, me Roterdamin dhe më Afërditën e Luvrit. Poeti nobelist Derek
Walcot sjell në poezinë e tij “Odiseu” një Odise tjetër, tepër të dëshiruar, por
të kohëve tona. Metafora është e qartë.
Moikomi realizon kështu një tabllo të munguar në Shqipëri, atë të
pasqyrimit të poetëve amerikanë të Botës së Vjetër. Pikërisht këto rikthime
të poetëve modernë amerikanë në botën europiane të rrugëve romake,
Pompeit, Francisco Goja-s, Paulo Uccelon, Jeruzalemit, Bizantit, Dantes e
Karontit, etj e bëjnë antologjinë që po analizoj me vlera të jashtëzakonshme.
Në këtë prurje poetike mund të gjejmë përgjigjen në teorinë e “kujtesës së
drurit”. Kujtesa e drurit nuk është thjeshtë teknika e kthimit të pemës në letër
tipografike, është shumë më tepër. Është kujtesa e kohës, kujtesa e pemëve
jetë gjata që ruajnë në lëngun e tyre ngjarjet e jetës. Eshtë një teori që
Moikomi e ka shpalosur gjërë e gjatë në një festën e fshatit të Nivicë –
Bubarit, aty nën fëshfërimën e gjetheve të rrapit shekullor. Çdo pranverë
bashkë me çeljen e sytheve të para të gjetheve bëhen dhe emetimet e
historisë.
Janë pikërisht këto simptoma të kujtesës së pemëve, që poetët amerikanë
nga më të shquarit sjellin në këtë antologji.
Një nga poetët në këtë antologji Gregry Corso në poezinë “ Roterdam”
shkruan: ”Shtator 1957- në Roterdam vjen Gregry Corso- i ftuar nga një
telegram prej barkut- nga një agjent i padukshëm- për vizione- me shpresë
për punë letrare- ah, me dy valixhe dëshpërim- arriti poeti i vetmuar.”
Ose Carl Sandburg në poemën e tij të shkurtër me titull ”Kalimshmëria’ na
fut në botën e metaforave moderne me nëkuptimet që sjellin sfinksi, pagodat,
tempujt e Greqisë, katedralet gotike të mesjetës për të përfunduar
psikologjikisht në grataçielet e Manhatanit dhe Detroitit.
Ndërsa Patriach Column ka shkruar një poemë për Skënderbeun , ku
dëshiroj të përmend vetëm tre reshtat e fundit të poemës:
36
“ Dyqind vite luftrash në Europë,/por nën emrin e Skënderbeut / Ja,
ç’mendova ndërsa krilla më fluturoi përmbi krye!
Gati gjysma e poetëve në këtë antologji i janë kushtuar Europës.
***
Një vend të posaçëm zë në këtë libër edhe poeti i sotëm Wayne Miller.
Përkthyes i poezive të Moikom Zeqos nga shqipja, ky poet është konsideruar
një e ardhme e poezisë amerikane. Përkthimet e para të poezisë së tij u bënë
nga Moikomi në vitin 2010 dhe tani e kemi përsëri në grup me poetët e tjerë
modern amerikanë.
Poezia e tij është një skaner i jetës së qytetit amerikan të sotëm, ku lëvizja
në dukje turbulente qetësohet nëpërmjet tre personazheve fëmijë Justinës,
Klarensit dhe Andit. Udhëtimet e tyre imagjinare nën figuracionin poetik
tejet modern të Millerit të kujtojnë “Lizën në botën e çudirave”.
Një skenë e çuditshme paraqitet në poezinë “Festival rruge” , poezi e cila
është xhirimi i kamerës lëvizëse nëpër rrugët e qytetit: ‘Ku kulmet e palmave
janë elektrizuar në flokë-/Ku fishekzjarret bëhen hi nga terri-/ ku dritaret janë
copëza muzgu mbi rrugë-/ ku tingulli I dritës i jep zhurma lumit-.”
Wayne Milleri vjen i plotë në këtë libër striptize të poezisë. Duhet ta lexosh
që të ndjesh frymëmarrjen e shpirtit të poetit, e bashkë me të do ndjesh dhe
tingujt e rrugës, ditën dhe natë, do ndjesh lëvizjen kaotike të njerëzve në
trotuaret e Nju Jorkut e në fund do të kuptosh se vetëm kaos nuk ka. Rregullsi
jete, po!
***
Libri poetik me poezi amerikane “Striptizë poetike në Washington D.C.”
mund të jetë dhe një tekst i mirfilltë shkolle, që nga arsimi i mesëm e deri te
ai pasuniversitar. Dhe kjo nuk është thjeshtë një dëshirë, dhe as një propozim.
Eshtë një domosdoshmëri për të thyer ato koraca të ngurtësuara të teksteve të
letërsisë ku vetëm frymëmarrje shpërthyese të poezisë hapësinore nuk ka.
37
ËNGJËLL I BERISHA: KRIJIMTARI E PASUR NË POEZI DHE
HISTORI.
Nga : Peter Tase
Ëngjëll I. Berisha, u lind më 17 qershor 1962 në Korenicë të Gjakovës. Gjatë
studimeve në Gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë boton në periodikun letrar
prej viteve 1980 dhe vazhdon të botojë mbi tema të ndryshme të kulturës dhe
epopesë së luftës për pavarësi të Kosovës. Libri i parë i autorit Berisha u
botua më 1989 duke vazhduar pastaj edhe me disa përmbledhje poezish dhe
shkrime të tjera publicistike. Në vitin 1993 themeloi revistën letrare “Gazeta
letrare” duke qenë dhe kryeredaktor i saj. Gati në të gjitha gazetat e botuara
në Kosovë ka bashkëpunuar në faqet e kulturës, ndërsa gjatë viteve 1995-
1999, ka punuar si gazetarë në të përditshmen “Bota sot” dhe të përjavshmen
“ Eurozëri”. Në vitin 2000, fillon të punojë e ta drejtojë Bibliotekën Publike
në Gjakovë, ku vazhdon edhe sot. Themelon dhe është kryeredaktor i
gazetës për të zhdukur “27 prilli”.
Prej vitit 2005-2009 është kryetar i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”
Gjakovë.
Vazhdoi studimet pas universitare në Universitetin e Zarës në Kroaci, ku
mori titullin magjistër në shkencat e bibliotekarisë.
Njëri prej vëllimeve me poezi të autorit është “Kujtesë e Dehur” (2003), për
të cilin Halil Haxhosaj, një nga kritikët letrar më të njohur në Ballkan, do ta
quante si “udhëtim real dhe udhëtim poetik.”
Kritiku Haxhosaj e shtjellon studimin e tij mbi veprën e poetit Berisha me një
gjuhë shumë objektive dhe realiste:
“Ky udhëtim, nga autori shënohet, përveç me figura poetike, edhe me emra
konkretë gjeografikë, biblikë e mitologjikë, ku secili në dimension ka
kuptimin dhe fuknsionin e vet. Kalvari i udhëtimit shtrihet edhe nëpër ciklet
poetike të veprës duke u nominuar kuptimisht sepse fillon me një
“Kartëpostale të bronztë” dhe kalon nëpër krajata tragjike me “Anije të
dehur” duke u përbiruar “flakës së natës” një “shenjtëror i zi” andej kah
“Hala e shqipes” e për t’u sosur më 23 Maj 2003 në rivarrimin e Mejes në
Lëndinën e Lotve.
Krajatat e këtij udhëtimi duken se shpesh, me qëllim e pa qëllim, bashkohen
nëpër kthesat e historisë, për t’u kalitur dhe për t’u skalitur si dhembje lotësh,
por edhe si krenari dhe dëshmi brezash që këtu denbabaden kanë jetuar
shqiptarë që përpara janë identifikuar me emrin kombëtar e pastaj kanë
treguar për përcaktimet e tyre fetare. Kjo duket se është ngirur në piedestalin
38
e vetëdijes sonë sidomos në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa sa
herë që duhej luftuar për liri a vdekje ringjallej dhe marshonte vatrave e
trojeve tona. Kjo aromë hetohet edhe në vargjet e veprës “Kujtesë e dehur” të
Engjëll i. Berishës: /ja pra sot në përbashkësi/ ju o njerëz të Zotit/ pushoni në
përjetësi/ dy konfeksione e një gjak/ dy besime e një fat/ dy besime e një
motiv lirie/ dy besime e vetëm një mënyrë e vdekjes/.
Përfundimin e udhëtimit real, apo kalvarit të zhbirjes e të zhdukjes të
shqiptarëve nga agresorët serbë, autori e sheh të bashkëdyzuar me fatin
tragjik të vdekjes e cila është e pamëshirshme, është e ftohtë, është e
dhembshme, është përfundimtare. Kështu poeti vdekjen e zbut duke i dërguar
të rivarrosurit në përjetësi për të mos e zbehur dhe për të mos e harruar kurrë
kujtimin për ta, e sidomos kujtimin për vdekjen e tyre të përbashkët e cila në
atë moment nuk kishte bërë kurrfarë zgjedhjeje as faljeje.”
“Kthesat e historisë, për t’u kalitur dhe për t’u skalitur si dhembje lotësh”
janë një pjesë integrale në krijimtarinë e publicistit dhe historianit Engjëll
Berisha në tërësi. Në të gjithë veprat e tij, Engjëll Berisha ka mundur të hedh
dritë mbi sakrificat e kombit të tij, dhuna e ushtruar ndaj Kosovës së
përgjakur dhe fjalët e tij janë më të mprehta se bajoneta e ushtrisë sërbe
drejtuar ndaj Kosovës. Engjëll Berisha dhe familja e tij kanë dhënë shumë
për Kosovën dhe mbrojtjen e interesave të saj nëpërmjet penës së tij të
mbushur plotë me ngjyrat e vuajtjes, metaforat e sakrifices dhe telajot e
përgjakura.
Për kontributin e tij letrar, Berisha ka marrë këto vlerësime: Në vitin 1997 në
takimet tradicionale të “Takimet e Gjeçovit” në Zym, fiton shpërblimin e vitit
për poezinë më të mirë; Në vitin 2002, fiton çmimin e Mitingut të poezisë me
librin më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve “Çati eshtrash”; Në dhjetor
2006 nga Art-Club Laç, fiton çmimin letrar “Serembe” për poezi me librin
“Kujtesë e dehur”. Engjëll Berisha është përfshirë në antologjinë “I kujt je
Atdhe” përpiluar nga Ali Podrimja.
Engjëll Berisha ka botuar keto libra:
“Dita me hënë e me nuse” poezi “Buzuku”. Prishtinë, 1991.
“Avenytë e muzgut”, poezi, Agjencia e autorëve”. Prishtinë ,1994.
“Diaspora shqiptare”, tregime “Pjetër Bogdani”, Has, 1993.
“Gjarpëri në shishe”, poezi “Rozafa” , Prishtinë,2000.
“Masakra e Mejës e Korenicës”, publicistikë, “Gjon Nikollë Kazazi”,
Gjakovë.
“Çati eshtrash”, poezi, “Rozafa”. Prishtinë ,2003.
“Kujtesë e dehur”, poezi “Rozafa”. Prishtinë,2003.
“Dyert e qiellit”, rrëfenja-publicistikë, “Rozafa”. Prishtinë ,2005.
“Rikrijimi i librit”, përmbledhje të opusit. Klubi letrar “Gj. N. Kazazi”.
Gjakovë 2006.
39
“Roli edukativ i bibliotekave shkollore dhe publike në Kosovë”, Botues:
Biblioteka “Ibrahim Rugova”, Gjakovë, 2011.
“How Much Times for an age” poezi të përkthyera në gjuhë angleze. USA,
Botoi “LULU”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, viti 2010.
“Martirët e Korenicës”, Monografi. Botoi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi,”
2013,Gjakovë.
40
DISA PËRVIJIME PËRSHKRIMORE.
Mbi romanin “Vajza e Agamemnonit” - Ismail Kadare
Nga : Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI
Tipike për stilin Kadarean është rikthimi në kohë të shkuara, rishikimi i
miteve dhe ndërlidhja e tyre si koncepte të domosdoshme teoriko -
komparative, brenda rrëfimit letrar. Temat mitike, idetë largpërçuese,
identifikimet e ndërsjella kulturore që pleksin kombëtaren me mitologjinë
botërore, bindshëm kanë kode mitike.
Ngjarja në romanin “Vajza e Agamemnonit” rrezonon dukshëm me histori të
tjera, të njohura epokave, shekujve..., ndonëse thelbi i tyre është vetë
mitologjia, gjegjësisht Zoti dhe favoret e tij. Autori, lë përshtypjen sikur niset
nga një frymë universale e mitit për t’i dhënë më pas rrëfimit dhe
personazheve një lloj ndërgjegje estetike.
Rituali i flijimit të Suzanës, shpreh një lloj figuracioni grotesk, po me
prejardhje mitike, veçse në rastin konkret lindën dilema: nëse vajza ishte
heroina apo viktima e shoqërisë?
Në këtë hamendje, na shpie edhe hapësira e kohës, pra shtrirja në kohë e vetë
ngjarjes, me tjetërsimin e Suzanës, në një figurë të dyzuar veprimi, pa
depërtuar në thelb të karakterit të saj (ku ndodh mbase një betejë
psikologjike), e cila vjen si një ngarkesë polisemantike. Identiteti kulturor
përbëhet nga nuanca diferencimesh relative, të prira nga: pasiguria shoqërore,
drama sociale, shthurja e rendit shoqëror. Të gjitha këto ndikojnë
drejtpërdrejtë në përcaktimin e identitetit.
Imanenca e shkrimtarit nuk krijohet atypëraty, ajo dukshëm është ngjizur
nga njohjet e ngjarjeve të hershme. Ky është një koncept i njohur
Shopenhauerian mbi vullnetin hyjnor që ngre paradigma mbi tërë shoqërinë e
kohës. Kjo shpjegohet me faktin që autori, sado që synon ikjen nga
konformizmi, ai vë në spikamë virgjërinë e Suzanës, mbi të cilën lë shijen e
një dashurie të sinqertë, më pas dyzimin e karakterit të saj - në përuljen para
të atit..., dhe ca veprime të ngjashme, shkrimtari, përmes personazhit i ruan të
paprekshme disa raporte të ngulita në njeriun, si peng i traditës.
Këtu mund të gjejmë gërshetimin e botës së dikurshme të miteve e
legjendave, me botën e sotme të artit e simboleve që skalisin realitetin. Çdo
shkrimtar gjatë frymëzimit të tij, sikur përgjon brenda së kaluarës, pikturon
traditat e madhështisë kombëtare, zgjon ndërgjegjen e tij të fjetur, josh
41
përsiatjet e shpirtit..., mbase historia (kombëtare) njerëzore, do të mbetej e
përthyer! Kjo, pa mëdyshje, na vë përpara dilemash të reja.
Me qëndrimin e Suzanës, si kryeprotagoniste, jepen tablo të jetës shqiptare,
skicohet mjeshtërisht realiteti, ndonëse Kadare shkruan me një tis koloriti
artistik, pa e banalizuar skajshmërisht këtë realitet tronditës.
Qëndrimi i Suzanës bëhet trajtim i një teme të ndishme e delikate që
plotësohet nga mozaiqe ideore e estetike. Këtu, sikur ruhet dialektika e
traditës. Aty - këtu, jepen edhe dogma, kallëpe, stereotipe, me ç’rast ajo bie
pre e nocionit “paragjykim” dhe “përmbushje”, ku simbolika e fustanit të
kuq, nuk është vetëm sajesë e realizimit më të mirë artistik, por një sajesë e
fenomenit të konvertimit.
Duke pikasur lidhjen e pashmangshme midis: tezës, antitezës dhe sintezës, të
përqëndruara brenda një boshti tematik, Suzana si personazh qendror,
pozicionohet në dy shtrirje: natyrshëm zë vendin e viktimës, po të merret nga
spektri i universales së percepientit, gjegjësisht solidarizimit me të, dhe në
këndvështrimin e individuales - mbetet heroinë e viktimizuar për ideale më të
larta, të të atit dhe hierarkisë ku ai synon të mbetet. Ideologjitë shquhen për
flijime që nga antikiteti. Agamemnoni, gjithashtu, na vë përpara sfidash të
këtilla, me flijimin e së bijës.
Mos vallë, kjo sjell në njëlloj detabuizmi tematik?
Kur ndodhemi përpara sfidash, s’e di a kemi kohë për t’u pyetur nëse jemi të
gatshëm të flijojmë një gjë të çmuar, për të shpëtuar diç edhe më esenciale?!
Kjo mbase e shtyn Suzanën që të bëhet mishërim i sakrificës familjare e
shoqërore.
Natyrisht, çdo vepër artistike është një lloj dëshmie, nga e cila merr një
vërtetësi, për t’iu qasur me një vërtetësi tjetër. Është si të thuash një lloj
bashkëbisedimi i një triniteti të pashmangshëm: autor - vepër - lexues.
Në të gjitha ngjyrimet e rrëfimit, studiesi të paktën, kërkon tejdukshmërinë e
synimeve autoriale, për të arritur një qëndrim të rëndësishëm mbi veprën dhe
mesazhin përçues të saj dhe jo vetëm të jetë ndërmjetësim letrar. Me këtë,
edhe kritika krijon një imazh të ekuilibruar mjaftueshëm.
42
NJË MENDIM I HAPUR PËR LIRIKËN SHQIPE
Nga : Rami Kamberi
Fenomeni i komunikimit tërësor i lirikës në letërsinë shqipe nuk vjen tani më
si kërkesë e vetme e kohës sonë, por, ajo është një detyrë e posaçme e
shkencës së letërsisë, që ka zgjuar një interesim të madh nëpër etapa kohore.
Edhe pse në vetëdijen tonë gjithmonë ka gjakuar një lirikë kombëtare e cila
shkruhej dhe studiohej si lirikë andej e këndej botës e më pas si lirikë e këtij
apo e ati krahu, kuptohet, ngase gjeografia shqiptare ishte një gjeografi ku
shkrimi shqip akuzohej si mëkat dhe, shpejt poeti mund të ulej në bankën e
akuzës, e më pas, si fajtor kujdestarë qoftë në kuptimin ideologjik qoftë në
atë politik, si sot, e ndarë sipas kufijve politik.
Një mënyrë e këtillë e shkrimit dhe e studimit të lirikës shqipe, për fat të keq
ka sjellë mes nesh një pasqyrë joreale të lirikës shqipe e në veçanti edhe një
dhunë mbi lirikën shqipe kur robëria rëndonte këtë truall e më pas ideologjia
politike ishte i vetmi shteg nga duhej të ecte edhe lirika. Dhe, nëse kemi
pasur mundësi që të kemi të dhëna të shumta dhe sqarime për traditën e
lirikës shqipe gjatë shekujve, duke bërë edhe periodizime të ndryshme nga
shkenca e letërsisë, është folur dhe stërfolur për shtigjet, drejtimet dhe
metodat letrare, kuptohet, gjatë shekujve, duke sajuar natyrë ku fjalën do ta
kishte vetëm lirika ku do të dukeshin vetëm letrarët e betejës së vrazhdë, që
kultivoheshin nga paria e kohës, duke përjashtuar poezi të rralla të ndonjë
poeti si bije fjala të Zef Serembes apo ndonjë poezi tjetër në kohën e
romantizmit ose të realizmit si dhe të poetëve të letërsisë së realizmit social e
në veçanti të poezisë bashkëkohore.
Kështu në vetëdijen e shumë poetëve apo më mirë thënë lirikëve të poezisë
shqipe andej e këndej kufijve që si zakonisht i emëruam pena të atdheut më
se një shekull u krijua dhe, u sforcua si një dritë vizuale e mbështjellë me
pëlhurën e simbolizmit, për të shpaluar ngjyrën dhe dritën e kohës. E, kjo na
detyron të themi se lirika shqipe u kultivua sipas temave:
• Të vdekjes,
• Qëndresës,
• Lirisë,
• Atdheut dhe,
• Të kaluarës historike.
Pra, nëse pajtohemi me mendimin se një poet apo një poezi shfaqet në një
kohë dhe në një vend të caktuar, për të lënë një shenjë që të shënjojë diçka
më se të nevojshme për njerëzimin apo kohën si bie fjala për rasën, rrënjët,
43
dheun e më shumë se kaq dhe, nëse jemi të mendimit se gjeografia e poezisë
- lirikës nuk ka vendbanim dhe, sa herë që ta kërkojmë ajo na ofrohet, kudo
qofshim, duke mos dashur që të pajtohemi me thënien se: fjala e fisme nuk
mbërinë ta kaloj kufirin e buzëve, ajo mbetet e pa thënë, atëherë duhet edhe
lirikën në letërsinë shqipe ta shohim me syrin e një lirike, që rritej dhe hidhte
shtat mes një gjeografie ku fjalën e kishte plaga, që e lindnin motet nëpër
shekuj duke i ikur lirikës që e lindte shpirti për një lindje lirike, që fjalën do
ta kishte të theksuar: Unë dua, unë dashuroj etj.
Duke u njohur me këto marrëdhënie të gjithanshme në letërsinë shqipe,
zbulojmë edhe forma dhe drejtime të shumta të temave dhe motiveve të
lirikës. Lirikë, e cila në anën tjetër na lejon mundësi kërkimi për të
përmbushur horizontin e pikëpamjeve dhe strukturën e vetëdijes sonë letrare.
Kjo do të thotë se lirika në letërsinë shqipe ka kaluar shumë shtigje për të
arritur deri te njohja dhe veçoritë moderne e pse jo edhe deri te avangarda
dhe ndikimet e saj karshi letërsisë botërore.
Shumë letrarë e studiues mbi lirikën në letërsinë shqipe kanë studiuar dhe
vepruar brenda kësaj gjeografie letrare, andaj, edhe ndikimet kanë qenë të
preferuara. Duke mos dashur që të paraqes në detaje historinë e lirikës në
letërsinë shqipe ngase po që se zgjerohemi thellë e më thellë ajo ka një
zhvillim dhe jetë të gjatë deri në apstaraktim të lashtësisë së saj.
