albana melyshi interview jan 2011

14
Albana Mëlyshi(Lifschin), ka mbaruar Fakultetin e Gazetarisë në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. U emërua fillimisht tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe në 1977 në Televizionin Shtetëror të Tiranës(TVSH) ku punoi si gazetare dhe përgjegjëse e redaksisë për moshat shkollore, deri në vitin 1992, para largimit në Nju Jork. Në vitin 2001, mbaron studimet në Universitetin prestigjoz të Nju Jorkut (NYU). Që nga viti 2002, Albana punon në një zyrë ligjore, në Manhattan, që merret me problemet e emigracionit. Zonja Albana Lifschin, është ndër anëtaret e para të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanё, që në themelimin e saj. Është autore e 12 librave në prozë dhe poezi si dhe autorja e librit të parë për historinë e SHBA-së, në gjuhën shqipe me titull “Udhëtim në historinë e Amerikës” botuar në vitin 2003, ribotuar në 2006 dhe kohët e fundit me miratimin e mbështetjen e Ministrisë së Kultures Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, edhe në Prishtinë. Zonja Mëlyshi-Lifschin, ka shkruar librin dokumentar në anglisht dhe shqip “Children of Kosova –stories of horror”(Fëmijët e Kosovës-histori

Upload: fjalaelire

Post on 02-Apr-2015

124 views

Category:

Documents


8 download

TRANSCRIPT

Page 1: Albana Melyshi Interview Jan 2011

Albana Mëlyshi(Lifschin), ka mbaruar Fakultetin e  Gazetarisë në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. U emërua fillimisht  tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe në 1977 në Televizionin Shtetëror të Tiranës(TVSH) ku  punoi  si gazetare  dhe përgjegjëse e redaksisë për moshat shkollore, deri në vitin 1992, para largimit në Nju Jork. Në vitin 2001, mbaron studimet në Universitetin prestigjoz të Nju Jorkut (NYU). Që nga viti 2002, Albana punon në një zyrë ligjore, në Manhattan, që merret me problemet e emigracionit.

Zonja Albana Lifschin, është ndër anëtaret e para të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanё, që në themelimin e saj. Është autore e 12 librave në prozë dhe poezi si dhe autorja e librit të parë  për historinë e SHBA-së, në gjuhën  shqipe me titull “Udhëtim në historinë e Amerikës” botuar në vitin 2003, ribotuar në 2006 dhe kohët e fundit me miratimin e mbështetjen e Ministrisë së Kultures Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, edhe në Prishtinë. Zonja  Mëlyshi-Lifschin,  ka shkruar librin dokumentar në anglisht dhe shqip “Children of Kosova –stories of horror”(Fëmijët e Kosovës-histori tmerri) për ngjarjet e vitit 1999, gjenocidit të popullsisë kosovare nga regjimi i Milosheviçit. Libri u vlerësua nga Bordi i Arsimit i Nju Jorkut, si tekst shkollor  për studimet sociale. Albana Lifschin ёshtё autore e 5 vëllimeve me tregime, me  fokus jetën e emigrantëve në emigracion. Eshte cilësuar si pioniere e tregimit  me temën e emigrimit  në Amerikë. Libri i saj më i fundit fundit është novela ’Vjehërr amerikane’.

Page 2: Albana Melyshi Interview Jan 2011

Kohët e fundit, Zonja Lifschin doli para lexuesit shqiptar edhe si përkthyese e letërsisë artistike. Romani i përkthyer prej saj, Peyton Place, i autores së famshme amerikane Grace Metalious, botuar nga Shtepia Botuese Omsca-1, ka qënë bestseller në Ameriken e viteve 50-60 dhe ka tronditur publikun amerikan të asaj kohe..

Zonja Lifschin, është nderuar me titullin, “Gruaja e vitit” nga Organizata e Grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” me qendër në Nju Jork.

  -Përshëndetje Albana, është kënaqësi e veçantë kjo bisedë mes dy kolege krijuese.

Page 3: Albana Melyshi Interview Jan 2011

Cilat kanë qënë përfytyrimet më të herëshme se një ditë do të bëheshit shkrimtare?

 -Në fëmijërinë time, kam qënë një lexuese e etur. Në shkollën e mesme shkruaja vjersha për këndin letrar të shkollës, por nuk kam patur asnjë përfytyrim se një ditë do bëhesha shkrimtare. Mbaj mend disa herë ndodhte që mësuesja e letërsisë, më linte të vazhdoja hartimin edhe pas mbarimit të orës së mësimit. Kur kishim “korigjim hartimi” me ngrinte ta lexoja hartimin para klasës.

