gjuha jonË sa e mirË€¦ · këtij personaliteti shkencat albanologjike kanë shumë detyrime...

49
SHOQATA E GJUHËSISË SHQIPTARE GJUHA JONË SA E MIRË VITI IV, NR. ??

Upload: others

Post on 19-Oct-2020

6 views

Category:

Documents


0 download

TRANSCRIPT

  • SHOQATA E GJUHËSISË SHQIPTARE

    GJUHA JONË

    SA E MIRË

    VITI IV, NR. ??

  • TIRANË, 2017

    SHOQATA E GJUHËSISË SHQIPTARE

    ANDROKLI KOSTALLARI

    FIGURË E SHQUAR

    E GJUHËSISË SHQIPTARE

  • TIRANË, 2017

    PASQYRA E LËNDËS Myzafer Korkuti EMRI I AKAD. A. KOSTALLARIT – SHENJË E CILËSISË SË LARTË SHKENCORE ............................................................................7 Rexhep Qosja DIJETARI LARGPAMËS...........................................................................11 Rami Memushaj, Kujtim Kapllani VEPRA E AKAD. ANDROKLI KOSTALLARIT – NJË THESAR

    I ÇMUAR PËR GJUHËSINË SHQIPTARE .................................................15 Remzi Përnaska KOMBI I ËSHTË MIRËNJOHËS................................................................23 Emil Lafe PROF. ANDROKLI KOSTALLARI DHE KONGRESI I GJUHËS

    SHQIPE.....................................................................................................29 Qemal Murati LËVRIME DHE PROJEKTIME RRETH ÇËSHTJEVE KARDINALE

    TË SHQIPES..............................................................................................41 Irini Kostallari IM ATË ANDROKLI KOSTALLARI – MIK DHE MËSUES

    I PAHARRUAR .........................................................................................47

  • EMRI I AKAD. A. KOSTALLARIT – SHENJË E CILËSISË SË LARTË SHKENCORE

    (Akad. Myzafer Korkuti) Të nderuar pjesëmarrës, miq e studiues, Para së gjithash dëshiroj të përshëndes nismën e shoqatës Lingua

    Albanica, e cila, prej disa vjetësh, jo vetëm që i ka kthyer vëmendjen personalitetit të Androkli Kostallarit, veprës së tij, por ka vënë në lëvizje dhe institucionet që e kanë pasur për detyrë ta bëjnë këtë, dhe në këtë rast së pari e kam fjalën për Akademinë tonë të Shkencave.

    U bënë 25 vjet e pak më shumë që nga ndarja nga jeta e prof. Kostallarit. Gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur heshtje, shumë pak përpjekje për të nderuar kontributet e tij në fushë të leksikografisë, të njësimit të shqipes dhe të gjuhësisë së përgjithshme. Para dy vjetësh Akademia nisi botimin e studimeve të tij në një vepër të plotë, por dhe kjo nismë nuk e nxori nga heshtja emrin e Androkli Kostallarit.

    E ndiej të nevojshme ta bëj këtë pohim që në krye, sepse ndaj këtij personaliteti shkencat albanologjike kanë shumë detyrime dhe kjo veprimtari e sotme është një shenjë e mirë.

    Pati një vërsulje të egër kundër shqipes letrare në kohën kur Shqipëria po ndahej nga një sistem politik për të nisur një rrugë të re. Shqipja letrare u quajt kostallariane dhe në opinionet parashkencore e shkencore nisi të diskutohej nëse do të mbetej kjo gjuhë që kemi apo duhej ndërtuar një tjetër, me një bazë të re dialektore. Kjo krijoi një frenim edhe tek ish-kolegët e Androkli Kostallarit, frenim që ndoshta ende nuk është shuar. Emri i tij u anatemua si simbol i sociologjizmit gjuhësor, më saktë i planifikimit gjnhësor, duke nënkuptuar me këtë planifikimin politik e ideologjik të zhvillimit të shqipes në kohët e reja.

  • Tani që u bë më shumë se një çerek shekulli që nga ndryshimet në sistemin politik dhe u provua se shqipja letrare e njësuar i kaloi provat dhe dyshimet e shumta që u hodhën mbi të, Androkli Kostallarit po i rinjihen pak nga pak meritat. Po cilat janë këto merita?

    1. Androkli Kostallari ishte një njohës i shkëlqyer i pasurisë së gjallë të gjuhës shqipe, i rrugës historike të formimit dhe të mbijetesës së saj, i proceseve konvergjente e divergjente që kishin ndodhur, i larmisë dialektore në rrafshin fonetik e fonologjik krahas njësisë kombëtare në paradigmat morfologjike dhe në strukturat sintaksore. Pikërisht, këto njohje e bindje e çuan atë vendosmërisht drejt asaj zgjidhjeje që miratuan gjuhëtarët, shkrimtarët e shkencëtarët shqiptarë (më 20–25 nëntor 1972) 45 vjet më parë me Kongresin e Drejtshkrimit, i cili me të drejtë është konsideruar vazhdim i projektit madhor të homogjenizimit kombëtar që kishin në mendje rilindësit, projekt që u kurorëzua me Kongresin e Manastirit. Dhe këto nuk ishin vetëm njohje e bindje të Androkli Kostallarit, ato ishin bindje të institucioneve shkencore në Shqipëri e në Kosovë. Shumë herë thuhet se shqipja jonë letrare është gjuha e Androkli Kostallarit. Ata që e thonë këtë, duan të krijojnë opinione të pathemelta se shqipja jonë e njësuar është me kufizime, se ajo vetë është produkt ideologjik. Në fakt, tërthorazi, ata i bëjnë një nderim edhe më të madh Androkli Kostallarit, që ishte në krye të procesit të njësisë gjuhësore, si shkencëtar dhe si drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Studiuesja amerikane Janet Byron, që i ka kushtuar një monografi historisë së formimit të shqipes letrare, me gjithë rezervat e natyrshme të saj, arrin në përfundimin se kjo është shqipja që u duhej shqiptarëve. Dhe kjo arritje s’mund të ndahet prej emrit të Kostallarit.

    2. Androkli Kostallari ishte një leksikolog e leksikograf i shkëlqyer. Pa mohuar përpjekjet individuale të mendimtarëve shqiptarë rilindës e të mëvonshëm, shqipja u bë një gjuhë me fjalorë normativë e shpjegues me vetveten, përmes punës në skuadra që krijoi Androkli Kostallari. Fjalorët terminologjikë që u përgatitën për shumicën e fushave teknike e humane shpalosën fuqinë shprehëse të mjeteve të gjuhës shqipe dhe përgatitën hartimin e

  • fjalorëve enciklopedikë. Këta fjalorë, me një përkujdesje dashamirëse, që mundëson lehtësimin prej kuptimeve me karakter ideologjik dhe hapjen ndaj leksikut të gjallë të dialekteve, janë e do të jenë edhe më tej më të mirët e më funksionalët.

    3. Androkli Kostallari ishte një organizator me zotësi të pashoqe.

    Ai nuk drejtoi vetëm Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, por një armatë të tërë mësuesish e krijuesish, që u bënë bashkëpunëtorë të rregullt të këtij instituti. Kartoteka e Leksikut të Shqipes, me mbi 150 mijë njësi leksikore, fjalë e frazeologjizma, me mikrotoponimet e antroponimet, mbetet një arritje historike, në të cilën mund të mbështeten e të punojnë me komoditet brezat e rinj të studiuesve. Ajo punë që u bë në terren në dekadat që drejtonte Androkli Kostallari, në kushtet e sotme, në kushtet e një urbanizimi të përshpejtuar, zor se mund të bëhet më. Prandaj unë gjej rastin të përshëndes punën e kolegëve tanë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, që po përgatitin numerizimin e kësaj kartoteke, e cila është një institut më vete, pa të cilin leksikografia shqiptare do të ndihej e cunguar. Dhe jo vetëm leksikografia, po dhe dialektologjia, disiplinat e onomastikës, toponomastikës dhe antroponomastikës.

    4. Androkli Kostallari ishte një profesor shumë i kujdesshëm, që

    përcolli dije e formim në disa breza universitarësh. Brenda kushteve ideologjike të kohës, përmes kriticizmit metodologjik, që kërkohej nga platforma zyrtare e arsimimit shqiptar, këta breza patën mundësi të marrin njohur edhe mbi zhvillimet moderne në gjuhësi: mbi strukturalizmin e mbi sociologjizmin gjuhësor amerikan dhe mbi formalizmin gjuhësor në vendet e Europës.

    Sigurisht që, nëse demonizimi i emrit të Androkli Kostallarit ka qenë i padrejtë dhe i rrezikshëm, sepse provokoi dezintegrimin në përbërësen më të padiskutueshme të identitetit shqiptar, në, njësinë gjuhësore, – shenjtërimi do të ishte një gabim po aq i madh.

    Ka shumë çështje të hapura për diskutim, edhe për gjuhën letrare (po të doni), gjuhë që, duke ruajtur njësinë, ka nevojë të hapet ndaj folësve të saj tashmë pa kufij, ndaj pasurisë së gjallë të shqipes, ndaj mundësive ende të paezauruara brenda kësaj njësie dhe pjesë të saj.

  • Por emri i A.ndrokli Kostallarit do të jetë pa dyshim shenjë e cilësisë së lartë shkencore të një breznie që ka lënë gjurmë të lavdërueshme në albanologji.

  • DIJETARI LARGPAMËS

    (Akad. Rexhep Qosja) Në Sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që mban

    emrin e njeriut dhe të historianit të madh, Aleks Budës, sot përurohen tri nga pesë vëllimet që përbëjnë kompletin prej katër veprash të Androkli Kostallarit dhe të një vepre kushtuar jetës dhe krijimtarisë së tij.

    Gëzimi im për botimin dhe përurimin e këtyre veprave do të ishte edhe më i madh sikur të isha me ata që do të flasin dhe me gjithë ata që do të jenë të pranishëm në këtë përurim.

    Është thënë prej të tjerësh dhe është thënë shumë kohë para meje se populli që dëshiron të ketë njerëz të mëdhenj, që me mendjen e tyre ua pasurojnë traditën shpirtërore dhe ua ndriçojnë rrugën historike, duhet t’i nderojë ata për të gjallë dhe duhet t’i kujtojë shumë nderueshëm ata pas ndarjes nga jeta.

    Veprat që përurohen sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dëshmojnë se Androkli Kostallari ishte njëri prej njerëzve të tillë në studimet shqiptare, në kulturën shqiptare, prandaj edhe në historinë e popullit shqiptar.

    Nuk ka dyshim se nderimi sot këtu ndaj Androkli Kostallarit po ndodh me vonesë, me vonesë si edhe ndaj disa studiuesve e krijuesve të tjerë shumë të meritueshëm të jetës sonë kulturore, përkatësisht kombëtare, dhe po ndodh me vonesë jo pse nuk kishte studiues e intelektualë që do t’ia bënin atë nderim, por pse institucionet shtetërore nuk kanë treguar as mendërisht e as financiarisht përkushtimet që, sidomos ndaj shkencës dhe krijuesve të saj, tregohen në të gjitha vendet e përparuara në Botë.

    Jam i vetëdijshëm se ndër ata që sot merren me punët shtetërore dhe ndër ata që sot merren me studimet shkencore shqiptare mund të ketë mospajtues me mendimin tim të sipërthënë për Androkli Kostallarin dhe vendin e tij në historinë e studimeve shqiptare.

    Duke qenë drejtor i Institutit të Gjuhës e të Historisë, më vonë i quajtur Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, kurse unë drejtor i

  • Institutit Albanologjik të Prishtinës, në kohën e bashkëpunimit në fushën e Arsimit e të Kulturës midis Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, në 12–13 vjetët para demonstratave të rinisë studentore e shkollore të Kosovës më 1981, do të kem fatin të shihem e të bisedoj kur më shkurtër e kur më gjatë me Androkli Kostallarin dhe të bisedoj me të kur në Prishtinë e kur në Tiranë. Nuk më është dashur shumë kohë për t’u bindur se Androkli Kostallari shquhej si me kulturë të gjerë historike, me dije për figura, ngjarje dhe procese historike jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të shumë popujve të tjerë, sidomos evropianë, ashtu edhe me dhunti të jashtëzakonshme për të kuptuar prirjet, përshtrirjet dhe rëndësinë e mundshme të atyre proceseve historike. Ai ishte në gjendje, në sajë të asaj dhuntie, të parashihte se cilat veprimtari, cilat veprime, cilat vepra në të përtashmen do të mund të kishin dinjitetin historik në të ardhmen.