Pra, po t’i bënim një studim të mirëfilltë lirikës shqipe fillet e para ndeshen
qysh te fiset dhe dialektet dhe në ecje që në librat që trajtonin studime mbi
lirikën shqipe gojore, këto gjurmë shërbejnë si bazë fondamenti gjuhësor të
zhvillimit të lirikës në letërsinë shqipe.
Ato shkrime dhe vepra të së kaluarës së lashtë kanë mbetur si forma dhe
veçori dalluese dhe si fakte për të treguar historinë, dallueshmëritë e
burimeve lirike që janë zhvilluar më vonë.
Kthesa e madhe e lirikës shqipe do të bëhet në dy shekujt e fundit duke mos e
harruar shekullin e rilindjes, shekull, që sjellë shumëllojshmërinë e veçantisë
së poetëve, që kane prekur stile dhe metoda të ndryshme.
Dhuna mbi shqiptarët dhe dashuria për liri, e në veçanti kryengritjet për
pavarësi dhe vrasjet në masë, pastrimet etnike dhe gjenocidi mbi shqiptarët
në Çamëri, Kosovë e më gjënë gjatë shekullit të XX, dëbimi masiv, kanë
qenë imazhe dhe frymëzime të shumta e tronditëse, që kanë ngritur e
zhvilluar pikëpamje e qasje, stile të ndryshme të veprimit dhe krijimit të
poetëve, autorëve.
Dalja nga shekujt e përgjakur kërkonte dritare të reja, dritë shkëlqimi, për të
kaluar shikimin e njëanshëm nëpër fushën e gjënë dhe të shkretuar nga dhuna
dhe padrejtësitë e kohës. Gjetjen e rrugës së vërtet, në shekullin e ri, bota
shqiptare e kishte të vështirë. Andaj u bënë përpjekje të madha për ta
gjallëruar dhe mbjellë me kujdes atë copë toke, hapësirë të djegur e të
44
shëmtuar nga dhuna e krimi, me një fryt të ri, si kërkesë e madhe e kohës.
Pra, fjalën e kishte shekulli i shpresës.
Njeriu i shekullit të ri, siç u mësuam të dëgjojmë, njeriu modern duhej
orientuar dhe analizuar drejtë për të hyrë në portën e vërtetë të vlerave
njerëzore.
Gjithsesi se, kjo betejë e lashtë që zhvillohej nga krijuesit e kohës, është bërë
me sakrifica të mëdha dhe në të shumtën e rasteve shumë poet kanë
përfunduar edhe tragjikisht.
Shkrimtarë ose poet shqiptarë duke e parë atdheun e tyre pikë e pesë në të dy
krahët nëse mundemi t’i themi, duke mos e harruar as edhe Çamërinë, situata
me burgime, vrasje, terrorizime, pastrime etnike dhe gjenocid, për ta thënë
fjalën e tyre, morën botën në sy.
Nga ato vende ku kishin një gjysmë liri, trashëguan edhe drejtime, stile e
tendenca të theksuara letrare.
Fryma e re letrare vinte nga qytetet e botës ku fjala e lirë nuk dënohej, kështu
në vetëdijen e shumë poetëve shqiptarë u forcua si dritë vezulluese lirika
atdhetare, lirikë, që u shërbeu poetëve për të shpaluar ngjyrën dhe dritën e
kohës.
Ndoshta kjo dritë e diellit të lirisë e përmbushur dhe e plotësuar me ngjyra të
llojllojshme do të ndikonte në krijimin e njeriut të ri në tokën shqiptare.
Ndoshta gjatë kësaj kohe patën ndikime të mëdha edhe lëvizjet botërore për
liri dhe pavarësi apo ideologjia komuniste si një premtim për liritë e popujve
dhe barazi mes njerëzve.
Edhe pse emërues i përbashkët i zhvillimit të tyre gjatë kësaj kohe ishte
thyerja radikale e mbizotërimeve të forta të pikëpamjeve estetike dhe brenda
saj inkarnohej vendosja e kuptimit të ri, ndërmjet perandorisë së artit të
shekujve dhe përditshmërisë së jetës.
Dhe, tërë ky varg ndryshimi u bë në frymën e revolucionit Dadaist dhe
kërcimeve radikale gjatë luftërave dhe pas tyre. Apo mos vallë lirika në
letërsinë shqipe u zhvillua ose më mirë thënë mes poetëve shqiptarë ndikoi
teoria e Vagnerit, se arti është kënaqësi individuale.
Sot, mund të mburremi me lirikën atdhetare të letërsisë shqipe, lirikë e
shekujve të ikur, dhe, gjithsesi se edhe në letërsinë moderne kemi një numër
të madh poetësh, të mos i përmendi emrat, e në veçanti gjenerata më e re,
duke mos dashur që të bëjë ndarje gjeneratash, lirshëm mund të themi se
koncepti i saj ka shumë domethënie të madhe dhe është mjaftë esencial për
studimin e letërsisë.
Është thjeshtë bindja, kur kthejmë kujtesën tonë, që në kohën e njohur të
rilindjes kombëtare, e deri te poezia e sotme, që quhet moderne.
45
Pra, në lirikën moderne edhe sot dominon koncepti i kompozimit të
ndryshimeve, kthimeve, kërcimeve. Natyrisht se te teknika e lirikës moderne
ndikon akoma edhe sot lirika e traditës.
Sido qoftë, sot, si mjeshtër të mëdhenj të lirikës shqipe dhe fjalës së zgjedhur
shqipe, që përdorin gjuhën si fushë për veprim janë ata autorë, që shkojnë me
guxim në eksperimentimin e tyre derri në rrëpirën më të lartë e të vetmuar të
artit.
Ata poet me të drejtën e tyre ngjiten deri aty, sa që edhe thonë se në shikim të
fundit poezia është një lojë fjalësh.
Andaj në të shumtën e rasteve, disa poezi janë më shumë grafike, se sa
gjuhësore, veçanërisht ato poezi apo mëzirë thënë lirika ku shihen qartë lojna
të shumta shprehjesh e fjalësh të dramatizuar sipas nevojës së tyre që sjellin
efekt.
Parimisht poetët e kohës sonë, modernen mund ta definojnë si rebelim estetik
kundrejt vulgarizimit të artit dhe tiranisë së procesit kreativ realist.
Kështu që me modernen shija e lirikës fillon të subjektivizohet.
Ndjenja shpirtërore mbushet me një shprehje kolorite dhe ekzotike.
Ndaj, sot lirshëm mund të themi se poetët shqiptarë lirikën e tyre e latojnë me
elemente stilistike të reja, dhe kërkojnë një bukuri absolute, kundrejt
mendimit dhe gjuhës së zakonshme të rrethit ku jetojnë.
46
PROZË
47
HIRI HYJNOR
Fragmente të shkëputura nga romani : “HIRI HYJNOR ”
Nga Hasije Selishta Kryeziu
***
Ndërkohë, para Teatrit Kombëtar ishte mbledhur turma e njerëzve, edhe
ata prisnin. Jehona mendoi se kishte demonstratë dhe u afrua që të
protestonte edhe ajo.
Nga kostumet që mbanin njerëzit veshur, kuptoi se aty bëhej fjalë për diçka
tjetër. Festë?! E paimagjinueshme për trurin e saj të trullosur nga fryma e
djallit që tmerron…! Shpirtrrëmbyer sikurse ishte, filloi të gjente fillin e
përbotshëm. Skenat që afroheshin drejt saj, zhvendosnin rreth tokës, e herë-
herë rreth natyrës ambientale. Ishte mësuar tërë jetën që të shihte në Kosovë
protesta.
Nga kjo pamje mbeti e stepur. Ndoshta e habitën sytë e ndritshëm gri të
Yllkës, e cila në fjongon e flokëve kishte vënë një kordhele festive dhe e tëra
shndriste nga kënaqësia?!
Ajo kërcente në mënyrë të pakontrolluar. Buzët e njoma i shkëlqenin nga
dielli dhe pasqyrimi reflektohej mbi buzëkuqin e saj.
Ajo, Yllka e saj e dashur, që vite të tëra nuk kishte mundur ta qetësonte, tani
nga aparenca e jashtme dukej si e dehur.
Një ndjesi e lehtë i përfshiu shpirtin. Ajo e kishte çuar pranë të vërtetës.
Mendimet e dikurshme sikur kishin fshehur misterin e tyre, ishin stërholluar
gjymtyrëve dhe këmbëve të stërzgjatura, tashmë të rrëmbyera nga shpirti i
përpjesëtuar me mëkatin. Në momentin kur po shikonte ambientin festiv,
pyeti dikë nga turma, se ç’farë feste ishte.
Pyetjes së saj iu përgjigj një djalë simpatik:
- Presim grupin shqiptar që vjen nga Franca.
Pa u menduar gjatë, pyeti prapë:
- Sa veta janë në atë grup?
- 181.
- 181?!
U habit. A thua tërë kjo përgjigje ishte dëshmi e asaj dite që kishte filluar të
tkurrej nga një ankth i gjatë nate?
- Vallë, kaq pak shqiptarë paska në Francë? Ajo njihte më shumë njerëz.
48
Pyeti prapë me një përskuqje të fytyrës dhe jashtë ç’do konteksti heshtjeje, e
cila çdo ditë e vriste nga pak.
- Jo, tha djaloshi. Ka më shumë, por këta janë lindur dhe vdekur si shqiptarë
dhe të rritur si francezë.
- Ha, ha, ha! Qeshi me zë.
Ju duk një përgjigje shumë e çuditshme. Nuk mund ta kuptonte e as ta
shtjellonte kurrsesi. Vallë, lind një njeri, vdes dhe ekziston përsëri?! Dhe,
sidomos, si nuk mund të dallonte një njeri nëse ishte shqiptar ose francez!
Nuk luante rol kjo. As i bëri përshtypje, ishte shqiptar a francez, por e breu
ajo që nuk mund të përcaktonte përse bëhej fjalë.
Nga përhitja e tyre do të mbetej vetëm shpirti që shpall të vërtetën e
tabornakut.
Djaloshi, sapo vërejti shikimin e syve të saj të habitur, pyeti:
- A nuk ke dëgjuar për 181- shin që do të vijë sot?
- Jo. Janë vajza apo djem? - Pyeti me një zë të qetë - dhe përnjëherë ra në
mendime:
“ Vallë, ç'paskam humbur sot në këtë ditë të bukur e të madhe? Ç'është e
rëndësishme kjo? A nuk mjafton të thuhet tabornak? E ai njeri, a nuk e ka
ndjenjën e njëjtë? Sigurisht që këtë ditë do ta përjetoj një tabornak. Bukuria e
saj do të ndriçojë nën hijen e shtrirë dhe të shthurur.”
I habitur nga kjo pyetje, djaloshi lëshoi një buzëqeshje dhe sytë e tij të
mprehtë sikur i jepnin fytyrës një sharm, që përhumbej në bukurinë e tij.
Në momentin kur ajo stisi një buzëqeshje, e bëri atë të qeshte edhe më
shumë.
Kishte menduar se buzëqeshja e saj ishte përjetësisht e trishtuar dhe se nuk
do të mund të vinte në vete kurrë, madje në asnjë kohë. Për tetëmbëdhjetë
vite nuk kishte përjetuar ndonjë moment të tillë, që ashtu papritur të
pulësonte zemrën e ta mbante nën pushtetin e saj.
***
Shpresa donte që para syve të kishte vetëm një portret të Furtunës së saj të
dashur. Ndoshta kjo do ta qetësonte, por nuk arrinte gjithsesi. Gjithçka ishte
shndërruar në furtunë. Furtunë brenda, furtunë jashtë.
Shpresa zgjaste duart në mënyrë krejt instiktive dhe të pakontrolluar, sikur
donte diçka të prekte.
Po më kot. Tani nuk lutej më, por mundohej diçka të arrinte.
- Furtuna!
Në mendjen e Shpresës aq shumë ishte fanitur ajo natë e tmerrshme, sa e
kishte ndjekur pas për tërë jetën.
49
Në thellësinë e gjendjes së saj patologjike po ringjallej një Furtunë, që kaherë
kishte vdekur, por që fatkeqësisht nuk i kishte lënë asnjë kujtim, që së paku ta
kishte si shenjë që të ndante së paku ndonjë çast me të.
Ajo i kishte lënë vetëm një natë kujtimi, të lidhur ngushtë me tërbimin e
motit dhe më pas hijet e imagjinatës me pikëllimin e thellë. Ndoshta kishte
ardhur në këtë botë si hije për të rrethuar dhe trazuar botën e saj dhe më pas
asnjë gjurmë egzistence. Hije që ishte mishëruar me të, po rikthehej edhe më
tronditshëm.
Furtuna ia mori Furtunën dhe e barti diku larg. Në zemrën e saj mbeti tërë
jetën një plagë e përbindshme që digjej brenda e heshtur si qiri duke ia
zbehur ditët që kishte lënë pas. Dhimbja e vjetër e pushtonte të tërën. Ajo
dhimbje vegimi zgjaste dhe mbartej vit pas viti. Asgjë s'ka më të vështirë në
botë për një nënë, e cila plot nëntë muaj përgatitet për të qënë e tillë, ëndërron
fëmijën, dashurinë që ndjen për të, dëshirën për ta rrethuar me gjithë
ngrohtësinë dhe në fund mbetet me bosh.
Të ktheheshe në shtëpi duarbosh dhe të flakësh tërë atë dashuri të madhe që
ke ndërtuar për një kohë të gjatë nuk është e lehtë. Dashuria më e madhe në
botë, më e fuqishmja, më e pazëvendësueshmja është ajo e nënës ndaj
fëmijës.
Shpresa kishte pritur vite të tëra që të bëhej nënë dhe për gjithë atë kohë
kishte ndërtuar një dashuri të pathyer dhe cënuar nga askush, por jeta kishte
ardhur e tillë, sa i kishte lënduar zemrën dhe i kishte thyer krenarinë e nënës.
Ajo kishte lindur katër fëmijë. Sa herë që e pyeste dikush : “se sa fëmijë ke?”,
ajo përgjigjej se kishte pesë, por një është në jetën tjetër. Ajo thoshte pesë,
sepse mendonte se një ditë në botën tjetër, kur edhe ajo do të vdiste, do të
mund ta takonte Furtunën e saj të vogël. Sa herë që shkonte në spital për të
lindur fëmijën, ishte e pamundur që ajo të mos kalonte në një ankth të
pashpjegueshëm e të paqartë.
Ajo përherë mendonte se prapë do t'i vdiste fëmija. Përjetonte sindromën e
lindjes së parë.
Por kur era nuk frynte, ajo qetësohej pak. Kishte bindjen se sa herë të frynte
era, asaj do t'i ndodhte prapë tragjedi. Kjo bindje e kishte përcjellur gjithë
jetën.
Në një rast, në lindjen e fëmijës ishte përhumbur kaq shumë, sa që
bashkëpunimi i personelit mjekësor ishte bërë shumë i vështirë. Mendja i
rrihte si zemrek për furtunën e asaj nate dhe për foshnjën e humbur bashkë
me stuhinë. Kishte rënë në një humbim prej disa ditësh dhe së fundmi pas
shumë injeksionesh dhe përkujdesjeje kishte ardhur në vete.
Mjekët nuk e dinin se sa furtunë frynte brenda shpirtit të saj. Ata nuk mund të
kuptonin se furtuna e kishte marrë me vete dhe e mbartte në ajrin gri sa andej
- këtej. Ajo luhatej si gjethja e rrëzuar nga era e vjeshtës. Gjethja binte në
50
tokë, e alivanosur dhe e vetmuar, për t' u përlyer më pas nga shirat e
rrëmbyer. Si e çmendur luftonte pas gjithë këtij rrënimi. Mundohej të ndalte
hovin e këtij largimi të beftë dhe kaq të pazakontë.
Furtuna e saj ikte fluturimthi. Herë i shfaqej e herë i ikte nga sytë. Kur
plagosej në shpirt nga rënia e gjethes, zhurma e qelqit të thyer vinte edhe më
e fortë. I dukej sikur donin ta shurdhonin, ndërsa tjegullat nga lart i binin mbi
kokë. I binte me aq fuqi, sa që kokën ia shponte më shumë se shigjeta. Pastaj
riniste dhimbja e dalldisur... Buzët i thaheshin. Ndjehej e etur, më shumë se
kurrë, por nuk kishte fuqi të kërkonte ujë.
Në një rast, një infermiere kishte vërejtur buzët e saj të thara në ngjyrë blu
dhe i kishte vënë garzën e lagur me ujë. Shpresa e kishte vështruar me
shikimin e syve të zemrës.
Kur ajo e pa se kjo mënyrë e sillte në vete pacienten e kishte lagur prapë
garzën me ujë dhe e kishte vendosur sërish mbi buzët e saj, ato buzë që
shprehnin shumë më tepër nga makthet e lindjes. Befas sytë e saj të butë
shkrepëtinë egërsi. Dukej sikur në atë moment ajo ishte trashëgimtare e një
race të çuditshme dhe të zhdukur prej kohësh.
Veshët i dukeshin normalë, pa ndonjë formë shndërrimi, por në brendësi të
tyre dëgjohej përplasja e qelqit, i cili thyhej gjer në imtësinë më të vogël.
Mbeteshin vetëm grimca të vogla dhe të thërmuara. Më pas i krijohej
ndjesia sikur ndodhej në stacione trenash, ku fishkëllimat e tyre krijonin
zhurma therëse dhe shumë grishëse. Asnjë tren nuk vinte, por të gjithë
shkonin. Era i shtynte tuje, gjithmonë e më larg. Shkonin drejt perëndimit...
Shpresa përpiqej që të hipte në ndonjë tren, por nuk mundte. Ajo qëndronte
atje, në stacion, në mes të njerëzve, me një fustan të hollë e të tejdukshëm, të
gjerë e të bardhë, si një pizhamë lehonie dhe përlyer me gjak. Njollat e
kuqërremt e damkosnin trasparencën e velit bardhësi dhe dukej sikur
zgjateshin deri në kupë të qiellit, ndërsa asaj i dukej se me këtë pamje u
ngjallte njerëzve neveri.
U ul në tokë, e cila ishte e shtruar me çimento. Fryjti një erë drejt saj, e cila i
valëzoi dhe i fluturoi flokët nga supi. Më pas u shndërrua në uragan dhe filloi
t' i tërhiqte më me forcë. Por kurrsesi ti shkulte. Ato ishin ngulitur mirë në
kokë, aq thellë ishin rrënjosur, sa dashuria e një nëne që mbetet në zemër për
jetë.
Ajo erë e tronditi Shpresën. Një pikë loti rrodhi faqeve të saj të purpurta dhe
u shpërnda në tokë. Aq i madh ishte, sa që njerëzit filluan të iknin tmerruar.
Ishte loti i nënës që mallkonte gjithkënd që i prek dhe i bën keq foshnjës së
saj. Vendi përreth ishte boshatisur, aty mbeti vetëm Slavica. Ajo i përulej
Shpresës. Lutej dhe përgjërohej para saj. Shpresa nuk kishte fuqi që ta falte,
por as të hakmerrej. Vetëm e shikonte me vështrim mëshirues.
51
***
Kujtime të trishta i vinin në kokë. Një sindromë e fshehtë i afrohej dhe
tejkalonte ç’do gjë që kishte përmbajtje emocioni. Dukej i menduar. Ende
ndiqte parandjenjën që e kishte përcjellur tërë kohën dhe kishte qenë
emocion-ndjellëse. Kishte një vendosmëri që shkonte deri në kokëfortësi.
Ylli u mbështet tek muri. Qetësia që rrethonte atë mjedis nuk i pëlqeu. Ai
filloi ta ndjente këtë dhomë edhe më të huaj. Hodhi disa hapa brenda saj duke
përjetuar braktisjen. Kurrsesi nuk mund të shqiste nga mendja foton e parë të
Elizabetës. Në veshë i oshëtinte ende zëri i saj.
E kujtoi nga fillimi, gjerë te fotoja e saj e fundit. Vazhdimisht lidhshmëria e
tij me Elizabetën po sfilonte. Ishte bërë i padurueshëm për takimin që e
priste. Lumturohej kur e mendonte të bijën në krahët e tij.
Vetëm atëherë mund të niste jetën që aq shumë e kishte dëshiruar. Qielli u err
dhe më pas u bë hënor.
“Ky qiell i bukur, do të jetë një natë e ëmbël hënore bashkë me Elizabetën” -
mendoi ai dhe i’u duk se ende jetonte me ëndrrën e tij të kahershme.
- A thua tingulli i Zërit do të ndryshojë?- pyeti veten dhe prapë po vetë u
përgjigj :
- Jo, ndjenja me të cilën kam jetuar është e veçantë.
Gjethet edhe pse të zverdhura dukej sikur lëshonin aromën e tyre pranë
dritares. Kalimtarët filluan të endeshin rrallë e më rrallë. Ndërsa kafeteritë po
mbylleshin.
Ylli ishte njeri me pak kulturë, s'dinte shumë për jetën, por ishte i drejtë në
veprimet e tij.
Tërheqja që ndjente për zërin, nuk do të shuhej edhe në momentin kur
Elizabeta do të ishte aty. Ishte mishëruar me të kaherë. Mundësia ekzistuese
ishte endur për kohë të tëra brenda vetes së tij.
Ana e jashtme, edhe pse i shfaqej disi më e errët, arrinte të plotësonte më së
miri gjithë vizionin e portretizimit të vajzës së tij. Ai kishte besuar, se një ditë
do të ndihej i lumtur. E dinte dhe e kuptonte fare mirë se kishte arritur
momenti final. Duke menduar takimin përfundimtar u ndie edhe më i lumtur.
Pamja e saj e jashtme kishte dhënë shumë shpresë dhe shpjegonte shumë
detaje nga takimi i tyre i afërt. Imagjinonte, por nuk arrinte dot ta zbërthente.