Një ditë shkolla jonë (Gjimnazi Sami Frashëri, Tiranë) kishte ftuar Ismail Kadarenë dhe mua, si “letrare e re” më kishin vënë ne presidium, në krah të tij. Kam qënë vajzë e turpshme dhe rrija si e ngrirë, pa folur. Dikur ai u kthye nga unë dhe më pyeti:

 -Ti, shkruan?

Unë u skuqa dhe u hutova aq shumë sa thashë:

- Kam shkruar…po tani nuk po shkruaj më…

Mu ngatërruan fjalët. Doja të thoja që kisha disa javë pa shkruar vjersha (për këndin letrar të shkollës). Shkrimtari, i cili atë kohë, (vitet ’60) po bënte shquhej në letërsinë shqipe, ma ktheu:

-Po tani, pse s’shkruan ? Apo u rrite?

Tani e tregoj për humor këtë episod, por mbaj mend që atë mbrëmje, kur rashë për të fjetur nuk më zinte gjumi.

-Cili ka qënë poezia apo tregimi juaj i parë?

 Tregimi im i parë është shkruar gjatë shërbimit tim të parë në qytetin e Shkodrës, si studente, praktikante e gazetarisë,. Atëherë nuk kisha mbushur as 21 vjeç. Në atë shërbim takova “personazhin tim” të parë, një zonjë nga bregdeti, e cila la një përshtypje të thellë tek unë. Ishte një grua me botkuptim  më të avancuar se koha që jetonte. Ai tregim mbeti për një kohë të gjatë, i shtypur në ato letrat daktilografike të përmasave të mëdha, që përdornin daktilografistet  tona  para tre dekadave. E pata marrë me vete  kur erdha në Nju Jork në 1992, bashkë me shumë shënime të vjetra, ditare etj.  Ndodhi që, në një mbrëmje festive, këtu në Nju Jork, të takoj një vajzë të re e cila kishte lexuar disa  nga librat  e mi, dhe më drejtohej e ndrojtur  herë me  ‘Ti’ e herë  me ‘Ju’.  Mu kujtua vetja ime gati 30 vjet të shkuara, kur takova E.K.

Njëlloj si ajo, edhe unë  atëherë i drejtohesha asaj zonje me drojtje  e respekt dhe padashur ngatërroja vetorët. Pra e nxorra tregimin e zverdhur nga koha, e lexova dhe çuditërisht nuk i hoqa asnjë presje. Atëhere bëra pikërisht këtë: shtova një paragraf hyrës si dhe një mbyllës. Pra, i vura tregimit kapelen dhe këpucët, siç shprehej një koleg i vjetër i gazetës, por edhe pa to ai tregim mund të ishte botuar pikërisht ashtu siç ishte në original, vite e vite më pare. Gjithësesi, më vjen mirë që në vëllimin e fundit ”Magjia e një zëri,” e përfshiva pa frikë bashkë me tregimet e mia më të mira.

Page 4: Albana Melyshi Interview Jan 2011

-A ka qënë dikush në mënyrë të veçantë që ju ka frymëzuar apo ju ka inkurajuar për t’u bërë shkrimtare?

- Askush s’më ka shtyrë për t’u bërë shkrimtare. Ishte në natyrën time që sa herë që më bënte përshtypje diçka, e hidhja menjëherë në letër. Gjithmonë kam mbajtur shënime. Mbaj mend në maturë, në mbarim të shkollës, kur shkëmbenim fletoret e kujtimeve me njeri -tjetrin, fletorja ime kishte mjaft edhe nga këto shënime e mbresa të bukura të moshës. Them se ndoshta kjo u bë shkak që dikush ma mori fletoren e s’ma ktheu më.

Çfarë iu ka pëlqyer të lexonit në adoleshencën tuaj?

-Në adoleshencën tonë (vitet 60-70) ne ishim të etur të lexonim gjithçka na binte në dorë, madje edhe atë që konsiderohej ”letërsi e verdhë”. Më kujtohet qe kemi lexuar edhe “Urën e psherëtimave”apo”Bija e mallkuar”.

-Çfarë është “muza”për ju? A është kjo aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?

-Muza, veçanërisht ajo poetike, për mua është ajo goditje e menjëhershme, që mund të ndodh në mes të ditës,  në shi apo diell  apo edhe në mes të natës, kur të zgjon nga gjumi  e të bën të shkosh tek kompjuteri edhe me sy mbyllur për të mos e lënë të  fluturojë “vargun mbret”. Nëse e le për të nesërmen, muza të ka lënë vetëm hijen.  Së paku mua kështu  më ndodh. Talenti është dhuratë nga natyra apo më mirë  i lindur me ty. Shpesh i trashëguar. Por nuk mjafton vetëm kaq. Më kujtohet një letër që më pat dërguar poeti ynë i njohur Agim Shehu, pasi kishte lexuar në shtyp poezinë time “ Dje preva  flokët”, ku më thosh: ” Je e talentuar në mënyrë të dukëshme, mirëpo që të bëhesh artist duhen tri gjëra: pak talent, shumë punë dha pak fat!”.