    Kultura e tij, dija e tij, dhuntia e tij historike mendoj se do të përcaktojnë edhe përkushtimet e tij hulumtuese, studimore, shkencore dhe organizuese në përgjithësi.

    Nuk do të përmend në këtë mes gjithë fushat shkencore, arsimore, kulturore, prandaj as gjithë veprat, gjithë studimet, gjithë vështrimet, gjithë shkrimet, gjithë veprimtaritë e gjithë organizimet e tij, në të cilat do të sjellë fryte shkencore e kulturore shumë të çmuara dhuntia e tij krijuese dhe organizuese.

    Por do të them se fryt i dijes dhe i dhuntisë së veçantë historike janë tri vepra të tij të mëdha në studimet shqiptare dhe në kulturën shqiptare në përgjithësi. Dhe ato janë:

    e para, është Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i mbajtur në Tiranë në vitin 1972,

    e dyta, është Fjalori i shqipes së sotme, i botuar në vitin 1980 në Tiranë, mbi bazën e të cilit janë hartuar e botuar fjalorë të tjerë të gjuhës shqipe dhe fjalorë të ndryshëm tematikë e dygjuhësorë, e numri i tyre nuk është i vogël;

    e treta, është Kartoteka e Gjuhës Shqipe, me disa qindra mijë njësi leksikore, e krijuar përgjatë shumë e shumë viteve derisa ai ishte drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë Shqipe, nxitës e organizues i jashtëzakonshëm i hulumtimeve në terren e në Institut.

  • Natyrisht, nuk është Androkli Kostallari krijues i vetëm i këtyre veprave të mëdha. Jo, jo. Por ai, Androkli Kostallari, ishte organizuesi, shestuesi, spiritus movens-i i tyre. Kështu, fjala vjen, duhet të lexohen gjithë ato studime, trajtesa, vështrime e artikuj që kishte shkruar ai, duhet të mësohet për gjithë veprimtarinë e tij organizuese për t’u bindur se Androkli Kostallari ishte babai i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, domethënë i gjuhës së njësuar letrare kombëtare, i kësaj vepre madhore, madje, madhështore shkencore, ideologjike dhe politike kombëtare, që përfaqëson themelin e papërmbysshëm të njësisë shpirtërore, gjuhësore, kulturore, morale dhe pse jo hapësinore të popullit shqiptar

    Është e padyshimtë se në saje të kulturës, të dijes e të dhuntisë së tij të madhe historike, Androkli Kostallari do të jetë i përgatitur shkencërisht dhe në përgjithësi intelektualisht që në shërbim të kësaj vepre madhështore – të gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë të gjuhës standarde – t’i vërë edhe veprat e deriatëhershme më të mëdha të studimeve shqiptare, projektin leksikologjik dhe leksikografik shqiptar si dhe Kartotekën e gjuhës shqipe.

    Meqenëse gjuha e njësuar letrare kombëtare, Fjalori i shqipes së sotme dhe Kartoteka e gjuhës shqipe janë vlera të mëdha gjithëkombëtare, që u shërbejnë gjithë shqiptarëve dhe shfrytëzohen prej tyre kudoqofshin ata, do të ishte e kuptueshme dhe e dëshirueshme që si botues dhe financues të kompletit të veprave të Androkli Kostallarit, të ishin, bashkë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

    Të bashkuara në botimin e këtij Projekti, ato, të dy akademitë tona, të cilat, shpresojmë, në një të ardhme jo të largët do të bëhen Një, ashtu, me atë botim të përbashkët, do të shprehnin dhe do të dëshmonin thelbësoren e qëllimit dhe të kuptimit krijues të tri veprave të mëdha, gjithëkombëtare, të shestuara prej dijetarit largpamës Androkli Kostallarit – të Gjuhës së njësuar letrare kombëtare, të Fjalorit të Shqipes së Sotme dhe të Kartotekës së gjuhës shqipe.

  • Çështjet e mëdha, të mëdha në kohë e në hapësirë, i shohin, i kuptojnë, i shestojnë dhe i trajtojnë vetë apo me të tjerë dijetarët e mëdhenj largpamës.

    Androkli Kostallari ishte një dijetar i tillë – i madh.

  • VEPRA E AKAD. ANDROKLI KOSTALLARIT – NJË THESAR I ÇMUAR PËR GJUHËSINË SHQIPTARE

    (Prof. dr. Rami Memushaj, prof. as. Kujtim Kapllani) Trashëgimia shkencore e prof. Androkli Kostallarit përbën një

    thesar që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të rretheve shkencore në një varg vendesh. Monografitë, artikujt dhe shkrimet e tij përfshijnë, kryesisht, studimet për gjuhën letrare kombëtare, për leksikun e fjalëformimin dhe çështje të filologjisë shqiptare.

    1. Përafrimi i dy dialekteve shfaqet dukshëm në krijimtarinë e Kristoforidhit si detyrë parësore e Rilindjes Kombëtare. Trajta shkrimore u njësua në Kongresin e Manastirit, ndërsa përafrimi i nënsistemeve të trajtës letrare kombëtare të përbashkët e të njësuar u përvijua me Komisinë Letrare të Shkodrës, dy kongrese arsimore dhe konferencat e viteve ‘50 të shekullit XX. Pra, fillesat e standardit s’lidhen aspak me Kostallarin, i cili në vitin 1954 u kthye nga studimet e Universitetit “Lomonosov”. Ai iu përkushtua historisë së formimit dhe zhvillimit të gjuhës letrare shqipe dhe veçorive ndëtimore e funskionale të saj. Si autoritet me formim të gjerë e brilant, përpunoi parimet shkencore të formimit të gjuhës letrare. Guximi e talenti për të shtruar e mbrojtur tezat teorike e bazën e saj ndërdialektore janë përgjithësuar në botime dhe referate përgjithësuese në kongrese e konferenca shkencore. Vuri në pah faktorët gjuhësorë dhe historiko-shoqërorë që përcaktuan rrugën e ndjekur prej saj; mbrojti tezën se ajo ka sistemin e vet mbidialektor me elemente të përbashkëta për të dy dialektet dhe elemente të veçanta me tipare dalluese herë të njërit e herë të tjetrit dialekt; se standardi nuk është shndërrim i drejtpërdrejtë i ndonjë varianti letrar në gjuhën letrare të njësuar, por është ndërtim e sistem ku janë shkrirë elemente të përbashkëa e të veçnta nga të dy dialektet.

    Me këtë përgjegjësi para kombit mori pjesë në komisionin hartues të “Ortografisë së gjuhës shqipe” (1956), kryesoi

  • komisionin që hartoi “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” (Projekt, 1967), komisionin organizues të Kongresit të Drejtshkrimit (1972); kryesoi komisionin për hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973) e të “Fjalorit drejtshkrimor” (1976) etj. Ka marrë pjesë në komisionet hartuese të një vargu fjalorësh terminologjikë etj.

    Zhdukja e analfabetizmit, formimi i qyteteve të reja, rritja e rolit të kryeqytetit, përzierja e popullsisë, gjuha e administratës, letërsia artistike, gazetat dhe revistat; radioja e televizioni, shkollat e larta, instucionet që hetuan imtësisht sistemin e gjuhës shqipe, si Instituti i Shkencave, Akademia e Shkencave, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968) etj., bashkëpunimi i ngushtë me intelektualët kosovarë e të diasporës përafruan natyrshëm dy dialektet, ku ndërkomunikimi shumëshekullor shkoi edhe më tej.

    2. Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të Kostallarit janë

    leksikologjia e leksikografia, formimi i fjalëve dhe onomastika, ku shquhet specialisti i rrallë jo vetëm i fjalëformimit e analizave leksikologjike, por edhe leksikografi i dorës së parë. Befason që student në Moskë, si bashkautor i një fjalori të vogël shqip-rusisht (1951), si autor i një shkrimi për problemet themelore të gjuhësisë shqiptare (1953) dhe si redaktor i “Fjalorit rusisht-shqip” me 25 mijë fjalë (1954).

    Por puna së cilës i kushtoi gjithë jetën ishte hartimi i fjalorit shpjegues të gjuhës shqipe. Me një varg studimesh monografike rreth parimeve teorike të hartimit të fjalorit normativ të shqipes, rreth strukturës së sistemit leksikor dhe rreth disa prej mënyrave fjalëformuese tepër prodhuese të saj, ai përgatiti shtratin teorik ku do të lindte “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), në të cilin pasqyrohet në mënyrën më të plotë kodifikimi i normës leksikore, morfologjike, drejtshkrimore e drejtshqiptimore të shqipes standarde. Ky fjalor, që për nga vëllimi i fjalësit dhe struktura semantike e zërave nuk është kapërcyer deri më sot, ka marrë vlerësime prej botës shkencore.

    Studimet shteruese për fjalët e përbëra mbështeten në një letërsi shumë të pasur, që dëshmon se autori i njihte studimet për kompozitat në gjuhësinë botërore dhe qëndrimet e gjuhëtarëve shqiptarë për këtë temë; se kompozitat e shqipes i vështronte në

  • përqasje me gjuhët e sotme indoeuropiane, me greqishten e vjetër e latinishten; se mbështetej në një material shumë të pasur faktik, të vjelë nga burimet e shkruara e nga ligjërimet popullore si dhe për vlerësimin e pasurisë leksikore të shqipes dhe mundësitë e mëdha të pasurimit të saj me formime të reja të këtij lloji. I bindur se shqipja i ka të gjitha mundësitë për të përballuar, me mjetet e veta, nevojat e praktikës për emërtime terminologjike, ngriti një ekip gjuhëtarësh që u specializuan të përpunonin terminologjinë e të hartonin fjalorët terminologjikë të fushave të ndryshme të dijes (mbi 30 fjalorë shqip-gjuhë të huaja) dhe ndihmoi drejtpërdrejt si bashkëhartues në fjalorët e parë. Me shkrimet për “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954), “Parimet për hartimin e fjalorit shpjegues të gjuhës së sotme shqipe” (1968) dhe një numër studimesh të tjera u përpunua teoria e leksikografisë shqiptare. Kështu mundën të hartohen fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe (1980, 1984, 2002, 2006).

    3. Tematika e studimeve për çështje të filologjisë shqiptare,

    paraqitur si studime e referate në konferenca e kongrese shkencore është shumë e larmishme – artikuj për gjuhësinë dhe për fusha të tjera, si: folklori, letërsia, historia etj. Vend të posaçëm zë referati “Gjendja e studimeve albanologjike në Shqipëri, probleme dhe detyra të reja” (1962), në të cilin jepet një panoramë e zhvillimit të shkencave filologjike e historike para Çlirimit, parashtrohen arritjet kryesore të studimeve albanologjike dhe përvijohen vijat e zhvillimit dhe detyrat kryesore që shtrohen para tyre. Në shkrime të tjera flitet për lidhjet e shqipes me ilirishten dhe për gjenezën e shqiptarëve. Në punimin “Rreth studimeve onomastike në lëmin e shqipes” jep një pasqyrë tërësore të etapave të zhvillimit të shkencës onomastike dhe një vështrim kritik retrospektiv të kërkimeve onomastike në fushë të shqipes e parashtron disa nga vëzhgimet e pikëpamjet e veta për lëndën e mbledhur e për detyrat kryesore që dilnin në këtë fushë.

    Në shkrime për çështje të letërsisë shfaqet po aq origjinal sa në krijimet gjuhësore. Në studimet rreth prirjeve të zhvillimit të gjuhës së poezisë popullore dhe vlerave gjuhësore të eposit, e vlerëson këtë të fundit si “ përmendore të shkëlqyer gjuhësore të popullit tonë”.