Ai shqetësohej se si ajo nuk e kishte kuptuar kaherë të vërtetën. I dukej sikur
ajo ndihej e përbuzur nga të tjerët. Ndonjëherë shpirtërat e njerëzve bëhen më
të ndjeshëm se kurrë. Atëherë ata shndërrohen në paqësorë. Nga delikatesa
krijojnë sharmin e vet, i cili ekziston diku në këtë botë të shpërfillur e të
pikëlluar. Shpirti i tij i lidhur me qënien e Elizabetës fshehtësisht fërgëllonte.
52
Largonte pikat e dyshimit, e cila më së shumti ngatërronte dhe shkatërronte
gjithë botën e tij.
Vitet e përmbytjeve i kishte lënë pas shpine.
Qëllimi i tij i vetëm ishte të fillonte jeta aty ku kishte mbetur kaherë…
Kujtimet e hidhura, urrejtja për atë ç’farë i kishte ndodhur, si dhe ankthi do të
zhdukeshin me ardhjen e Elizabetës. Influencimet ndaj asaj pjese jete që
kishte shkuar zhurmshëm ndoshta do të largoheshin. Por sytë e vëmendshëm
që shquajnë gjithçka, sigurisht që do ta kenë vështirë.
Akrepat e orës shënonin 24:00. Ai vazhdonte të dehej pas mrekullisë së
ndodhur dhe ashtu i lumturuar u shtri për gjumë. Të tjerët sigurisht që flinin,
ndërsa ai i jepte krah imagjinatës dhe e shikonte jetën si një dukuri
motivuese. Pastaj në qendër të dhomës u përgjunj.
***
Zhaku ndjeu se kishte ethe.
Bashkë me Zhanën vazhdonte të ishte i shqetësuar përballë gjithë kësaj
situate të krijuar.
Trupi i tij për një moment nuk arriti të lëvizte dot. Gjithçka i bëhej gjithnjë e
më e errët. Askush nuk shikonte nga ai. Në realitet nuk ishte tjetër kush,
përveç Zhanës. Ai kishte menduar se nuk do të kishte asnjë dëshmitar që do
të tregonte atë që kishte ndodhur shumë vite më parë, por ja që tani ishte
gjetur regjistri.
“Shumë e çuditshme...” - mendoi Zhaku duke u thelluar, por dhe duke
kuptuar se asgjë e fshehtë nuk mbetet kurrë pa u zbuluar. Qoftë edhe pas
shumë kohësh, sikurse kishte ndodhur me atë. Mjaftonte vetëm një detaj i
vogël, gati i parëndësishëm, që gjithçka të zbardhej dhe të dilte në mes të
dritës. Zhaku ende dyshonte tek përgjigjia e vajzës, e cila në këto momente i
dukej edhe më e paqartë. Tani kishte arritur çasti vendimtar.
Dera ishte akoma hapur. Pa se mbrëmja kishte rënë. Hapi dritaren dhe
vështroi jashtë. Sado që përpiqej të kurajonte veten, prapë përfshihej nga
pasiguria. Preku me dorë rrudhat e fytyrës, pastaj rrëshqiti duart në faqe dhe
vuri re lotët e stërgjatur. Ndjente dhimbje. Atij iu duk se dëgjonte një
mërmëritje shpirtërash në errësirë, kulmet e të cilave shfaqeshin dhe
makthonin. Ai nuk e mendoi arsyen, sepse nuk ia kishte treguar ankthin e tij
askujt. Por, arsyeja nuk funksiononte shumë. Mbajti frymën lehtësisht kur një
erë e lehtë lëvizi derën. Pati idenë se mund t'ia lexonte mendimet Elizabetës.
Ai kishte vënë re tek vetja një përqendrim të çuditshëm, i cili e bënte të
akullt dhe të pafuqishëm për t’u shkëputur nga trysnia që e shtyente. Nuk
donte ta besonte gjithë këtë ndodhi, që çuditërisht kishte ndodhur dhe s’kishte
më kthim. Mbi të gjitha, ai kishte respektuar dëshirën e saj. Vërtet kishte bërë
53
mirë. Çdo fshehtësi është e trishtë dhe e keqe. Zhaku mendonte se ç’farë
mund të shpëtonte nga gjithë kjo ngjarje që po ndodhte. Kjo tingëllonte më
shumë me një shenjë lutjeje për falje. Sinqerisht, ishte i lëkundur. Psherëtiu
thellë dhe paramendoi ç’do mundësi për të ndihmuar vajzën e vet.
“Ja diçka që kemi të përbashkët...” - mendoi për të qetësuar veten dhe
ndjenjën e tij, prej së cilës shprehej një domethënie në dukje pa kuptim, por
që do të kishte nevojë për kohë.
***
Një ditë para se të nisej Elizabeta për në Kosovë, kishte dalë për shëtitje.
Ishte shumë e lumtur. Mrekullohej. Zemra i këndonte nga gëzimi. Ajo
mendoi Shpresën. Sa shumë prekës kishte qenë takimi me të. Me gjithë
përpjekjen e sforcuar ajo nuk kishte mundur ta përmbante veten, por dukej
sikur kishte derdhur dertin e mbledhur të gjithë viteve që kishte kaluar.
“Zemër nëne” - mendoi me vete - dhe eci më përpara. U ul në një stol dhe
filloi të shikonte parkun, sikur të ish aty për herë të parë. Ashtu sikurse ishte
në çaste meditimi, shijonte bukurinë e papërshkruar të tij. Lulet kishin çelur
si kurrë më parë. Pranvera kishte ardhur me gjithë magjepsjen e vet. Edhe
gjethet tejçonin një shkëlqim më të ndezur të ngjyrës së tyre. Ju duk vetja si
hirushja. Shpirti i ndrinte si një xixëllonjë. Çuditej dhe lodronte përbrenda
gjithë kësaj habie shpërthyese. Të gjithë njerëzit që shëtitnin i dukeshin më të
gëzuar dhe të lumtur. Kjo i ndodhte ndoshta ngaqë ajo ngatërronte botën e
tyre shpirtërore me të sajën. Edhe lisi i vjetër dhe vetmuar i dukej krejt
ndryshe. Ai hapëronte drejt qiellit dhe përpiqej të fshihte plagët e vjetra pa
përtim.
U ngrit në këmbë dhe filloi të ecte me hapa të lehtë. Nisi të mendonte për
takimin e ardhshëm që e priste. Flokët e saj të gjatë i rrëmbente flladi i lehtë
pranveror dhe i përkundëte në ajër.
“Sado që të dish, përherë duhet të kërkosh dhe kuptosh më tepër. Çdo
përpjekje sjell diçka të re dhe ç’do e re të beftëson dhe mrekullon ”- mendoi
ajo.
Para syve ju rishfaq Leoni.
“I bukur është...” - dhe një buzëqeshje i depërtoi gjer në thellësi.
Hodhi disa hapa të tjerë përpara.
Ajo, jo vetëm që kishte zbuluar të vërtetën, por ishte bërë e njohur për të
gjithë. Kishte akoma dhe disa punë të tjera për të bërë. Duhej të vazhdonte
studimet. Duhej që raportet mes dy familjeve, t’ i harmonizonte dhe shkrinte
në një. Duke vështruar përreth kujtoi edhe 180 bashkëqytetarë të tjerë, që të
54
nesërmen do të udhëtonin së bashku. Ata të gjithë kishin pasur fatin e
Elizabetës.
Kosova dhe Franca kishin bënë një marrëveshje të re, që përmes ambasadave
të tyre, të rinjtë kosovarë kishin të drejtën e hulumtimit të prejardhjes. Franca
zyrtarisht kishte përgatitur dokumentacionin për gjithsecilin rast dhe
vazhdonte të merrej me identifikimin e plotë të tyre, si: numrin real të
regjistrit themeltar, ditëlindjet, qytetet se prej nga vinin, etj.
Ngjarja e saj kishte ndikuar drejtëpërdrejtë në vendimin më të fundit dhe kjo
nismë e ndërmarrë e kishte vendosur atë në qendër të vëmendjes. Ajo nuk e
admironte zhurmën dhe shpesh herë u ishte shmangur fotoreporterëve të
ndryshëm, por për hir të së vërtetës ishte presioni i tyre, që i detyroi
autoritetet vendase të bashkëpunonin dhe ndihmonin qindra familje kosovare.
Hodhi vështrimin përreth dhe ndjeu qetësi të thellë. Vetmia e rrugicave të
parkut tretej së bashku me shpirtin e saj fluid dhe përhumbte tutje regëtimash
të zogjve fluturim.
55
DJALLI QË PAGOVA PËR KËSHILLË
( Fragmente të shkëputura nga romani : “ DJALLI QË PAGOVA PËR
KËSHILLË” )
Nga Jeta Vojkollari
SABRINA
Mbrëmje tirane. Kafene moderne. Drita. Luks. Taka të larta e zëra të lartë. Të
qeshura. Vajza me dekolte. Lëkurëlëmuara. Djem me flokë të prera shkurt e
të rregulluara me xhel. Si kafenetë, të rinjtë vinin era luks e kohë moderne.
E vështirë të ecje lirisht në rrugët e Tiranës pa u përplasur me të tjerët. Njerëz
të huaj që flisnin gjuhën tënde. Sabrina i futi krahun Tomit. Iu ngjit sikur të
mbrohej.
Por Tomi dukej i zënë. Sytë e tij vraponin. Majtas. Djathtas. Skanonin
adoleshentet bukuroshe. Shkëlqenin nga dëshira. Sy gjahtari. Dinakë, të
pabesë. Gati për sulm. Sabrina kapi një buzëqeshje sigurie që iu vijëzua
Tomit në buzë. Tom Xhoxha ishte i gjatë, muskulor, simpatik, i vetëkënaqur.
Sy të mëdhenj blu, dhëmbë të bardhë si rruaza, kokë të rrumbullakët, flokë të
zeza me shkëlqim, tipare sikur vinte nga ndonjë racë princërore. I veshur
shik. “Tom”, ua kujtonte ai të njohurve të Sabrinës. “Më quajnë Tom, jo
Tomi”. Emra modernë. Sjellje moderne.
Një çift po puthej egërsisht para syve të tyre. Gojë të etura. Gjuhë që
kapërtheheshin me njëra-tjetrën. Aty në trotuar. Dhjetë centimetra larg teje.
Puthjen s’e dalloje dot nga kafshimi, festën nga lufta, lindjen nga vrasja,
dashurinë nga përdhunimi, bashkëshortin nga armiku. Sabrina nuk ishte e
sigurt ç’emër t’i vinte puthjes së atij çiftit. Dashuri apo forcërim? Dashuria
duhet të ishte e butë, si trupi i Tomit.
Tirana ishte kthyer në një vorbull ekstremesh. Jeta në Tiranë ishte shumë
sociale dhe shumë izoluese. Tirana vetë ishte shumë e madhe dhe shumë e
vogël. E ngjeshur. Të merrej fryma. Në qoshen e pallatit, era ndjellëse e
misrave dhe gështenjave të pjekura përzihej me erën e urinës së tharë.
Këpucët e shtrenjta italiane kërcisnin mbi pllakat e thyera të trotuareve.
Veshur me rroba që binin në sy, pronarët e butikëve modernë dilnin jashtë
herë-herë e i përzinin me fjalë të ashpra lypësit, që zgjidhnin të kryenin
aktivitetin e tyre prej lypësi para derës së dyqanit. Sabrina kishte dëgjuar që
pronaret e butikëve bënin biznes dhe me ata të “Gabit”. Një zot e merrte vesh
në ishe ti e para që i gëzoheshe një fustani të blerë, le të themi 350 Euro.
Ç’po ndodhte me Tiranën?
56
“Tiranën time, Tiranën time që e adhuroj, ma kanë bërë si Mumbain e
Indisë”, i kishte thënë një nga klientët e saj.
Shqipëria po kalonte kohë të çoroditura. Tirana po kalonte kohë të çoroditura.
Vëllai vriste vëllanë për 50.000 lekë të vjetra; gra, nëpunëse të qeverisë,
qëlloheshin me grusht në stomak e zvarriteshin për flokësh; fëmijë lakuriq
flinin nëpër kuti kartoni në trotuarin anash “Bulevardit të Madh”; policët
ishin indiferentë ndaj krimit; ligjet ishin të vonuar; ligje mbeteshin të
pazbatuar; vajza të parritura ëndërronin të visheshin si prostituta; studente
prostituonin. Zgjedhje të ashpra në jetë, bardhë e zi; dashuri të egra; puthje të
egra; gropa të errëta në rrugë; gropa të errëta në shpirtrat e njerëzve. Numri i
klientëve të Sabrinës, të cilët kishin nevojë për psikoterapi, po rritej.
Njerëzit jetonin ashtu, rrëmujë. Por vinte shpejt një ditë dhe ata përfundonin
në divanin e psikoterapistes. Shkonin aty të zhvarrosnin. Të rihapnin gropat
brenda vetes. Gropa që i kishin mbyllur keq e keq në rrëmujë e sipër.
Sabrina ishte si Zoti. Shikonte, kuptonte, zhbironte në jetën e tyre. Zbulonte
sekretet e tyre, sekrete që ata i kishin fshehur thellë e kujtonin se i kishin
harruar. Sabrina ishte e mençur, super e mençur. Mençuria e saj iu shkaktonte
të dridhura njerëzve. Punë dreqi dhe kjo! Të dije dhe atë që mendonin
njerëzit. Ta kuptoje nga picërrima e syve; nga një re e errët që shfaqej befas
në sy e pastaj zhdukej me një shpejtësi të rrufeshme; nga një nënqeshje
pothuaj e padukshme.
Sabrina shikonte ato që s’i shihnin të tjerët. Shpesh, shikonte me shumë nga
sa duhej. Dinte më shumë nga sa duhej. Jo gjithmonë e ndihmonte ky fakt, i
shkaktonte dhe mjerim shumë herë. Se ajo vetë ishte si ata. Si klientët e saj.
Me lot të humbura...
RAKELA
Ata kishin xhiruar për dhjetë orë rresht dhe Rakela ishte e lodhur për vdekje.
Regjisori kishte ngulur këmbë ta përfundonin sot skenën e mbytjes. E kishte
dërmuar ajo skenë. Luante rolin e një nëne të re, që kishte marrë rrugën për
në Itali të bashkohej me të shoqin. I shoqi, që kishte emigruar atje ndonjë vit
më parë, kish kërkuar të shikonte vajzën e tyre të vogël. “Po vdes nga malli”,
i kishte thënë dhe ajo s’ishte menduar gjatë. Kish mbyllur sytë e kish marrë
anijen bashkë me të tjerët. Rryma gjigante e ujit kishte rrëmbyer të bijën në
fillim. Ajo ishte sulur pas saj. Luftonte me ujin si e çmendur, po s’e kishte
arritur dot vajzën. Regjisori i bashkoi nënë e bijë vetëm pas vdekjes. Të dyja
flinin në paqe të plotë në krahët e njëra-tjetrës. Adriatiku i qetësuar, si një
djep gjigant, i lëkundte ato butë në një gjumë të përjetshëm.
Edhe ajo ishte në gjumë tani. Gjumë i shqetësuar. Dy duar e kishin mbërthyer
në fyt dhe po e shtrëngonin fort. Duart e Markut? Nuk ishte mirë që ai po e
57
mbyste kur ajo flinte. Në mëngjes ai do pendohej e do ulërinte nga dhimbja.
Por ajo s’do ishte më. Ajo do flinte e qetë, si personazhi që luante në film.
Duart e Markut e shtrëngonin fort, fort dhe asaj po i mbaronte fryma. Ndjente
ujin ta përkëdhelte në shpatulla, në mjekër. Uji iu ngjit deri në nivelin e
gojës. Kur, më në fund, Marku ia hoqi duart nga fyti dhe ajo hapi gojën të
merrte frymë, uji iu fut brenda trupit me forcë. Ajo përpiqej të notonte.
Përpëlitej si e çmendur. Nxori kokën mbi ujë. Pa sytë zhbirues të Markut.
- Çfarë po bën, Mark?
- Ty të kishte zënë gjumi, vogëlushe, - i tha Marku dhe zgjati dorën ta
përkëdhelte në faqe. Rakela kërceu mbi ujë që t’i shmangej dorës së tij. U
tërhoq prapa e nxori me forcë ujin që i kishte mbushur gojën. Çfarë po
ndodhte me atë, vallë? S’ishte fare ide e mirë të mbyllte sytë kur futej në
vaskë. Rakela Kato u çua ngadalë e u mbështoll në robdëshambrin e bardhë e
të butë që e kishte blerë në një sallon bukurie në Paris. Ashtu, pjesërisht e
qullur, ajo lëvizi nëpër shtëpi e kërkoi për Markun. U kujtua që sot ishte e
martë dhe Marku kishte mësim deri në dhjetë. Marku se si ishte bërë kohët e
fundit...
MOZA
Ishte mëngjes herët. Njerëzit që bënin jetë normale s’kishin punë jashtë në
këtë orë. Duhet të ishin ende të strukur nëpër krevatet e tyre të ngrohtë,
krevate me erë të njohura. Era e burrit, era e gruas. Një krevat kishte erën e
vajzës së porsalindur, e cila flinte si qengj. Nga dhoma tjetër, krevati mbante
erën e gjyshes pastërtore. Gjyshi gërhiste shumë. Kishte krevat më vete.
Familjet shqiptare! Ishin prapë të forta aty-këtu. Malli për atë jetë i mblidhte
një lëmsh në fyt Mozës. Ndonjëherë e bënte të vinte buzën në gaz. Por
buzëqeshjet e saj ishin të rralla shumë dhe jetëshkurtra.
Qendra e Tiranës ishte e shkretë. Ora e madhe trokiti tre herë. Sureale. Qyteti
jetonte një kohë tjetër. Kohën e të tjerëve. Kohën e vampirëve e viktimave të
tyre.
Takat e Mozës kërcisnin në trotuar. Ajo kishte veshur një fund roze të ndezur
tejet të shkurtër. Dikur përpiqej ta zgjaste me duar. E tërhiqte fort nga poshtë.
Kot që lodhej. Njollat e murrme nëpër kofshët e saj dukeshin prapë. Ato
njolla ishin vula të përleshjeve me burra me erë të huaj, të panjohur. Erë
mbytëse. Mozës i vinte për të vjellë nga era e tyre. Nën bluzën rozë pa rripa,
që mbahej me një llastik tek gjoksi, dukeshin një pale reçipeta të zeza me
dantellë. Reçipeta ishin të vogla për masën e saj. I shtynin gjoksin lart me
forcë. Rrobat e saj ishin të lira, joshëse për burra pa shije. Ajo s’kishte
mbushur gjashtëmbëdhjetë, por krahët e kofshët e saj ishin të squllura. E
kishin mbaruar ciklin e lulëzimit, ose, më mirë, e kishin anashkaluar ciklin e
58
lulëzimit. Dy rrathë të verdhë metalikë i lëkundeshin në vesh. Flokët e verdha
dukeshin të lyera shkel e shko. Ndoshta, të lyera nga një dorë që donte t’i
shëmtonte. Ndoshta, dikush ia kishte sjellë bojën dhe e kishte urdhëruar t’i
lyente vetë.
Moza përtypte çamçakëz. Sforcohej të dukej e shkujdesur. Sytë e saj ishin
laps i zi, lodhje, trishtim, adoleshencë që po vdiste me shpejtësi. Truri i saj i
lodhur punonte ngadalë.
Çfarë ishte ky emër? Moza. Mimoza. Emër luleje. Ajo, lule?! I vinte për të
qeshur. Më mirë ta ndërronte emrin. Duhet ta ndërronte. Për shembull, sikur
të quhej Klaudia. S’ishte shumë e sigurt. U mendua për ndonjë emër tjetër
italian. Jo, jo, se ashtu prapë do kuptohej që ishte shqiptare. Kishte shumë
shqiptarë me emra italiane. Asaj i duhej ndonjë emër i çuditshëm, i pa
dëgjuar këtu. Ndonjë emër rus ose bullgar.
Mimoza. Ka pemë mimozash në Përrenjas? O Zot, sa e lodhur ishte. I flihej.
Zgjohu, Moza. Zgjohu. Apo grek? Grek do ishte më mirë. Të bënte sikur
ishte greke. Po ajo s’dinte asnjë fjalë greqisht. Sa mirë do ishte të dinte
ndonjë fjalë greqisht e të thoshte që ishte greke. Të mos e merrte vesh kush
që ishte shqiptare.
Moza ndjeu hapat e vampirit pas saj. Ktheu kokën. Dori nxitonte. Kishte
veshur një palë xhinse të ngushta, këpucë me majë dhe një xhup të hollë
ngjitur pas trupit. Duart në xhepa. Kokështrembër e sy ftohtë ishte ai. Ato sy
të bënin të dridheshe. Sy të palexueshëm. Xham i patejdukshëm. Sy që
s’kishin marrë kurrë dashuri. Sy që s’dinin të jepnin dashuri. Sy gjakpirësi.
Dhëmbë gjakpirësi. Dhëmbët e tij të syrit ishin të dalë, të gjatë, të verdhë.
“Dhëmbë qeni”, ishte zgërdhirë ai kur e kishte takuar Mozën për herë të parë.
Mozës s’i kishte pëlqyer krahasimi. Moza kishte një qen në fshat. Ishte
femër. I kishte dhënë Mozës kaq shumë dashuri e ëmbëlsi dikur. Një shoqe
klase e saj, poete, e kishte quajtur “Berjozë”. Berjoza e saj e kishte trupin me
lara, si trungu i berjozës. Për një moment, Mozës iu njomën sytë nga ai
kujtim. Përtypi çamçakëzin fort e thirri në skenë mendimin e mëparshëm.
Dori do ishte i nderuar të kishte dhëmbë qeni në gojë, po ai nuk i meritonte.
Dhëmbët e tij ishin dhëmbë vampiri. Dhëmbë gjakpirësi.