-Cilat janë shprehitë tuaja të të shkruarit? P.sh. Shkruani përditë, përdorni kompjuterin apo shkruani me dorë? Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi ndërsa shkruani?

Nuk shkruaj përditë, sëpaku jo letërsi. Letërsia s’ështe detyrë shtëpie. Por ka patur periudha që kam punuar pa pushuar duke humbur sensin e kohës, me një objektiv për ta mbaruar librin brenda afatit që i kisha vënë vetes. Kështu më ka ndodhur kur shkruaja librin “Children of Kosova-stories of Horror “, pasi atëhere(1999) çështja e Kosovës problem i nxehtë i kohës. Nuk kam shumë kërkesa për konfortin për të shkruar. Kur shkruaj nuk e kam mendjen rreth e rrotull. Vetëm nuk dua të më ndërpresin. Shpesh kam harruar edhe gjellën në zjarr dhe më ka ngritur nga karrigjia vetëm era e djegur.

- Keni shkruar pesë  vëllime me tregime dhe novela  brenda një dhjetvjeçari, (pa përmendur këtu krijimtarinë tuaj në poezi apo atë dokumentare) që nga  libri ‘Kafe Shkodra e Nju Jorkut(1999)  e deri tek libri  “Magjia e një zëri” 2009. Cili  ka qënë fokusi juaj?  Çfarë u ka frymëzuar?

 -Jeta e emigrantëve në Amerikë, përpjekjet e tyre për t’ju përshtatur vendit, kulturës së jetesës amerikane . Kini parasysh që emigrantët, veçanërisht ata të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar, vinin nga një vend krejt i kundërt me Amerikën, nga çdo pikpamje.  Qe një shokim  për ta  ky vend  i madh,  pafund e pa anë, me një bollëk të jashtëzakonshëm  të mirash materiale, por që kërkonte edhe një përpjekje te madhe për t’u adaptuar. Në këtë përpjekje dalin në pah tiparet e forta, pozitive të karakterit, por edhe dobësitë e tij. Natyrisht më ka ndihmuar edhe eksperienca ime personale dhe e të njohurve të mi. Mua mu desh t’i kthehesha shkollës, pata kurajon të vazhdoja studimet në Universitetin e Nju Jorkut

Page 5: Albana Melyshi Interview Jan 2011

në një moshë të pjekur. Në Shqipëri do të më vinte”turp” të ulesha në banka pranë 20 vjeçarëve, që ishin mosha e tim biri. Por Amerika t’i largon këto koncepte, ndërkohë që t’i krijon të gjitha mundësitë për progres

Librat “Kafe Shkodra e Nju Jorkut, “Fundjave në Hillsajd”, “Takim me të papriturën, “Ura mbi Oqean ‘ janë krejtësisht frymëzim  nga  jeta e emigrantit shqiptar të Amerikës Tek përmbledhja më e fundit me tregime “Magjia e një zëri”, kam penetruar kryesisht në jetën e amerikanëve .

-Mendoj që në tregimet tuaja me lëndë tërësisht amerikane, ju ka ndihmuar njohja  nga afër e jetës së tyre. Sa ka ndikuar martesa  juaj me amerikan  në këtë drejtim?

 Pa dyshim ka ndikuar. Ka qenë një dritare e madhe që më ka dhënë mundësinë për të parë,edhe ato çka  një tjetër s’mund t’i shohë. Kjo është reflektuar tek tregimet, ‘Fejesë në Hallouin”, “Basti i Kuajve” Rrethi i Kolombit”,” Babai” “Lypësi i Metrosë “ etj. Jeta në familje amerikane, prej 15 vjetësh, nuk ka qenë pasive nga ana ime, nuk është se thjesht kam vëzhguar, por edhe kam mësuar dhe pa kuptuar kam marrë edhe shprehi të tyre.

 -Dhe së fundi doli nga botimi novela juaj ”Vjehërr amerikane”. Krijohet përshtypja që keni shkruar për vjehrrën tuaj.

- Sigurisht që lënda e parë është marrë nga jeta e saj, marëdhëniet e mia me të, por qëllimi nuk ka qënë të shkruaj për ‘vjehrrën’. Në libër vihen ballë përballë  dy mentalitete grash, ai amerikan dhe ai shqiptar. Libri mendoj është sa argëtues, aq edhe informues e përcjell mesazhe interesante. Qe i suksesshëm në Panairin e librit në Tiranë, siç më njofton botuesi im. Margarita Xhepa, mikesha ime, me thosh se ky libër duhet bërë film. Natyrisht janë dëshira dashamirëse të miqve. Tjetër gjë janë mundësitë.