  • Dy studime të tjera letrare me shumë prurje vetjake janë “Figura e Skënderbeut në letërsinë botërore” dhe “Një vepër e panjohur poetike e Franc Nopçës (“gedichte” von Colez Marku”). Në të parin ai sjell informacion shterues për trajtimin e figurës së Skënderbeut në letërsinë e vendeve të ndryshme të botës prej shek. XVI deri në shek. XX. Vendin e Heroit Kombëtar në letërsinë botërore, e argumenton duke e parë Skënderbeun si kampion të lirisë. Figura e tij do të rrojë si figurë historike dhe si figurë letrare, përderisa në botë të ketë “popuj që luftojnë për të fituar e për të mbrojtur lirinë kundër grabitësve të saj”. Ky studim merr vlera sidomos në ditët tona, kur janë ngritur zëra për ta “çmitizuar” figurën e tij dhe për ta zhbërë epokën skënderbejane.

    Studimi për një vëllim me vjersha të F. Nopçës, zbuluar prej vetë prof. A. Kostallarit në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës, përbën një punë të mirëfilltë filologjike për këtë vëllim në dorëshkrim. Arrin në përfundimin se autori i tij “është dijetari i mirënjohur hungarez Ferenc (Franz) Nopsca”.

    Një cikël më vete formojnë studimet për gjuhën e autorëve të vjetër, si Matrënga e Bogdani, si dhe për prurjet e arbëreshëve të Greqisë në fushën e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Në këto studime gjendet një informacion shumë i pasur për kulturën arbëreshe dhe për veprimtarinë e autorëve arbëreshë, që kanë qenë të panjohura ose shumë pak të njohura.

    “E mbsuame e krështërë” e Matrëngës çmohet si dëshmi e hershme për shqipen, sepse “vërtet është botuar pas librit të parë shqip, “Mesharit” të Buzukut; por, në thelb, përfaqëson një gjendje gjuhësore rreth një shekull më të vjetër se ky libër”, pikërisht sistemin e toskërishtes së shek. XV, që ishte ruajtur në formë të ngurtësuar në të folmen e Horës së Arbëreshëve. Është nxitur të shkruajë për këtë vepër nga përpjekja e Matrëngës për të formuar një gjuhë për gjithë arbëreshët e Italisë. Përpjekja e tij shihet nga Kostallari si “një normëzim i parë i gjithë toskërishtes jugore”.

    “Pjetër Bogdani dhe gjuha letrare shqipe” është një punim tjetër i gjatë për “lëvruesin më të shquar të gjuhës shqipe përpara Rilindjes Kombëtare”. Ai tërheq vëmendjen për t’i vlerësuar si duhet konceptet dhe përpjekjet e Bogdanit për gjuhën shqipe dhe rolin e veprës së tij në procesin e formimit të shqipes letrare.

  • Ndikimin e gjuhës turke në leksikun e shqipes e kanë trajtuar shumë autorë të huaj. Në dy shkrime të kësaj përmbledhjeje, pas një vështrimi historik të depërtimit të turqizmave në gjuhën shqipe, Kostallari vëren numrin dhe fushat e jetës ku kishin depërtuar ato, duke arritur në përfundimin se rreth tri të katërtat e tyre lidhen kryesisht me jetën qytetëse, ku ndihej i fortë ndikimi i kulturës dhe i fesë islame, i administratës civile e ushtarake osmane. Prandaj, me shembjen e sundimit otoman, pesha e turqizmave, që kishin rrezikuar t’i zinin frymën gjuhës shqipe, erdhi duke u pakësuar me shpejtësi. Përkundër mendimeve se mënjanimi i turqizmave e ka varfëruar shqipen, ai argumenton se leksiku i saj ka ardhur duke u pasuruar.

    Një cikël tjetër përbëjnë shkrimet kushtuar Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejt e Ali Hadrit; në të cilat vlerësohet vepra e këtyre figurave të shquara të gjuhësisë e të kulturës shqiptare.

    Me punën e talentuar drejtuese e organizative për të ideuar, shtruar probleme e dhënë zgjidhje të mprehta në mjediset më të përmendura shkencore, prof. Kostallari nuk reshti ditë e natë për të përmbushur projektet e tij krijuese. Për arritje të dorës së parë është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, dy herë me “Çmimin e Republikës” të Klasit të Parë (1974); “Mësues i Popullit» (1986); “Doctor honoris causa” në shkencat filologjike dhe “Magjistër i arteve të lira” i Universitetit të Goteborgut (Suedi) për punën e tij në fushën e gjuhësisë dhe, sidomos, të teorisë së gjuhës letrare. Ka qenë një ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i presidiumit të saj.

    Më 1960 u zgjodh anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CIOS), më 1963 anëtar i Komitetit të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEE) e më 1974 anëtar i Byrosë së këtij Komiteti dhe, për disa vjet, nënkryetar i tij; anëtar i redaksisë së “Atlasit të Gjuhëve të Europës”.

    ***

    Vërtet çudi që kjo pasuri kombëtare, e daktilografuar për t’u

    botuar në dy vëllime (si pohon prof. J. Thomai në 75-vjetorin e

  • akad. Kostallarit) nuk dihet ende ku përfundoi!!! Prandaj puna për ta mbledhur, sistemuar e paraqitur për botim qe për mua një sfidë më vete. Fillova në Bibliotekën Kombëtare me periodikun e botimeve. Për 2 vjet e gjysmë skedova, fotokopjova, klasifikova dhe radhita gjithçka nga viti 1945 deri në vitin 1975. Atëherë u lidha me fëmijët e tij, zonjën Irinë dhe zotin Adrian Kostallari. Me Irinën skeduam gjithçka nga periodiku, shfrytëzuam edhe 13–14 dosje të davaritura të profesorit; ku gjetëm edhe studime të pabotuara, si “Parimet për të hartuar fjalorin e tipit të mesëm me përmasa më të ngjeshura”. Krijimtaria u klasifikua në tre zëra: në fushën e gjuhës letrare kombëtare, për leksikun e fjalëformimin dhe çështje të filologjisë shqiptare.

    E rishikova dy herë lëndën dhe iu drejtova profesorëve R. Memushaj, E. Lafe dhe Q. Murati (Instituti Albanologjik) ta shihnin me vëmendje. Ata kanë bërë një punë vërtet të lavdërueshme, duke nënvizuar dhe saktësuar gjithçka. Pasi i pasqyrova besnikërisht vërejtjet e tyre, iu drejtova prof. Memushajt për ta redaktuar dhe profesorëve E. Lafe e Q. Murati për recensat. Ndërkaq, përfundova monografinë për prof. Kostallarin, mblodha dhe radhita nekrologjitë e gjithë shkrimet për të dhe iu drejtova bashkëpunëtorëve të tij dhe njerëzve më në zë të kulturës shqiptare të shpreheshin për krijimtarinë e prof. Kostallarit. Pasi e përfundova, iu drejtova sërish prof. R. Memushajt: “Merre dhe gjej ku e ka syrin pleshti!”. Kjo punë është kryer nën recensën e përditshme të profesorëve Xh. Lloshi dhe E. Lafe.

    Mirënjohje deri në frymën e fundit redaktorit – prof. R. Memushajt dhe profesorëve E. Lafe, Q. Murati e Xh. Lloshi, pa punën dhe talentin e të cilëve kjo vepër nuk do të arrinte nivelin që meriton.

    Mirënjohje edhe atyre që bashkëpunuan për vëllimin V, sepse i besuan projektit tim dhe e pasuruan atë, duke filluar me akademik R. Qosja e prof. A. Vinca në Prishtinë, akademikët A. Puto e L. Omari dhe prof. F. Leka në Tiranë, prof. A. Belushi në Itali e prof. R. Përnaska (Doctuer d’État) në Paris. Ç’kanë thënë ata, përbëjnë një grusht gurësh të çmuar, të cilët po ua vëmë në tryezë brezave të sotëm e të ardhshëm. Në një shkrim interesant avokati dhe deputeti S. Braho nënvizon se ka ardhur koha që Kuvendi të nxjerrë një

  • urdhër detyrues për të zbatuar normën letrare kombëtare në të gjitha mjetet e komunikimit masiv, të gjitha institucionet administrative, shoqërore e shtetërore. Së dyti, për merita të padiskutueshme, shteti shqiptar duhet t’i japë gjithçka meriton familjes së profesor Kostallarit.

    E nënvizoj këtë, se prof. Kostallari 20-vjeçar doli partizan në Luftën Kundërfashiste e derisa vdiq luftoi për të lartësuar emrin e shkencës e të kulturës shqiptare; bashkëshortja, rusja Evgjeni Kostallari, që në vitin 1954 ka punuar në Institutin e Tokave, Irina po mbush vitet e fundit për të dalë në pension. Pra, bëhen rreth 140 vjet punë, ku përfshihen edhe pagesat për një banesë, të cilën shumë prej nesh e kemi përvetësuar me pagesë simbolike. Por shtëpisë së akademikut dikur pas viteve 2000 i doli pronari dhe përfundoi në rrugë biblioteka e tij e famshme, bashkë me Irinën!!! Jeton me qira mbi Uzinën e Autotraktorëve në kushte krejt të papërshtatshme!

    Mirënjohje për Këshillin Botues dhe akademikun M. Korkuti, që e vlerësuan me objektivitet shkencor botimin e veprës së akademikut A. Kostallari. Vëllimi III dhe IV priten të dalin së shpejti.

    Mirënjohje edhe për ish-studentin tim të talentuar në AP të Biznesit, Migen Stefani, i cili ndihmoi me 1/3 e shumës për të botuar vëllimin V.

    Me kolegun Memushaj po përgatitim edhe vëllimin VI, ku do të përfshihen leksionet për gjuhësinë e përgjithshme, për leksikun e fjalëformimin dhe për gjuhën letrare kombëtare.

    Përshëndetje të gjithve, se kështu së bashku mund ta sjellim të tërin në tokë atë, kalorësin e mbetur mes rrufesh e shkreptimash.

  • KOMBI I ËSHTË MIRËNJOHËS

    Kushtuar akad. Androkli Kostallarit me rastin e 95-vjetorit të lindjes

    (Prof. dr. Remzi Përnaska)

    Androkli Kostallari është njëri ndër gjuhëtarët më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në lartësimin e gjuhës shqipe dhe në ngritjen e gjuhësisë shqiptare në nivelin e vendeve të tjera të Europës Lindore. Student i shkëlqyer i Universitetit “Lomonosov” të Moskës (1949–1954) dhe ndjekës i zhvillimeve në gjuhësinë botërore, ai arriti të kishte një formim teorik të admirueshëm. Njihte shumë mirë gjuhësinë tradicionale dhe rrymat gjuhësore strukturaliste e passtrukturaliste që lulëzonin në Perëndim dhe këto njohuri u përpoq t’ua përcillte studentëve e bashkëpunëtorëve të rinj shkencorë, duke arritur të kishte te brezat e rinj të gjuhëtarëve një ndikim që nuk e ka pasur asnjë gjuhëtar tjetër i brezit të tij.

    Për gati 40 vjet, që nga viti 1953, kur ishte ende student, e deri më 1991, punoi pa u lodhur duke lënë prapa një veprimtari të pasur botuese, që përfshin fjalorë llojesh të ndryshme, 16 monografi dhe një numër të madh shkrimesh. Vetëm monografitë, referatet e artikujt e tij, të botuara në katër vëllime nga Akademia jonë e Shkencave, arrijnë më shumë se 2 mijë faqe, pa llogaritur këtu leksionet e shkruara universitare e pasuniversitare që ka mbajtur në Tiranë e Prishtinë. Përveç kësaj veprimtarie të madhe shkencore e botuese, që nga viti 1957, kur u vu në krye të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, e deri më 1990, ai punoi me ngulm për ngritjen e këtij institucioni dhe për organizimin dhe drejtimin e punës shkencore të tij, duke u dalluar si drejtues energjik e i palodhur.