59
DERBI
Tregim nga Vladimir Myrtezai
Ka momente që njeriu kërkon të verifikohet me stimujt, tërheqjet apo
pasionet e harruara. Në panoramën e gjërave që do rreshtoja, ndofta sporti,
ose thjesht futbolli do dilte jashtë vëmendjes, pasi për mua ishte një shans
dashurie i humbur. Jo për shkakun se nuk më tërheq, por për faktin që
robëron me mijëra e mijëra mendje njerëzish – në të shumtë është një lloj
hakmarrjeje ndaj kësaj marrakotjeje të nevojshme, që dukej se nuk hynte në
punë. Nuk doja të hetoja te kandari i mijëra e mijëra njerëzve, për të cilët
sporti është motiv, ose shtysë, ose dashuri për të jetuar; madje së largu duket
që jeta e njeriut mund të përkufizohet nga radha e kampionateve ciklike
botërore që luhen mbi tokën e rrumbullt. Më shkoi mendja te ky krahasim
ngaqë kohë më parë, kur isha krejt i mpirë përgjatë e në mesin e heronjve të
futbollit, stisur e tharë në kohëra, që më shumë ngjanin si personazhe që më
bënin për vete nga gjestet, ose nga pikimet pikante për të cilat edhe shënjohen
e mbahen mend. Kështu që, dashuria për futbollin ekzistonte, por në një
mënyrë refuzuese, si ngatërresë e pashpjegueshme, e armiqësuar; ose si një
dimension që konkurronte pjesë zgjedhjesh të personalizuara, që në raport me
këtë ngërç ndiheshin si në minorancë e në një raport krejtësisht të zhdrejtë.
Të gjithë artistët snobojnë duke e radhitur produktin e tyre në tasta elitare, që
nuk se kanë nevojën e një stadiumi për të vetëdimensionuar largësinë e tyre.
Por, gjithsesi, shkarazi, më mundonte qoftë edhe në rrafshin e diskursit, – i
humbur tashmë – se pse ky lloj sporti thithte dhe mbante të burgosur gjithë
atë masiv njerëzish, që tashmë janë të riprodhuar në linearitetin dixhital të
shpërndarjes, por edhe në një joshje të kapluar pa kthim të lojës me këtë
makineri evolutive, që në të gjitha rastet konkurrohej gjer në humbje ekuilibri
nga e gjithë njerëzia. Nuk do mund ta përcaktoja a përktheja në një marrëzi,
pasi do ishte e pabesueshme për nga pjesëmarrja në këtë aventurë të një
numri kaq masiv. Por, jeta, ashtu siç e mbjell këtë tërheqje, të afron sfidat e
saja e të bën herazi pjesë të lojës, dashje e padashje. Megjithëse jo larg lojës
sharmante që ky lloj sporti mund të të japë pretekste të mjafta për të shëtitur
apo për të të justifikuar një lloj jetëzimi në histeri, në kolektiv, kur
ndonjëherë si terapi ndihet dehëse dhe e nevojshme.
Gjithsesi nuk mendoj se bëhesh interesant se nuk sheh futboll, por si specie
antikonformiste, preferoj të mos jem në një kor të stërmadh që vuan nga kjo
varësi.
60
Qetësinë e refuzimit tim të abstraguar gjatë e prishi një ish-student i imi, Vini
fotografi, pasi më ftoi të shkonim në derbin e njohur kryeqytetas, që luhej në
“Qemal Stafa”. Si fillim e refuzova, duke i thënë se nuk do doja të
çfokusohesha në këtë moment, ku të gjithë kohën e zbuluar ia kisha kushtuar
shkrimësisë – një lloj zakoni a muzë e re për të shpëtuar nga koha e
keqkaluar, që në njëfarë mënyre ishte shndërruar në një angështi topitëse, për
ta lëshuar jetën në mes të shalëve apo edhe më keq, në një harxh të
pamotivuar. Por, edhe si një lloj marrëveshjeje për të risjellë fjalën si lojë e
hedhur, e provokuar, në një komunikim më të gjerë e të përditshëm. Vini
ngulte këmbë se duhej të zhdërvilloja komunikimin edhe në hapësira
alternative, se më bënte mirë, gjithsesi, por edhe në qejfin e tij, për t’ia
dashuruar ngjitazi atdheun e tij të lartë – futbollin. Më përmendi djalin tim
Bores dhe më këshilloi që dhe atij do i bënte mirë një takim live në fushën e
blertë. Më theu kjo ide e tij, dhe si i papërcaktuar përfytyrova të jem në këtë
ndeshje. Kisha gati dyzet vite pa shkelur në atë stadium, dhe ky fakt më
afrohej dhimbshëm, pasi kisha një histori që nuk e harroja dot, si takimi i
fundit – me sa kujtoj – me një vend publik me prani turmash. E shihja nga
larg, përmes TV-së, dhe nganjëherë kisha mall për grupime të tilla, sidoqë
këso grumbullimesh më linin nga pas një shije jo të mirë.
Ishte viti 1975. Im atë më propozoi të shkonim në stadium, luante Tirana me
Partizanin. Një atmosferë e jashtëzakonshme me gardhime policësh; një
radhë e madhe njerëzish për t’u argëtuar në këtë ndeshje. Nuk më kujtohet
rezultati, por një incident në hyrje me një polic – një fytyrë që nuk do e
harroja kurrë, për fatin e keq të tij dhe timin njëfarësoj. Polici ishte shtatlartë,
eshtak e nofullan, si i skalitur në egërsinë e tij për të qenë pikërisht krejt i
përputhur me një makineri dhune. Hamendësoja të ishte ose nga Skrapari, ose
nga Mallakastra. Më bëhej me hije se ishte kjo e dyta. Shkallarja ku po hynim
ishte krejt në ballë, karshi tribunës qendrore, te zona D. Një gropë e zezë
njerëzish radhë e pa radhë që shtyheshin drejt hyrjes, duke hungëruar nën zë.
Për një moment shkava nga rreshtimi me babain për shkak të turmës, dhe po
përpiqesha të rikthehesha në radhë. Aty për aty më bënë sytë xixa, dhe më
flakëroi një shkelm në aks të trupit nga prapa, tamam në kërbisht, dhe
fluturova në ajër rreth dhjetë shkallë përposhtë. Në atë çast do kisha vrarë
këdo që do më rezultonte shkaktari i dhembjes së madhe që pësova, edhe pse
ai ishte një dhogë e gjatë dhe e veshur me rrobën e pushtetit. Më shkonin
lotët rrëke nga një inat i verbër, dhe sapo më pikasi im atë u lebetit. –
Ç’ndodhi? – me pyeti. Nuk pata kohë t’i shpjegohesha, se nuk më linin lotët.
Më qetësoi disi edhe turma që nuk na linte rehat duke na shtyrë sërish drejt
hyrjes. Gjatë gjithë ndeshjes çoja nëpër mend me dhjetëra skenarë se si do e
kisha masakruar agresorin, që pa asnjë arsye më kish plandosur si një rreckë
në fund të shkallëve. Hamendësimet më vinin të qarta dhe tanimë atë figurë e
61
kisha në sy të hakut të masakruar në dhjetëra mënyra. Ndeshja mbaroi dhe në
dalje i thashë tim eti që nuk largohem pa e kapur atë policin, pa e parë në sy e
pa e sqaruar. Ashtu bëmë. Pritëm sa të rralloheshin turmat dhe e pikasa. Iu
afrova. Im atë e mori veç dhe e pyeti se pse kishte goditur. U mblodhën edhe
një tufë policësh dhe një shef i tyre. Bashkë me tim atë ishte edhe Riza Qorri,
një kushëri i yni. Që të tre u pozicionuam në një kënd, dhe harqet e trupave
tanë ishin pikëpyetja më tentuese dhe agresive në atë fundndeshje. Polici
kërkoi falje duke thënë se nuk e mbante mend si incident, për shkak të numrit
të madh të njerëzve. Më dukej si një kafshë, tamam polic, vetëm muskuj dhe
mish i shtrirë në një formë të shkëlqyer. Dy sy akull të ftohtë në një
ndërprerje të beftë, që dukej se nuk funksiononte mirë lidhja organike mes
arsyes dhe forcës. Iu afrova, e pashë në sy dhe i drejtova gishtin duke i thënë:
– Ruaju gjithë jetën!
Isha një shkaraman kërthi, kthyer i gjithi në nerv. Nuk i lëvizi asnjë tipar.
Çudi, sepse gjithë jetën e mbajta mend atë fytyrë. Inati më zgjati shumë, deri
edhe sot që po hedh këto radhë. Përpos këtij aksidenti, qëndrimi në stadium
ishte një parehati totale për mua, pasi nuk ambientohesha dot me njerëzinë e
mbështetur trup më trup, dhe halucinacionet e mia që sugjestionohesha më
shumë nga piskamat dhe derdhjet e papritura të emocioneve sesa nga një
analizë skemash futbolli. Herë ndihesha mirë me emocionin për të qenë me të
humburit sesa me fitimtarët; apo raportet që më krijoheshin nga ndonjë
shfaqje individualiste, sesa arena e një manipulimi kolektiv. Kohët kishin
kaluar tashmë dhe do më duhej sërish – i shtyrë nga një ndjesi e re për djalin
tim Bores – që të mund të ravijëzoja përvojën e tij fëminore në kondita krejt
të tjera. Por, edhe për shkakun e largët për të qenë në të njëjtin vend,
përsëritur në kohë me tim bir, si një ngjarje gati e përputhur. Me thënë të
drejtën kisha emocionin e vjedhur tashmë nga brenda për t’u përballur në një
rrethanë të njëjtë, pothuaj dyzet vite më pas. Një kuriozitet që në njëfarë
mënyre më duhej ta përballja. Të para nga larg, fushëbetejat e futbollit
dukeshin spektakolare, të ngjyrta, por nga afër është krejt tjetër gjë.
Pas kaq vitesh nuk isha i kthjellët se si mund të ishte gjendja në stadium, dhe
kur miku im fotograf më tha se të kam siguruar biletat për ndeshjen, i thashë
dakord, pa menduar detaje, sepse më erdhi si natyrshëm ngjitja në shkallët e
një ndeshjeje. Nuk e pyeta as se ku e as se si, por mora biletat duke e
falenderuar. Pastaj thirra djalin dhe gjyshi Mishën dhe u nisëm drejt
stadiumit. Ndjeva se nuk mund të kishte një hapësirë të favorshme për të
shkuar në orar, kështu që vajta shumë më përpara, për t’u akomoduar e
zgjedhur vendin. Në fakt, nuk kishte ndryshuar pothuaj asgjë, përveç
rrethimit të stadiumit dhe tabelës elektronike. U afruam nga pjesa verilindore
dhe kërkuam zonën D – ishte përputhshmërisht i njëjti vend si vite më parë. E
njëjta qasje, qoftë në hyrje, qoftë në radhët e policisë, qoftë edhe në
62
atmosferën e shtrënguar në hyrjen e stadiumit, ku kontrolloheshin një e nga
një të gjithë. Shtrëngoja djalin për dore dhe me pak mundime arritëm në
brezin ndarës të policisë. Njëri nga policët më tha të hiqja kapelen, dhe po e
pengonte Boresin që të kalonte. – Bëj kujdes! – i thashë nga afër, se ky që
sheh poshtë nesër mund të jetë presidenti yt. Më nguli sytë një çast dhe u thye
në vështrim, por ndërkohë e kuptoi shakanë time dhe më ndau disi anash,
duke i dhënë udhë dhe një tjetër shtëllunge njerëzish që shpërtheu në hyrje.
Kaluam dhe dolëm në sipërfaqe, kundruall tribunës qendrore. Dukej se diçka
nuk shkonte, pasi që të gjithë sa hynin kishin nga një objekt të kaltër e të
bardhë, si tifozë të Tiranës, ndërsa ne të tre nuk kishim asnjë njollë, përveç të
kuqes, që ishte harruar në shallin tim të qafës. Një pakujdesi që tregonte se
ishim zhvendosur si alienë në një pjesë skene të organizuar si tifozeri e bardh
e bluve, dhe përkundruall vura re të ndarë qartazi të kuqtë, ose guerrilasit, siç
quheshin. Që në vendosje ishim gabim, sepse turma ishte në një eufori
skizofrenike kundër çdo shenje të kuqe. – Zot! – thashë me veten, kam edhe
djalin. Për një moment i bërtita një djali të ri që kisha mu përpara, që të
anohej e të mos më pengonte. M’u duk sikur vura një shenjë kufiri për të
treguar se askush nuk do e kishte të lehtë të kalonte sinorët e mi. Turma ishte
si një qenie e stërmadhe, që shfrynte me ca slogane të zbrazëta sharjesh nga
më vulgaret. Belbëzova me veten se ç’mu desh kjo punë. Të gjithë, rreth
pesëmijë vetë, shanin në kor me emra, dhe të gjithë shkriheshin nën çirrjen: –
O Nexhip, o morr i kuq! T’q… motrën!
Po ashtu, nga ana tjetër vinin shtrëngatat e tjera si një jehonë shurdhuese. S’e
kisha imagjinuar që befas gjendesha në një front të kundërt – stuhi sharjesh
dhe mërie kolektive në një egërsi alarmante. Nuk po më rrihej qetë. Si me
magnet, rreth meje u hap një boshllëk i mpakur, ku u vendos një çift të rinjsh
nga zonat e reja informale, – me sa dukej – që më shumë putheshin se shihnin
ndeshjen, dhe gjatë gjithë kohës rrinin të pickuar nga mosrealizimi i tyre i
pamundur. I hodha një copë gazete vajzës, sa për t’u mbrojtur nga pisllëku i
ndenjëses ku nuk shihej më veçse baltë e fara lulesh, që kishin krijuar një
shtresë të re mbi stol. U fjalosëm dy tre herë me një grumbull djemsh, që të
uleshin, por pozicioni ku gjendeshim kish kuriozitetin që, përveç fushës, të
shihnim edhe tifozerinë lart, dhe një gjest i tillë i dyfishtë nuk na la të
uleshim.
Im bir ka një natyrë të hapur dhe gjithë kohën më pyeste për të gjitha gjërat
që ndodhnin në atë moment në stadium. Miku im nga brenda fushës më
dërgonte sms se si ndihesha, dhe pata turp t’i tregoja të vërtetën se si.
Ndërkaq shënoi pjesa e kundërshtarëve të kuq ku gjendeshim ne, dhe ndjemë
një tërmet të paimagjinueshëm zjarri dhe zhurmash. Një përskuqje që
shumëfishohej si me shkop magjik nga pishtarë të ndezur fishekzjarrësh. Një
pamje apokaliptike. U shtanga, pasi mendova se të gjitha ato kontrolle në
63
hyrje, deri në heqjen e kapeles, kishin qenë kot. Por, asgjë nuk qe e mundur.
Skenarët e tifozerive ishin të kopsitura. Shumë shpejt erdhi goli i dytë dhe
unë mezi po prisja që të mbaronte pjesa e parë, pasi m’u duk e padurueshme,
e dhunshme dhe armiqësore e gjithë ngjarja. Për çudi, kur e shihja nga larg
kisha përshtypjen e ekzaltuar të dekorit të helmët e iluziv, por, në fakt, ishte
një ferr i vërtetë, edhe për efektin se ne ishim të vendosur gabim, në një front
të pakuptimtë e aspak miqësor.
Çdo gjë që rikujtova ishte më e parehatshme dhe më agresive se kohë më
parë, kur më kish qëlluar ai polici i tmerrshëm. Por, edhe sot, nga një
pozicionim i shtyrë në kohë, nuk pata as më të voglën mundësi miqësie me të
tilla vende turmash në harbim; një format që më përjashtonte e më linte në
një pakuptimësi të dyfishuar afrie. – Larg, – thashë me veten; valëvitje që nuk
më bënte as të gëzohesha e as të shkrehesha në vaj për arsye të dekompozimit
të shprehjes si emocion i hapur njerëzor. Asgjë nuk ndodhi, përveç frikës nga
ndonjë kokëkrisur, që mund ta aksidentonte atë pasdite të organizuar si
dëfrim. Nuk dija as si të sillesha me djalin tim, që nuk pushonte së pyeturi
për gjëra që i haste për herë të parë, dhe që do i nguliteshin në memorie si
aksidenti i parë në një turmë shumë harbute.
Megjithëse ndjehej i lumtur, sepse më pohonte se kishte jetuar live një
ndeshje, gjë që do ia transmetonte shokëve të tij të klasës.
Nuk e dija a kisha bërë mirë apo jo, por sërish mora në avancë një armiqësi të
re dhe të papajtueshme me grumbullimet – m’u duk se nuk isha unë që e
shtyja këtë raport që të mos më pranonte, por ishte thjesht turma që më bënte
të papranueshëm në mungesën e zgjedhjeve për të shpikur një kundërshtar,
apo një armik të ndarë prerazi. Ndoshta ishte dobësia ime që ndihte arratitë
për të qenë në një ndarje të tillë. Isha si vetmitar në ndarjen e këtij
antagonizmi, që shpesh më dukej si humbje kohe, apo diç më shumë – si një
budallallëk i cili qe shpikur për shfryrje të pashpjegueshme njerëzore. S’e di.
Apo mos ndoshta në cytjen e mijëra njerëzve të tërhequr në masë, unë isha
vendosur gabim – jashtë loje? Mundet. Si përfundim, ripërforcova një ndarje
në kohë të rivlerësuar të re si të pakthyeshme në një dashuri të humbur
tashmë.
64
Gjuha e shenjave @ Irina Hysa
POEZI
65
Poezi nga Enertin Dheskali
Pikëz gjaku në univers
Lëndinat e pritjeve i mbollën yjet
Si kurora ëndrrash në vazo galaktikash,
Muza e jetës, e dehur ëmbëlsisht nga pritjet,
Ëndërronte në fluturim përmbi re planetësh.
Jam aty, në grimcat që ecin pafundësisht,
Jam aty, në transformimet e fillesave mbi asgjë,
Në diejt që lindin, në sfinksin që hesht,
Jam aty, pikëz gjaku,
Aq i vogël, e i madh, sa universi s’më nxë...
Nëse do të fluturosh…
Nëse do të fluturosh përtej qiejve,
Atje ku vetëtimat zemrat çajnë,
Mos harro, puthjen time merre me vete,
Që të tregojë udhën kur të kesh nevojë.
Unë qiej s’kam, as gjerdanë yjesh s’gjej dot,
Për t’i bërë dhuratë për gushën tënde,
Kam vetëm një zemër të brishtë e të ngrohtë
Që mbi detin e lotit ka ngritur çerdhe.
Mos e harro kraharorin ku gjumi të merrte,
Mes nanuritjeve dhe duarve të mia – fole,
Ëndrrën tonë, në vesën e vështrimit trete,
Nëse do të fluturosh përtej qiejve…
66
Shekull që fle në boshësi
Kuturisen matrapazët e shekullit të ri
Nëpër dyqanet e mbushura me drita,
Në vend të zemrës kanë qymyr të zi,
Në vend të shpirtit, prona dhe makina.
Paraja pështyn mbi kalldrëmet e jetës,
Male plehërash i flenë përbri,
Humbi ëndrra përtej honeve të skëterrës,
Ishim njerëz, u kthyem në ujq, lukuni…
Në vend të dijes skërmitet hipokrizia,
Bima Grande na mbiu në kokë,
Vdiqën idealet, të na rrojë djallëzia,
Mbretëresha e njerëzve të mjerë mbi tokë.
Shekulli i ri lundron mbi dallgët e kohës,
Dielli njerëzor u tret në pafundësi,
Paraja pështyn mbi kalldrëmet e jetës
Që mbart mbi shpinë veç boshësi…
Kosova ime
Predhat na i pluguan trojet,
Na e nxorrën zemrën e dhimbjeve
Nga gurët e themeleve.
Pragjet na i përmbysën,
Djepet na i thyen,
Ëndrrat na i dogjën…
Era e vdekjes
Erdhi nga veriu
E na i shkërrmoqi gurët e varreve,
Ku flenë me njërin sy hapur,
Eshtrat e të parëve.
67
Mos ikni,
Mbajini këmbët,
Shkulini brinjët
E bëjini armë,
T’ja ngulim hasmit
Në fyt e në brinjë.
Zjarri na i dogji shpirtrat,
Por ne nuk ikim,
Do presim lirinë…
Vjeshtë e heshtur…
Vjeshtë e heshtur, vjeshtë e zhurmtë,
Zbret ngadalë me buzëqeshje frutash,
Ja gris fustanet ushtrisë së drunjtë,
Zoqtë i tremb në horizonte ikjesh.
Vjeshtë e heshtur me krahë të brishtë,
Fëshfërin dhe shtron përtokë arin e gjetheve,
Në xhamat e dritareve troket me lotë zemrash,
Të dashuruarve ua tremb gjumin mëngjeseve.
Vjeshtë e zhurmtë, mbushur me vetëtima,
Piskama ndarjesh, dhimbje që fle në kujtime,
Rrebeshe ndjenjash që i mbledh harresa,
Në përroin e stinës mbushur plot rrugëtime…
Mërzi vere
Boshësia e nxehtë pushton ditët e mia
Këtë verë të mbushur me mallkime,
Nëpër damarët e shpirtit rrjedh mërzia
Si amazonë që ha ngadalë zemrën time.
68
Ujku i pushtetit ma kafshoi lirinë,
M’i veshi me zgjyrë këto ditë vere,
Ëndrra e kaçurreltë vetëm më ka lënë,
Të notoj mes pagjumësisë, natë pas nate.
Palmat e heshtjes m’u rritën në gjoks,
S’kam fjalë, m’i rrëmbeu kjo dhimbje,
Nëpër damarët e shpirtit rrjedh mërzia
Si amazonë që ha ngadalë zemrën time.
Sa shumë heshtje
Ti mund të heshtësh mikja ime,
Shpeshherë heshtja flet më shumë,
Por mos harro se më shkakton dhimbje,
Se më le të tretem, i pagjumë.
Dhe kështu, mbi mua heshtja bën fole,
Dhe mbi qerpikë më var lotët e trishtimit,
Dhe më përmbytet shpirti nën dyshime,
Me dallgë ndjenjash në rrugën e kthimit.
Çdo të thuash o heshtje tinzare
Me këto klithma vështrimesh pa jetë,
Në cilën skutë ëndrrat i humbe,
Ku vallë ylli i ndjenjave t’u tret?!