- Si një lexuese e rregullt  e tregimeve tuaja, mendoj se fantazisë i lini më pak

vend dhe materialin e gjallë e gjeni tek miniera’ realitet’.

 -Po, është e vërtetë.  Në shumicën e rasteve. Realiteti, ajo çka jetojmë e përjetojmë është kaq i pasur me subjekte e personazhe, si një minierë që nuk shteron kurrë. Por këto minerale të çmueshme kërkojnë  një sy vëzhgues, që t’i njohë, e t’i vlerësojë  natyrisht dhe një element përpunues. Dëgjoja një koleg që thosh se kishte alergji kur dëgjonte,”bazuar në një ngjarje reale’. Hollivudi ka prodhuar dhjetra filma të ngritur mbi ngjarje reale, drama te fuqishme, tronditëse, të njohura botërisht. Janë filma që ne i shohim e i rishohim. Gjithësesi, me që jemi këtu  unë do t’u referohesha dy shkrimtarëve të mi, adhuruese e të cilëve jam: Heminguejt dhe Çehovit. Të dy, materialin e gjallë e merrnin nga jeta, madje edhe nga vetë

jeta e tyre. Kjo i bëri tё pavdekshëm. Kur plasi lufta në Spanjë, në 1936, Ernest  Heminguej shkoi menjëherë atje si korrespondent i luftës.  Përjetimet e tij e frymëzuan të shkruante” Për  kë bie këmbana”(1940). Heminguej ka thënë  se “është vitale për një shkrimtar të observojë  dhe të hedh në letër observimin e tij saktësisht. Gjithashtu ai thoshte që materiali i shkrimtarit duhet të vijë nga eksperienca private, përndryshe nuk do të qe bindës.

Heminguej gjithnjë merrte me vete nje makine shkrimi portable, kudo që shkonte. Çehovi, nga ana tjetër, me tregimet e tij, krijoi mërira tek miqtë më të afërt. Nëse njeh jetën e rrethin e të njohurve të Çehovit, disa nga ata i gjen në tregimet e novelat e tij. Gjithësesi çdo krijues është i lirë në preferencat e tij.

Page 6: Albana Melyshi Interview Jan 2011

-Që nga tregimi i parë proza juaj është rritur në sasi e në cilësi. Po ashtu edhe poezia.Tashmë jeni autore  e 12 librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?

-   Vetvetja.

-Ku e gjeni me shumë veten, si krijuese?

-Tek tregimi i shkurtër.

-Ju ka rastisur gjatë jetës tuaj të jeni takuar apo pirë kafe, me ndonjë nga personazhet tuaja?

-Po, sigurisht, që me tregimin e parë. Mund  të pish kafe me dikë, pa e ditur se ai mund të bëhet një ditë një nga personazhet e tu.

-Ju i përshkruani mrekullisht e mjeshtërisht personazhet komplekse që lexuesit vërtet lidhen me ta. Ç’mund të na thoni si e arrini ju këtë? Kush ka qënë personazhi juaj më i dashur e i preferuar?  

Pa dashur të bie në përsëritje, pasi e preka këtë më lart, po theksoj që kjo ka të bëjë me vërtetësinë. Sa i vërtetë, sa bindës je në përshkrimin e karakterit të personazhit. Një personazh që nuk tingëllon i vërtetë, nuk qëndron dot gjatë  në këmbë, vdes e harrohet. Për  mua ka qënë gëzim i madh  kur një e panjohur më tha në telefon, “m’u bë se gjeta veten time në tregimin tënd. Faleminderit”. Kjo më ka ndodhur shpesh, sidomos me emigrantët, jeta e të cilëve ka qënë edhe fokusi i krijimtarisë sime  në pjesën më të madhe. Ju pyesni për se cili ka qenë personazhi im më i dashur …. Hëm…kjo është një pyetje që më bën të mendohem. Ju jeni poete vetë, a nuk u ka ndodhur  ndonjëherë  ta keni të vështirë të zgjidhni se cila poezi është më e bukur?. Por nëse do të pranojmë se kemi nostalgji për

Page 7: Albana Melyshi Interview Jan 2011

krijimin e parë, atëhere do të mbetej të thoja “Gruaja nga Bregu” heroina e tregimit tim të parë ,(titulli i hershëm ”Kujtime të largëta)”.

 -Ju jeni edhe poete. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj të vëllimeve me poezi në shqip e gjuhën angleze; “Poezi”,”Yesterday, I cut my hair,  ”Ka gjithmonë diku”, etj Kur e mësuat se lindi pasioni e dëshira për të shkruar poezi? Çmund të na thoni për këtë eksperiencë interesante e profesionale?