    Androkli Kostallari qe një studiues i vlerësuar brenda vendit. Me themelimin e Akademisë së Shkencave më 1972, u zgjodh akademik dhe anëtar i Presidiumit të saj. Për veprimtarinë e tij të

  • shumanshme shkencore, u dekorua më 1959 me Urdhrin e Punës të Klasit të Dytë për veprimtari të shquar në fushën e shtypit, në vitin 1972 me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë për ndihmesa të shquara në fushën e arsimit e të kulturës dhe më 1974 mori Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë për veprën “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Këtë çmim mori edhe për “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”. Për merita në fushën e arsimit, më 1987 u nderua me titullin e lartë Mësues i Popullit.

    Emri i tij u bë i njohur edhe jashtë botës shqiptare. Ai e ka përfaqësuar denjësisht gjuhësinë tonë në botën shkencore europiane. Më 1960 u zgjodh anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CIOS), më 1963 u bë anëtar dhe për disa vjet nënkryetar i Komitetit të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEE), qe edhe anëtar i redaksisë së “Atlasit të Gjuhëve të Europës”. Për punën e tij në fushën e teorisë së gjuhës letrare, Universiteti i Goteborgut (Suedi) i ka dhënë titullin Doctor honoris causa në shkencat filologjike dhe Magjistër i arteve të lira.

    Por, me gjithë këto merita, Androkli Kostallari mbeti një njeri tepër modest, që kurrë nuk u mburr dhe as i shfrytëzoi këto merita për përfitime vetjake. Jetoi thjesht dhe jo pa shqetësime e privacione, për shkak të mjeteve monetare të pamjaftueshme për të mbajtur familjen dhe të mungesës së kushteve për punë në shtëpi. Megjithatë, këto nuk e penguan të punonte pa u lodhur dhe të ndërtonte marrëdhënie korrekte pune e shoqërore. Ai ishte shumë i komunikueshëm me studentët, pedagogët e studiuesit e rinj dhe i gatshëm kurdoherë për të ndihmuar me këshilla këdo që i drejtohej. Nuk la cep të Shqipërisë pa shkelur në kërkim të fjalës së rrallë ose në veprimtari shkencore, prandaj nuk kishte njeri që të mos e njihte, ashtu si ai i njihte me emër mësuesit e përkushtuar të gjuhës shqipe që përpiqeshin të mblidhnin fjalë të reja ose të merreshin me punë shkencore.

    Diapazoni i fushave të studimit me të cilat u mor Androkli Kostallari qe i gjerë. Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore dhe pedagogjike të tij qenë leksikologjia e leksikografia, fjalëformimi, onomastika, gjuhësia e përgjithshme dhe teoria e gjuhës letrare. Po vendin e kreut në këtë veprimtari e zënë studimet për fjalëformimin, ku spikatin monografitë e punimet për fjalët e

  • përbëra në gjuhën shqipe, një kategori fjalësh me të cilat gjuha jonë është shumë e pasur, por deri atëherë pothuajse e pastudiuar. Ai ishte i bindur se gjuha shqipe i ka të gjitha mundësitë për të përballuar, me mjetet e veta, nevojat e shprehjes në të gjitha fushat e veprimtarisë ligjërimore. Pastërtia e leksikut të gjuhës së shkruar nëpërmjet krijimeve të reja e, sidomos, nëpërmjet aktivizimit të fjalëve shqipe nga leksiku popullor, ka qenë njëri nga qëllimet kryesore të punës së tij shkencore. Këtë e shohim edhe në shkrimet e tij, në të cilat gjejmë dhjetëra e dhjetëra fjalë të reja, prej gjuhës së gjallë të popullit ose shqipërime të bëra prej tij të termave e fjalëve të huaja. Mund të themi pa e tepruar se ai i ngriti një monument fjalës shqipe.

    Një meritë tjetër e tij është përpunimi i teorisë leksikografike, gjë që e bëri në një varg monografish që çuan në ngjizjen e një teorie të leksikografisë shqiptare, nga e cila u udhëhoq gjithë puna për hartimin e fjalorëve shpjegues të gjuhës shqipe. Krahas kësaj, ai ngriti e përgatiti një bërthamë leksikografësh, që do të bëheshin bashkautorë të “Fjalorit të gjuhës së stome shqipe” (1980) me 41 mijë fjalë, fjalori më i madh shpjegues i gjuhës shqipe i hartuar deri më sot. Ky fjalor, që u udhëhoq në çdo fazë të tij nga A. Kostallari, përbën arritjen më madhore të leksikografisë shqiptare. Por hartimi i fjalorit shpjegues qe vetëm një aspekt i punës së tij në lëmin e leksikografisë. Ai qe edhe bashkautor i një fjalori të vogël shqip-rusisht (të botuar më 1951, kur ishte ende student) dhe redaktor i të parit fjalor rusisht-shqip me 25 mijë fjalë. Një aspekt tjetër në këtë fushë qe edhe puna si bashkautor në hartimin e mbi 30 fjalorëve terminologjikë shqip-gjuhë të huaja, me të cilët shqipes iu zgjerua frymëmarrja edhe në fushë të terminologjisë.

    Fushë e rëndësishme e veprimtarisë shkencore të Androkli Kostallarit ka qenë edhe historia e formimit dhe e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe si dhe veçoritë ndërtimore e funksionale të saj, të cilat i ka trajtuar në një varg studimesh, që mbeten model i analizës shkencore. Nga konceptet teorike që trajton dhe nga emrat e gjuhëtarëve që citon duket se ai ishte në dijeni të arritjeve më të fundit të gjuhësisë perëndimore në fushën e planifikimit gjuhësor. Jo vetëm trajtoi në rrafshin teorik probleme të gjuhës letrare, po edhe punoi konkretisht për hartimin e kodeve të saj themelore.

  • Kështu, mori pjesë në komisionin hartues të “Ortografisë së gjuhës shqipe” (1956), kryesoi komisionin hartues të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” (Projekt, 1976); ishte kryetar i komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit (1972), ku mbajti referatin kryesor; kryesoi komisionin për hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973), të “Fjalorit drejtshkrimor” (1976) dhe të doracakëve të tjerë normativë.

    Ndihmesa e A. Kostallarit për trajtimin e problemeve të mëdha të gjuhës letrare e, lidhur me të, edhe të drejtshkrimit ka qenë jo vetëm orientuese, por edhe vendimtare. Puna që ka bërë për të shtruar e mbrojtur tezat teorike për formimin e gjuhës letrare shqipe, është sintetizuar jo vetëm në shkrime të botuara në shtypin tonë shkencor, por edhe në referatet përgjithësuese të mbajtura në kongrese e konferenca shkencore. Në to, përshkroi teorikisht fazat e formimit dhe të zhvillimit të gjuhës letrare kombëtare; vuri në pah faktorët gjuhësorë dhe historiko-shoqërorë që përcaktuan rrugën e ndjekur prej saj; mbrojti tezën se ajo u formua si një koine letrare, dmth. si rrjedhim i bashkëveprimit midis traditave letrare, se ajo ka një sistem të vetin mbidialektor me elemente të përbashkëta për të dy dialektet dhe elemente të veçanta të tyre; se në fonetikë dhe morfologji mbizotërojnë elementet jugore të ndërthurura me tipare të rëndësishme të dialektit verior; se gjuha letrare e njësuar kombëtare nuk është shndërrim i drejtpërdrejtë i ndonjë varianti letrar në gjuhë letrare të njësuar, por është sistem ku janë shkrirë elemente të përbashkëta e të veçanta nga të dy dialektet.

    Teza e tij për shqipen standarde si koine letrare, sidomos pas vitit 1990 është bërë objekt kritikash të shumta. Por kritikja e parë e kësaj teze, gjuhëtarja amerikane Xh. Bajron, e cila e vlerëson lart punën e tij për planifikimin gjuhësor të shqipes dhe krijimin e gjuhës letrare të njësuar e sheh si rezultat të përpjekjes së popullsisë shqiptare në ish-Jugosllavi për të riafirmuar identifikimin e tyre etnik me vendin amë duke përvetësuar dialektin standard të tij, e justifikon kështu pikëpamjen e Kostallarit: “Funksioni më i rëndësishëm i shqipes standarde duket se është ai i unifikimit të një popullate të ndryshme nga ana dialektore. Për mendimin tonë, rëndësia e këtij funksioni është kaq e madhe, saqë ndikon edhe në interpretimin e asaj se çfarë është gjuha standarde: format e saj të

  • përbashkëta dialektore janë mbiçmuar (kryesisht nga Kostallari), ndërsa roli i rëndësishëm i dialektit bazë (toskërishtes) është minimizuar.” Pra, për kushtet e popullit shqiptar, asokohe të ndarë në tri shtete dhe në diasporë, mbivlerësimi i elementeve të përbashkëta dhe nënvlerësimi i bazës dialektore mendojmë se është plotësisht i justifikuar.

    Androkli Kostallari spikat edhe si organizues e drejtues i talentuar, në të gjitha detyrat që ka kryer – përgjegjës sektori, dekan, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, anëtar redaksish e komisionesh – duke u shquar për mendimet novatore e zgjidhjet konkrete që propozonte. Thelbin e aftësive të tij organizuese dhe drejtuese e përbën kyçja në probleme të mprehta që kërkonin zgjidhje shkencore, si nxjerrja e disa revistave e përmbledhjeve shkencore, hartimi i fjalorëve dhe i veprave të tjera themelore për gjuhën shqipe, krijimi i komisioneve dhe i redaksive cilësore. Në mënyrë të veçantë roli i tij drejtues e organizues ka qenë dukshëm përcaktues në veprimtaritë e mëdha shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si Kongresi i Drejtshkrimit e konferencat ndërkombëtare brenda vendit dhe në kongrese e konferenca jashtë vendit – ballkanike, europiane e ndërkombëtare – në të cilat ka përfaqësuar me dinjitet, bashkë me kolegë të tjerë të shquar, shkencën shqiptare.

    Androkli Kostallari u shqua edhe si frymëzues, organizues dhe drejtues aksionesh shkencore me përmasa të mëdha, si aksioni i fjalës së rrallë dhe ai i sintaksës popullore, që çuan në njohjen edhe më të thellë të përbërjes leksikore dhe të ndërtimit sintaksor të gjuhës shqipe. Këto aksione u shtrinë në të gjitha trevat e shqipes, dhe, falë përfshirjes në to të arsimtarëve dhe nxënësve, sollën lëndë të bollshme e të gjallë faktike leksikore e frazeologjike, e cila jo vetëm u mblodh, por edhe u sistemua e u klasifikua në kartotekën e leksikut të shqipes me rreth 4 milionë skeda me 150 mijë fjalë, lëndë pa të cilën nuk do të ishte i mundur hartimi i fjalorëve shpjegues (1980, 1984); kurse kartoteka e gramatikës u pasurua me mbi 2 milionë skeda. Ndryshe nga sot, kur hartuesit e fjalorëve dhe studiuesit e gjuhës u drejtohen korpuseve elektronike, krijimi i një kartoteke me 6 milionë skeda me njësi leksikore e të dhëna

  • gramatikore ishte një punë vërtet kolosale. Dhe ideuesi i kësaj kartoteke ishe po ai.

    Gjithë këto veprimtari shkencore dhe vepra madhore të gjuhësisë shqiptare të kryera me pjesëmarrjen si autor ose nën udhëheqjen e Kostallarit, si fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe, fjalori drejtshkrimor dhe kodet e tjera normative, gramatika e Akademisë në dy vëllime, atlasi dialektologjik në dy vëllime, përbëjnë arritje madhore të gjuhësisë së re shqiptare. Në kohën që ai drejtoi Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, gjuhësia shqiptare arriti kulmin e zhvillimit. Kjo bëri që, së pari, epiqendra e studimeve albanologjike nga jashtë trojeve shqiptare të vinte në vendin e vet natyror, në Shqipëri; dhe, së dyti, të normëzohej thuajse plotësisht leksiku dhe sistemi gramatikor të gjuhës sonë, çka do t’i hapte rrugë dhe do ta lehtësonte sanksionimin e një gjuhe të përbashkët kombëtare shqiptare, që e radhiti kombin shqiptar ndër kombet e qytetëruara.