E brishtë endesh nëpër endje,
Humbet mes joshjesh vrastare pa fund,
Aroma lulesh që zgjojnë përgjumje,
Gjumë që ëndrrat e vdekjes m’i përkund.
Kaq larg dhe afër, si një zog përjetësie
Që flatrat e brishta m’i përplas në fytyrë,
Trembem mos era e kohës të vret dhe bie
Në vorbullën e dhimbjes, nën qiellin humnerë.
Sot nuk paskam lotë në sytë e lagur,
Vetëm kripa e kujtimeve më mbeti mbi ta,
Në purgator ma çuan zemrën e etur,
69
Mbi lumin e zjarrtë, zemra fatkeqe më ra.
O zot, sa shumë heshtje më solli,
Kjo vetëtimë ndjenjash mbi shpirt,
Në këto ditë të zhurmshme më kryqëzoi,
Ma gjakosi zemrën si një Krisht…
Kush je ti?
Kush je ti o ëngjëll i kristaltë,
Të njoha sot, apo ke jetuar brenda meje,
Je nimfë që vrapon nëpër botë,
Apo ëndërr që më rrjedh nëpër deje?!
Në sytë e mi ti dridhesh ngadalë
Si një petale e brishtë trëndafili,
Rrezja e mëngjesit mbi ty u ndal
Dhe mijëra copëza ndjenjash të fali.
Mendimi noton ëndrraprishur
Në liqenin ndjellës të syve të tu,
Klith nën emocione ndjenja e fshehur,
Mbytet zemra ime në qiellin blu.
Unë fluturoj përmes vështrimeve të tua,
Aty ku akulli me zjarrin bëjnë dashuri,
Dhe trembem mos digjem, trembem mos ngrij,
Kam frikë se më tretesh si ylberi në shi…
70
Poezi nga Eva Kacanja
Veç të isha unë një farë
Po të isha unë një farë,
Brenda teje do të mbija,
Nëpër gjak do të levrija,
Rrënjët shtruar ëndje-ëndje,
Do të lulëzoja në gojën tënde,
Në veshin tënd do të kumboja,
Do të vesoja në dritë të syve,
Vec të isha unë një farë,
Pa të vinte vjeshtë e verdhë,
E të na korrte bashkë të dyve!
Iku gjumi bashkë me gushtin
Përpëlitem ta puth vargun,
Që ta bind të rri me mua,
Por ai ma ndez gjakun,
Vec kur del nga buz’t e tua.
E tërheq brenda vetes,
E përkëdhel me dashuri,
si damar i blertë i gjethes,
Ai fryhet,çel te ty.
Iku gjumi bashkë me gushtin,
Vjeshta rrjedh në uj’ të ri,
Buz’t e mia presin mushtin,
Të ma kthesh ne poezi!
71
Betuar në Sarisalltik
Unë mund të vdes në parfumin tënd,
Në erën tënde mund të mpihem e tëra,
Si koral të skuqem kur frymen të më zërë,
Të lind përsëri e te mos them "cfarë bëra!"
Nën lëkurën tende si gjaku lëvrij,
Lotin e gëlltis t' mos qaj para teje,
cigarja harruar digjet në gishtrinj,
C'ishte kjo mërzi si shkreptimë rrufeje?!
Unë qaj e pihem në kristal të gdhendur,
Aty ku më ngrite ti në piedestal,
Zemra ngadalëson,shpirti më është mekur,
Endrra po dridhet si lulja në mal.
Unë mund të vdes në parfumin tënd,
Në lëkurën tënde të ngjallem përsëri,
Se ne u betuam,atje brenda n’shkëmb,
Ti je Unë e Unë jam vec Ti.
N’prag…
Kur e shkel at’prag
e kurrizin kthen,
Tmerri më hedh lak
Fjalën ma mbërthen.
Hapat kur i zbret
një nga një ndër shkallë,
Nata gazin vret,
dhoma bëhet varr.
A s'jam une jotja erë,
Fryma qe te ngroh?!
Si shkon,si më le,
S'më sheh e s'te shoh.
72
Ku shkon,a s'më thua
a s'jam gjaku yt,
Kocka që të ther,
brenga që te mbyt?!
Ku shkon,a s'mëthua
Zemra si të thotë?
Këmba si të shkel
mbi ëndrra e lot?!
Kur e shkel at’prag
gati për të ikur,
ora pikon gjak,
shpirti mbetet fikur!
Mall...
Me tragetin e reve nisem jashtë orarit,
Të prek atë dorë që më fton drejt qiellit,
Gulcoj si zgalem në stuhinë e mallit,
S'po mundem të mberrij në bregun e diellit.
Nuk i trembem udhës,enigmës a dyshimit,
Direku i zemrës më prin nga e mbara,
Në sy më rrëzellen drit'e besimit,
Me etjen per Ty ia nis nga e para!
Muza ime
Në gishtrinjtë e natës rruazoj mendimet,
Ngadalë tek e tek ,e mencur si muzë,
Por në fund ngatërrohem me fjalët e kujtimet,
E rendi i nisur më bëhet terkuzë.
Puthjet e tua rruazoj mes lotëve,
Ngadalë tek e tek, si perlat në det,
Urë të fildishtë ndërtoj mes dy botëve,
73
Me vargje e thur dëshiren që djeg.
Vesën rruazoj pik-pik mbi qerpik,
Nëpër maja gjethesh kur zbardhet mëngjesi,
Toka ngrohet këmbës nën hapin lirik.
Dielli flokët në të artë m'i ndezi.
Ditët rruazoj në pritje pa fund,
Muza dhe shkatrrimi vallëzojnë me mua,
Mëkati i ëmbël kufijtë m'i lëkund,
Se në botën time vetëm Ty të dua!
Kur ti shkon
Unë dhemb,
Në dorën tënde kur dridhem si flutur,
Në puthjet e nxehta kur digjen pendesat,
Në syrin tënd kur ndihem e bukur.
Unë dhemb,
Kur fjala gjilpon si hala në pishë,
Kur trupi drithëron në përqafimin tënd,
Kur porja ngrohur celet nën këmishë.
Unë dhemb,
Kur shtrëngimit kercasin gjymtyrët e mia,
Kur floku ngatërrohet në fill të dashurisë,
Kur Mëkati pushton më fort se Perëndia,
Kur si jele e bardhë flladitem Lirisë.
Unë dhemb,
Më shumë dhemb,
Kur nata kurrizin tinëzisht ma kthen,
Kur ti shkon më shpejt se sa vjen!
74
Poezi nga Kolec Traboini
Këpucët e mia të vogla
Dita e madhe e Shën Valentinit
nuk e di, si mundi të vishte këpucët e mia
të vogla
ditën kur linda, kur zbrita prej një reje në qiell
e rashë mbi një fletë trëndafili.
Nuk e di, si mundi kjo ditë
të mbështillej në shpërgenjtë e mi
derisa erdhi ora të vishte
pantallonat e mia të shkurtra në rritje
nuk e di si mundi
të pushohej Shën Valentini në faqen time
adoleshencës t’i thoshte: - Eja,
prej teje do të dalë një burrë në ikje
nuk e di pse u ngjiz jeta ime në atë ditë
pse lule mbolla aq shumë në kopshtin tim
dhe pse petalet e buzëve aq shumë i dua
duke ikur nga një qiell në një tjetër
nuk e di, pse nga pas më ndjekin dashuritë
e pse vargje pafund për to rri e shkruaj.
Nuk e di, nuk e di
pse dashuria më shfaqet si Dielli
që del e më ngroh bash atë çast
kur shpatullat i kam më të ngrira.
75
E kam atdheun tek porta
Unë e kam Atdheun tek porta
tek porta kam hyrjen e daljen
valixhen e vogël dhe letrat
e bardha për të shkruar
të zezat e jetës dhe hallet.
Sapo dal
i vë kyçin derës
e marr udhët e botës
bekimin - a mallkimin e të parëve
nëse marrosem, harrohem
dhe lutjen e Nënë Terezës
për kthimin.
Unë e kam Atdheun tek porta
tek porta i shkrova këto vargje.
Pallate pa diell
Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe
ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri
që të kujton dinosaurët
e lartë, hijerëndë e të egër.
Tani nuk kam më veç një përçik qiell
e një çarçaf të verdhë
varur në ballkon si diell...
E pakryer
...Na u kthye jeta
paçka se në tërë aeroportet e botës njeri-tjetrin
kërkuam
kurrkund nuk më pe e kurrkund nuk të gjeta.
76
Për ne të dy kjo jetë qenka e mbushur me pengje
pasione endacake metamorfuar në brenga
që do na mbijnë si shkurre mbi varr
fole për zogjtë mardhacakë
që pa dashuri u shkon jeta.
...Edhe në u takofshim edhe mos u takofshim
tanimë që u thinjëm, është barabar!
Vetja tek të tjerët
Një ëndërr që fle në qerpik
s’është vetëm një ëndërr që fle
është edhe një pikë vesë që thotë
se diku pas malit dielli është në ardhje.
Një fëmijë i vogël që ecën
që rrëzohet, qesh dhe i lumtur vrapon
është diç më shumë se një vogëlush
është një djalë, një burrë, një gjysh që gëzon.
Një vajzë që kalon në rrugë si pranverë
s’është vetëm një vajzë që kalon
është edhe një dallëndyshe në qiell
që na thotë se kjo stinë do ketë dashuri.
Gjithçka që vjen, që shohim, që kalon
është vetja jonë mishëruar tek të tjerë
nuk mund të shohësh, as ta njohësh dashurinë
nëse në shpirt nuk ke një zog që këndon
...për të tjerët që kalojnë para teje.
77
Drurët dhe njerëzit
Vetmia - trishtimi i drurëve pa gjeth
për njerëz që kanë humbur lumturinë.
Vjen acari e dimri shpirtin krejt ta zhvesh,
por nuk humbet shpresa ta gjesh në tjetër stinë
... edhe drurët edhe njerëzit:
gjethet, lulet dhe dashurinë!
Fajin e ka Hekuba
Perënditë nuk e mbrojtën dot Trojën
se grekët ishin dinakë, i mashtruan hyjnitë
që ndiznin marihuanë a flinin.
Po ka njerëz që shkaqet i gjejnë diku tjetër
tek Hekuba, bija e Cezeut, gruaja e Priamit
që lindi plot 19 fëmijë - edhe Paridin.
E thonë se Paridi ishte shkaku
se shkoi rrëmbeu Helenën e bukur
e të mos kish lindur Paridi
rrëmbimi nuk do kish ndodhur.
Të gjitha i thonë me hamendje - përralla
por Troja prapë se prapë është djegur.
Legjendat mbetën gërmadhash
kur në botë u shpall dita ime
kësisoj e kam dhe unë një Iliadë
dhe një Trojë e kam - shtëpinë time
kthyer dhe ajo në gërmadhë.
Për gjithë këto gjëra që ndodhën
në jetën time - fajin e ka Hekuba
e me Hekubën nënkuptoj Nënën time.
Sepse po të mos kish lindur shumë fëmijë
unë do të isha i vetëm
nuk do ta ndanim kafshatën e bukës
78
në shtatë gojë të çapëlyera në fëmijëri
dhe një motër e vogël s’do kish vdekur.
Po të mos kishte lindur Paridi
po të mos kisha lindur dhe unë
gjërat do të ishin ndryshe
s’do përjetoja këtë kalvar mundimesh
ku jeta më tërheq përdhuni.
Fajin e ka Hekuba
Hekuba dhe Nëna ime.
http://traboinipoezi.blogspot.com
79
Poezi nga Bilall Maliqi
Udhës së kujtimeve
E lash shpresën
Të pushojë një trohë
Në shuplakë të dorës
Mandej të marrë hov
Drejt udhës së kujtimeve
Para portës një ngrehinë
E veshur me këmishë vetmie
E malli sërish rri zgjuar
Para ëndrrës së kësaj dite
Korsisë së mallit
Korsisë së mallit
Zura thu në një kujtesë të gurtë
Herët banon në mua
Mbështjellur me lëkurë vetmie
Kudo në çdo pikë
Zhvesh nga një këmishë kohe
Prapë zura thu në cep të kujtesës
Seç më shkrepi një episod i dashuri
Kur s’ të kam pranë .
Kur s’të kam pranë
Më kaplon trupin një drithërimë
Krejt me ethe e zjarrmi
Pushtohet lëkura e shtratit të butësisë
Në mes psherëtimave
Më humb diku zëri thirrës për dashuri
Kur s’të kam pranë
80
Edhe ëndrrat pështillen në palët e natës
E kur zgjohem në shuplakë të agimit
Me vesë e shpërlaj fytyrën e përgjumur
Portret
Rri i zgjuar
Pranë portretit tënd
Shtrihet
Heshtasi në shikimin tim
Natës ia vari në ballë
Dashurinë e (ri)lindur
Si një portret i shkrirë
Brenda syve të mi...
Pritje
Fill pas mbarimit të vargut të parë
Të dytin e futa në sinkopë
Derisa të më shkrep
Një shkrepëtimë malli për dashuri
Pritje...sa tri ofshama
Brenda korsisë së kujtimeve...
(Pa) Shpresë
Lërmë ta vizatoj me hukamë
Pak shpresë në faqe të pasqyrës
81
E me gishtin tregues
T’i preki pikat ku dëgjohen ofshama
Pas zhbërjes së mjegullës
Ta shoh fytyrën tënde të harruar
Lërmë t’i kaloj shtigjet e mbyllura
Me të zezat hendeqe
Për të gjetur të buzëqeshur
Diku nëpër korsi të shpresës
Në stacionin e monotonisë
Si t’i kuroj fletët e shprishura të dhembjes
Në mbarim të kësaj bardhësie
Kur ngricat e ngrira cepave të shpirtit
Pikojnë strehëve të mallëngjimit
S’i të pres në stacionin e monotonisë
Si anonim mes hijesh të ngatërruara
Kujtesa për një çast e mundi harrimin
Një shpresë e vetmuar u var në ballë të pritjes
Të pres siç të prita brenda lëkurës së vetmisë
Derisa të shkrihet e gjithë kjo bardhësi
E t’i zbulojë gjurmët tuaja të humbura.
82
Fija e humbur
Fijen e lëmshit të ngatërruar
S’e gjenë dot as ngatërruesi
Humbur e ka fillin
Në humbëtirën e zezë
Futur në rreth
Ka kreshta lisa e plisa
Ç’lëmsh i ngatërruar
Nga Pari e ngarkuar ...
Kur më del përpara
Më humb zemra
Kur më del përpara
Si nëpër vrimë gërfyelli
Zëri e përbinë tingullin
Më laget shikimi
Si me qenë në thellësi deti
Kur më del përpara
Shpirti më dridhet
S’e gjenë dot qetësinë
Për një çast
Heshtja e zgjon heshtjen
Pastaj i tëri tretem
Nëpër sumbulla djersësh
Më kërko
83
Zdirgju ngadalë ngrehinës së mallit
Si loti nëpër hullit e faqeve të ndara
Më kërko në thellësi të pyjeve të heshtura
Shtrirë nën hijen e fletës së gjethit
Duke i shpaluar një nga një kujtimet
I rrëfehem qetas secilës kujtesë
Nga palët e shpirtit shpalosi tënden mungesë
Më kërko në çdo skaj të malit shpeshtak
Me nurin në ballë ma dritëso pak shikimin
E do të më gjesh m’u në atë vend
Ku me puthje e lidhëm në kërthizë bashkimin.
84
Poezi nga Lirije Mikeli
Cikli poetik: Kënga ime s’ ka psherëtimë
Poezi romaneske
1.
Të marten kam arritur
Para buzëve të bëlbëzuara
Me vajin e syrit të majtë
Për mua s` ka dhembje
… askund
Në ethe
Është ngritur temperaturë
Fusha e varreve
Lakmohet në puthje
Njësoj është e rëndomtë
Rruga e shikimeve të ura.
2
Mjekërgjati në gjumë
Artisti është sëmuar
Kur e kujtojnë Dedë Gjon Lulin
Në arë
Të kaltëria të turbullta
Ka ura pa kalorës
E pyet
85
Të përqesh në luftë
Sonte
Loja e ikur
Pagëzon dhembjet
Në bukurinë e vonshme
Flaka e tymi
Verboi sytë
S` ka rrugë për ty
Hijet muratojnë ethe
Deri të unë
Ademi, Zahiri, Agimi
Ja edhe këtej mali
Dikush çirret në çmendinë time
S` do mend
Se kjo paraqitet
Si një lloj
donkishotizmi specifik
3
Por,
Çajupi edhe atë e merr si diçka
Krejt relevante për luftë
86
Larg shumë larg
Atje larg
Numrat nuk mund
Të arrijnë
Pa u shumëzuar në mes veti
Pa u pjesëtuar në mes veti
Pa u mbledhë në mes veti
Numrat nuk mund
- të arrijnë
As në njëqindkilometërishin e parë
As në dyqindkilometërishin e dytë
Pa dyshim
Çështja është e madhe
Larg shumë larg
Atje larg
Pyetja – që pret përgjigjen
Unë di pse flas
Para sezonës memece
Me buzë në vesh
Unë di pse qeshi
Në mesin e thanave të lulëzuara
Edhe pse semaforit i mungon drita e tretë
Unë di pse gërvishti me thonj
Aty kah ora shtatë
Para fillimit të mbremjes e zhdukjes së territ
Unë di pse pyes derën me dritare
87
E flas në ëndërr para mbarimit
Në lojën e ringishpillit
Unë di pse akordoi mandolinën
Akuatinet pse etjen e zhepojnë
Në rrugë kah Ti.
Në kalanë e Uqinit
Në Kalanë e Ulqinit
Edhe tani jetojnë Balshat
S`ka njeri të tepërt
Aty zbërthen qëndrimi
Përcakton vlerën
Dashuria ime
1
Te këngët dashurohen athet
Mallkojnë lindjen
Përpara dhembjes
Të gjithë i të gjithëve
I urtë është syri
Në lojën e ringishpillit
Te ikjet janë hijet
Në vezë mishi i klukur
Secila lindje
88
Pushon të bukurën
Jeton në ëndrra
2
Heshtja e dikujt
Është mimosa ime
Edhe pse ai nuk e kupton
Era lemon gjethet
Përgatiten për vjeshtë
Nuk vdes fërkëllima
E gjakut
Zhurmat e pagëzojnë te armët
Nën bli
E vraftë dashuria ime
Të gjithë i të gjithëve
Flokët
E hijeshojnë kokën
89
Poezi nga Raimonda Moisiu
(Shkëputur nga Vëllimi Poetik “Lulëkuqja e egër “ )
Unë... e... Ti... mëkatarë
Të gjithë mëkatojmë,
Të gjithë e dëshirojnë atë,
si Unë edhe Ti...
Vështrojmë bahçen,
ka veshur fustanin e blertë,
në mes të saj lartësohen pemët me mollë.
Unë e Ti,
të harlisur nga delikatesa e perëndeshës dashuri,
vrapojmë drejt tyre,
të këpusim mollë.
Jo një mollë,
sa këputën e mëkatuan,
Eva me Adamin,
por më tej se një,
më shumë,
shuuumëshuuuumëshuuuumëëëë.
Vetëm do të mëkatojmë sot mes mollëve!
Të gjithë mëkatarët frikësohen,
por jo...
Unë e Ti...!
Ne nuk kemi frikë;
se na ndrit një kandil,
pasqyra në ujët e burimit.
Vështrohemi mbi burim,
duke përkëdhelur kaçurrelat e njëri-tjetrit,
mes burbuqeve të përflakura,
të puthjeve të nxehta.
Si dy nimfa të çmendura,
si luspat e midhjeve në ujë...
- nëpër përvëlimin e lakuriqësisë.
90
Dashuria,
vjen
si një këngë në muzg,
si gjinkalla në agim,
që e këndon simfoninë,
me gjuhën e lepujve të egër,
në livadhin e praruar nga blerimi.
Unë e Ti,
shpupurishur në krahët e njëri-tjetrit,
si dy nimfa të pafaj,
vështrojmë bardhësinë,
kaltërsinë qiellore,
që na fton për të mëkatuar.
Diku pas reve po na kundrojnë Eva me Adamin,
që nga parajsa
duke pritur me nostalgji se si
ne mëkatojmë si ata.
Dikur...
Atëherë...
Unë e Ti,
si dy oqeane të stuhishëm,
të valëzuar,
të përflakur,
që nuk ngurrojnë më, por...
përleshen me njëri-tjetrin,
lakuriqësinë e ujërave
Dallgët e zjarrta bien në qetësi,
flenë...
si një çun arrakat,
që ka hipur tërë ditën majë mollëve,
dhe, ja, e ka zënë gjumi,
nënë njërën prej tyre,
ndërsa agimi po zbret nga kurora e mollëve,
për ta zgjuar nga gjumi.
Unë e Ti... mëkatarë... të Perëndeshës
Dashuri!
91
Shpërthimi im
Qenia ime, jo më
- në varkën e vetmisë.
Ankthi im në sytë e jetës -
i shtangur dhe i mashtruar nga
vështrimi dhe ngushëllimi i verbër i
frikës poshtë këmbëve të mija. Atje
- ftohtësirë… frikë… frikë shumë.
I ndiej si vijnë
lulet e përgjumura të venitjes së dëshirave.
Qenia ime kërkon një strehë, ku
me gishtërinjtë e butë, të
zgjojë dremitjen e mbretërisë; atje
ku nuk ka diell e hënë por
vetëm lumturi.
Qenia ime kërkon t’u japë frymë,
aromës së luleve të çasteve të dashurisë,
pasi të gjejë rrugën e kopshtit të tyre.
Shpërthimi im dëshiron
të vallëzojë, në
blerimin e pyllit,
në valët e detit,
të flasë me guacat,
të flasë me tokën,
të përkulë kërcellin e qiparisit,
pas frymëmarrjes së tufës të dafinave.
Qenia ime dëshiron të mëkatojë,
nën dritën e hënës. Të
mëkatojë duke bërë dashuri me
lakuriqësinë e dëlirësisë, mbuluar me
vellon e shiut të lotëve.
92
...grua e vetmuar...