Në ‘grackën’ e poezisë rashë rastësisht. duke ndjekur në internet krijimtarinë poetike të të rinjve të mërguar. Ishin studentë të shpërndarë an’ e kënd globit, që me vargjet e tyre shprehnin mallin për atdheun, dashurinë për gjithçka kishin lënë pas, për shokët e fëmijërisë. Dikush  ndoshta kishte lënë në atdhe edhe një të dashur….

Ishin të gjithë mosha e djalit tim. I kuptova, sepse ato ”shqetësime” po kaloja edhe në familjen time. Tim biri, që  e solla  në Nju Jork, në moshën e adoleshencës, i mungonin shokët. Kënaqësitë e moshës. Shoqëria për adoleshentët është gjithçka.

 I mblodha poezitë e të rinjve dhe përgatita  me to një antologji të të rinjve në mërgim  libër (‘Zëra nga larg,’ 2000). E botova me shpenzimet e mia dhe ua shpërndava si dhuratë. Ndërkohe si pa kuptuar kisha filluar edhe vetë të shkruaja poezi, por  me hezitim i nënshhkrova ato me pseudonimin Blerta Tirana.. Ndodhi  që pati te rinj qe ‘u dashuruan’ pas poezisë së Blertës.(Edhe të vjetër). Koha tregoi që edhe një dekadë me pas, mjaft nga ato poezi vazhdojne të jenë të freskëta, si poezia “Dashuria e gruas” apo “Dje preva flokët’, shkruar në vitin 2000, që poeti ynë i njohur Agim Shehu e quajti antologjike. Po këtë vlerësim bëri edhe Ali Podrimja. Madje, ai  më  kërkoi poezitë që kisha pa botuar e me to përgatiti librin tim më  të fundit me poezi “Ka gjithmone diku” duke më mrekulluar me gjenerozitetin e vet. Mësova ai kishte përgatitur edhe antologji të poeteshave të tjera.  Marr shkas të them këtu, që ka mjaft të rinj të spikatur në rrugën e letërsisë, ashtu sikurse edhe kolegët tanë të pjekur, të cilëve nuk u vjen një fjalë vlerësimi nga firmat më përfaqësuese të kombit në fushën e letrave. Këtu ka  defiçite edhe kritika letrare profesioniste e cila nuk e njeh sa duhet letërsinë e mërgimit.

-Jeni tregimtare dhe poete. Ku qëndron ndryshimi mes poezisë dhe tregimit?

 Tregimi duhet të ketë edhe poezi brenda. Poezia është mbrëtëreshë. Jo kushdo arrin deri tek ajo.

- Ju keni kaluar në mënyrë të suksesshme nga  kariera e gazetares në atë të shkrimtares. Le të kthehemi pas në kohë: Si nisi karriera tuaj e gazetares?  Cili ka qënë shkrimi i parë  në fushën tuaj të gazetarisë? Po më pas, si e  vazhduat këtë

udhë të bukur. Cilat kanë qenë revistat më të pëlqyera për të bashkëpunuar dhe pse?

-Kur kërkova të drejten e studimit për në fakultet, nuk kisha dëgjuar  që atë shtator hapej edhe një fakultet gazetarie në Universitetin e Tiranës. Unë e kisha hedhur për letërsi, dhe e vërteta është që mblodha buzët kur pashë emrin tim të afishuar në degën e gazetarisë. Provova një ndjenjë sikur kisha marrë një notë më pak. Por atëherë, tjetërkush vendoste për të drejtat e studimit dhe emërimet. 

Shkrimi i parë si gazetare ka qenë një reportazh për ”Vajzat e Uzinës Tirana” që e kam shkruar kur isha ende studente, gjatë praktikës gazetareske. Pas diplomimit u emërova tek

Page 8: Albana Melyshi Interview Jan 2011

“Zeri i Rinisë”, gazetë prestigjoze atë kohë, që dilte dy herë në javë. Në të shkruanin Vath Koreshi, Faik Ballanca, Miço Verli, Zef Gurakuqi  etj.  Aty lëvrova kryesisht reportazhin dhe skicën letrare. Më pas fillova edhe tregimin.  Në 1977 më transferuan në Televizion. Ishte institucion i ri dhe kishte nevojë për gazetarë. Nuk mbaj mend të kem shkruar nëpër revista, me përjashtim të asaj të Gruas.

-A do ta kishit të vështirë për të shkruar një romancë dashurie rreth jetës  intime të një gruaje?