    Për Androkli Kostallarin vlen të themi se ishte njeriu i duhur në kohën e duhur. Por trimi i mirë me shokë shumë. Me veprën e vet shumëpërmasëshe dhe me personalitetin e vet shkencor, prof. Androkli Kostallari ka zënë vend nderi në gjuhësinë shqiptare, krahas figurave të shquara, si A. Xhuvani, E. Çabej, K. Cipoja, M. Domi, S. Riza, Sh. Demiraj, I. Ajeti, Ali Hadri, Kristo Frashëri etj., pa të cilët s’do të kishte bërë atë që bëri.

    Për meritat e tij organizuese e drejtuese, për lartësimin e shqipes në shkallën e gjuhës letrare të përbashkët, Androkli Kostallari meriton që mbi gurvarrin e tij të gdhenden fjalët: “Kombi të është mirënjohës”.

  • PROF. ANDROKLI KOSTALLARI DHE KONGRESI I GJUHËS SHQIPE

    (prof. dr. Emil Lafe)

    Kur A. Kostallari filloi punën në Institutin e Shkencave më 1954

    (atëherë ishte 32 vjeç), vinte jo vetëm me dijet filologjike të fituara pranë

    profesorësh të shquar e në një Universitet me emër të madh, si ai i

    Moskës, po edhe me një përvojë e praktikë pune me shumë vlerë. Ai

    kishte shkuar në Moskë si një nga nxënësit më të dalluar të gjimnazit të

    shtetit në Shkodër, ku me profesorë shumë të aftë kishte zotëruar

    frëngjishten e italishten dhe kishte fituar një njohje të mirë për greqishten

    e latinishten. Gjatë viteve të studimeve në Universitet, falë këtij formimi,

    kishte redaktuar, në bashkëpunim edhe me specialistët e Shtëpisë botuese

    të fjalorëve të huaj e nacionalë në Moskë, një fjalor të vogël shqip-

    rusisht1, si edhe “Fjalorin rusisht-shqip”2 të hartuar në Institutin e

    Shkencave nga Sejfulla Malëshova (1900–1971) e Pashko Geci (1903–

    1982). Ky fjalor u botua më 1954, pra në të njëjtin vit me fjalorin e parë

    shpjegues të gjuhës shqipe. Natyrisht, gjatë kësaj pune leksikografike i

    dolën përpara edhe një varg problemesh të drejtshkrimit.

    1 Fjalor i shkurtër shqip-rusisht. Përpiluar nga R. Koçi, A. Kostallari dhe Dh. Skendi. Botim i dytë, ripunuar e plotësuar nën redaktimin e A. Kostallarit. Përmban 13 000 fjalë. Shtëpia botonjëse shtetërore e fjalorëve të huaj dhe nacionalë. Moskë, 1951, 547 f. 2 Fjalor rusisht-shqip. Instituti i Shkencave i R.P. të Shqipërisë. Punuar nga komisioni i fjalorit rusisht-shqip i Seksionit të gjuhës e letërsisë. 25 000 fjalë. Redaktor A. Kostallari. Shtëpia botonjëse shtetërore e fjalorëve të huaj dhe nacionalë. Moskë, 1954, 636 f. (Meqenëse S. Malëshova më 1952 qe larguar nga Instituti i Shkencave dhe qe internuar, emrat e hartuesve të fjalorit u zëvendësuan me Komisioni i fjalorit).

  • Më 1951 qe botuar një udhëzues drejtshkrimor1, i hartuar nga A.

    Xhuvani, K. Cipoja dhe E. Çabej. Më 6 janar 1952 K. Cipoja u nda nga

    jeta dhe në punën për ortografinë u përfshi M. Domi. Më 1953 A.

    Xhuvani, E. Çabej dhe M. Domi hartuan një projekt tjetër të ortografisë

    së shqipes, që u botua i shaptilografuar2 dhe iu shtrua një diskutimi të

    gjerë në një konferencë të posaçme, që u organizua po atë vit dhe ku M.

    Domi (të cilit, me sa duket, i kishte rënë barra kryesore për hartimin e atij

    projekti), mbajti referatin “Parimet dhe kriteret e ortografisë”3. Pas

    konferencës projekti u ripunua e u plotësua dhe u botua përsëri i

    shaptilografuar4. Këtë projekt zbatoi në vija të përgjithshme Mahir Domi,

    kur u ngarkua të redaktonte dhe të përgatiste për botim fjalorin e parë

    shpjegues të gjuhës shqipe, që e kishte përfunduar së hartuari një

    komision i kryesuar nga K. Cipoja dhe ku merrnin pjesë Osman

    Myderrizi, Anton Krajni dhe Eqrem Çabej. Në këtë pikë kishte arritur

    puna në fushën e ortografisë, kur A. Kostallari u emërua në Institutin e

    Shkencave. Komisioni hartues, i shtuar tani edhe me A. Kostallarin, i dha

    dorën e fundit atij projekti, që u botua më 1956 te buletini shkencor i

    Institutit5.

    Ministria e Arsimit në vitin 1961 i kërkoi Institutit që “Ortografia” e

    vitit 1956 të botohej si broshurë me tirazh të madh për shkollat. A.

    Kostallari, atëherë drejtor i Institutit, thirri dy anëtarët e tjerë të

    komisionit, M. Domin dhe E. Çabejnë (A. Xhuvani qe i sëmurë dhe në

    1 Ortografia e gjuhës shqipe. Punuar prej Aleksandër Xhuvanit, Kostaq Cipos e Eqrem Çabejt. Botim i Institutit të Shkencave. Tiranë, 1951, 27 f. 2 Projekti i ortografisë së shqipes (hartuar nga Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Mahir Domi). Botim i Institutit të Shkencave. Tiranë, 1953, 30 f. (me shaptilograf). 3 Shih: Mahir Domi, Projekti i ri i ortografisë e diskutimi i tij. - Buletin për Shkencat Shoqërore, 1954, nr. 1, f. 141-145; Konferenca e ortografisë (kronikë) . - Nëndori, 1954, nr. 1, f. 142-144. 4 Projekti i ortografisë së gjuhës shqipe (hartuar nga Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Mahir Domi). Botim i Institutit të Shkencave. Tiranë, 1954, 44 f. (me shaptilograf). 5 Ortografia e gjuhës shqipe. - Buletin për Shkencat Shoqërore, 1956, nr. 4, f. 38-65.

  • nëntor të atij viti u nda nga jeta), dhe vendosën që ta ripunonin e ta

    plotësonin atë “Ortografi” të botuar më 1956. Kështu nisi puna, ku u

    përfshiva menjëherë dhe unë, prandaj mund të flas edhe si dëshmitar i

    ecurisë së saj1. Pas një zvarritjeje të paarsyeshme (por që doli për mbarë),

    u botua më 24 shkurt 1967 te gazeta “Mësuesi” (a do të ringjallet

    ndonjëherë një gazetë për shkollën?) projekti i drejtshkrimit, i cili pak më

    vonë doli edhe si libër, për t’iu shtruar një diskutimi të gjerë, ashtu siç

    edhe u bë. Ky projekt u përpunua nën drejtimin e A. Kostallarit. Projekti i

    1967-s bënte një hap të rëndësishëm përpara jo vetëm nga mënyra e

    ndryshme e ndërtimit. Ndryshe nga “Ortografia” e 1956-s, e cila

    përmbante në rregulla të veçanta edhe një variant normativ me bazë

    gegërishten, projekti i ri, siç e ka përcaktuar vetë A. Kostallari më vonë,

    ishte “një drejtshkrim i vetëm për një formë të vetme të gjuhës letrare”2.

    Projekti i Institutit të Gjuhësisë të Tiranës u vu në bazë të punimeve të

    Konsultës gjuhësore të Prishtinës në prill 1968, ku, siç dihet, diskutimi i

    mirënjohur i historianit Ali Hadri “Një komb – një gjuhë letrare

    kombëtare”, vulosi miratimin e njëzëshëm të këtij projekti nga Konsulta

    dhe vendimin për ta zbatuar atë menjëherë. Ky vendim ishte i papritur

    dhe i paparashikuar për ne këtu. Para kësaj në Kosovë ishin bërë

    përpjekje për përcaktimin më të plotë e më të saktë të rregullave

    drejtshkrimore për variantin letrar të gegërishtes që përdorej atje, duke

    synuar afrimin me rregullat drejtshkrimore të Institutit të Shkencave të

    1 Khs. dhe kumtesat e mia të mëparshme: “Ndihmesa e prof. Mahir Domit për drejtshkrimin e shqipes”. - Studime filologjike 55(38)/2001, 3-4, f. 39-45; “Eqrem Çabej për drejtshkrimin e shqipes” . - në: Eqrem Çabej – Sesion shkencor “Rëndësia e veprës së prof. Eqrem Çabejt për studimet albanologjike” kushtuar 90-vjetorit të lindjes, më 25-26 dhjetor. Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë, 2003, f. 89-97. 2 Androkli Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj. - në: “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”, vëll. I, Tiranë, 1973, f. 107.

  • Tiranës1. A. Kostallari mbante një kopje të “Ortografisë”2 së botuar në

    më 1964 dhe herë pas here e shikonim gjatë punës. Kur kishim diskutime

    kështu apo ashtu, merrej parasysh edhe si e kishin vendosur kolegët e

    Kosovës.

    Konsulta e Prishtinës dhe vendimi i saj hapën rrugën që çështjet e

    drejtshkrimit e të gjuhës letrare të diskutoheshin në një forum

    mbarëkombëtar. Punët rrodhën në atë mënyrë që ky forum të mblidhej në

    vitin e 60-vjetorit të Pavarësisë, në një atmosferë ku do të përmendeshim

    e do të lartësoheshin, së pari, meritat dhe sakrificat e atyre që e mbajtën

    gjallë shqiptarinë dhe e bënë Shqipërinë, e këtu lëvruesit e studiuesit e

    gjuhës do të zinin një vend nderi. Në atë kohë Instituti ishte në përbërjen

    e Universitetit të Tiranës dhe varej nga Ministria e Arsimit. Një ditë nga

    fillimi i vitit 1972 A. Kostallari më mori për ta shoqëruar në një takim me

    ministrin e Arsimit Thoma Deljana, ish-nxënës i Normales së Elbasanit,

    dashamir dhe përkrahës i fortë i punëve për përparimin e gjuhës shqipe.

    A. Kostallari, si drejtor i Institutit, i parashtroi propozimin për një

    konferencë dyditëshe në muajin tetor, me të cilën të mbyllej diskutimi i

    projektit të drejtshkrimit. Atëherë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë

    ishte në përbërjen e Universitetit të Tiranës dhe vareshin nga Ministria e

    Arsimit. Kuptohet që për organizimin e një konference të tillë

    mbarëkombëtare duhej mbështetje e gjerë e shtetit. Th. Deljana na priti

    me shumë përzemërsi dhe na premtoi se do të merrej me përparësi me

    këtë çështje.

    1 Shih për këtë te: Drejtshkrimet e shqipes. Studim dhe dokumente përgatitur nga Rexhep Ismajli. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Botime të veçanta LXVIII. Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Libri 29. Prishtinë, 2005, 723 f. 2 Ortografija e gjuhës shqipe. Anëtarët e komisionit: dr. I. Ajeti, kryetar, dr. Petro Janura, Sulejman Drini, Hasan Vokshi, Mehdi Bardhi, Latif Mulaku, Murat Isaku, Xhevat Gega, Luc Lucaj. Enti për Botimin e Teksteve i Republikës Socialiste të Serbisë. Beograd. “Rilindja”, Prishtinë, 1964, 66 f.

  • Vendimi për të mbajtur një Kongres për plot një javë në muajin

    nëntor, në prag të 60-vjetorit të Pavarësisë (në vend të një konference

    dyditëshe në tetor) na erdhi i papritur. A. Kostallari e kapi menjëherë

    momentin, e kuptoi rëndësinë kombëtare, kulturore e politike dhe iu

    përvesh punës me energji. U ngrit një Komision organizues i përbashkët

    prej 19 anëtarësh, i kryesuar prej tij: A. Kostallari, M. Domi (nënkryetar),

    E. Çabej, I. Ajeti, Dh. Shuteriqi, A. Buda, R. Qosja, Sh. Demiraj, L.

    Dodbiba, K. Koci, R. Nesimi, J. Gjinari, A. Dodi, E. Lafe (sekretar), J.