Një ditë e di që do marr rrugën,
për në brigjet e përjetësisë,
në botën e qetë, të heshtur, ku
do të më përkundin lehtë,
në një krevat të argjendtë...
duke thurur kujtimet...
Dëshpërimi më ka kapluar sonte,
me dëlirësinë e sinqeritetit tim,
është i egër, i lirë dhe...
vërshon në kapilarët e ishullit të pabanuar,
si një mikrob topolak.
Kërkoj dritë, dritë,
të më ndriçojë rrugën,
drejt qiellit të kujtimeve, por...
është... errët… tmerrësisht i errët.
Unë një grua e vetmuar,
e zbehtë, e me sytë e trishtuar, ec
me lot të shteruar.
Sytë
më jam bërë njësh me errësirën,
si dridhja para vdekjes,
në strehën e dëshpërimit.
Kështu kapërcej ditët, netët...
Përtej është oqeani që më ndan nga atdheu.
Kërkoj një strehë, të ngopem me
dashuri, ngrohtësi, sinqeritet, brishtësi,
vetmi,
frymë,
por...
ndjehem e braktisur,
si një kufomë e leckosur mbi ujë...
Simfonia e kukuvajkës,
93
si joshjet e një epshëlliu plak
strukur thellë,
në molepsjen e intimiteteve të mia...
Ëndërroj... dikush... po vjen...
Drita e hënës që më bie si një fasho,
mbi ballin tim të përvëluar nga temperatura.
Hëna është e dëshpëruar si unë...
Sonte!
94
Poezi nga Menduh Leka
Metaforë shprese
Do të jemi më fatlumë se sa ishim
Kodin e Rikrijimit do ta zbulojmë
Me libret flijimi do të udhëtojmë
Për hir të Dashurisë
E nesërmja të mos jetë e vona e jonë
Tepër herët ishte për hidhërim
Sintaksës së zhgënjimit ia mbyllim gojën
Do të gëzojmë para se të vijë gëzimi
Do të shtegtojmë para se të trokasë pikëllimi
Shumëfishin e shpejtësisë së dritës ta shijojmë
Të përjetojmë pafundësinë
Vetëm të jemi
Atje...
Atje ku as fundi nuk do të na arrijë.
TiUnë
( Ti dhe Unë)
Që atëherë kur gjithçka ishte Dashuri
Ti ishe parafjalë që më mbështillje me emër
Doje të më mbiemroje për hirë Zotit
Ai ishte Aureolë për një Krijim të Madh
Ne ishim dy kuante të ngjizjes
95
Unë dhe Ti ishim dy kuante të ngjizjes
Që na shumfishonte Harmonia
Ne ishim Esencë
Një çiftëzim i pritshëm për ta krijuar Përmasën
Për t’i dhënë nxitim Kohës
Drejt Hapësirës me e tejzgjatë Dashurinë
Ne ishim Dashuria atëherë të kujtohet?
Kur diçka Mjegullimë Zjarrmore
Përndriti si Ekstazë e Madhe.
Atëherë ishte Zanafilla si për të Shtatat krijuese
Kur iu hodhëm dashurisht pakufishmërisë
Dhe gjithçka u krijua si një Dëshirë e Madhe
Filluan lëvizjet dhe imitimi i Lojës në vals engjëjsh
E tërë vijëpërkulura Esencë ishte Dashuri
Unë dhe Ti
TiUnë
Dhe buzëqeshja e Zotit.
Pasthirrma e lotit
Të mos mbushesh me Ty
është si mos të ketë mbetur asnjë pikë uji në hapësirë
sa as për një gjallesë të vetme
sa as për një lulekaktus që harxhon qelizën e fundit
shkretëtirë gjithëkah e tej mendimit të etshëm
një kozmos trishtim
në një çast të vetëm
Marramendje e tundim
imazh zjarrmues e Vrimash të Zeza
96
nën çatinë e paragjykuar Asila e të gjitha dashurive
të dhuroj të vetmin pikë loti që mbajta në sirtar dashurie
Për hirë të Trinisë
ekuilibrin Ringjale
duke risjellë veten të rifrymojnë edhe të tjerët
bota e çudirave le të zhbëhet
për një çast të vetëm…
fatamorganë a mistral le të vie
së paku një pasthirmë ujore
le te bie
le te bie
të Rilindemi dashurisht në një realitet tjetër.
Pasqyrim pa frymë
Ti i mbanë iso psalmeve diellore
Ai tjetri gërbush eks e pi lotin
Nga të pasmet e budallenjve
Puth egon me ritual fërkimi
Ti ind metaforik që klith nga prangosja
Ai tjetri cerber i çalë me dhëmballë të tjetrit
Thimth gjarpri galan e gungaç në fron
Sinor i damkosur
Në ditën e Zemërimit
Ti mozaik parajse e gatim yjesh
Ai tjetri regëtimë në pesëkëndëshin e Solomonit
Shkumë e pasioneve të shëllirës
Në kolltukun e bishtit e të gishtit
Nuk jam oshënar i tredhur
E di se dashuria fiton mbi çdo zhbërje
Ishte Onani ai zbulues i kënaqur
Nuk jam as unë as ti
Lojë gjësendesh të buta
Perverse në kuadrantet e pasqyrimit.
97
E para ishte Dashuria
Atëherë kur gjithçka ishte Dashuri
Harmonia ishte po aty e këtu
Në një kuvertë shpirti pafundësisht shpërndarë
Zoti ishte më i njerëzishëm
Njeriu ishte më hyjnor
Atëbotë shkrepi diçka rituale
Rëndë goditi mbretëria e pasigurisë
Zhbërjet u bënë Esencë
Esenca mërgoi te Thoti
Ishte diçka si një pikëllim i madh
Për çdo zemër
Që iso i mbanin harmonisë
Ishte njëfarë kumt i shtrydhur
Që pihej si shelbim e si ndrojtje
Nuk e përballuan as Sibilat me shkas
Asnjë pasthirrmë ujore nuk e joshi
Diç e lënë peng si mit trinie
Tjetra deri te një përndritje
Dendësi e mbarsur vuajtje
Vetmi e madhe
Për dashurinë që na la
Tevona si shtëllungë zilie
Perandoria e dëshirës zuri boshësinë
Ndërruan ciklet e ligjet në univers
Derisa u përmend Dashuria
Perëndia u bë përsëri Hyjnor
Njeriu mbeti duke kërkuar Dashurinë.
Nirvanë e shpejtësisë së dritës
Si orakull nga piramidë e lajthitjeve
Solemnisht jepja shpejtësisë së dytë kozmike
Sa për lojën e radhës në sfond huqesh
Ndeshtrashën si alegori
Magjinë si pre në hellin ironik
Kur të namatisë Haleluja në eklips
98
Në ato sekonda liturgjike pa qirinj
Luaj bisht me Antikrishtin
Si morti me esencën e frymës së shenjtë
Nirvanë e lakuar në shumë nyje
Si lakmi e prerë në teh apologjishë
Ka kaluar ai ters për të mirët
Kreshmë e fshehtë u lodh në trupin e trapit tënd
Zbrazi tërë pritjen në sofër butakësh
Ndjellmirë e paktit tonë të dëlirë
Prekje mëngjesore
Aurorë ndjesore dhuratën e ëndrrës e pranoi
Të të prekë pak si tufzë rrezesh atje
Dhe një dorë bekimi si dëshmi premtimi
Rrugëve magjepse engjëjt dëshirat i dërgojnë tutje
Pak si gërshet dashurishë puhia i perkëdhel
Herë valë deti e herë valvitje lulbliri
Nga ai zjarrmim ëndrrimtar që në ekstaza vezullonte
Dhe jehonat afshrore loznin nëpër vargmale shpirti
Mjegullbardha engjëjt i veshë bukur
Dhe kulmojnë ylberore nuancat dashurore
Pas mbetet përfytyrimi në qepalla strukur
Dhe një kujtim kurorë mrekullie hyjnore
99
Poezi nga Luan Maloku
EUTERPA
Kur zbardh dita
Euterpa më zgjon
Më fut në kujtime
M’i trazon ëndrrat
Dhe vargu troket
Në portën e mallit
Lundroj në detin
E madh shpirtëror
Si në ditët me shi
Të lagura deri në palcë
NJË MBRËMJE
Një mbrëmje
E bukur ndër yje
Një aromë parfumi
Më joshte shpirtin
Ti ishe si një lule
E bukur në lulëzim
U mbuluam me puthje
E përqafime plot mall
E lotët rrëshqitëshin
Fytyrës si rrjedhë
100
Po dashuria të bënë
Të jetosh i lumtur
Një mbrëmje
E bukur ndër yje
Pranë teje e ndjeva
Veten si një yll
S`DI PSE
Si rrufe u fute
Nën pjergullën time
Vetëm kujtimi
Endet në hapsirë
Mbrëmë ledhatova
Qiellin tënd deri vonë
S`di pse kaq shpejt
Lindi dashuria në mua
Një lot i brisht
Më rrodhi nga syri
Një të tillë dashuri
Vështirë është ta gjesh
Të gëzojmë jetën
Deri në p
NËNË
Je ajri im
E dashura
Më e shtrenjta
101
Në botë
Nënë
Mungesa jote
Më djeg si gacë
Të dua
Përjetësisht
Sa frik jeta ikë
E ti më mungon
ME TË VETMEN FJALË
E shiqova gjatë
Në sytë kaltërosh
E ajo e ndrojtur
E brishtë si vesë
Më shiqon mua
Si pranverë me lule
Ah, e bukura bukuri
Ndjenjat më bëhen det
E poetët kanë botën e vet
Ata ndryshe dashurojnë
Ata vehten ta falin
Me një të vetmen fjalë
102
TE KODRA E UKËS
Te Kodra Ukës
Bukë i thonë bukës
Vend i bukur zabel
Tokë e vjetër Ilire
E vjetër
Sa dielli
Toka
Qielli
Aty e vizatoj shpirtin
Me duar dashurie
Aty dasmat kurrë s`ndalen
Lodrat deri në qiell dëgjohen
Aty hiri shndërrohet
Në jetë sikur feniksi
Tek ti toka e ime e bukur
E njoh vehten time
Aty më pushon shpirti
Kodra e Ukës madhështi
Pa ty do të isha jetim
DASHURIA IME
Dashuria ime
Është zabel
Ku më kullotën
Kafshët e egra
Edhe të zitë
Më shkelën shpesh
E më kositën
Me mija herë
Stoik në këmbët e mia
103
NE TË DY
Ne të dy u plakëm
Dukemi si dy gurë mulliri
Koha po ecën shpejt
Korsive të hapura
Dhembja ngelet
Në pellgun e lotëve
Një ditë s`do të zgjohemi
Do t’i shtrihemi përjetësisë
E ndoshta kështu
Do të ishte më së miri
TE VENDI IM I BUKUR
Tek vendi im i bukur
Ëndrrat të çmendin
Varfëria prek qiellin e zi
Buzëqeshje ironike
Nga hije
Hijenash bishtëngrehur
Vendi im
Me liri duarlidhur
Spektakël i vërtetë
I ftohtë akullnajë
Të rinjtë po arratisen
Nga burgu në burg
Me atentate shpirtërore
Lojë e majme satane
Varfëria…
104
Poezi nga Merita Hoxha
Pranë përmendores
Përmendore e lartë madhështore
Përse ballin e mërrolur e ke
Ndoshta të kujtohen gjakderdhjet
E martirëve që ranë për Atdhe?
Apo ndoshta i numëron kufomat
E bijve të panjohur, të tu
Apo ndoshta të kujtohet
Gjoksi i përgjakur
Dhe zëri rënkues i të riut, fli
Nga plumbi i një pushke të krisur?
E ti krenare qëndron para nesh
Pëmbushur me kurora trëndafilash
Në çdo petale nëshkruan një emër
Në çdo flakërimë përndrin lirinë.
Duke lënë atdheun.
Me trishtim shikoja
Shtëpinë time boshe
Vargjet e pikëlluara
Këngët e harruara.
Po loti e lagu
Vargun e fundit
Dhimbje, e dhimbje
Lamtumirë?! … kurrë Atdheu im.
Pranë përmendores së Skënderbeut
105
Mirëdita lapidar
Je n’çdo pishë shkrep, e m’shkrep
Je një rrufe që shemb furtunat.
Dhe u drodh njeriu nga guri
Në gjurmën që gjoku i Gjergjit la
U dridh dhe gjithë gjaku
Që shkëmbi erë përpinte.
U dridhën edhe lotët
Që toka i mblidhte përbrenda
Zemrën thonë:
Me kockë e kishte
Brenda gjoksit rrihnin
Krahët e shqiponjës.
Kujtimi për bonjakun Xheni
Jam shqetësuar jo nga dashuria
Dhe zemra më rreh damarët
Më ngrin fytyrën
Me flakën e qiriut të ndezur.
Kam mbetur në mesnatë
Siç mbesin yjet dhe lisat
Lotët më derdhen nën qepallë
Kur kujtoj bonjakun Xheni
Këpucët e përbaltura, të shqyera.
Ai me butësi sikur thotë
Pse të martën më dhe 70 cent?
…, dhe sot 30 cent !
106
Liria
Kënga përtej maleve dëgjohet
Për liri vdesin trimat
Gjaku juaj mbetet për jetë peng
I dashurisë dhe lirisë
Për dasmën e madhe
Të Arbërisë.
Dimri po vjen
Në pyllin e vetmuar
Ende bie borë
Harabelat e ngrirë po ikin
Diku për t’u strukur.
Atij lisi t’thatë përbrenda
Milingonat i bëjnë shoqëri
Por edhe lumit përskaj
Akulli ftohtë i shndrin bardhësi.
Pulëbardhat e shpirtit
Po ikin ,
Po ikin fluturim në largësi.
MËRGIMTARI
Mos pyet për kohën,
që kaq ngadalë kalon.
E në të s’kemi fjalë.
Ëndrra ime mbetet,
atje tek vendlindja e largët
Në shtëpinë e vjetër të nënës.
Do rikthehem një ditë…!
107
Do ndërtoj pallatin më të bukur
…, dhe me copëza fjalësh
Do rishkruaj
plagën e rëndë të mërgimtarit.
TË KËRKOJ
Të kërkoj
Në vesën e trëndëfilit të kuq
Në kaltërinë e liqenit
Dhe në pranverën e hershme.
Të kërkoj
Në detrat e largëta
Në dhomë të zbrazët
…, dhe në ëndrrat e mia
Të kërkoj
Në pikat e ftohta të shiut
Në çdo ditë të re
Që përthyen kristalet e shpirtit.
SAUNA
Nën mjegullën e saunës
sytë e shikimit humbasin tek ty,
kur rastësisht u takuam
dhe ne u dashuruam.
..., por sot,
ç’ fare mbeti prej nesh
Kujtimi i vetëm
Se u deshëm një ditë.
108
Muzika dëgjohet n’labirinth
Këndon vetëm për mua
Me lotin e ngrirë në fytyrë
dhe mallin e tretur
Ti prapë sjell si dikur
Kafenë e vonuar
E unë gëdhend prapë emrin tënd
Të dua!
109
Asi i qiellit.@ Irina Hysi
PËRKTHIME
110
Anglezët e lumnueshëm
Nga Reto Rossetti
Përktheu nga anglishtja Bardhyl Selimi
Siç dihet, anglezët banojnë në Angli. Ata i ndan nga Evropa një ngushticë
prej 40 km dhe një mal i lartë i vetëvlerësimit. Sipas pikëpamjes angleze
njerëzit flasin dy gjuhë: anglisht dhe gjuhë të huaj. Të huajt e mësojnë
anglishten pak e nga pak, gjuhë për të cilën gjuhët e tjera janë një surogato
dhe në fund të fundit njerëzit do zotërojnë gjuhën e vetme që mund të
përfytyrohet për një njëri të saktë. Ajo është gjithashtu gjuha e vetme, që e
shkruan “unë “ me shkronjë të madhe.
Kjo gjuhë vetëkuptohet është e përsosur. Ndër cilësitë e vyeshme të saj është
fakti që pasi ke dëgjuar një fjalë të re duhet ta kërkosh në fjalor se si
drejtshkruhet ajo, pasi ke parë një fjalë të re duhet të kërkosh në fjalor se si
shkruhet ajo. Kjo gjuhë nuk ka as përemër vetvetor, as lidhore dhe e ardhmja
dhe kushtorja kanë nga dy forma, që dinë t’i përdorin anglezët e jugut, por jo
ata të veriut, as skocezët, as ndonjë tjetër. Mungon në të fjala për “njeriun”
dhe “për të lindur” por si shpërblim, gjenden shtatëmbëdhjetë mënyra për të
thënë “a mos?” Gjuha përmban 22 tinguj, fjalia ka një rend fjalësh fiks dhe e
njëjta fjalë mund të jetë emër, mbiemër apo folje, sipas logjikës së fjalisë.
Kjo të çon në shumë keqkuptime gazmore dhe mundësi të pafund për loja
fjalësh.
Për gjuhët e tjera, që janë fonetike, me thekse të rregullta, që kanë pavetorin
etj, anglezët ndjejnë keqardhje, në se gjithsesi dinë diçka për to. Disa anglezë,
që mësojnë gjuhë të huaja, e ndjejnë veten renegatë, por fajin e tyre e
pakësojnë duke përmirësuar gjuhën e huaj me anë të shqiptimit anglez dhe
gramatikës angleze.
Kaosit piktoresk të gjuhës së vet anglezët u shtojnë kaose të tjera të bukura.
Mund të thuhet në tërësi, se anglezët kanë një talent të veçantë për kaose. Te
paratë, katër obole bëjnë një penc, dymbëdhjetë pence bëjnë një shilingë dhe
njëzetë shilinga bëjnë një paund; por artikuj më të kushtueshëm paguhen me
gine, monedha këto që nuk ekzistojnë. Nderimin për një zotëri e tregojnë me
titullin Eskuir, që gjithashtu nuk ekziston, sepse ai vetëm se shkruhet por
asnjëherë nuk thuhet. Sistemet e matjes së vëllimit, peshës dhe gjatësisë janë
kaq të komplikuara sa çdo anglez, pasi ka mbaruar shkollën i ka harruar ato
dhe përdor tabelat llogaritëse.
111
Në mënyrë të ngjashme edhe fusha e edukimit anglez është një farë labirinti,
që përfshin njëzetë e nëntë lloje shkollash. Këtë e quajnë “sistem edukativ”
dhe , me një logjike më të lartë, shkollat private i quajnë “publike”.
Anglezët i duan kafshët dhe para së gjithash qentë. Kur rusët dërguan lart me
sputnik një qenush , mijëra anglezë protestuan me tërbim në gazetat,
deputetët dhe ambasadën ruse; por. kur ameriaknët dërguan lart një majmun.
ata nuk u ndjenë sepse majmuni i ngjan shumë njeriut. Amerikanët
megjithatë rrezikuan pakëz dhe në të ardhmen ata do sillen më të matur, duke
dërguar atje një pigmen ose një jetim.
Dihet që anglezët janë lakonikë dhe modestë. Ata të sqarojnë me elokuencë
dhe të informojnë me zell për modestinë e tyre. Ata janë edhe të ftohtë, por
eksitohen shumë, në se ti nuk don ta besosh këtë.
Ata pëlqejnë gatimin e thjeshtë anglez, që e hanë shumë shpejt, sepse është
pak si jo e hijshme të harxhosh shumë kohë në të ngrënë. Ata nxitojnë
gjithashtu nëpër rrugë me një qëllim të ngutshëm, psh për në zyrë apo
kinoteatër, dhe nuk mund ta përfytyrojnë që rruga mund të jetë një vend
takimi, restoranti një vend bisedimi apo lidhjet ndërnjerëzore një punë e
rëndësishme e ditës. Edhe restorantet kanë shenjën e ngutësisë; ushqimi hahet
shpejt e shpejt dhe karrigia i lëshohet e ngrohtë atij që vjen pas teje. Këtë e
bëjnë me shumë dëshirë sepse bëhet fjalë për gatimin e thjeshtë anglez.
Megjithatë mos mendo që anglezët nuk e duan Evropën. Ata udhëtojnë
gjithnjë e më masivisht nëpër të, duke marrë me vete në falangë mjedisin e
vet gjuhësor dhe duke u prirë drejt hotelesh që garantojnë gatimin e thjeshtë
anglez. Shumë anglezë, ç’është e vërteta, hidhen edhe në aventura për artin e
gatimit kontinental, e shijojnë atë me miratim, madje bien në ujdi të kalojnë
me të më shumë se pesëmbëdhjetë minuta, por kjo kuptohet është koha e lirë,
dhe pas kësaj çmëndurie ata kthehen sërish në rutinën e përkorë angleze apo
siç e thonë me mprehtësi ata në “mënyrën e jetesës”.
Kjo mënyrë jetese është e organizuar më mirë, sepse ata hanë në një vend dhe
pinë në një vend tjetër, në vend që të dyja t’i kryejnë në të njëjtin vend.
Është për t’u pasur zili në organizimin anglez edhe fakti që të gjithë dyqanet
mbyllen në ora pesë, sepse edhe shitëset duhet të bëjnë pazar, dhe të gjitha
pijetoret dhe vendet e dëfrimit mbyllen në orën dhjetë të mbrëmjes, sepse
komisionierët e tyre duan edhe ata të dëfrehen. Se si e bëjnë këtë ky është një
sekret anglez i thellë.
Një zakon tjetër anglez i bukur është mbyllja e të gjitha pijetoreve midis orës
dy e tridhjetë dhe 6 çdo ditë. Kjo mbase do të na bezdiste në se Anglia do
kishte një klimë të ngrohtë, por lumturisht sikurse na informon çdo anglez,
ata kanë një klimë të moderuar. Për shkak të kësaj klime të moderuar burrat
anglezë shëtisin verës pa kapele dhe marrin rreze dielli. Dhe, për shkak të po
kësaj klime të moderuar të gjitha shtëpitë angleze i mbajnë ulluqet e ujrave të
112
shkarkimit të shiut nga jashtë, ku ata çahen nga ngrica në dimër. Klima e butë
e bën gjithashtu të panevojshme ngrohjen qendrore dhe mjafton të djegësh
qymyr në një vatër të vetme në çdo dhomë të shtëpisë për të krijuar një
ngrohtësi të përgjithshme, veçanërisht po që se je ulur pranë saj ose i mban
duart mbi oxhak qè shkon në çati.