Femra ka me vete, mrekullinë e të qënit femër e shpesh edhe dramën e saj.  Kam lexuar diku që vajzat e bukura të një krahine, e quanin bukurinë e tyre mallkim, sepse bukuria e tyre bëhej shkak fatkeqësie.  Sot kjo kohë ka kaluar. Por sot, gruaja duhet t’i vendosë të dyja bukurinë dhe inteligjencën në një balancë të arsyeshme, duke pasuruar atë që i ka dhënë natyra.

 -Tani le të ndalemi tek  dy libra tuaj , të rëndësishëm të cilët  i bashkon koncepti ” për hera të parë’.

Po shprehem më qartë: Ju keni botuar librin “Children of Kosova –Stories of Horror-, libri i parë i një autoreje shqiptare që vleresohet nga Bordi i Aresimit i Nju Jorkut duke u rekomanduar si tekst shkollor. E vërteta është që kjo nuk ka ndodhur më parë, me ndonjë autor apo autore shqiptare. Si ndodhi?

Libri lindi në bazën ushtarake të Fort Diksit, Nju Xhërsi, gjatë verës së  vitit 1999, ku qeveria amerikane kishte strehuar rreth 5000 refugjatë kosovarë, të përzënë nga shtëpitë e tyre nga ushtria e milicia sërbe. Aty pata mundësinë të njihja nga afër këto familje, Fëmijët e tyre rrinin pranë studios së transmetimit, kur unë jepja lajmet .U lidha shumë me ta dhe ata me mua. Më treguan se si i kishin përzënë nga shtëpitë me tytën e bajonetës, se kishin parë kufomat e të afërmve të vrarë  nga serbi.

Ndërsa vlerësimi nga  ana e Bordit të Arsimit  ndodhi krejt rastësisht. Një mësues amerikan që jepte mësim në një shkollë të mesme në Bruklin dhe që kishte lexuar librin “Children of Kosovo –Stories of Horror”, i sugjeroi bashkëshortit tim që t'i dërgonim një kopje Bordit të Arsimit të Nju Jorkut. Ai vetë, si mësues e gjeti interesant librin për lëndën e studimeve sociale dhe e kishte punuar në klasë. Ne ndoqëm këshillën e tij. Pas dy muajsh, na erdhi një shkresë e Bordit të Arsimit të Nju Jorkut, që thoshte se  libri qe aprovuar si 'text book" për klasat 6-12 për “social studies” Nuk më besohej. Në Shqipëri kjo gjë nuk do të qe arritur as me mik.

 -Ky libër i është dhënë  vetë presidentit Bill Klinton me dedikim nga dora juaj. Si ndodhi?

Në takimin e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për nder të Presidentit Klinton, për kontributin që ai dha për çlirimin e popullit të Kosovës, ky libër qe vendosur në çdo tavolinë  për çdo të ftuar në atë darkë. Natyrisht edhe në tavolinën ku qe ulur presidenti, përpara tij.  Një nga shoqëruesit e tij, m’u afrua me librin në dorë duke më kërkuar të nënshkruaj  me dedikim për presidentin Klinton. Sinqerisht u emocionova kaq shumë, sa atë moment thashë se s'dija asnjë fjalë anglisht. Por mbaj mend që kam shkruar: "God Bless you, Mr. President!......”  Nga ajo darkë, kam kujtim fotografinë ulur në tavolinë, në krah të  tij. Kur ke nderin të qëndrosh pak minuta pranë njerëzve të mëdhenj dhe e bisedon qoftë edhe për pak me ta, ndjen madhështinë e tyre...Kjo qëndron pikërisht në thjeshtësinë që kanë.

Page 9: Albana Melyshi Interview Jan 2011

 -Libri I dytë: Eshtë  hera e parë që në libraritë shqiptare apo biblotekat e familjeve shqiptare hyn një libër voluminoz, në gjuhën shqipe për Historinë e Amerikës, që mbulon një periudhe, që nga lindja e kolonive të para në Amerikë, deri tek sulmi terrorist  i 11 shtatorit 2001.  Ky libër u botua në Tiranë në 2003, u ribotua , edhe kohët e fundit me miratimin e mbështetjen e Mnistrisë së Kulturës  Rinisë e Sporteve  u botua edhe në Kosovë. Për mendimin tim ky është një suksese i madh për një autore. E parashikonit një gjë të tillë? Si e nisët punën për këtë libër, sa kohë e përpjekje u mori. Cili qe qëllimi juaj?