    Kastrati, E. Angoni, A. Abdihoxha, L. Franja, J. Ferrari. Komisioni u mor

    me të gjitha çështjet organizative: lista e delegatëve, botimet e

    materialeve për drejtshkrimin dhe gjuhën letrare, afishja, medaljoni,

    distinktivi dhe dëshmia e delegatit etj. U vendos që pas ditës së parë, e

    caktuar për hapjen dhe referatin hyrës, të vijonin tri ditë diskutime të

    ndara në dy seksione (A dhe B); secili seksion do të përmblidhte në një

    parashtresë rezultatet e punës dhe një komision tjetër do të hartonte

    rezolutën.

    Klima politike dukej e qetë. Aksionet masive për revolucionarizimin

    e jetës së vendit kishin mbetur pas. Marrëdhëniet me Jugosllavinë ishin

    normale dhe bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe

    Universitetit të Prishtinës e të Shkupit kishte hyrë në rrugë të mbarë. Por

    vetëm një muaj pas Kongresit dhe pas festimeve të 60-vjetorit të

    Pavarësisë u zhvillua Festivali XI i këngës në RTSH dhe nisi zinxhiri i

    stuhive ideologjike-politike që i njohim të gjithë.

    Referati i A. Kostallarit në Kongresin e Drejtshkrimit “Gjuha e sotme

    letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”

    mendoj se mbetet trajtesa më e mirë teorike, veçanërisht për sa i takon

    vlerësimit të rrugës së zhvillimit të drejtshkrimit, konceptit për

    drejtshkrimin e për vendin e tij në normën letrare, arsyetimit të parimeve

    të drejtshkrimit e të marrëdhënieve ndërmjet tyre, përcaktimit të tipave të

    rregullave drejtshkrimore etj. Ky referat u dha punimeve të Kongresit

  • përmasat e duhura dhe vuri si lajtmotiv temën e dashurisë për gjuhën

    amtare dhe të frymëzimit rilindës për një Shqipëri të pavarur e

    demokratike, ku të lulëzojnë kultura, arsimi kombëtar dhe gjuha shqipe.

    Referati pati një rol me rëndësi për mbarëvajtjen e punimeve të

    Kongresit, duke e vendosur drejtshkrimin në kuadrin e problemit të madh

    të gjuhës letrare. Unë atëherë nuk e prisja që referati të ishte me atë

    gjerësi e peshë në përmbajtje dhe i hartuar në atë formë të zgjedhur për

    një rast të tillë solemn.

    Ashtu siç e tregon titulli, pjesa e parë e referatit i kushtohet gjuhës

    letrare shqipe. Drejtshkrimi dhe gjuha letrare janë vështruar në lidhjen e

    tyre të brendshme të pandashme, së pari, nga Komisija Letrare Shqipe e

    mbledhur në Shkodër në vitet e Luftës së Parë Botërore. Këtë mënyrë

    vështrimi A. Kostallari e zgjeroi dhe e thelloi duke shqyrtuar rrethanat e

    formimit dhe rrugën e zhvillimit të gjuhës sonë letrare kombëtare,

    veçoritë e saj strukturore e funksionale dhe duke dhënë karakterizimin e

    gjendjes së sotme. Referati mbështetet në punën studimore që kishte

    ndërmarrë prej disa vitesh A. Kostallari në këtë fushë, dhe gjithashtu në

    njohjen e gjerë të pikëpamjeve e teorive të shprehura nga një varg

    gjuhëtarësh të shquar1.

    1 Në referatin e A. Kostallarit citohen këta gjuhëtarë të mirënjohur e vepra të tyre:

    Coseriu, E,: Sincronia, diacronia e historia. el problema del cambio linguistico.

    Montevideo, 1958; Humboldt, W.: “Über die Verschiedenheit des menschlichen

    Sprachbaues und ihren Einfluss auf die geistige Entwicklung des

    Menschengeschlechts”, Werke, 6. Band. Berlin, 1948; Paul, Herman: Prinzipien der

    Sprachgeschichte. Halle, 1937; Pedersen, H: “Gjuha shqip” (Yll’ i Mëngjezit”, 1917,

    nr. 2; Sapir, E.: “The status of linguistics as a science”, Language, vol. 5, 1929; “The

    unconscius patterning of behavior in society”, A Symposium. Chicago, 1927;

    Language. An introduction to the study of speeech. Ottava, 1921; Travaux du Cercle

    Linguistique de Prague, I. Prague, 1929; Vendryes, Joseph: Le Langage, Introduction

    linguistique à l’histoire. Paris, 1923; Whorf, Benjamin Lee: The Relation of Habitual

    Thought And Behavior to Language.

  • Artikulli i parë që trajton këto probleme dhe që përmban në mënyrë të

    përqendruar idetë që ai zhvilloi e shtjelloi më tej, është kumtesa e tij në

    Kongresin I të Studimeve Ballkanike në Sofje (1966, botuar frëngjisht në

    Aktet e Kongresit dhe në Studia albanica 1966, nr. 2) - titullohet “Mbi

    tiparet kryesore të shqipe së sotme letrare” dhe është botuar shqip më

    1967 te një revistë arsimore (Shkencat shoqërore në shkollë 1967, nr. 2, f.

    61-74). Ky artikull vuri në lëvizje mendimin shkencor për çështjen e

    gjuhës letrare, i cili kishte pësuar njëfarë shtangieje pas sesioneve

    shkencoretë Institutit të Shkencave vitit 19521. Artikulli i A. Kostallarit u

    pasua nga një varg artikujsh e kumtesash, para e pas Kongresit të

    Drejtshkrimit. Një ide qendrore e tyre është ideja e konvergjencës si

    faktor themelor për formimin e një norme letrare kombëtare të njësuar.

    Kjo nuk është një ide e re. Sami Frashëri ka folur për këtë te vepra e

    mirënjohur “Shqipëria ç’ka qënë, çështë e ç’do të bëhetë?”, jo te kreu për

    gjuhën, po te kreu “Të ndarët’ e Shqipërisë”, prandaj edhe kjo ide e këtij

    vizionari të madh nuk është pasur shumë parasysh, madje as nga A.

    Kostallari. Një shekull më parë Samiu, pra, ëndërronte që kryeqyteti i

    shtetit të ardhshëm shqiptar të ndërtohej i ri “në mest të Shqipërisë më një

    vënt të shëndeçim e të bukurë ... Kështu ky qytet i ri do të jet’ i çpenguarë

    nga gjithë zakonet’ e keq që kanë qytetet e vjetërë; dhe me qënë që

    ndënjësit’ e ti do të jenë mbledhurë nga gjithë anët’ e Shqipërisë, edhe

    gjuha që të flitetë atje, do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhetë gjuh’

    e përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë.” Nuk besoj që një

    dijetar si Samiu të mendonte se gegërishtja me toskërishten do të

    përziheshin në atë kryeqytet të ri ashtu siç përzihen ujërat e Drinit të

    1 Shih: Sesioni i parë shkencor i Institutit të Shkencave për vitin 1952 [kushtuar veprës së shokut Stalin për gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore në dritën e këtyre veprave]. - Buletin për shkencat shoqërore 6/1952, nr. 1, f. 43-93; Sesioni i dytë shkencor për vitin 1952 i Seksionit të gjuhës e të letërsisë. - Po aty 6/1952, nr. 4, f. 64-66.

  • Bardhë me ujërat e Drinit të Zi për të formuar një lumë të vetëm që quhet

    thjesht Drin (as i Bardhë e as i Zi). Përzierje të tilla nuk ndodhin në

    formimin e gjuhëve të njësuara letrare. Dhe këtë e sqaron mirë E. Çabej

    (në kumtesën e tij në Kongresin e Drejtshkrimit), kur thotë se ato

    “zakonisht ndërtohen mbi një bazë dialektore të caktuar. Kjo ndërkaq

    përbën pikënisjen për një zhvillim të mëtejmë, nuk merret e gjitha ashtu

    siç është, në tërësinë konkrete të saj. Shpeshherë asimilohen në atë mes

    edhe elemente të ndonjë dialekti tjetër ose dialektesh të tjera, ndonjë nga

    tiparet fonetike, morfologjike, sintaksore a leksikore të tyre, të cilat vijnë

    e integrohen në sistemin e gjuhës së përbashkët, ose përndryshe shërbejnë

    si model për të modifikuar ndonjë tipar të kësaj, që, si tepër i veçantë,

    ndihet nevoja që t’i shtrohet një reformimi. Krahas me këto procese të një

    karakteri aktiv vërehet në atë mes edhe një proces i përkundërt, më fort

    negativ, i cili konsiston në këtë, që dialektet e tjera me kohë heqin dorë

    nga disa tipare vetjake të tyre, gjë që u hap rrugë formave të

    përgjithshme, lehtëson derdhjen e këtyre përrenjve në lumin e përbashkët

    të gjuhës.”1 Kjo tablo e konvergjencës gjuhësore e përshkruar në mënyrë

    kaq sintetike e mjeshtërore nga E. Çabej nuk ka, për mendimin tim,

    ndonjë dallim në thelbin e saj nga teza e konvergjencës ose e

    bashkëveprimit dialektor e parashtruar nga A. Kostallari. Farka e këtij

    bashkëveprimi ose e kësaj konvergjence, ashtu siç e kishte parashikuar

    Samiu, u bë kryeqyteti i Shqipërisë, i cili, ndonëse nuk u ndërtua i ri,

    pësoi një shndërrim cilësor të strukturës së popullsisë. Si pasojë, të gjithë

    ardhësit në Tiranë (është fjala kryesisht për njerëzit me arsim) dallohen

    qartë gjuhësisht nga të afërmit e tyre në krahinat përkatëse dhe

    njëkohësisht vendësit tiranas vetë nuk kanë mbetur më ata që kanë qenë.

    Ligjërimi i brezit të ri të lindur dhe të rritur në kryeqytet është larguar

    edhe më shumë nga veçoritë gjuhësore të prindërve ardhës ose vendës.

    1 Eqrem Çabej, Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes. - Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, vëll. I, f. 249 v.

  • Këtë ide të rolit të kryeqytetit për përpunimin e normës së njësuar letrare

    e ka theksuar dhe shtjelluar me të drejtë A. Kostallari në studimet e tij për

    gjuhën letrare.

    Për hir të së vërtetës duhet përmendur se këtë ide e ka rrokur me

    mprehtësi dhe e ka shprehur Kostaq Cipoja më 1949 në një vetërecension

    për “Gramatikën” e tij, që u botua atë vit. Ai rrëfehet se kur u ngarkua më

    1948 nga Instituti i Shkencave që të hartonte një gramatikë të gjuhës

    shqipe, nuk mori ndonjë udhëzim se në ç’dialekt duhej ta punonte

    gramatikën. Ashtu si paraardhësi e bashkëqytetari i tij i shquar Kostandin

    Kristoforidhi, edhe K. Cipoja nuk zgjodhi dialektin e vet amtar,

    gegërishten e Elbasanit, por toskërishten. Arsyetimi i tij për këtë zgjedhje

    përmblidhet në këto pika: toskërishtja është idioma e rilindjes sonë

    letrare, gjuha e Naim Frashërit dhe e atyre që ndoqën shembullin e tij;

    toskërishtja është gjuha që u përdor më shumë gjatë luftës antifashiste

    dhe më pas; qendra më e madhe e zhvillimit të toskërishtes është sot në

    Tiranë, ku ajo “do të fitojë tërë ç’i duhet për të shkrirë në njësi harmonike

    divergjencat që lindin nga zhvillimet gjuhësore” për hir të një procesi

    shkrahinarizimi dhe përgjithësimi (termat e tij - E.L.). Me fjalë të tjera,

    ky themelvënës i gjuhësisë normative të shqipes parashikonte që Tirana,

    me rritjen e shpejtë të popullsisë nga krahina të ndryshme dhe me

    përqendrimin e institucioneve shtetërore, arsimore e kulturore, do të

    bëhej fusha e ndeshjes së idiomave dialektore të folura. Kjo do të sillte si

    rrjedhim shkrahinarizimin, d.m.th. humbjen e veçorive të ngushta

    dalluese krahinore, duke përgjithësuar format e përbashkëta. E shprehur

    me një terminologji tjetër, kjo mund të quhet krijimi i një koineje

    mbidialektore, e cila me kohë merr shtrirje kombëtare, bëhet formë e

    përbashkët e gjuhës së shkruar dhe të folur.