Ka një aksiomë angleze që ajo që bëhet në vende të tjera, realisht nuk
ekziston. Për rrjedhojë ajo nuk ndihmon në problemet angleze, për shembull
a është diçka praktike edukimi i gejeve. Fakti që ky edukim prej kohësh është
bërë i përgjithshëm në Skoci nuk do të thotë asgjë, sepse Skocia është pjesë e
vendeve të huaja. Madje edhe diçka e bërë në Angli nga joanglezët nuk ka
ndonjë rëndësi të madhe.
Romakët në shekujt I-IV ndërtuan atje rrugë të drejta, por ata duket qartë se
nuk e kuptuan shpirtin e indigjenëve, sepse këta të gjitha rrugët e
mëpastajshme i bënë me zigzage dhe gjarpërushe edhe kur ato kalonin mbi
sipërfaqe të rrafshëta. Vetëm kur anglezët vetë bëjnë diçka, vetëm atëherë kjo
hyn në realitet. Pranë Prestonit sapo është ndërtuar një autostradë në vijë të
bukur. Ajo është e gjatë 15 km. Pa dyshim gazetat botërore kanë raportuar në
faqe të parë për këtë përparësi sensacionale.
Por edhe anglezi lëshon pe, e para dhe e fundit. Prandaj unë mund ta shkruaj
këtë artikull pa u dënuar. Anglezët, që do e lexojnë atë, vetëm do qeshin të
patrazuar, sepse ata e pëlqejnë që komplimenti të bëhet temë e artikullit, dhe
përmbajtja kulmore ata nuk i prek, sepse kjo është një llastim i zakonshëm i
humoristit. Dhe ata e kuptojnë që edhe humoristët duhet të jenë, sikurse të
huajt, autostrada të drejta, sistem metrik dhe gjëra të ngjashme ekzotike si
këto . E gjitha kjo ndihmon në bujën e jetës, duke krijuar një kuadër
dekorativ për realitetin e ngurtë të anglezëve në Anglinë e tyre.
113
Pjesë nga Libri”Betoveni dhe revolucioni frëng”
Përktheu nga anglishtja Meri Lalaj
“Fidelio” opera e vetme që kompozoi Betoveni, së pari ishte një Himn i
Lirisë dhe vetëm rastësisht lirikë triumfi për dashurinë bashkëshortore.
Florestani është martir i ideve të reja, i së Vërtetës të re:
Wahrheit wagt` ich kühn zu sagen
Und die Ketten sind mein Lohn!
(Unë guxova të them të Vërtetën
Dhe zinxhirët janë shpërblimi im!)
Të burgosurit, të lejuar për herë të parë për të marrë pak ajër të pastër, i
këndojnë Himn Lirisë:
O Himmel! Rettung! Welch` ein Glück!
O Freheit! O Freiheit! Kehrst du zurück!
(O Qiell! Shpëtim! Çfarë Lumturi!
O liri! O liri! Kthehesh prapë!)
Kur Florestani shikon Leonorën, mendon se ajo është Engjëll i Lirisë:
Ein Engel, Lenoren, der Gattin so gleich,
Der führt mich zur Freiheit, ins himmlische Reich!
(O engjëll, Leonorë bashkëshorte menjëherë,
Ajo më shpie mua në gëzimin e mbretërisë qiellore!)
Fernandoja, i lajmëruar nga trumbetat, është Çlirimtari. Ai nuk i lejon të
burgosurit që të gjunjëzohen para tij, ai është miku i tyre, vëllai i tyre:
Nicht knien länger sklavish!
Tyrannenstrenge sei mir fern.
Es sucht der Brüder seine Brüder
Und kann er helfen, hilft er gern.
114
(Të mos jemi më skllevër!
Tutje rreptësia e tiranëve.
Vëllai kërkon vëllezërit
Dhe në qoftë se mund të ndihmojë e bën me qejf.)
Në Simfoninë e Nëntë gjejmë një Himn të Vëllazërimit Botëror. Në origjinal
Kënga e Gëzimit ka qenë Kënga e Lirisë1 dhe Betoveni pat filluar të punonte
për këtë këngë që në vitin 1793. Kur Shileri e ndryshoi në Himn Gëzimit,
vëllazërimit të Racës Njerëzore, u bë tema kryesore e vargjeve të famshme:
Alle Menschen werden Brüder…
Seid umschlungen Millionen
Diesem Kuss der ganzen Welt!
Të gjithë njerëzit bëhen vëllezër…
Të jesh i përqafuar prej milionave
Me një puthje përqafim!
Betoveni merakosej që mesazhin e tij ta bënte përsosurisht të qartë kësaj here
dhe, porsi pasardhësi i tij i madh Vagneri, u vuri tituj temave muzikore. Kjo
ishte absolutisht e domosdoshme. Ai donte të afrohej me masat dhe t`u
shpaloste atyre idetë e reja të Revolucionit Frëng me një gjuhë që ato ta
kuptonin dhe ta admironin, me gjuhën e Shilerit, poetit të Kontratës së Re të
Rusoit. Revolucionar në pikëpamjet e tij politike, Betoveni ishte revolucionar
edhe në artin e vet: Ai futi muzikë korale dhe solo vokale në pjesën e fundit
të Simfonisë të Nëntë. Po, e bëri këtë për masat e budallallepsura, të cilat nuk
do të mundnin ta kuptonin fjalimin e tij muzikor. Ai u foli masave me
zhargonin e tyre!
Mirë, po a ishte e mundur që t`i ngrinte këto masa vjeneze, të mefshta, të
përgjumura, të painteresuara? Oh, këto turma të mjera të Vjenës! “Verflucht,
verdammt, vermaledeites, elendes, Wienerpack!”1 Ato nuk dinin të bënin gjë
tjetër veçse të hanin salçiçe dhe të pinin birrë të zezë. Dhe kur dikush e pyeti
Betovenin nëse revolucioni mund të shpërthejë në Vjenë, ai përgjigjet me
tallje:”Gjersa austriaku të ketë birrë të zezë për të pirë dhe salçiçe për të
ngrënë as që ia fillon revolucionit.”2
Është e vërtetë se masat austriake ishin të qullëta, por mjeshtri me to kaq
mund të bënte. U mundua shumë me njerëzit e mëdhenj, por ata i dolën më
keq se mizëria. Medet! “Nuk ka gjë më të vogël sesa të mëdhenjtë!”3 Apo,
siç e thotë Betoveni në frëngjisht: “Parceque les grands sont le plus faibles.”
(Sepse të mëdhenjtë janë më të dobëtit),4 kështu nuk mbetej gjë tjetër veçse
115
të ngriheshin masat. Pikërisht kjo i duhej kohës së tij. Ai e shprehu fare mirë
këtë teksa i shkroi atij vagabondit të vogël Karlit:
“Koha jonë kërkon shpirtra të fuqishëm për të futur në veprim këto masa
njerëzore, burracake, tradhtare të fundërrinave.”5
Karli i tij e kuptoi më së miri. Ai dinte greqisht.
Po, Betoveni e ndiente se ai ishte një nga ata shpirtra të fuqishëm, të cilët Fati
ka paracaktuar për detyra herkuliane. Tani Fati i troket tek dera dhe e
urdhëron që të përmbushë misionin e vet të shenjtë. Është gati për të marrë
detyrën më të madhe të jetës së tij. Ai do t`i bëjë sopranot të bërtasin, të
klithin, të çirren me triumf deri në kupë të qiellit, sikurse prostitutat e
pazareve të Parisit kur panë se gijotina këputi kokën e Marie Antonetës dhe
Luigjit XVI:
Sic semper tyrannis! (Ashtu si gjithmonë tiranëve!)
Po, vritini të gjithë, varini të gjithë mbretërit, princat dhe aristokratët.
Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!
Les aristocrat` à la lanterne:
Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!
Les aristocrat` on les pendra.
Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!
Aristokratët te shtyll` e fenerit;
Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!
Aristokratët do t`i varin.
Më kot sopranot e shkreta i luteshin mjeshtrit që të ndryshonte ato nota të
larta të pamundura për t`i arritur. Betoveni ngulmoi në të tijën. Ato thanë se
do të tingëllonte e egër. Por ai pikërisht këtë donte, sepse vetëm atëhere
masat do të mund ta kuptonin idenë e saj. Dhe ai pati të drejtë. Më 7 maj
1824 u dha shfaqja e parë e Meshës Solemne në Re dhe Simfonia e Nëntë.
Baron Zmeskalli vajti të dëgjonte Simfoninë, e cila kishte si nëntekst
zhdukjen e klasës së tij, por çdo gjë që bënte mjeshtri ishte e mirë për të.
Baroni urdhëroi shërbëtorët që ta shpinin në Teatrin Karntnertor të ulur në një
karrocë-vig, sepse u ngrit i sëmurë nga dysheku.1
Suksesi ishte i mahnitshëm: përshëndetja e publikut ndaj shfaqjes pati një
karakter kryengritës, kur doli Betoveni në skenë brohoritjet shoqëruar me
duartrokitje u përsëritën pesë herë, ndërsa sipas etiketës së rreptë të qytetit,
ishte zakon të jepeshin tri përshëndetje vetëm kur hynte Familja Perandorake.
Policia u detyrua të ndërhynte për t`u dhënë fund manifestimeve. Simfonia
shkaktoi një entuziazëm të papërmbajtur. Shumë vetë qanin. Betovenit pas
koncertit i ra të fikët nga emocionet; e shpunë në shtëpinë e Shindlerit ku
116
humbi në gjumë dhe mezi u përmend pas njëzet e katër orësh, me rroba në
trup, pa ngrënë dhe pa pirë asgjë.2
Po, kësaj here Betoveni u afrua me masat jo vetëm me ato të Vjenës, por me
masat popullore të të gjithë botës edhe për të gjitha kohërat me Simfoninë
Jakobine të Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërimit. Disa kritikë thonë se muzika e
Simfonisë së Nëntë nuk është aq e mirë sa ajo e Simfonisë së Tretë dhe të
Pestë. Ndoshta. De gustibus non disputandum. (Shijet nuk diskutohen). Por,
gjëja më e rëndësishme për Betovenin në këtë rast ishte kumti dhe ai diti tua
shpërndante këtë kumt revolucionar masave në një gjuhë aq të qartë sa ishte e
mundur në rrethanat e epokës së Meternikut. Teksti nuk do të mundte të fliste
kurrë më shkoqur. Censura e Meternikut nuk do ta kishte lejuar.
Betoveni ia përshkruan situatën shumë mirë poetit Kufner:
”Fjalët janë të lidhura me zinxhira, por lumturisht tingujt janë ende të lirë.”3
Dhe ai përdori tingujt muzikorë që të plotësonte tekstin poetik. Masat e
pëlqyen dhe ende e pëlqejnë bashkimin e tij mjeshtëror dhe dramatik të
poezisë me muzikën.
1 Thajer, Botimi anglisht, III, f. 152.
1 I mallkuar, i dënuar, i nëmur, popull maskara i Vjenës! Letër Bernardit, 15
shtator 1819, Kastner-Kapp f. 521.
2 “So lange der Oseterreicher noch braunes Bier und Würstel hat, revoltiert er
nicht.” Letër Simrokut, 2 gusht 1794, Kastner-Kap, f. 177.
3 “Etwas kleineres als unsere Grossen gibt`s nicht.”-Letër Brajtkopfit dhe
Hartelit, verë, 1810, Kastner-Kapp f. 177.
4 Letër Skotit, 22 janar 1825, Hull, f. 338.
5 “Unser Zeitalter bedarf kräftiger Geister, die diese kleinsüchtigen,
heimtückischen, elenden Schufte von Menschenseelen geisseln.”-Letër Karl
van Betovenit, 1825, Kastner-Kapp f. 785.
1 Thajer, botimi anglisht III, f. 165
2 Romen Rolan, Betoven, f. 46-47
3 Romen Rolan, Betoven, f. 49
117
Poezi nga Muhammad Shanazar.
Përktheu nga anglishtja Dr. Albana Alia
Për sa kohë akoma
Për sa kohë akoma do të vazhdojmë
të shtojmë radhët e varreve?
Për sa kohë akoma do të vazhdojmë
të zgjerojmë kufijtë e varrezave?
Për sa kohë akoma do të vazhdojmë
të zgjasim listën e martirëve?
Për sa kohë akoma do të vazhdojnë
të vuajnë fëmijtë tanë nga mjetet luftarake?
Për sa kohë akoma do të vazhdojmë
të vajtojmë të dashurit tanë?
Për sa kohë akoma do të vazhdojmë
të djegim fshatra e lugina?
Për sa kohë akoma do të vazhdojmë
të ngremë në kurriz trupat e shokëve tanë?
Për sa kohë akoma do të vazhdojnë
të shumëfishohen radhët e jetimëve dhe vejushave?
Për sa kohë akoma do të vazhdojmë
të dëgjojmë sirenat e ambulancave nëpër rrugë?
Arsyeja është se mendja jote dhe imja nuk përputhen.
Arsyeja është se sytë e tu nuk shikojnë njësoj si të mitë.
Arsyeja është se unë kam lënë mjekrën e gjatë,
ndërsa ti ke fytyrën të pastër e nuk pyet.
Arsyeja është se lëkura jote është e bardhë, e zezë e imja.
Arsyeja është se ti shkon nëpër tempuj e kisha,
ndërsa unë përkulem përpara Zotit në xhamia.
Arsyeja është se ti vesh xhinse të ngushta,
ndërsa unë shalwar dhe qameez të gjerë.
Arsyeja është se unë ndjek disa parime të drejta,
ndërsa ti je i lirë të sillesh si të duash.
118
Oh, armiku im!
Nuk jam burracak,
pasi jam i zoti të luftoj papushim
për t’u kundërvënë kam forcë të dyfishtë goditëse,
por nuk dua të luftoj më kundër teje.
Ja pra, këtu hedh armët e mia dhe
hap krahët për të të përqafuar, ndonëse
është peshë e rëndë në egon time, ndonëse
nuk më intereson nëse shpon gjoksin tim.
Oh, armiku im!
Veç ki durim,
më lejo e të mundësoj të marrim frymë lirisht
nën qiellin e kaltër, mbi Tokën e mirë.
Të dy jemi të destinuar të vdesim, herët a vone,
por nga një vdekje natyrale, secili më vete.
Prandaj, mos më drejto armën mua,
mos mprih thikën apo heshtën tënde
mos sulmo me kamë apo me dron për të më vrarë,
një vdekje që, ndërkaq, mund të vijë nga natyra.
Oh, armiku im!
Tani e tutje do të të thërras vëlla.
Ki kujdes! Ne jemi bij
të të njëjtës nënë, të të njëjtit atë,
zemra dhe mendje të njëjta kemi,
dhe gjak të njëjtë.
Oh, vëllai im!
Planeti i Njerkës
Bota është e zënë me aktivitete sportive,
stadiumet janë mbushur plot me tifozë,
britmat e tyre dëgjohen deri në kupë të qiellit,
fituesve u shpërndahen medaljet.
Bashkatdhetarët e mi nuk kanë kohë
për të parë nëpërmjet vuajtjeve të të tjerëve.
Kanalet televisive shfaqin seminare e receta gatimi,
këngë e valle për kombin e uritur,
Pikërisht tani, njëri prej tyre na tregonte që në një enë me ujë
119
veza e freskët është më e rëndë se ajo e prishur.
Në një kanal tjetër i bëjnë reklamë një pajisjeje të vogël
që me kujdes tërheq qimet e panevojshme nga lëkura...
Politikanët dihet, vrapojnë si zakonisht pas pushtetit
pas poltronës së autoritetit,
të mjerëve nuk u mbetet tjetër
veçse të mbledhin vepra bamirësie dhe lëmosha.
Kryeministri im është larguar
me një avion të ngarkuar me arka të mbushura
me mango për Mbretin e Arabisë Saudite
dhe personazhe të tjerë mbretërorë,
për një pelegrinazh të tipit umrah.
Duke dhënë shfaqje bashkë me familjen,
për hir të Zotit dhe për të lypur
bekimet e tij, duke lënë pas të varfërit.
Duke gulcuar për bukë kombi është i zënë,
me vepra sa për sy e faqe, nëpër festa e darka.
Xhamitë dhe vendet e shenjta frekuentohen
nga njerëz devotë të veshur me stofa fëshfëritëse.
Misione këtu, misione aty, misione
gjithandej, duke vrarë, vrarë e vetëm duke vrarë.
Kanë në dorë karburantin dhe mineralet e tokës.
Bota është kthyer në një sallë operimi...
Ebrenjtë shfrytëzojnë rastin.
Ata vrasin e vrasin Palestinezët me bijtë e tyre
Qëllojnë vendbanimet e tyre me predha të fuqishme
retë e tymit ngrihen deri lart në qiell.
Ndoshta edhe Vetë Zoti me ëngjëjt thith
tymrat e eksplozivit, por edhe Ai hesht si të tjerët.
NATO-ja, po ashtu, shikon interesat e veta,
OKB-ja si njerka gërrhet në gjumë,
si zakonisht, nuk dëgjon kurrë intelektualët, ndonëse
e ka të qartë fare mirë çfarë duhet e çfarë nuk duhet bërë.
Kur do vijë koha për t’u zgjuar nga gjumi,
nuk besoj që bota do të bëhet një vend më i mirë,
i përshtatshëm për brezat tanë, pasi Toka tashmë
është e destinuar të kthehet në një planet të njerkës,
Oh! Lexues, vëlla, mos u kënaq me shpresa të kota!
120
Në kujtim të bletëve të shkrumbosura
Ishte muaji dhjetor,
Një mori bletësh u grumbulluan te degët e manit
krejt afër banesës sime.
Ishin me mijëra, gati
për të filluar përsëri punën.
Gumëzhisnin përreth ndërsa zbardhte dielli
e punonin gjithë ditën.
Pastaj pushonin të tëra bashkë në perëndim të diellit,
zukatnin kur dikush u afrohej.
Derisa një natë, nja dy javë pasi kishin zënë vend,
një grup njerëzish u afrua
për të vjelë mjaltë nga hoje,
që nuk u përkisnin.
I këshillova të mos luanin lojë djallëzore
por ata bënë si deshën vetë.
Njerëzorë në dukje, por shtazarakë brenda.
Për të shmangur thumbat,
zgjodhën rrugën më të lehtë,
Ndezën një flakadan pikërisht poshtë tyre.
Në fillim zukatën,
më pas filluan të bien poshtë të shkrumbosura.
Disa u përpoqën të fluturonin,
shpëtuan nga kurora e krijimit,
Por, në fund, u dëmtuan të gjitha,
shumica e tyre i humbën flatrat.
Ata njerëz nuk mundën të vjelin mjaltë,
nga hojet e papjekura.
Pak më vonë, ca re të bardha u shfaqën në qiell,
Filluan të pluskojnë duke fshehur fytyrën e hënës,
sytë e yjeve,
Pastaj një erë e ashpër e akullt filloi të fryjë,
Filloi të bjerë një shi i imët.
Dhe njerëzia u kthyen të flenë rehatshëm
nëpër shtëpitë e ngrohta të tyre.
Herët në mëngjes, kur u zgjova, u gjenda përballë
një pamjeje rrënqethëse dhe zemra m’u rëndua
nga pesha e dhimbjes,
Bletët e djegura ishin shpërndarë përreth.
121
Toka ndërkaq u kthye në rërë.
Bletë të panumërta, të shtrira njëra pranë tjetrës,
të palëvizshme, të gjitha me flatra të shkrumbuara.
Zemra po më qante për fatkeqësinë e madhe,
pasi nuk mbeti asgjë përtej degëve.
E m’u kujtuan shpërthimet bërthamore
në Hiroshima e Nagasaki, kur trupa njerëzish të shkrumbuar
shtriheshin nëpër rrugë, njësoj.
Kuptova frikën e luftës së ardhshme,
kur krerët e fuqive të mëdha,
do të zihen çmendurisht dhe do të përdorin armë bërthamore.
Bota do të shikojë fundin e saj katastrofik,
pa asnjë pushtues për të festuar fitoren,
dhe asnjë të pushtuar për të vajtuar situatën e rëndë,
veç një amfiteatri të trishtuar e të heshtur kufomash të shkrumbuara.
Disa prej bletëve të palëvizshme atje tej
mbi tokën e lagur dukeshin të gjalla,
në mënyrë të pakontrollueshme lëviznin gjymtyrët
por pa shpresë. I ngrita me kujdes të gjitha
dhe i vendosa pranë ngrohësit,
Shumë prej tyre morën veten,
të tjerat madje morën fluturimin.
Zemra ime ndjeu një lumturi që kurrë më parë s’e kish provuar.
Por ato që fluturuan dhe ato që sikur po shëroheshin,
që të gjitha morën fund disa orë më vonë,
si për efekt të mëvonshëm të radiacionit.
Ligështimi errësoi qenien time.
Më vinte veç të qaja për fatin e tyre të zi.
Njerëzit nëpër botë u treguan indiferentë,
kishin të tjera halle dhe shqetësime për të përballuar.
U ula e mendja më shkonte te trupat e karbonizuar,
të bletëve që na kishin dhënë mjaltin.
Ndërsa ne u dhamë vdekjen, madje tepër të tmerrshme.
Një vdekje të llahtarshme, një vdekje ku hoqën shpirt dhimbshëm.
Njerëzit e Zotit i dogjën me zjarr, por Zoti Vetë
shtiu mbi to ujin e ftohtë të shiut...
Ah! Sa e hidhërueshme ishte! Ah! Sa sa e dhimbshme!
122
APOKALIPS
Natyra njerëzore nuk mund të durojë pa përgatitur
armë djallëzore,
Çdo komb merr pjesë në garën
e shpikjes së mjeteve dhe pajisjeve fatale,
që çojnë drejt fundit katastrofik.
Armë të zakonshme, bërthamore, kimike.