 Synimi im, fillimisht, nuk ishte që të shkruaja një libër të këtyre përmasave. Kjo ide u zhvillua më vonë. Isha shumë e dhënë pas studimit  të historisë së Amerikës, mund të thuash se kisha rёnё në dashuri me të. Kaloja orë të tëra në bibliotekë. Ne kemi menduar se dinim për historinë e Amerikës, por jo. Duke lexuar libra  të ndryshëm e të shumëllojshëm, gjeta mjaft gjëra interesante që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk di pse, por kur lexoj apo mësoj një gjë të bukur, kam dëshirë ta ndaj edhe me të tjerët. Kështu disa episode interesante, ia bëra të njohur publikut të diasporës nëpërmjet gazetës “Iliria”. Kolegët më sugjeruan, që këto episode t'i mblidhja në një libër të veçantë. Puna është që ato episode interesante në vetvete që të kuptoheshin si duhet, u duhej sfondi historik. Vendosa t’i hyj punës serioze të shkrimit të një libri për historinë e Amerikës, por jo si tekst akademik. Doja të jepja një histori të gjallë, që të lexohej me kënaqësinë që të jep një rrëfim apo tregim. Doja të shkruaja një libër për të gjitha moshat dhe nivelet. Për ketë kam studiuar, përkthyer, përpunuar e shfrytëzuar 62 libra, të karakterit historik, shoqëror, biografik e letrar. Libri mori vlerësime maksimale e entuziaste nga personalitetet  më të shquara të komunitetit tonë këtu në Amerike,si  Prof.Nikolla Pano, Specialist i Historise, Prof. Sami Repishti, Prof Peter Prifti, por edhe  nga Profesorë të nderuar në Shqipëri, si H.Boriçi, A.Luarasi,etj.. U ndjeva gjithashtu shumë mirë kur i nderuari Dritëro Agolli, në vizitën që i bëra verën që shkoi, së bashku me poetin e njohur  Faslli Halitin , mё tha: “Librin tuaj për Amerikën e kam në bibliotekën time dhe e shoh si nje libër enciklopedik, pasi ka shumë informacion”.

 Ndersa ribotimi i librit në Prishtinë,  me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, atje, është një vlerësim tjetër për librin. Siç u shpreh i nderuari Ali Podrimja: ” ky libër duhet të jetë në çdo familje kosovare”. Shqipëria e Kosova i detyrohen shumë Amerikës..

 - Ju keni qënë shumë e suksesshme vitet e fundit  si shkrimtare,  e vlerësuar shumë nga kritika letrare e kohës, përkthyer në gjuhën angleze,  si edhe me marrëveshjen e mrekullueshme të admirimit nga lexuesit e shumtë shqiptarë dhe anglisht-folës. Si ndiheni për këtë?

-  Mendoj që duhet të jemi modeste për ato që bëjmë dhe ato që themi. Më vjen padyshim shumë mirë, nga vlerësimet, por  shoh një rrugë të gjatë  përpara, të ngarkuar  me obligime. Ne, që jetojme ne Amerikë, kemi obligimin moral, per ta  bërë  të njohur letërsinë tonë në këtë gjuhë. Jane bërë disa hapa duke botuar libra në anglisht, por në “selfpublishing” Njëlloj siç botojmë në Shqipëri :pago paratë dhe botohesh.  Madje këtu në shumë me pak ekzemplarë. Ndoshta do menduar një rrugë edhe më efikase për të tërhequr lexuesin amerikan.

-Kur shikoni prapa në karrierën tuaj të sukseshme, produktive e të larmishme,. A ka ndonjë diçka që ju do të dëshironit ta bënit ndryshe? Nëse po, çfarë e pse? Nëse jo, ndjeni keqardhje për këtë?

-Jo, nuk them  do të ndryshoja diçka  në  karrierën time letrare, pasi çdo gjë ka rrjedhur në mënyrë të natyrshme.

Page 10: Albana Melyshi Interview Jan 2011

- Një pyetje  tjetër:Ç’mendoni për ndjenjën e xhelozisë, që duam s’duam ndonjëherë ngjallet tek krijuesit??

- Personalisht, gjithnjë e kam parë letërsinë si një mozaik të mrekullushëm ngjyrash e stilesh që e bën të  tillë pikërisht bashkimi i shumë idenditeteve letrare. Asnjeri s’mund të  të bëhet si tjetri. Është e kot të xhelozosh. Ndonjë përpjekje për imitim e kam gjetur tepër qesharake. Gjithesesi, për këto raste kam një thënie shumë qetësuese që kam lexuar diku: Ata  që të xhelozojnë, janë ata që duan të jenë si ty....

-Si e keni parë krijimtarinë tuaj gjatë viteve? Çfarë ka qenë interesante për ju?

 Interesante për mua kanë qenë kthesat e papritura. P.sh nuk mendoja se do shkruaja një libër të karakterit dokumentar historik dhe voluminoz, siç ishte “Udhëtim në Historinë e Amerikës”

 Gjithashtu, vitin që shkoi nuk kisha në plan të botoja libër me poezi, pasi kisha një tjetër projekt  në dorë. Aq më teper s’më kishte shkuar mendja kurrë që Poeti më i njohur që kemi sot, brenda dhe jashtë territoreve shqiptare, Ali Podrimja, të cilin s’kisha patur rastin ta takoja kurrë, do të përgatiste një vëllim me poezitë e mia. E papritur interesante, apo jo?