    Në studimet e tij për gjuhën letrare A. Kostallari është përpjekur ta

    interpretojë e ta shpjegojë procesin historik të formimit të shqipes letrare

    duke shqyrtuar peshën e faktorëve gjuhësorë e jashtëgjuhësorë në ecurinë

  • e këtij procesi dhe duke analizuar veçoritë strukturore e funksionale të

    shqipe standarde1. Studimet e tij janë analizuese e sintetizuese, por ato

    nuk mbështeten në studime të pjesshme për periudha ose probleme të

    veçanta të shqipes letrare, siç do të ishte e natyrshme. Për fat të keq

    studime të tilla kanë qenë tepër të rralla. Këtë zbrazëti ai herë ka arritur ta

    mbushë me njohjen e dijet e tij, e herë jo; dëshira për ta parashtruar në

    mënyrë sa më konkrete e të kapshme pikëpamjen e vet për formimin e

    gjuhës letrare e ka çuar në ndërtimin e disa skemave që kanë ngjallur

    diskutime; baraspesha e brishtë midis trajtimit shkencor sociolinguistik

    dhe kënaqjes së kërkesave ideologjike të kohës ndonjëherë edhe mund të

    jete cenuar. Sidoqoftë, mendoj (jo vetëm se rasti e kërkon të mbahet

    parasysh thënia aut bene, aut nihil) se A. Kostallari problemin e formimit

    të gjuhës letrare e ka ngritur dhe e ka përballuar në rrafshin e një studimi

    kompleks sociolinguistik dhe ka sjellë për herë të parë mënyra vështrimi

    e koncepte të gjuhësisë bashkëkohore në këtë fushë.

    Meqenëse jemi edhe në ditët e 45-vjetorit të Kongresit të

    Drejtshkrimit, në mbyllje të kësaj fjale dëshiroj të kthehem edhe një herë

    te dy momente nga referati i A. Kostallarit në atë Kongres, që më kanë

    lënë mbresë që atëherë. Në rrethanat e krijuara në atë vjeshtë, kur ishte

    marrë vendimi për themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    dhe ishte caktuar në krye të saj prof. Aleks Buda, historian, që kishte

    kryer studimet në Universitetin e Vjenës në vitet ’30, u duke sikur

    Shqipëria do ta kthente më shumë fytyrën nga shkenca e kultura botërore

    dhe A. Kostallari gjeti mënyrën të shqiptonte botërisht përpara

    udhëheqjes më të lartë, që kishte ardhur të ndiqte punimet e ditës së parë

    të Kongresit të Drejtshkrimit (20 nëntor 1972), aspiratat e përhershme të 1 Këto studime janë përmbledhur tani së fundi në: Androkli Kostallari: Vepra 1. dhe Vepra 2. Studime në fushën e gjuhës letrare kombëtare. Përgatiti: Prof. as. dr. Kujtim Kapllani. Redaktor: Prof. dr. Rami Memushaj. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2016, 426 f. dhe 384 f.

  • forcave përparimtare e demokratike, duke cituar një kryeartikull nga

    “Gazeta e Korçës” (18 janar 1921), e cila u drejtohej me këto fjalë

    kandidatëve për deputetë të asaj kohe: “Shqipëria, bashkë me popullin e

    saj, dëshëron të shohë një përparim dhe i ka shtënë syt’ e saj nga

    Perëndimi... do ta shohë qytetarin, fshatarin dhe bujkun të saj kryelartër,

    të pasur, të lumtur dhe çdo qendër të madhe a të vogël, të lidhur me

    rrugë të hekurta. Do ta shohë dhe ta pjekë Korçën me Shkodrën në 5-6

    sahat; do ta përziejë Verinë me Jugën, ta heqë fanatizmin dhe të krijojë

    një komb të përbashkëtë, të përparuar, të qytetëruar dhe të kulturuar në

    çdo pikëpamje.”1 Kushdo e kupton se ky citat (ku nuk bëhet fjalë fare për

    gjuhën letrare a për drejtshkrimin) as është gjetur rastësisht e as është

    thënë rastësisht, pa një domethënie të nënkuptuar. Në mbyllje të referatit

    A. Kostallari, duke përdorur eufemizmin “një nga organet kryesore të

    Rilindjes”, i referohet revistës “Albania”. Nga një kryeartikull i shkruar

    frëngjisht dhe që merret vesh qartë se i takon penës së Faik Konicës (por

    që nuk mund të zihej në gojë për mirë atëherë), ai ka shkëputur këto

    radhë, ku vizatohet vizioni i rilindësve për Shqipërinë e nesërme: “Ne

    parandiejmë, në agimin e së nesërmes, një Shqipëri të lulëzuar e

    intelektuale, ku do të rrojë plot gjallëri një rini e etshme për dije, e dhënë

    pas artit, bukurisë dhe punës. Këta shqiptarë të rinj do të gjykojnë me një

    drejtësi mëshirëplotë përpjekjet tona, të shartuara me dështime,

    ngadalësi dhe paaftësi, por plot çiltëri të zjarrtë.”2 Kështu shkruante F.

    Konica plot një shekull më parë.

    Me një drejtësi të tillë ka për t’u gjykuar shkencërisht e qetësisht edhe

    vepra e A. Kostallarit (sidomos tani që po botohet e plotë nga Akademia

    e Shkencave e Shqipërisë dhe falë përkushtimit të kolegëve Kujtim

    1 Androkli Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj... f. 70. 2 Po aty, f. 135.

  • Kapllani e Rami Memushaj, që janë marrë e po merren me përgatitjen e

    me redaktimin e lëndës), ka për t’u shkruar për arritjet, për të rejat që

    solli, por edhe për të metat e saj si edhe për vendin e merituar që i takon

    në gjuhësinë shqiptare.

  • LËVRIME DHE PROJEKTIME RRETH ÇËSHTJEVE KARDINALE TË SHQIPES

    (Prof. dr. Qemal Murati) Redaktori përgjegjës për botimin e Veprës së plotë të prof.

    Androkli Kostallarit, dr. Kujtim Kapllani, në ndërmarrjen e tij kolosale për të nxjerrë në dritë këtë vepër shumëpërmasëshe më njoftone se Vëllimin III “Çështje të filologjisë shqiptare”, të cilin e kishte përgatitur vetë prof. Kostallari, dëshironte të ma dërgonte mua për recensë, përveç të tjerash, edhe si ndikim për mirë – pra që shprehet edhe një studiues nga një tjetër shtet shqiptar. Edhe për mua, por edhe për shkencën shqiptare është nder të shpreheni ju gjerë e gjatë për Kostallarin, – më thoshte ai, – dhe kërkonte nga unë t’i jepja një përgjigje.

    Natyrisht, përgjigjja ime nuk mund të mos ishte veçse pozitive, e nga ana tjetër edhe ta falënderoja shumë që më kishte caktuar të jem njëri nga recensentët e kësaj vepre; është nder për mua që më jepet rasti të shpreh konsideratën time për një studiues dhe njohës kaq të thellë të gjuhës shqipe e me kontribute madhore, siç është i përjetshmi prof. Androkli Kostallari. Por, ç’është e drejta, të marrësh e të shkruash dy fjalë për veprën e Kostallarit është edhe një përgjegjësi e madhe, që të tundon t’i hysh kësaj pune ose jo kur ndodhesh përpara një personaliteti aq të lartë, me kontribute domethënëse në filologjinë shqiptare. Sidoqoftë, e pranova sfidën. Studimet e Kostallarit në fushë të shqipes janë të thella e të themelta, që mbeten gjedhe se si duhen trajtuar problemet e gjuhës. Filologjia shqiptare te prof. Androkli Kostallari, i cili kishte marrë dije të thella linguistike te profesori i tij i njohur Vinogradov, ka gjetur, si te rrallëkush tjetër përpara tij, studiuesin dhe mjeshtrin me kompetencë të lartë e njeriun më të përkushtuar të saj, i cili i ka kushtuar kësaj gjuhe gjithë potencialin e vet.

  • “Gjuha letrare shqipe ishte tema më e preferueshmja e Kostallarit. Asaj ia kushtoi një jetë të tërë njeriu, shkencëtari. Tok me bashkëpunëtorët e tij, pas përgatitjeve të domosdoshme paraprake, Kostallari arriti të organizonte Kongresin e Drejtshkrimit (1972), që trajtoi gjuhën letrare shqipe dhe problemet themelore të drejtshkrimit të saj. Kur është fjala te gjuha letrare shqipe e epokës sonë, ajo, sikundër dihet, miratimin e kishte marrë në Kosovë, në Konsultën gjuhësore të Prishtinës (1968), pastaj në mënyrë të prerë e përfundimisht u sanksionua në Kongresin e Drejtshkrimit, që, e stabilizuar njëherë e mirë, po zbatohej gjithandej në kontekstet kulturore e shoqërore shqiptare” – thotë prof. Idriz Ajeti.

    VEPRA Çështje të filologjisë shqiptare e A. Kostallarit përmbledh 27 punime studimore që rrokin të trajtojnë problematika me interes të fushave të ndryshme. Punimet e tilla janë paraqitur si referate në konferenca e kongrese shkencore dhe janë botuar në revista të ndryshme, si në Studime filologjike, Gjurmime albanologjike etj. në një lak kohe prej vitit 1962–1989, porse, të përmbledhura këtu në një vëllim të posaçëm, ato marrin një vlerë të re, sepse e ruajnë aktualitetin dhe në shumë pika janë referenca drejtimdhënëse.

    Në punimin Gjendja e studimeve albanologjike, probleme dhe detyra të reja, Kostallari që në krye vë postulatin domethënës prej nga duhet të niset studiuesi:

    “E tashmja ka dalë nga e kaluara dhe e ardhmja do të dalë nga e tashmja. Kështu ndodh në historinë e popujve, kështu ndodh edhe në historinë e mendimit.”

    E kjo do të thotë se zhvillimi i sotëm dhe i nesërm i shkencave albanologjike nuk mund të kuptohet pa pasur parasysh burimet dhe rrugët e tyre të djeshme, trashëgimin shkencor që kanë lënë albanologët shqiptarë dhe të huaj, në të gjitha zgjidhjet që i kanë qëndruar provës së kohës dhe mendimit kritik. Në këtë vështrim, për problemet e gjuhës e të letërsisë, të historisë e të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve ai rrok të gjitha ndihmesat e studiuesve shqiptarë e të huaj që kanë sjellë në fushën e albanologjisë dhe sidomos prurjet e studiuesve e sferave të ndryshme të ballkanologjisë. Pa albanologji nuk ka ballkanologji

  • dhe e kundërta, – gjykon Kostallari, – edhe me të drejtë. Çështjet dhe problemet e gjuhës shqipe tek ai janë vështruar shpeshherë jo të izoluara brendapërbrenda gjuhës sonë, por edhe në një rrafsh më të gjerë krahasues, në përqasje edhe me dukuri të gjuhëve të tjera të Ballkanit dhe të Evropës. Rezultatet e punës kërkimore shkencore në këtë trajtesë të hapët të prof. Kostallarit janë shumë të dobishme për historinë e albanologjisë, sepse aty përmblidhet me një vështrim kritik gjithë produkti i autorëve dhe studiuesve të shquar për historinë e popullit shqiptar, për gjuhën, foklorin dhe kulturën shqiptare nëpër periudha dhe etapa të ndryshme.