Disa të tjerë janë bërë mjeshtra për përgatitjen
e bombës antimaterie.
E kam të qartë që një ditë
ndonjë i çmendur, i ashtuquajtur nismëtar
i paqes, do të shtypë tastin
me dorën lebroze.
Një breshëri raketash do të derdhë,
Toka do t’i durojë plagët
si kratere të mëdha e të thella.
Tymi do të mbysë planetin,
jeta biologjike do të rrezikojë shfarosjen.
Vetëm pak kundërshtarë të furishëm
do të mbijetojnë, duke luftuar pareshtur,
me gurë, shkopinj, dhëmbë dhe thonj.
Do të vijë një kohë kur dy luftëtarë rivalë
do të mbeten pas të tjerëve.
Në përleshje me njëri-tjetrin,
njeri do të vritet, tjetri pas do të mbetet,
do të shikojë veten me fodullëk.
Ai, luftëtari i madh, heroi, triumfatori,
duke ecur fill vetëm, i pashoqëruar.
Vetmia e stërzgjatur do ta bëjë më të vrazhdë
dhe si një dem i tërbuar do të thyejë
kokën pas një shkëmbi duke i dhënë fund jetës.
Asnjë kafshë, asnjë zog saprofag nuk do të dojë
të merret me kufomat në faqen e pajetë të Tokës.
123
Poezi nga Giovanni Pascoli
Përktheu nga italishtja Sinan Vaka
Zemër dhe qiell
Në zemër ku çdo vizion mijëzohet
dhe boshi mes qiellit e tokës bën shtesë,
ndonjëherë shuhet një dëshirë,
por zgjohet një shpresë.
Si në qiell, oqean i madh dhe i stërthellë
duke ecur mendimi ynë zhvesh tekat,
perëndon një Alfa, por rilind më e vlerë
një Omega.
Qarje
Më e bukur lulja ku shiu i verës
një sumbull lë dhe dielli s’e përthan,
më e bukur puthja me ankthin brejtës
te syri që qan .
Në zemrën njerëzore
Mos u habit nëse në një zemër të paqartë,
se cilës i drejtohesh për provë ndjen të cëmbuar;
pas çdo guri që kthehet anës së mbraptë
ka një sfurk të helmuar.
Mos u habit nëse në një zemër të keqes shitur
degjon ngazëllim, një ritëm të shenjtë që vret…
Çdo qipariz me kurorën drejt qiellit të ngritur
ka folenë e vet.
124
Fides
Kur krahët hapte i gjaktë perëndimi
dhe selvia përflakej prej tramontit,
i thoshte nëna vogëlushit se ; “shkëlqimi,
është i njëjtë me lulishtet pranë zotit.”
Fëmija fle dhe ëndërron gjithçka të praruar
pemët, pyjet e zbukuruar me flori,
por qiparizi nëpër natën e tmerruar,
fishkëllen prej erës e përthyhet me lemeri.
Jetimi
Fluturzon dëbora dhe bie…bie…bie…
Një zanë përkund djepin lehtë…lehtë…lehtë….
Gugurit një fëmijë dhe gishtin puth me shije,
Këndon një plakë, shikimin hedh të zbehtë .
Plaka këndon:”…rreth djepit tënd me mijra
lule dhe zambakë, si një Eden i qetë…”
Në kopshtin e perëndive sytë mbyll fëmija
dëbora fluturzon dhe bie lehtë…lehtë….
Vesa
Atje poshtë, nëpër natë, të ngutur,
tinguj zilesh dhe një shkrofëtimë .
Ende…ende nuk janë përskuqur
malet eremitë.
Në qiellin me agullimë të flashkët
Yjet rrëzëllijne si të lodhur,
Ndihet një fëshfërimë e zvargët
në ajrin e ngopur.
Kush kalon nëpër rrugët me hije ?
125
Kush bëzan nëpër pragjet e ngrata ?
Askush. -Është vesa e bollshme që bie
mbi gjethet e thata.
Ka nisur dhe ende s’është ditë.
Duke shqyer qepallat e zbardhëllimit
fillon midis një koloriti të hirtë
pika e vesimit.
Në mes të mugëtirave qielli
ndonjë vrimë reve rindez e ndërkaq
reflekton tufeë rrezesh . Ah, dielli
pastaj mbyllet. Vetëm kaq.
Një vashë
Mos thuaj ” unë e dashuroj atë këngëtar ”
të paktën mërmërit ” atë këngë e dua “.
Edhe të gjëmbaçit dëshiro lulen zjarr
por se shkurrja të josh, kurrë mos e thua.
Ajo vetë përligjet ‘ jam gjeja e trishtuar “,
pra merr trëndafilin shmang ferrën me duar.
2
Ju si qerpiket e mbrëmjes, të lodhur
Picëroni sytë me shpresën që ruan
në netët e trazuara duke ngrohur
zemrën që vuan .
126
"All You Need Is Love" @Irina Hysi Pen.
INTERVISTA
127
Inva Mula: Dikur kam menduar se karriera ishte gjëja më e
rëndësishme ne jetë.
Intervistë ekskluzive nga Raimonda Moisiu
Bota e operës është një piramidë gjigante, ku shumë pak arrijnë të kapin
majën e saj. Madhështore po aq edhe magjepsëse, të interpretuarit në stilin
klasik, madhështia e talentit dhe kredencialeve të arritjeve dhe sukseseve të
saj, e kanë rradhitur artisten e shquar shqiptare, sopranon lirike operestike,
Inva Mula, në krye të epokës së artë të sopranove të shquara me famë
botërore. Kritikët e artit dhe të operas në Shqipëri dhe në mbarë botën e kanë
vlerësuar teknikën, vokalin, zërin dhe interpretimet dramatike të saj, si nga
më të talentuarit e profesionalë. Repertori i artistes shqiptare me famë
botërore shkon nga veprat klasike të Verdi-t dhe Pucini-it, George Bizet, etj.
E lindur, rritur dhe edukuar nga dy prindër artistë dhe muzikantë, Inva Mula e
filloi karrierën si soprano që në moshë fare të re. Në lidhje me teknikën e
zërit që në moshën 16-vjeçare, ajo ka marrë mësime në piano dhe ka studiuar
muzikën seriozisht. Në vitin 1987, ajo fitoi konkursin e Cantante d’Albania
në Tiranë dhe në 1988-ën fitoi kompeticionin George Enescu në Bukuresht.
Në vitin 1992 ajo fitoi një tjetër kompeticion Butterfly në Barcelonë, duke u
vlerësuar me Çmimin të Placido Domingo në Operalia International Opera në
Paris, 1993. Në vitet më pas Inva Mula debuton krahas tenorëve të famshëm
në Opera Bastille në Paris, në Bruksel për Europalia Mexico, në Mynih dhe
në Oslo. Në 1996-ën, ajo interpretoi në Opera Médée, të Luigi Cherubini-dhe
ju rikthye operës së George Bizet, La Jolie fille de Perth, dhe në vitin 1998
ajo incizoi La RONDINE të Pucini-t, së bashku me Angela Gheorghiu për
EMI, dhe në 2005-ën, ajo mori rolin kryesor atë të Magda-s, gjatë shfaqjeve
në Tuluzë dhe Paris. Artistja shqiptare do të interpretonte versionin klasik të
Ivan IV-t të George Bizet- me debutimin e saj recital, në Salle Pleyel në
Paris. Më pas ajo debuton në Itali, duke performuar Falstaff të Verdi-t në
Teatro Alla Scala dhe Rigoletto në Verona Arena. Inva Mula ka interpretuar
në Lucia di Lammermoor, La Boheme, dhe Manon, ndër të tjera. Ajo është
shumë e njohur dhe e famshme si Violetta në La Traviata, jo vetëm si roli i
parë në TOB, por do të ishte ky rol që i hapi dyert e shumë teatrove botërore
dhe për shumë vite unë ka interpretuar Violettën, sikur të isha e destinuar për
këtë kryevepër të repertorit operistik të saj, duke e interpretuar këtë rol në
shumë qytete e shtete në mbarë botën, duke përfshirë Tokio, Bilbao, Orange,
Trieste dhe Toronto, por që i dha edhe famën artistes shqiptare. Në vitin
2007, ajo interpretoi Adina në operën L’elisir d’amore në Tuluz, dhe në 2009
ajo interpretoi rolin kryesor të Mireille e Gounod-së në Opera e Parisit, Palais
Garnier. Ajo gjithashtu është e njohur duke performuar zërin e Diva
128
Plavalaguna në film Fifth Element. Artistja shqiptare nuk ndalet! Ajo
vazhdon të debutojë në skenat prestigjioze botërore. Talenti i saj muzikor, i
kanë dhënë asaj vlerësimin në botë si La DIVINA-Hyjnore! Në këtë
intervistë, që unë e quaj veten me fat e të privilegjuar të intervistoj një artiste
të shquar me përmasa botërore, Inva na rrëfen se cilat janë dashuritë dhe
sukseset e saj. Për më shumë ndiqni intervistën.
Përshëndetje, më pëlqen të jem e drejtpërdrejtë me Ju. Ju jeni tashmë një
prej sopranove me popullaritet botëror dhe më të mira shqiptare, që po
debutoni me shumë sukses në skenat europiane, botërore dhe sigurisht ato të
origjinës, shqiptare. A është karriera gjëja më e rëndësishme në jetën tuaj?
Edhe unë për të qenë e drejtpërdrejtë, dëshiroj të them se dikur kam menduar
që karriera ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Unë nuk ekzistoja si
person, por ajo që unë ndërtoja artistikisht ishte, qenia ime etj, etj. Kur
mendoj tashmë sa larg të vërtetës sime kam qenë, më vjen të buzëqesh me
veten. Në fakt një artist në vitet e para të suksesit duhet t’i kaloj këto faza,
por ka kolegë, që nuk e kalojnë asnjëherë këtë fazë, ndërsa unë jam e çliruar
nga kjo ndjenjë narciziste, e cila i ka lënë vendin ekzistencës time personale
dhe përparësive që unë kam zgjedhur në jetë.
Na tregoni diçka për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një soprano e
bën të jetë e vetëdijshme, se si ka qenë zëri i saj, dhe kur keni filluar të
këndoni?
Historia ime ka qenë e ndryshme, duke qenë se edhe prindërit e mi, ishin
këngëtarë operistikë. Fillimisht doja të bëja si nëna ime dhe si gjithë fëmijët,
të cilët kanë dëshirë të imitojnë. Bëja të njëjtat ushtrime dhe pjesë nga arjet
që këndonte mamaja deri në momentin kur një ditë ata më thanë nëse do
vërtetë të bëhesh këngëtare lirike duhet të mësosh teknikën vokale. Nëse jo,
do ngelesh në nivel amator dhe kjo nuk mjafton për t’u bërë dikushi në jetë!
Ju keni bërë debutimin e rolit kryesor të një prej operave më të famshme
Violetta në TOB dhe në disa shtete të Europës e gjetiu në botë. Si do t’i
krahasonit këto eksperienca të jetës suaj?
Në fakt roli im i parë në TOB ka qenë Violetta në La Traviata dhe po ky rol
më ka hapur dyert e shumë teatrove botërore dhe për shumë vite unë
interpretoja Violettën, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit
operistik. Nëse nuk do t’i kisha hedhur këto hapa të parë të ndrojtura, por me
129
entuziazmin e një 22-vjeçare në TOB, nuk besoj se do kisha sigurinë ta
interpretoj këtë rol në Scala të Milanos, në Arenën e Veronës, në operën e
Parisit në Coven Garden të Londrës etj. Dhe besoj se po të këndosh në këto
maja të teatrove operistike, e kupton që sa afër dhe sa larg është suksesi. Larg
kur nuk e ke akoma, afër kur e përjeton, por gjithmonë me dyshimin nëse je
në një ëndërr, të paktën kështu kanë qenë përjetimet e mija. Për një kohë të
gjatë ka qenë roli i Violettës roli im i preferuar për forcën e madhe dramatike
dhe faqet e shkëlqyera muzikore që Giuseppe Verdi i ka gdhendur këtij
personazhi.
Kush janë disa nga sopranot e shquara nga epoka e artë e operistikës
botërore, në regjistrimet e të cilave ju gjeni veten?
Unë dëgjoj shumë dhe mundohem të frymëzohem nga shembujt më të mirë.
Kur jam përpara një roli të ri, e dëgjoj në shumë variante dhe nxjerr mësime
nga të gjithë. Kam shumë këngëtarë të preferuar. Por ajo që të mëson vetëm
nga mënyra se si këndon pa e parë, është Mirella Freni dhe e kam patur
gjithnjë si një pikë referimi.
Mekanizmi tuaj debutues është mbresëlënës. Në çfarë moshe keni filluar të
mendoni në lidhje me teknikën, si ta përmirësoni atë, dhe cila nga këto
mekanizma në kulturën tuaj muzikore është më e vështirë për Ju?
Në lidhje me teknikën e zërit kam filluar në moshën 16-vjeçare, por që e
vogël kam marrë mësime në piano dhe kam studiuar muzikën seriozisht.
Nëna ime ka qenë shumë rigoroze dhe si një profesioniste nuk mund të linte
që unë të edukohesha muzikalisht vetëm për argëtim. Ka patur momente kur
dëgjoja zërat e shoqeve të mija që luanin në oborr dhe unë duhet të luaja
ushtrimet e pianos pa lëvizur nga vendi. Po ju them se kjo nuk është aspak e
lehtë për një fëmijë, por vendimtare për një artist të ardhshëm.
Dhe gjatë kësaj karriere mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo
e lodhur?
Të ndjehesh nervoze apo e lodhur është pjesë e lojës dhe nuk mbaron vetëm
me kaq!
Është e vërtetë se të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën
dhe të njëjtin motivim për punën e tyre? Sa individualizëm mund të
130
përballojnë orkestrantët? A ju motivojnë ata? Si e gjeni ekuilibrin e duhur
mes performancës individuale dhe performancës të orkestrës?
Nuk di të them nëse të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri dhe pasion.
Kjo varet nga individi, ashtu si dhe në jetë nuk jemi njësoj mendoj. Njerëzit e
një profesioni nuk mund të jenë të tillë. Kur jam në skenë mendoj gjithnjë:
Ç’e shtyn një artist të përballojë sfidën e përgjithësisë dhe kush ja jep këtë
forcë për të përballuar sytë dhe veshët e mijëra spektatorëve, të cilët
fokusohen në një “trim të vetëm në fushën e betejës”, ndërsa muzikantët e
orkestrës ndajnë përgjithësinë e grupit dhe ekspozimi i tyre nuk është i kësaj
përgjithësie natyrisht.
Një nga aspektet më interesante të punës tuaj duhet të jetë me siguri sfida e
koordinuar mes këngëtarëve të operës dhe aktorëve. Cili është sekreti i
komunikimit të ideve tuaja me ta në një vepër operistike?
Një këngëtar operistik duhet të jetë dhe një aktor i mirë. Sot nuk mjafton
vetëm një zë i bukur, por një artist i kompletuar. Gjithnjë e më shumë
kërkohet nga regjisorët një “aktor që këndon bukur” dhe jo një këngëtar që
aktron, pasi janë kërkesat e tilla. Madje kërkohen dhe këngëtarë operistik me
fizik të mirë, nuk mjafton vetëm zëri i bukur në një botë arti kaq kompetitiv .
Si arrini ju të krijoni rolin me partnerët meshkuj në një skenë dashurie? A ka
ndonjë mënyrë për të vepruar natyrshëm, që të vazhdoni ta mbani atë në
nivelin profesional?
Pyetje që më bëhet për herë të parë në një intervistë, por që është shumë
interesante për t’u shtjelluar. Më ka qëlluar të interpretoj një skenë dashurie
me partnerin dhe nëse provat kanë filluar më përpara dhe të kem ardhur me
vonesë, të mos di as emrin e personit në fjalë. Në fakt kësaj i thonë të jesh në
“pozitë të vështirë”. Por, qëllon të kesh partner një koleg, shok me të cilin ke
interpretuar më parë dhe ti kalosh këto momente në mënyrë sportive. Vërtet
vjen një moment që ti harron se kush je dhe futesh në petkun e personazhit,
kështu kalon dhe momenti i ndrojtjes, duke i lënë vendin profesionalizmit.
Është vërtetë gjuha e trupit dhe personazhi që rilind në personin tënd, i cili
futet në kontakt me ngjarjen dhe raportin me të tjerët, të bën të harrosh kush
je dhe cilën epokë apo ngjarje je duke përjetuar.
Do doja t’iu pyesja se në ç’raport është lidershipi i sopranos me muzikën
simfonike kundrejt asaj operistike? A keni më shumë liri në interpretim?
131
Të interpretosh një personazh operistik dhe të jesh në skenë ne versionin
koncertal janë dy këndvështrime të ndryshme. Sigurisht në versionin e dytë
ke lirinë, për të krijuar një spektakël pa petkun e personazhit, kështu ti krijon
dhe jep në njëfarë mënyre më shumë nga vetvetja.
Ç’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike
në Shqipëri? Çfarë do të dëshironit të kishte bota shqiptare nga kultura
muzikore e atyre vendeve të huaja ku ju keni debutuar, veçmas e Parisit?
Arti dhe kultura i një kombi shkon paralel me zhvillimin e tij ekonomik. Kur
sot në Shqipëri akoma diskutohen dritat, uji, rrugët nuk mund të pretendojmë
që lulëzon arti. Fatkeqësisht ne diskutojmë sot për probleme ekzistenciale,
për shumicën e popullsisë, por nuk mund të mohojmë arritje të individëve të
talentuar, të cilët nuk i kanë munguar dhe i mungojnë kombit tonë. Sot të jesh
artist në Shqipëri dhe të paguhesh si i tillë, është shumë larg asaj që duhet,
prandaj dhe shumë syresh i janë kthyer artit komercial, që është për të
mbushur mbi të gjitha barkun. Problemet janë të ndryshme dhe në të gjitha
fushat e artit, të diskutosh për to, nuk ke nga ta fillosh, pasi dhe zinxhiri i
funksionimit të dikurshëm të institucioneve artistike është prishur. Ajo që
dhemb më shumë është se shteti nuk e ka në listën prioriteteve të tij
mbështetjen e artit e anash kalon për t’i lënë vendin zhvillimit kaotik që po
merr çdo hallkë e zinxhirit artistik. Nuk e di deri kur do vazhdojë kjo, por
frytet e kësaj gjendje do t’i paguajnë brezat që do vijnë dhe do të jenë të
pariparueshme konsekuencat.
Sipas mendimit tuaj, çfarë është qëllimi maksimal i artit?
Definicioni im për artin është: Liri e shpirtit për ta shprehur atë në formën me
sublime të krijimit të formës artistike.
A jeni duke punuar në ndonjë projekt tani-për –tani? A mund të na jepni
ndonjë informacion në lidhje me të?
Projektet janë të shumta në fushën e interpretimit, por ajo që për mua është
tepër interesante dhe e veçantë është një bashkëpunim që do të kem në
muajin maj me TOB për të interpretuar dhe vënë në skenë operën Pagliacci të
kompozitorit italian Leoncavallo. Unë vij për herë të parë si regjisore e
spektaklit, por e kam thënë dhe më parë, jo për të filluar një karrierë të re, atë
si regjisore, por për të realizuar dhe konceptuar një produksion, i cili është
frut i eksperiencës dhe vizionit tim të spektaklit nga fillimi në fund. Kjo do
132
jetë një sfidë e re në karrierën time dhe jam duke punuar fort për t’ia arritur
qëllimit .
Kur jeni ndjerë krenare për punën tuaj? Dhe pse?
Kur realizova koncertin Rrugëtimi i Kombit në 28 Nëntor 2012, në Pallatin e
Kongreseve, për rëndësinë e ngjarjes, por mbi të gjitha kushtet e vështira të
realizimit të këtij projekti.
Çfarë është dashuria për ju, dhe kur e ndjen një grua se është e dashuruar!
Dashuria për mua është përjetim, i cili nuk përkthehet me fjalë. Nuk pres të
ma japin dashurinë të tjerët, për ta ndjerë atë, si dhuratë, por jap në çdo
moment dashuri nga e imja, për ta ndjerë që ajo ekziston dhe atë që ti jep, të
kthehet e shumëfishuar.
Çfarë ju lidh me Kosovën, veçmas me Gjakovën? Po me Rusinë?
Kosova dhe Rusia janë dy vendet ky u lindën prindërit e mi dhe sigurisht unë
si fëmijë jam rritur dhe me imagjinatën e këtyre dy vendeve të kulturave dhe
gjuhëve të ndryshme dhe pa patur mundësinë për t’i vizituar në ato kohë.
Thënë kjo në ambientin ku unë jam rritur, ëshët folur për gjithçka dhe ka
patur gjithnjë shumë hyrje dalje, shumë shoqëri, shumë miq, shumë festa.
Kështu unë u rrita si një vajzë kryeqyteti, ku dhe nëna ime e donte pafund
Tiranën megjithëse erdhi në moshën 28-vjeçare, për mos folur për babain që
ishte 16-vjeçar kur zbarkoi në Tiranë. Kur mendoj që edhe unë u largova nga
Tirana në moshën 28-vjeçare dhe vazhdoj të udhëtoj pafund nëpër botë pa
gjetur akoma vend-qëndrimin ideal, e kam vështirë të përkufizoj çfarë kam
marrë dhe çfarë kam lënë nga “rrënjët e mija”.
Përsa i përket formimit tim artistik këtë ja dedikoj prindërve të mi, që më
dhanë në radhë të parë dashurinë për artin, dijen për artin, sakrificën për artin,
seriozitetin dhe profesionalizmin për artin dhe bënë që jeta ime falë artit të
ishte më bukur dhe një ëndërr që jetohet çdo ditë.
Sa ju mbështet familja në karrierën tuaj artistike?
ARTI është përkushtim. Shumë herë jam ndjerë në faj për kohën që nuk
mjaftonte për t’u kujdesur për familjen dhe fëmijët e mi, por një gjë e di që
përkushtimi im shpirtëror për familjen time është në të njëjtin intensitet, për
atë që në jetë quhet ART.
top related