E papritur ishte edhe idea  për t’u marrë me përkthimin e letërsisë artistike. Kur lexova librin”Tuesdays with Morrie” (Të martat me Morin) të gazetarit dhe shkrimtarit të njohur amerikan  Mitch Albom thashë me vete se një libër i tillë më vlera morale, duhet të jetë interesant  për lexuesin shqiptar. Qe koinçidencë e habitshme kur duke biseduar me botuesin e Omskës, mësove se ai ishte në fazën e kërkimit të së drejtës së autorit pikërisht për këtë vepër.

-Ju dolët si përkthyese këtë vit e romanit të famshëm të viteve 50-60 në Amerikë “Qyteti i Pejtonit” të autores Grejs Metelljës. Diçka për këtë libër?

Duket keni lexuar njoftimin që ka bërë botuesi i Omskës për daljen e romanit. Ka qënë një roman tronditës për Amerikën e asaj kohe. Romani bëri bujë të madhe dhe Grejs Metelljës, nga një grua shtëpiake u kthye në një shkrimtare të njohur në tërë SHBA si dhe figurë kontraversale. Siç shprehet vetë ajo, ‘Para se të bëhesha e suksesshme, isha aq e lumtur sa më s’bëhet”.”

Përkthimi i veprës ishte përgjegjsi e madhe për mua. Desha të shtoj këtu diçka që më bëri përshtypje gjatë punës. Vura re ngjashmëri në mentalitetin e amerikanëve të 70 vjetëve të shkuara, me atë shqiptar të sotëm.

 Në pranverën e vitit 2008, jeni nderuar edhe me  titullin “Gruaja e vitit” ” në Diasporën shqiptare të Amerikës, nga Organizata  e gruas Shqiptaro -Amerikane  në Nju Jork “Motrat Qiriazi.  Si u ndjetë? A u habitët? Si ju bën kjo të ndjeheni si një autore femër ?

Page 11: Albana Melyshi Interview Jan 2011

-U habita nga fakti  që më erdhi papritur. Por nuk u habita më shumë se kur më erdhi shkresa nga Bordi i Edukimit i Nju Jorkut(B.O.E) për librin “Children of Kosova...”. Sepse kur ulesh të shkruash , nuk mendon për vleresime  e çmime. Shkruan sepse ndjen në ndërgjegjen  tënde se do të thuash diçka, të bësh diçka të mirë, për  ta ndarë me të tjerët, apo që t’u shërbejë atyre.  Kolegët e mi të shtypit ishin të parët që ma uruan nominimin. Për  disa, madje, qe disi i vonuar, pasi përveç librave që qenë vlerësuar si kontribut i rëndësishëm për komunitetin, mbaja  në gazetën ILIRIA,  dhe vazhdoj të mbaj, rubrikën “Çeshtje të emigracionit”, të cilën e iniciova vetë, vite më parë për t’ju ardhur në  ndihmë emigrantëve.

Organizata  “Motrat Qiriazi”- është organizata  më e vjetër e gruas Shqiptaro -Amerikane në SHBA, që drejtohet nga aktivistja e njohur këtej dhe përtej oqeanit, Dr. Anna Kohen. Qe vlerësim i madh dhe jam mirënjohëse. Aq më tepër që këtë titull e përcaktuan në një ditë të shënuar, në festimin e  15 vjetorit të krijimit të organizatës, gjë që s’harrohet.

- Ju keni dhënë aq admirueshëm në karrierën tuaj. Cilat janë qëllimet për të ardhmen? Diçka interesante?

- Për ketë  vit kam një projekt të rëndësishëm. Por ju lutem  mos më kërkoni të flas më gjërë për të pikërisht tani.

-Çfarë dëshironi t’u  thoni kolegëve dhe lexuesve të kësaj interviste?  

Së pari, ju uroj një vit të mbarë në familjet tuaja, të shëndetshëm dhe të suksesshëm

Së dyti, U kërkoj ndjesë që u mora shumë kohë. Kam përshtypjen se intervista qe një çikë e gjatë, por shpresoj të mos jenë mërzitur.

-Këshilla juaj për shkrimtarët fillestarë?

-Nëse ndjeni që keni diçka të bukur në shpirt për ta thënë, apo diçka me vlerë për të tjeret,  bejeni atë me guxim ..Eshtë më kënaqësi të japësh se sa të marrësh.

Ju faleminderit

 Bisedoi:Raimonda Moisiu