    Në trajtesën Studimet gjuhësore në Shqipëri – burime, probleme, arritje (Referat i mbajtur në Kongresin II të Studimeve të Europës Juglindore, Athinë, 7–13 maj 1970), prof. Kostallari bën po kështu një paraqitje sintetizuese të studimeve gjuhësore në fushë të shqipes në periudhën pas Çlirimit, ku analizon metodat që ka përdorur gjuhësia shqiptare, rezultatet e arritura, problemet që ajo i ka zgjidhur apo i ka vënë në rrugën e zgjidhjes. Autori paraqet disa konkluzione teorike dhe disa udhëzime të përgjithshme për zhvillimin e mëtejshëm të studimeve në këtë fushë.

    Prof. Kostallari nuk ka bërë vetëm një bilanc të studimeve dhe rezultateve të punës së të tjerëve. Ai është njëkohësisht dhe autori kryesor që ndërmori vetë të projektonte një varg studimesh me rëndësi kapitale për gjuhën shqipe. Njohja e thellë dhe me themel e problemeve gjuhësore të shqipes, e strukturës gramatikore e fjalëformuese të saj dhe hetimi i tyre i mprehtë nga prof. Kostallari e bënin këtë gjuhëtar elitar të merrte në dorë projektimin e madh edhe në punë të formimit të shqipes standarde, ku me analiza të holla teorike do të përvijonte caqet prej nga duhej të nisemi dhe përfundimet e logjikshme se ku duhet të arrijmë.

    Prof. Kostallari bën edhe një bilanc të punës që është bërë për mbledhjen e toponimeve dhe të mokrotoponimeve në krahinat e ndryshme të Shqipërisë, ku konstaton se janë regjistruar 150 mijë topoleksema, porse ky numër sigurisht është shumëfish më i madh në terren.

    “Siç dihet, mikrotoponimia e një fshati përfshin, zakonisht, rreih njëqind emra. Në të kaluarën në Shqipëri nga mikrotoponimia e një fshati, edhe në rastet më të mira, nuk ishin mbledhur më shumë se

  • 40- 50 emra. Në lëndën e mbledhur këto kohët e fundit ka qindra fshatra, mikrotoponimia e të cilëve i kalon të 150 emrat; në zonat malore dhe në bregdetin jugor ka edhe fshatra me 200-300 mikrotoponime. Parashikohet që në të gjithë truallin shqiptar mund të mblidhen më se 500 mijë toponime, d.m.th. rreth 20 toponime për çdo kilometër katror”.

    Kjo punë ka mbetur edhe sot e kësaj dite habitorisht e papërfunduar, aty ku ka qenë.

    Çështjet dhe problemet në fushën e filologjisë shqiptare, të gjuhës e të letërsisë, të onomastikës e posaçërisht të kulturës së gjuhës, te prof. Androkli Kostallari kanë gjetur studiuesin dhe mjeshtrin që i rroku ato gjithanshëm e me një frymë e metodë kritike dhe i shpuri ato ndjeshëm përpara. Vepra e tij filologjike mbetet një vepër elitare në përmasat tona kombëtare e ndërkombëtare, e po kështu dhe trashëgimi shkencor që ka lënë prof. Kostallari i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë provës së kohës dhe mendimit kritik.

    Në lëmin e kërkimeve filologjike në fushë të shqipes kontributi i prof. Kostallarit është gangullor e i pallogaritshëm, si në fushën e fjalorëve, të fjalëformimit, të kulturës së gjuhës, të onomastikës. Falë kontributit të tij gjuhësia shqiptare ka arritur sot prestigjin e një gjuhësie shkencore më të përparuar dhe frytet e saj janë më të pranueshme.

    Për “demokratët” e sotëm në gjuhësi, që kërkojnë përmbysjen e standardit, një Fjalor me më shumë fjalë gege, prof. Kostallari qysh në vitin 1973 shprehej: “Gjuha e sotme letrare shqipe është demokratizuar, duke ngërthyer me mijëra fjalë e shprehje nga gurra popullore e të gjitha krahinave”. Por, natyrisht, kjo nuk nënkupton se në fjalorin standard e në gramatikë mund të futen të gjitha fjalët me format e tyre krahinore, sepse atëherë do të kishim rikthimin e standardit në dialekte.

    “Asnjë fjalor i gjuhës letrare nuk është i detyruar të përfshijë provincializmat, shprehjet dialektore ose termat e ngushtë të profesionit” – shprehet gjuhëtari i njohur Ivan Klajn.

    Për antistandardistët e sotëm, që kanë ngenë të merren me mohimin e gjuhës e i bien më qafe edhe prof. Kostallarit, sepse ky me mendjen e tij eprore ishte kontribuesi më i madh për formimin e

  • gjuhës letrare, prof. Emil Lafe, me të drejtë, thotë: “Unë nuk besoj se do të jetë ndonjë fitore e madhe për shqipen standarde sikur emri burrë të shkruhet burr, dhe në vend të së sotmes zotërinj të shkruhet zotërij, siç kërkojnë ithtarët e ndryshimeve për ndryshime, të atij farë Këshilli ndërakademik (fatkeqësisht i mbështetur dhe nga kjo Akademi), që do të sjellin rrëshqitjen e standardit në drejtim të pështjellimeve të njëpasnjëshme”, një pel-mel a lesheli gjuhe shqipe!

    Edhe studiuesi i madh i albanologjisë shkencore, tanimë i ndjerë, Robert Elsi, thoshte: “Të krijohet një standard gegë në Kosovë, nuk besoj që u hyn në punë shqiptarëve!”

    Tabloja e problematikave filologjike që trajtoi gjuhëtari i shquar prof. Androkli Kostallari është e gjerë dhe e larmishme, ajo është një fushë shumë e hapët gjurmimesh e studimesh të leksikut e të frazeologjisë, të morfologjisë e të fjalëformimit, të gjuhës letrare shqipe e të gjuhës së letërsisë, të historisë së gjuhës shqipe e të onomastikës. Vepra gjuhësore monumentale e prof. Kostallarit do të mbetet me vlera të përjetshme. Shekujt do ta ridimensionojnë atë, paçka se do të ketë edhe “xhuxhë gjigantë” që do ta kontestojnë. Por gjuha nuk është pjesë dhe parcelë që mund t’u lihet në dorë diletantëve, që janë gati ta flijojnë shqipen standarde në emër të disa mërive ideologjike. Nga kjo pikëpamje, vepra e Kostallarit ka ç’të na mësojë për gjuhën letrar sot dhe në të ardhmen.

  • IM ATË ANDROKLI KOSTALLARI – MIK DHE MËSUES I PAHARRUAR

    (Irinë Kostallari) Familja jonë ka qenë relativisht e vogël: prindërit, unë dhe im

    vëlla, Adriani. Jetesa ka qenë e thjeshtë, por shumë e këndshme – rrethuar me libra në shumë gjuhë, me miq dhe kolegë të fushave të ndryshme studimore. Telefoni fiks nuk pushonte asnjëherë pasditeve dhe mbrëmjeve… Shpeshherë më duhej të bëja edhe sekretaren e babait – ta njoftoja për telefonatat e kolegëve të tij brenda dhe jashtë shtetit. Në shtëpinë tonë, në diskutime pune, u shërbeja kafen dhe pijen të gjithë miqve dhe kolegëve studiues, gjithmonë në majë të gishtave. Vështroja nëse kishin përfunduar dhe futesha vetëm pak sekonda, sa tërhiqja tabakanë me filxhanë dhe largohesha; përsëri në majë të gishtave, duke i përshëndetur me zë të ulët…

    Jetesa në familjen Kostallari kishte kufizimet e veta: mamaja ime, tashmë e ndjera Evgjeni Kostallari, punonte në Institutin e Tokave. Ajo ishte ruse. Ishte dashuruar në Moskë me tim atë dhe vendosi të jetonte në Shqipëri. Për arsye që i dimë të gjithë, unë dhe im vëlla nuk mundëm t’i njihnin gjyshërit nga nëna, as dajat e tezet a të afërm të tjerë. Pra, ishte kosto jo vetëm për nënën tonë, por edhe për ne, fëmijët; edhe për babanë.

    Edhe shëtitjet me babanë kishin kufizimet e veta: në çdo hap që hidhte, e përshëndetnin gati të gjithë; e ndalnin, e pyesnin për diçka etj. Kështu, jo rrallë unë ndihesha në vështirësi; më duhej të kontrolloja veten, të mos shprehesha lirshëm, të mos më shpëtonte ndonjë fjalë pa dashje. Pra, edhe në shëtitje ndonjëherë më dukej sikur ndodhesha në zyrë! Sidoqoftë, përshëndetjet dhe dashamirësia e njerëzve i bënte të këndshme lëvizjet me tim atë. Ai punonte shumë, deri natën vonë; por gjente përsëri kohë të na ndiqte si

  • shkonim me mësime, si silleshim në shkollë, si i kishim marrëdhëniet me shokët e me shoqet.

    Në shtëpinë tonë drita fikej shumë vonë. Kanë qenë jo të rralla rastet kur vinin policë dhe trokitnin se mos kishim ndonjë shqetësim, ndoshta ndonjë problem shëndetësor – ngaqë nuk fikej drita… Kur u dilte im atë me veshjen e punës, përshëndetnin dhe largoheshin në heshtje… Përkushtimi i thellë për punën e detyronte të linte shpesh pas dore edhe njerëzit më të dashur të familjes… Me mamanë e pritnim vonë dhe, kur thyhej shumë nata, shpesh kemi fjetur së bashku, duke pritur të kthehej nga shqyrtimi i ndonjë teze shumë të ndërlikuar! Edhe pse i mbytur në punë, më ka mbajtur shumë afër: kudo ku shkonte, më merrte me vete: në tregun e fshatarëve, në dyqane, në shëtitje etj. Edhe atje skedat i mbante gjithmonë me vete. Hynte në biseda të gjera fare natyrshëm me fshatarët, duke qëmtuar prej tyre fjalë e shprehje pak të njohura a të panjohura, të cilat i skedonte për t’i përfshirë në fjalorin që po e përgatiste për ta botuar. Dikur, kur i ishin mbaruar skedat, nga biseda me një plak nënvizoi një thënie dhe më vuri ta përsëritja disa herë, se duhej t’ia transmetoja në shtëpi, si lëndë e re për fjalorin e shqipes!

    Im atë interesohej për mbarëvajtjen në mësime, me shumë kujdes zgjidhte libra në përshtatje me moshën tonë dhe na i sillte t’i lexonim. Na dëgjonte me vëmendje për gjithçka, pyeste për gjithçka lidhej me ecurinë tonë në edukim dhe në mësim. Kur ndruhesha t’i tregoja diçka, më këshillonte të mos fshihja kurrë asgjë. Kurrë nuk na ka bërtitur, por mundohej me durim të çuditshëm të na sqaronte gjithçka. Në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja kam marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë dhe aksionet e rinisë; në të gjitha zboret. Kur kthehej nga shërbimet jashtë shtetit, mundohej të na kujtonte me ndonjë dhuratë të gjithëve, pa përjashtim, nga kursimet e dietës modeste që merrte.

    Edhe në plazh takonim shumë miq e kolegë të babait. Edhe atje bisedonte me shumë njerëz, na njihte me ta dhe na vinte të diskutonim për libra të ndryshëm artistikë. Me gjithë punët e shumta, kurrë nuk reshti kujdesin e veçantë për familjen. Prandaj unë dhe im vëlla e kujtojmë jo vetëm për dijenitë e tij, jo vetëm për

  • veprimtarinë akademike, por edhe si shembull të cilin do të dëshironin të ndiqnim në jetë. Kujtoj porosinë e tij të herëpashershme: “Kurrë mos u ankoni, po vraponi, 00që koha të mos ju lërë mbrapa!” Mjerisht, ai vrapoi të ikte shumë herët nga kjo jetë!… Më pas na la edhe nëna, edhe ajo shumë herët! Im vëlla jeton në Shtetet e Bashkuara, unë jetoj me kujtimin e tim ati: në çdo hap që hedh, më kujtohet ai; në çdo vështirësi e ndiej pranë…

    Ndiej mall për shtëpinë në rrugën “Sami Frashëri”, ku kemi kaluar pjesën më të madhe të jetës. Me atë shtëpi lidhen kujtimet më të shumta për tim atë, edhe për nënën, edhe për vëllanë. Për dreq, për pak vite na transferuan në Bllok! Shumë